Nga Ylli Pata/

BESA prishi skemat e politikës së vjetër. Kjo forcë politike, e cila u afishua në zgjedhjet parlamentare si faktori potencial që rrëzoi regjimin e Nikolla Gruevskit, ka investuar burimet më të rëndësishme të saj në zgjedhjet vendore të së dielës.Kështu, në dy kryeqendrat shqiptare në Maqedoni:, Shkupin e Vjetër, gjegjësisht Çairin dhe Tetovën, BESA kandidon dy liderët kryesore Bilall Kasamin dhe Zeqirija Ibrahimin.
Ndërkaq, për qytetin e Shkupit, ndërsa disa nga partitë shqiptare kanë tentuar taktikën me forcat politike maqedonase, BESA kandidon denjësisht me profesoreshën Nafie Selmani, duke ngritur për herë të parë stekën jo vetëm të përfaqësimit, por edhe ekselencës intelektuale e humane.
Në Maqedoni, gjithë këto vite ka funksionuar një sistem politik i tillë: një parti shqiptare që të ecte përpara do të duhej të lidhej me një nga partitë kryesore maqedonase.
Dhe kështu u krijuan feudet e errëta të pushtetit okult të BDI-së dhe PDSH-së. Partitë që dolën nga këto forca rezultuan se ishin më shumë fraksione klanesh sesa lëvizje reale politike.
Vetëm BESA që prej dy vitesh ka shpallur një filozofi të re, një besëlidhje të re politike që nuk varet nga ndonjë forcë madhore në Shkup apo të jetë këmbalec i partive maqedonase.
Ndaj dhe BESA u prit prej shqiptarëve si një shpresë e re dhe rrugë më e sigurtë drejt së ardhmes.
Nesër, një ditë para zgjedhjeve të caktuara për të dielën do të votojnë personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosurit, të paraburgosurit dhe personat e zhvendosur.
Mbi 5000 vëzhgues vendorë dhe 373 të huaj do ta ndjekin procesin zgjedhor.
Për dallim prej zgjedhjeve parlamentare tani ka më pak vëzhgues të akredituar dhe më pak akreditime për gazetarë të huaj.
Lista zgjedhore, listat e votimit, kutitë e votimit dhe vulat janë dorëzuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tek komisionet komunale zgjedhore për zgjedhjet lokale të caktuara për ditën e diel.
Zgjedhjet e së dielës janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Ato do të zbatohen në 3 480 vendotime në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit.
Fushata për rrethin e parë zgjedhor ka filluar më 25 shtator dhe përfundon sonte në mesnatë.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve është përcaktuar për dy javë më vonë, më 29 tetor. Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në orën 24