Mjeshtra amerikanë dhe specialistë shqiptarë përgatiten për përballimin e emergjencave të ndryshme detare/
Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 16 dhjetor në Qëndrën e Simulimeve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua faza finale e stërvitjes “Delfini-2015”. Në këtë stërvitje të drejtuar e organizuar nga QNOD, {Qëndra Ndërinstitucionale Detare Operacionale} dhe Qendra e Simulimeve, morën pjesë specialistë të institucioneve përbërëse të kësaj qendre, Kordinatorë dhe specialistë nga Forca Detare, Policia Kufitare, Kapitenaria e Porteve, Antikontrabanda Detare, personel i Forcave Ajrore, Inspektoriati i Peshkimit, Inspektoriati i Mjedisit, Qendra Kombëtare e Emergjencave, etj. Për mëse një jave pjesmarrësit mbi bazë të skenarëve të parapregatitur për situate të ndryshme në det, provuan aftësitë vendimarrëse e organizuese të tyre në lidhje me variantet e parashikuara si dhe përdorimin efikas të mjeteve në përdorim. Shefi i trajnimeve në QNOD, zoti Petrit Baduni dhe Kordinatori i FD në këtë Qendër, Kapiten i Rangut të III-të, Urim Bulica, sqaron se, e vecantë e kësaj stërvitje ishte se u planëzuan dhe realizuan variante taktike të operacioneve të kërkim-shpëtimit SAR si dhe ato kundër trafiqeve njerzore, të cilat përkojnë dhe me situatat aktuale rajonale, nga të cilat vendi ynë nuk është i përjashtuar. Me theks të vecante u pa bashkëveprimi midis të gjithë aktorëve shtetërorë që veprojnë në det gjatë këtyre operacioneve, dhënia në kohë optimale e ndihmës për personat në rrezik, përzgjedhja e mjetit më të përshtatshëm, monitorimi i situatave komplekse të krijuara nga këto emergjenca detare, kërkim-shpëtimi në përputhje me Manualin SAR, ndërveprimi dhe bashkëpunimi i të gjitha agjencive përgjegjëse për menaxhimin e këtyre situatave, etj. Gjithashtu në stërvitjen “Delfini-2015”, vend të vecantë zunë situatat dhe operacionet për kontrollin e kufijve detarë, si ato për kalimin e paligjshëm të qenieve njerzore e refugjatëve gjatë kufirit detar, rastet kur në bordet e anijeve ka dhe persona të armatosur, por dhe rastin kur vetë anija pëson avari dhe e rëndon më tepër situatën detare. Në përputhje me situatat e dhëna nga kordinatorët e stërvitjes u përcaktuan dhe mjetet e Forcës Detare, të Policisë Kufitare, Antikontrabandës dhe Kapitanerisë, që u përdorën në cdo rast. Është stërvitja e tretë që institucionet tona detare zhvillojnë në Qendrën tonë të Simulimeve, një nga asetet më të mira të FA, që i ka dhënë frymëmarje të vecantë gjithë procesit stërvitor në ushtrinë tonë. Madje spektri i veprimeve të saj e ka zgjeruar shtrirjen deri në rajon, sic ishte stërvitja “Joint Reaction-2015”. Major Lulëzim Salihi, një nga specialistët e Qendrës së Simulimeve që në krijimin e saj, theksoi se, shohim që nga stërvitja “Pulëbardha-2014”, “Adrijon-2015” deri tek “Delfini-2015”, ka një përmirësim të procedurave dhe rritje të aftësivë profesionale të personelit të këtyre institucioneve. Sigurisht në situatat që japim në monitorë përpiqemi ti përafrohemi ngjarjeve reale në det. Gradualisht, Qendra e Simulimeve po familjarizohet me skenarë të tillë, anasjelltas dhe detarët shqiptarë ndjehen mirë gjatë ushtrimeve në kabinetet dhe sistemin dixhital të Qendrës. Stërvitjet në Qendrën tonë, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA, kanë mjaft vlera në të gjitha aspektet stërvitorë, thotë majori. Së pari shkurtohet koha e stërvitjes, ulet kostoja e saj disa herë, mënjanohet dëmtimi i mjedisit, zbatohet standartet e NATO-s për këto lloj stërvitje, gjithashtu, si Drejtuesit e operacioneve apo Komandantët e anijeve dhe sikur te bëjnë gabime në vendimarje, kanë mundësinë ti korigjojnë ato, pa shkatuar konseguenca në ecurinë e operacionit, sic mund të ndodhte në një situatë reale. Nën drejtimin e specialistëve amerikanë, ishushtarakë, {Tony Darlington e Dee Esplind}, si dhe personelit të Qendrës së Simulimeve, u arrit që të realizohen objektivat e stërvitjes, ku bazë ishte përmirësimi i aftësive individuale dhe bashkeveprimit midis institucioneve tona ligjzbatuese në det, gjatë misionit dhe detyrave të tyre parësore. Në konkluzionet e stërvitjes pjesmarrësit falenderuan personelin e Qendrës së Simulimeve dhe nxorrën disa mësime për ti korigjuar në të ardhmen si, dhënien në kohë të situatave, saktësimin e kordinatave të objekteve të ndryshme në det, futjen e shpejtësisë reale të cdo mjeti detar në Database, përmirësimin e legjislacionit e rregulloreve, të sistemeve të komunikimit, shkëmbimi i informacionit, përdorimi i helikopterevë për zbulim detar, përafrimi i punës nga ajo c’ka bëjmë tek Qendra e Simulimeve me zbatimin e detyrave funksionale në QNOD, etj. Kapiten Besnik Deda e vlerësoi këtë stërvitje si një eksperiencë të re dhe me perspektivë në përgatitjen e personelit të institucioneve detare të shtetit shqiptar. Nuk është e paktë të përgatisësh dhjetra kuadro e specialistë në përballimin e emergjencave të ndryshme detare, theksoi kapiteni. Ndërsa Drejtori i Antikontrabandës Detare, zoti Ylli Hatellari nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve detare, verifikimin e saktë të situatave e objekteve dhe planifikimin e aseteve të duhura për cdo operacion. “Delfini-2015”, mbylli siparin e 13 stërvitjeve të zhvilluara në Qendrën e Simulimeve gjatë vitit 2015. Në këtë kuptim, kjo qendër është nga më produktivet në Forca tona të Armatosura.