Nga Rafael Floqi
Populli shqiptar ka fatin të jetojë në epokën e një lideri që sheh përtej të tashmes, përtej ekraneve të telefonave tanë të mjerë, dhe përtej vetë lirisë sonë së pavlerë. Kryeministri ynë i ndritur, Edi Rama, ka vendosur t’u japë fund rrëmujës digjitale duke na liruar nga skllavëria e TikTok-ut. Me një urdhër të shenjtë dhe të padiskutueshëm, ai ka dëshmuar sërish se është babai i kombit modern, një shenjtor i shekullit XXI që nuk kursen as censurën për të na shpëtuar nga vetja jonë!
Sipas qeverisë, ky vendim u mor për të mbrojtur të rinjtë nga rreziku i dhunës. Tani, pa TikTok, ata do të kalojnë më shumë kohë në aktivitete të shëndetshme si bisedat ballë për ballë, leximi i librave (që nuk ekzistojnë nëpër libraritë tona) dhe shëtitjet e qeta nëpër qytetet tona të mbushura me smog dhe nga shikimi I Big Brother apo nga podcastet e ERTV. Ah, sa mirë do të ishte sikur të ndalonim edhe telefonat fare! Imagjinoni: një Shqipëri pa rrjete sociale, ku lajmet do të shpërndahen ekskluzivisht nga zëdhënësit e qeverisë dhe televizioni kombëtar. Demokracia e vërtetë!
Ndërkohë, opozita dhe disa gazetarë kanë filluar të ulërasin për censurë, sikur e drejta për të bërë video qesharake me efekte idiote të jetë ndonjë liri themelore. Nuk e kuptojnë se ky vendim është një domosdoshmëri kombëtare, një masë e pjekur për të garantuar stabilitetin! Edhe Kina do të ishte krenare për një hap të tillë! Dhe, sigurisht, për të gjithë ata qytetarë “rebelë” që kërkojnë mënyra alternative për të hyrë në TikTok, ne kemi një mesazh të qartë: kujdes me VPN-të! Mos harroni që qeveria jonë tashmë është eksperte në kontrollin e internetit dhe në ndjekjen e të gjithë atyre që guxojnë të thyejnë rregullat e arta të mirëqenies kolektive.
Por pse të ndalemi këtu? Nëse TikTok-u është i rrezikshëm, a nuk janë edhe Facebook-u, Instagram-i dhe YouTube po aq problematikë? A nuk nxisin edhe ata shpërqendrim, përçarje dhe ndonjëherë – oh, tmerr – mendim kritik? Mbase duhet të ndalojmë krejt internetin dhe të kthehemi në ditët e lavdishme të vitit 1990, kur informacioni kontrollohej me dorë të hekurt dhe qytetarët jetonin të lumtur në padituri.
Në fund të fundit, siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë, ne do të pranojmë çdo kufizim me qetësi e përulësi, sepse jemi mësuar. Dhe kur, një ditë, do të zgjohemi dhe të zbulojmë se edhe Google nuk funksionon më – vetëm në Shqipëri, sigurisht – do ta pranojmë me një buzëqeshje të hidhur dhe do të vazhdojmë rutinën tonë të zakonshme: duke pritur vendimin e ardhshëm brilant të udhëheqësit tonë vizionar.
Revolucioni digjital i opozitës shqiptare ka shpërthyer me një protestë epike kundër censurës më të tmerrshme që ka parë ndonjëherë vendi: ndalimi i TikTok!
Qeveria e majtë, e cila ka ndaluar gjithçka përveç propagandës së vet, vendosi me një gjest madhështor të mbyllë TikTok-un për 12 muaj, duke pretenduar se platforma “nxiste dhunën dhe bullizmin.” Në të vërtetë, thuhet se kabineti u tremb nga fakti që 12-vjeçarët mund të bënin video më bindëse se fjalimet e Edi Ramës.
Ndërkohë, opozita e drejtuar nga Sali Berisha – i cili ka një përvojë të gjatë në betejat epike kundër teknologjisë (përfshirë printerat, e-mailet dhe sistemin TIMS) – u ngrit në këmbë për të mbrojtur lirinë e fjalës… dhe të videot-eve me sfond këngësh turbofolk.
“TikTok është një e drejtë themelore! Duhet ta mbrojmë nga censura e qeverisë që frikësohet nga rinia jonë e lavdishme dhe filtrat e Snapchat-it,” tha Berisha, ndërsa qindra demokratë brohorisnin emrin e tij, duke mbajtur pankarta si “Pa TikTok, s’ka Demokraci” dhe “Korrupsioni është i keq, përveç kur e bëjmë ne.”
Ish-lideri demokrat, i cili deri vonë ka luftuar me arrestin shtëpiak dhe përçarjet brenda partisë së tij, u zotua se TikTok do të rikthehej më 12 maj – një ditë pas zgjedhjeve parlamentare. “Pse më 12? Sepse atëherë do të kemi një opozitë të re dhe do ta harrojmë këtë protestë si çdo herë tjetër,” shpjegoi ai.
Ndërsa për Amerikën Tik Toku shihet si subversionyu atë kinez në të dhënat personale të amerikanëve. pavarësisht Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin të mërkurën me një shumicë dërrmuese që mund të detyrojë TikTok të heqë dorë nga kontrolli i kompanisë së tij mëmë kineze ose të ndalohet. Fati i saj në Senat nuk është i qartë pasi Trum e sht. Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, është e bazuar në Kinë dhe ligjvënësit amerikanë thonë se po ndjekin një ndalim në emër të mbrojtjes së SHBA, të dhëna nga qeveria kineze. Por ligjvënësit nuk po ndjekin legjislacion gjithëpërfshirës federal për privatësinë që do të mbronte të dhënat e amerikanëve për të gjitha aplikacionet që ata përdorini Ramës , por ky nuk është shqetësimi i Ramës pasi radiot e Pekinit shperndajnë vallë rdiosh nga Fllaka si në kohën e miqësisë së madhe.
Në anën tjetër, Edi Rama u shfaq i qetë, duke postuar një pikturë ekspresioniste të vetes me titullin “TikTok-free Albania” dhe duke deklaruar se ky ishte një hap i madh përpara në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. “Ne nuk mund të lejojmë që populli të informohet përmes videove 15-sekondëshe. Kjo është detyrë ekskluzive e televizioneve tona të pavarura dhe të lira… që unë i kontrolloj,” tha ai.
Në fund, protesta përfundoi pa incidente, përveç faktit që një numër i madh protestuesish u kapën duke regjistruar live nga TikTok, pa e kuptuar se ishte i ndaluar. Ata u liruan me kushtin që të kthehen në Facebook – ku, sipas Berishës, qëndron opozita e vërtetë.
Ndërkohë, Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj drejt Europës, një rrugë që do të zgjasë të paktën deri në vitin 2050… ose kur të shpiket një platformë e re sociale për t’u ndaluar