Nga Dalip Greca/
Gazeta Shqiptari i Amerikës botohej në Korçë. Vendimi për të nxjerrë një gazetë të Vatrës në Shqipëri, u mor në Kuvendin e Vatrës të vitit 1922. Gazeta u vendos që të ishte e përjavshme. Numri i parë i “Shqiptari i Amerikës” doli me 21 Tetor 1922. Gazeta botohej në shtypshkronjën e Dhori Kotit, që ndodhej në rrugën që mbante ermin e Presidentit amerikan rruga “Presidenti Wilson”. Editori i gazetës ishte Loni Kristo, ndërsa sekretar ishte Loni Nini. Menaxher i gazetës ishte Hasan Bitincka.Në një letër që Faik Konica i shkruante bashkëthemeluesit të Vatrës, deputet i Korçës, Kristo Kirka, i shkruante me 10 gusht 1922:
” Zotërisë së Tij
Zotit Kristo Kirka, Deputetit të Korçës,
I dashur Atdhetar,
“Vatra”, siç e dini, vendosi të botojë një gazetë në Korçë, “Shqipëtarin e Amerikës”, dhe për Manager që ta qeverisë gjithë punën emëroj Zotin Hasan H Bitincka.Jemi të bindur se do t’i jepni të gjithë përkrahjen e duhur. Përveç kësaj, do t’ju lutemi të veproni si zëvendës i Imzot Nolit, kur ky të mos ketë nge’, për të kqyrur hesapet një herë në katër muaj, duke qenë se ne s’munt t’I auditojmë për së largu.
Besojmë se do ta merrni përsipër këtë mundim patriotik.
Mbetem juaji me besë,
Kryetari i Federatës “Vatra”
Faik Koniza
Në numrin e parë të gazetës “Shqiptari i Amerikës” u botua edhe një mesazh përshëndetjeje nga Faik Konica, qw atw kohw ishte kryetar i Vatrws. Kjo gazetë botohej me tetë faqe. Gazeta ishte oponente e qeverisë së athershme siç ishte dhe vetë Vatra. Në atë kohë edhe gazeta Dielli hynte në Shqipëri dhe kishte një jehonë të jashtzakonshme. Ajo pritej si ujët e pakët në shkretëtirë. Mirëpo duke qenë se edhe Noli edhe Konica i kishin”armët e mbushura” kundër gabimeve qeverisëse, gazeta Dielli u ndalua të hyjë në Shqipëri. Këtë njoftim na e ka përcjellë gazeta “Shqiptari i Amerikës’ në numrin e katërt të saj me titullin”Guverna Shqiptare ndaloi hyrjen e Diellit në Shqipëri”. Ndalimi kishte hyrë në fuqi në Dhjetor 1922. Ky nuk ishte ndalimi i parë i Diellit, kishte ndodhë edhe në kohën e Xhon Turqëve më 1910. Ndërkohë, siç njoftonte “Shqiptari i Amerikës” , Guverna kishte hedhë në gjyq edhe editorin e gazetës së Vatrës në Korçë”Shqiptari i Amerikës”.
Pas vendimit të Guvernës, Faik Konica, komentonte:”…
U lumtë! Se provuan edhe një herë se ç’janë. Provuan që janë xhahilë të Ballkanit dhe jo njerëz të qyetëruar.’…”Kanë frikë se mso mbjellin në zemër të popullit dashurinë e përparimit dhe të lirisë.”
…“po le të dinë një gjë:fara u mboll, dhe me as një mënyrë s’mund ta çkulin. Populli e di se kush është miku i tij, e di mirë se cili është armiku.’
Dielli u lejua sërish të hyjë në Shqipëri me rastin e amnistisë së Guvernës me rastin e festës së Pavarësisë.Ndërkohë, menaxheri i “Shqiptarit ët Amerikës” u dënua nga Guverna me 20 ditë burg. Më pas ky vendim u anullua.