-Kosovën e sheh si një mrekulli dhe një ëndërr të realizuar…Ashtu si në ardhje, edhe në shkuarje sheshit e kudo në Prishtinë njerëzit e përshëndetnin vëllazërisht priftin ortodoks shqiptar nga Elbasani/
-At Nikolla Marku flet me besim e mirënjohje. Tregon se në në Prishtinë ishte për vizitë mjekësore te Prof. Asc. Dr. Afrim Blyta/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 11 Maj 2018/ Kosovën e sheh si një mrekulli dhe një ëndërr të realizuar, derisa një pasdite maji të vitit jubilar të 10 vjetorit të pavarësisë së shtetit të dytë të shqiptarëve shikonte Sheshin Nënë Tereza të kryeqytetit, Prishtinës, që kishte edhe festë për Ditën e Evropës.
I ardhur nga kryeqyteti e festës gjithëshqiptare të Ditës së Verës, Elbasani, prifti ortodoks shqiptar i kishës “Shën Mëria”, At Nikolla Marku, pinte kafe në teracë restoranti buzë sheshi, ku e takojmë bashkë me Dr. Jusuf Telakun, i cili më kishte njoftuar në telefon për ardhjen e mikut nga Shqipëria, duke më përcjellë kështu edhe përshëndetje nga SHBA-Nju Jorku, të Dr.Gjon Buçajt, vatranit veteran, që deri vitin e kaluar ishte edhe kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra.
“Ishim bashkë në studimet për mjekësi, në Shkup”, tregon doktori për doktorin.
At Nikolla Marku më flet me besim e mirënjohje edhe për një doktor tjetër. Tregon se ishte për vizitë mjekësore te Prof. Asc. Dr. Afrim Blyta, specialist i neuropsikiatërisë, në klinikën e tij AURA per neurologji dhe psikiatri, në Prishtinë.
Në komunikim Dr.Gjon Buçaj më shkruante se edhe në takim e bisedë me mua si korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI, At Nikolla donte të kishte rast të falënderonte për bujarinë e mjekëve kosovarë, te cilet i kanë bërë vizitat falas.
“Vatra i kemi ndimuar At Nikolles financiarisht në të kaluarën, sepse ai nuk i është nenshtruar peshkopit grek Janullatos, duke ruejtë pavarësinë e Kishës dhe trashëgiminë e Nolit”, shkruhej në mesazh…
Këtë e dija edhe nga shkrimet e shtypit shqiptar gjatë viteve.
At Nikolla Markun e njihja kaherë nga ato shkrime për të e për qëndrimet e tij, që i ka shprehur edhe në shkrimet që ka dërguar vetë ai në organin e VATRËS – Gazetën DIELLI.
“Cila është marrëdhënia juaj me krerët aktualë të kishës ortodokse?”, ishte pyetja në një intervistë në shtypin e Shqipërisë në pranverën e para një viti-2017, në të cilën At Nikolla është përgjigjur:
“Sinodi i shenjtë i krijuar nga Janullatosi nuk e njeh ekzistencën time. Ata e quajnë Kisha Autoqefale Shqiptare, ndërsa ne e quajmë Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare. Ne e quajmë të tillë sipas parimeve të Fan Nolit dhe Kushtetutës së vitit 1937, kohë kur Patriarkana njohu ortodoksinë autoqefale kombëtare shqiptare të pavarur nga kishat e tjera, sidomos nga ajo greke… Unë nuk e njoh Janullatosin si kryepeshkop…”
Në vjeshtën e vitit 2016 shtypi shqiptar shkruante se, At Nikolla Marku, famullitari i Kishës Ortodokse Shqiptare “Shën Mëria”, në një konferencë për shtyp u shpreh se Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Ireneu, mbajti qëndrimin e tij luftënxitës dhe shovinist ndaj kombit shqiptar dhe territorit ku jetojmë ne së bashku në Ballkan.
“Ireneu para disa ditësh tha se Kosova është plagë e hapur e Serbisë, qëndrimet e tij janë të papranueshme dhe jashtë realitetit ku jetojmë tani.
Me neveri dhe përçmim i hedhim poshtë si lajthitje dhe luftënxitëse ndërmjet njerëzve. Ne i themi Ireneut se Kosova është shtet i pavarur si gjithë shtetet e tjera të botës”, citohej At Nikolla Marku.
Ai ka reaguar edhe pas deklaratave këtë vit të priftit malazez Radomir Nikçeviç se “Kosova është Serbi”.
“At Nikolla Marku e ka dënuar deklaratën, ndërsa ka kërkuar nxjerrjen e tij nga Shqipëria dhe ndërhyrjen e shtetit, pasi po cenohet paqja në Ballkan…
Gjatë meshës sot në Shkodër, Nikçeviç i pyetur për Kosovën ritheksoj qëndrimin e shtetit serb se ‘Kosova është Serbi’ duke ngjallur reagimin e ashpër të shqiptarëve”, shkruante media shqiptare në 7 janar 2018…
Përsëri do bisedonim për këto dhe çështje tjera në një intervistë me shumë pyetje e përgjigje që donim të zhvillonim me At Nikollën, po ai ishte i lodhur nga udhëtimi e sëmundja ndërkohë që vazhdonte kurimin sipas udhëzimeve mjekësore.
Dakordohemi që për një intervistë në një të ardhme të vijojmë komunikimin pasi të kthehet në Elbasan, për ku do niset të nesërmen herët në mëngjes, pasi të kalojë natën në hotelin në qendër të kryeqytetit, deri ku do e përcjellim, bashkë me Dr. Jusufin, i cili ishte përkujdesur edhe për akomodimin e edhe për udhëtimin e kthimit në shtëpi të At Nokollës, me veturë e shoqërim të Fehmi Bytyqit, nisur nga Prishtina, nëpër autostradë – Udhën e Kombit, që kalon nëpër qytetin e lashtë e historik të Prizrenit e portën kufitare në Vërmicë-Morin…
Duke biseduar për Prizrenin e kufirin At Nikollës i tregoi se para 22 viteve, në 18 mars 1996, në gazetën e përditshme “Bujku” në Prishtinë, që ishte gazetë e rezistencës dhe lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm perëndimor euroatlantik, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’” botuar edhe në Shqipëri në 19 mars 1996 në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues serb në Kosovë, mes tjerash, kam shkruar:
“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.
Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit.
Donon të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.
Dhe vijojmë të flasim me At Nikolla Markun: “Kufijtë që i kemi mes nesh nuk i vendosëm vetë ne shqiptarët…po do i bëjmë të lirë e të hapur…”
Ashtu si në ardhje, edhe në shkuarje sheshit e kudo në Prishtinë njerëzit e përshëndetnin vëllazërisht priftin ortodoks shqiptar nga Elbasani.
Dhe përshendetemi me urimin: Natën e mirë dhe rrugë të mbarë në udhëtimin që do kalojë kufirin që nuk është e nuk do të jetë më kurrë si ishte i ndalur e i hekurtë dhe në një të ardhme mund të mos jetë më fare kufi mes shqiptarëve…
Pasi urojmë At Nikollën ecim edhe ca sheshit në mbrëmje me Prof. dr. Jusuf Telakun, për të cilin ka kohë kemi lexuar se ishte nismëtari i themelimit dhe kryetar i parë i Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës…