Nga Asllan BUSHATI/
Si shumë shqiptarë edhe unë e duartrokita dhuratën e donatorëve ndërkombëtar për tërmetin e 26 nëntorit 2019. Por tani shpresoj dhe dëshiroj, se euforia kaloi dhe vendin e saj duhet ta zerë mendimi i kthjellët ekonomik.
Komisioni Europian na siguroi 270 milion euro ndihmë direkte (faleminderit shumë të nderuar donator). Kjo ndihmë do të lëvrohet kur dokumentacioni i Qeverisë Shqiptare të jetë gati për cdo cent dhe cdo donator të marrë vecas. Madje kam dëgjuar(qofsha i gabuar) se edhe ndihma fillestare që është dhënë për ardhjen e ekipeve të ndihmës e shpëtimit në Shqipëri (transporti), akomodimi i tyre, puna kërkuese e shpëtuese në vatrat e dëmtuara, ndihma mjeksore e të evakuuarve, cadrat e emergjencës , shpenzimet e kthimit në vendet e tyre etj, do të llogariten brenda kësaj shume. Atherë 270-tës do ti ulen disa miliona në mos u ballafaqofshim edhe me zbritje të tjera të paparashikuara.
Mjete e mësipërme monetare, lypset të dihet qartë se i janë dhënë popullit shqiptar, për të kapërxyer sa më shpejt këtë fatkeqësi natyrore. Por jo vetëm kaq, gjykoj se ato u janë dhënë shqiptarëve edhe si ndihmë për të trasuar rrugës e së ardhmes për në BE, e cila do të jetë e gjatë, e lodhëshme dhe me kosto jo të vogël finansiare për vendin më të varfër të Europës. Askush nuk mund të rrah gjoksin (sic po ndodh këto ditë), se këto donacione erdhën për mendjehollsinë a shtat lartësinë e ndokujt, për batutën me hudhër (se mos na marrin mësysh) e aq më pak për bëmat e ndonjë qeveritari të vecantë. Jo, shkurt e qartë, ato erdhën për Shqipërinë e cdo qytetar të saj.
Të dëmtuarit nga tërmeti, aktualisht janë në një gjendje të rëndë (pa mohuar aspak ndihmën që atyre u është dhënë nga strukturat e shtetit). Disa kanë humbur familjarët e të afërmit, disa shtëpitë, disa bizneset, disa punën etj. Pritëshmëria e tyre për ndihmë nga Qeveria është e madhe dhe e ngutshme. Por dyshoj se këto nevoja do të mund të realizohen shpejt. Dyshimin e bazoj tek procedurat me dhuruesit, kohën e lëvrimit dhe aftësinë e akumulimit të donacioneve pa shpërdorime , vjedhje e abuzime nga piramida ekzekutive. Në këtë ceshtje më ngroh vetëm fakti se autoritetet amerikane, gjermane e të BE-së kanë theksuar se do të monitorojnë nga afër cdo cent.
Vec 270-tës ndihmë direkte, komisioni i donatorëve dhuroi edhe 850 milion euro hua të butë nën 2,25 përqind. Procedura e thithjes dhe realizimit të kësaj huaje aktualisht nuk është shumë e qartë, por dukshëm është akoma më e ndërlikuar se ajo direkte dhe e shtrirë në një kohë shumë më të gjatë. Pra këtu nuk kemi të bëjmë jo me jetgjatësinë e kësaj qeverije (disa muajshe ose maksimalja një vit e dy-tre muaj), por me një perspektivë që i kalon kufijt e Qeverisë Rama-2. E sido që të jetë këto mjete monetare janë hua që duhet paguar nga taksat e shqiptarve.
Por, Qeveria e “ri- li- ndjesë”, tashmë ka të akumuluat edhe një borxh nga koncesionet e dhëna në formë PPP-je për miqt e vet në shumën 2,2 miliard euro. Po ashtu revista “Monitor” publikoi dje një njoftim se Qeveria Shqiptare (e Edi Rames), ka kërkuar në tregun ndërkombëtar një kredi tregtare prej 600 milion euro.
Nuk është vetëm kaq, se Gjykata Europiane thotë gjithashtu se do ti përcielli Shqipërisë faturën prej 800 milion euro për shpërdorim e tjetërsim antiligjor pronash si dhe Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar do të gjobis Shqipërinë me një gjobë 1,2 miliard euro.
Këtyre shumave po tu shtosh edhe borxhin e brendëshem e të jashtëm të akumuluar më parë , del se kreditë do të dalin shumë të larta në raport me me GDP (prodhimi i përgjithshëm bruto). Kjo është thjeshtë prishe e ekuilibrit makro-ekonomik e si rezultat (i huave të shumta) investitorët dhe bankat ndërkombëtare do ti qëndrojnë larg Shqipoërisë të paktën edhe për tridhjet vitet e ardhëshme. E atëherë në Shqipëri do të kishte fare pak ose aspak shqiptar.
Lidhur me gjithsa më lart, është e arsyeshme që sa më shpejt, tu japim fund euforisë e tam-tameve dhe me laps në dorë e me mendim të këthjellët ekonomik,( qeveritar dhe gjithë ekzekutivi) të ulet e të shoh realitetin drejt në sy, të zhduk pasojat e tërmetit, të hapi vende të reja pune, të ndërpres emigracionin dhe të verë vendin në shinat e zhvillimit.