
Nga cikli: “Letersi e hershme shqipe” – “Martin Segoni 1440-1485”/
Me veprën e Martin Segonit, bota shkencore shqiptare është njohur vonë, më 1970, përmes studiuesit italian Agostino Pertusi. Me Martin Segonin shfaqet për herë të parë interesimi për temën shqiptare në letërsinë tonë që do të gjejë pasues të shkëlqyer me Barletin dhe Beçikemin. Emri dhe vepra e tij si humanist u bë i njohur vonë, në vitet ’70 e këtej. Publikun shkencor do ta njohin me studimet e tyre Aleks Buda dhe Dhimiter Shuteriqi, duke iu referuar studiuesit italian Agostino Pertuzi. Për origjinën e këtij humanisti është shprehur edhe A. Pertuzi që e bëri të njohur veprën e tij në botën shkencore evropiane. Sipas këtij studiuesi, Martin Segoni mund të ishte me kombësi kotorase ose me origjinë serbe. Por studiuesit tanë e kanë hedhur poshtë një version të tillë. Për faktin që Martin Segoni ka shërbyer në kishën katolike të Novobërdës, pra ai ka qenë ose dalmatin ose shqiptar, por kurrsesi serb. Studiuesi Dh. Shuteriqi e shfrytëzon si argument edhe etimologjinë e patronimit të humanistit. Sipas tij ai ka rrjedhur nga fjala gunë e përhapur gjerësisht në shqip, si huazim i hershëm nga latinishtja, por edhe në trajtën zhgun. Sipas arsyetimit të studiuesit, mbiemri duhet të ketë qenë Shegun e më vonë do të ketë marrë formën Segoni. Në të mirë të tezës që Martin Segoni të jetë shqiptar flet dhe fakti se ai në fund të jetës shërben si ipeshkëv në Ulqin, qe me sa kuptohet njihte gjuhën shqipe dhe ishte midis bashkëkombësve të vet, por, edhe për atë që është më e rëndësishme, se veprat që kemi prej tij sjellin për të parën herë temën shqiptare, flasin për heroin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për viset e Shqipërisë me një adhurim të veçantë. Për vendlindjen e Segonit, Pertuzi mendon se është Novobërda. Prof. Shuteriqi nuk e hedh poshtë, por ka mendimin se më shumë mund të jetë një shqiptar nga Kotorri apo nga Kosova sepse mbiemri Segoni ndeshet në dokumentet e Kotorrit por jo të Novobërdës. Në mungesë të fakteve të biografisë jetësore të Martin Segonit, kemi një të dhënë të rëndësishme, atë të doktorimit të tij në Padova më 1475.
Ashtu si Gjon Gazulli edhe ky mund të mos jetë veç 30 ose 35 vjet dhe ka të ngjarë që ai ka lindur më 1440–1445. Fëmijërinë, mendojnë studiuesit duhet ta ketë kaluar në trojet shqiptare në kohën e luftërave të Skënderbeut. Me sa duket, ai është shkolluar në shkollat humaniste të qendrave të Ballkanit Perëndimor, të mesmet në Raguzë, që rrihej shumë asokohe nga shqiptarët, që qenë vendosur atje. Sipas dokumenteve më 1474 është në kishën e Shën Mërisë në Novobërdë e më pas në Venedik. Më 1475 në Padova ku edhe doktoron në shkencat juridike civile e fetare. Pas rrethimit të parë të Shkodrës, me sa duket largohet nga Novobërda për t’u vendosur në Italinë Veriore. Nga një relacion që i dërgon Papës Sikstit IV, ai i propozon atij organizimin e një kryqëzate për të zbrapsur invadimin turk përtej Adriatikut. Në relacion Segoni bën fjalë për Luftën e Kosovës më 1389, për rënien e Krujës (1478), për rënien e Shkodrës (1479).
Më 1482, kur mbeti bosh vendi i ipeshkëvit të Ulqinit, Papa e emëroi Segonin më 20 mars të atij viti ipeshkëv të Ulqinit. Në këtë detyrë ai qëndroi deri më 21 tetor 1485, kur edhe vdiq. Fjalën e lamtumirës së fundit e mbajti Marin Beçikemi, atë kohë vetëm 17 vjeç. Mund të mendohet se ai i ka njohur dhe i ka lexuar shkrimet e Segonit për Skënderbeun. Nga Martin Segoni janë bërë vonë të njohura këto shkrime: “Tregim mbi Gjergj Kastriotin, dmth Aleksandri i Madh. Prej tij na kanë arritur edhe këto relacione me vlerë për informacionin që sjellin për trojet shqiptare, si: Rrugen Egnatia qe nis ne Epir ose Durres, Mbi fillimin, lidhjen dhe rrjedhën e lumenjve të dy Drinave, Rruga bregdetare e Kandavisë që kalon nga Apolonia. Ka lënë edhe relacione të tjera për vendet e shenjta. Përveç tregimit mbi Gj. Kastriotin, ka lënë edhe fragmente që e plotësojnë biografinë e tij. Shkrimi më i rëndësishëm dhe më me vlerë i Martin Segonit është “Tregimi mbi Gjergj Kastriotin”, i cili me të drejtë është quajtur nga studiuesit një skicë historike. Shkrimi historik i Segonit ka vlerë jo vetëm për paraqitjen e ngjeshur të ngjarjeve dhe të fakteve historike që rrëfehen së pari nga një shqiptar, por me formën e shkrimit, me stilin e dendur i jep karakter të dyfishtë jo vetëm historik, por edhe letrar. Sado në kuadrin e një skice, Segoni ka trajtuar momentet më themelore të jetës dhe të veprës së Skënderbeut, si: mbajtja peng në oborrin e Sulltan Muratit, fama që fitoi në luftë, kthimi në Shqipëri, marrja e Kështjellës së Krujës. Segoni tregon se Papa e çmon shumë qëndrimin e Skënderbeut dhe e zgjodhi atë Kapiten të Përgjithshëm. Në një pjesë të dytë të skicës historike, Segoni kërkon të shqyrtojë faktorët e fitoreve të tij. Sipas Segonit, Skënderbeu nuk i nënçmonte armiqtë, por luftonte me trimëri të rrallë dhe zgjuarsi. Ai mbante pranë vetes ushtarë të zgjedhur e të stërvitur, me përvojë në luftime. Është me interes se në prozën e tij historike sjell disa elemente nga personaliteti i heroit shqiptar. Ai ishte plot temperament, i gëzuar dhe i gjallë. I tille shfaqej ai edhe para ushtarëve, i veshur me uniformë luftarke dhe i armatosur. Ai mbante fjalime të zjarrta që i bënin të hidhesin në luftë pa iu trembur syri të gjithë ata që e dëgjonin. Ai është ndër të parët që flet për shpatën e Skënderbeut, që, sipas Segonit, e ndante edhe një dem përgjysmë. Kur ia dërguan shpatën Sulltan Mehmetit e vërtetoi që ishte vërtet shpata e tij, por e kuptoi se të tillë e bënte krahu që e përdorte. Vdekjen e parakohshme të këtij trimi të madh do ta vajtonin Ballkani, Evropa bile edhe vetë turqit – thekson Segoni. Kulti i trimërisë, miti për të, bëri që turqit ta zhvarrosnin për të patur të paktën një copë nga eshtrat e tij, me besimin se do t’u ndillte fat në luftë.
Studiuesit kanë vërejtur përputhje të të dhënave me ato të Barletit në veprën “Historia e Skënderbeut” (1508–1510), por kanë vërejtur edhe mospërputhje që natyrisht shpjegohen me burimet e informacionit, por edhe me distancën në kohë, por më shumë me individualitetin e humanistëve. Nëse skica historike e Martin Segonit është shkruar para veprës së Barletit, vepra e humanistit shkodran “Historia e Skënderbeut” është një vepër voluminoze me vlera të shumta, ku humanizmi është harmonizuar bukur me shqiptarizmin e shkrimtarit dhe historianit shkodran. Por shkrimi i Martin Segonit, sadoqë një skicë e shkurtër mbi jetën dhe veprën e heroit, ka plot tregues që e bëjnë një shkrim me interes. Mënyra e shprehjes, stili i veprës flasin për personalitetin e veçantë të humanistit. Stili i tij i ngjeshur, sintetik pikëzon qartë personalitetin dhe veprën e heroit kombëtar. Dhe shkrimet e tjera, sidomos relacionet janë me vlerë. Ato hedhin dritë për formimin kulturor humanist të autorit dhe shpalosin interesat dhe impenjimet e tij jetësore. Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet.
Prof.Dr.Fatbardha Fishta Hoxha