NJE FEMER NE KRYE TE NJE PARTIE SHQIPTARE, SHANS PER ZBUTJEN E AGRESIVITETIT POLITIK- NJE SHEMBULL QE VJEN NGA PPD E SHQIPTAREVE NE MAQEDONI/
NGA TEUTA LLALLA/*
Të nderuar delegatë,
Të nderuar simpatizantë dhe anëtarë të PPD-së,
Më lejoni që t’Ju falenderohem për përkrahjen dhe votëbesimin që më dhatë në këtë detyrë të lartë politike, qëllimi i të cilës është rikthimi i shpresës dhe i dinjitetit kombëtar. Që prej kaq vitesh sa nuk ishte PPD aktive në Kuvendin e Maqedonisë këto cilësi janë shkelur.
Ky rikthim kësaj rradhe ishte më i mundimshëm se herëve tjera sepse dolën nga burgu i padrejtë Vullneti, Adnani dhe Amiri, nga guximi dhe dëshira e 1.000 qytetarëve që haptazi para notarit të nënshkruajnë fletë aderimin për PPD-në si dhe nga guximi i 186 qytetarëve që ta mbrojnë platformën politike të PPD-së para gjykatës dhe ai lindi nga vullneti dhe këmbëngulja e nismëtareve të PPD-së për ta rikthyer këtë fole të demokracisë në jetën politike.
Më lejoni që me këtë rast ta falenderoj Përfaqsuesin dhe Prezantuesin e deritashëm të PPD-së zotin Vullnet Halilin i cili dha kontributin e tij rinor për rregjistrimin e partisë si dhe anëtarët e deritashëm të Kuvendit Qendror dhe Kryesisë së Partisë për mundin e pafund që e dhanë për këtë kauzë.
Të nderuar delegatë,
Sot gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është me keq se në komunizëm. Partia shqiptare në pushet, disa vite me radhë nuk arrin të zgjedhë problemin e emërtimit të tabelave të rrugëve dhe shkollave. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë ende se çfarë është parlamenti dhe çfarë është qeveria si koalicion politik. Ata, nuk mund të kuptojnë kush i sulmon nxënësit shqiptarë në Shkup prej kaq kohësh. Ata, nuk mund të kuptojnë se ku shkojnë paratë e shqiptarëve dhe sa harxhohen për Shkupin 2014. Po ashtu, ata nuk mund të kuptojnë ende pse ikin të rinjtë në kurbet. Askush nuk merret me çështjen pse u mbyllën shkollat shqipe? Pse braktisja e fshatrave po bëhet përditë dhe duke filluar nga Likova e Kërcova, Dibra, Shkup etj.
Sot Shqiptarët janë pa mbrojtje. Partitë shqiptare në Parlament grinden njëra me tjetrën. Partia në pushtet është shndërruar në zëdhënëse të politikës së VMRO-s. Kuadri i paaftë i sajë është bërë objekt diskutimi i Komisionit dhe i Parlamentit Evropian dhe ambasadave të huaja në vend. Partia tjetër shqiptar në opozitë, kënaqet duke luftuar dhe shkatërruar partitë shqiptare opozitare më të dobta dhe kur i duhet atij për interesa, ia voton buxhetin VMRO-DPMNE, duke e nxjerr nga balta. Nuk duhet njerëzit të mashtrohen me fjalë boshe dhe fjalime emocionale, duhet më shumë dije e guxim, prandaj nuk duhet që shqiptarët të humbin kohën me premtime të parealizueshme. Duhet të veprojmë bashkërisht si një trup, duke protestuar fortë për çdo të drejtë që na shkelet. Vetëm në këtë mënyrë do të ndalen proceset degraduese siç ishin enciklopedia, Brodeci, Radusha, Odri, Vaksinca, rrahjet e nxënësve, dhunimi i lokaleve në emër të ndaljes së duhanit, etj., etj.
Për shkaqet e mësipërme vëllezër dhe motra kërkojmë përkrahjen tuaj. Vetëm ju mund të na ndihmoni të ringrihemi përsëri lart, krenar pse jemi shqiptar. Ne, publikisht ua shtrijmë dorën që të na përkrahni ashtu si qëmoti, pra Uniteti është ai që bënë fuqinë dhe përparimi tonë.
Ne, do jemi si gjithnjë në ballë të nismave madhore kombëtare si më 1990, në 1994 dhe në 2001, ishte PPD ajo që i bëri ballë presioneve të pushtetit afatgjatë të diktaturës komuniste, ishte PPD përkrahësja kryesore për themelimin e UT, ishte PPD që u gjend pranë ushtarëve të UÇK, ishte këmbëngulja e PPD për arritjen e një marrëveshje për ndalimin e konfliktit të 2001. E ku s’ka qenë PPD, në krye të lëvizjeve tona kombëtare, por kuptohet këto s’kanë qenë të lehta për ne. Shumë padrejtësi dhe kurthe ju bënë PPD, shumë punuan strukturat shtetërore dhe vasalët e tyre për ta zhdukur rrënjësisht PPD, por nuk ja arritën qëllimeve dashakeqëse sepse PPD nuk jam vetëm unë, PPD nuk jemi vetëm ne që ndodhemi këtu në këtë sallë, por PPD janë të gjithë shqiptarët në Maqedoni dhe Diasporë. PPD është promotoria e lëvizjeve të mëdha kombëtare jo vetëm në Maqedoni, por kudo. Ajo ishte e para dallëndyshe që lajmëroj rënien e diktaturës komuniste, ajo ishte e para që lajmëroi pranverën e demokracisë në Maqedoni.
PPD, ka qenë dhe është pronë e popullit dhe jo e liderit, PPD nuk ka duruar dhe nuk do të durojë asnjëherë diktaturën e liderit, këtë ua premtoj edhe unë që më keni besuar sot këtë detyrë kaq të lartë dhe të vështirë. PPD ka punuar dhe punon për mbrojtjen e vlera kombëtare, për ruajtjen e dinjitetit njerëzor, besimin e njeriut në Zot, që do të thotë se ne ekzistojmë.
PPD ka qenë dhe mbetet ambient demokratik që nuk duron diktatura. Ne do të ndërtojmë ambientin tonë tradicional ku kryetari i partisë do të bashkëveprojë me organet e saja për ndërtimin e platformave politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore. Do të zbatojë platformat dhe nuk do të vihet në pozitën e të gjithë të diturit. Anëtarët e organeve udhëheqëse të PPD-së do të punojnë për realizimin e vizionit të përbashkët politik ashtu siç kanë vepruar rilindësit tanë në të kaluarën e jo ashtu siç veprojnë politikanët ballkanas: paraja mbi të gjitha.
PPD ka qenë dhe mbetet burim i pashtershëm i platformave politike. Koncepti ynë fillestar ka qenë dhe ende më tej mbetet ai i shtetit dykombësh. Nëse për një arsye ose tjetër forca politike të caktuara nuk janë në gjendje ta pranojnë këtë filozofi politike atëherë alternativa jonë do të ishte ajo e qytetarëve të barabartë dhe jo ajo e një kategorie qytetarësh të pagëzuar me emër e mbiemër dhe e qytetarëve numra me përqindje. Thënë shkurt, PPD parimet e veprimit të saj politik i ka paraqitur qysh në Deklaratën e Grupit parlamentar për barazinë e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë në vitin 1992 dhe ato janë parime bazë të veprimit tonë politik.
Pas 25 vitesh zhvillim demokratik platforma e PPD-së ende nuk është realizuar plotësisht, ende duhet kohë për realizimin e saj. Nuk është ndonjë thënie e mençur po qe se themi se aktiviteti ynë politik do të mbështetet kryekëput në Marrëveshjen e Ohrit. Fundja ajo marrëveshje bazë politike ka pasur platformën e PPD-së, madje edhe e hartuar nga ekspertë të PPD-së, e hartuar për kohë të caktuar dhe rrethana të caktuara. Por, çdo gjë jeton në kohë dhe hapsirë. Marrëveshja e Ohrit e humbi shansin të hyjë në histori si marrëveshje e realizuar, si një marrëveshje që i dha fund luftës dhe pabarazisë. Sot ajo duhet riplotësuar, rishkruar.
PPD, gjithnjë ka qenë partia që ka vërtetuar se për çështjet e mëdha kombëtare dhe shoqërore, ka afruar zgjidhje dhe bashkëpunim. Është PPD, ajo që i mundësoi formacionit ushtarak të papranuar nga komuniteti ndërkombëtar që të paraqitet me subjekt politik, por kjo parti e nëpërkëmbi sinqeritetin e PPD-së dhe anëtarëve të saj dhe u angazhua për zhdukjen e saj nga skena politike. Të mos harrojmë se PPD është partia mëmë e këtyre dy partive dhe është mëkat të sulmohet dhe shpifet pa fakte për të. PPD-ja afirmon vendosjen e partneritetit dinamik me tërësinë e organizmave dhe asociacioneve të shoqërisë civile.
Juve që më votuat për një dëshirë, për ëndrrën e rikthimit me nder të PPD në skenën politike, që më mbështesni në kohët e vështira dhe që më keni besuar postin e kryetarit nuk do t’ju tradhtoj, nuk do t’ju braktis kurrë për asnjë interes e asnjë çmim dhe asnjëherë për ndonjë përfitim personal. Nuk do të bëj pas shpinës suaj asgjë që do të cënojë jetën, dinjitetin, të ardhmen dhe shpresën tuaj. Nuk do të marrë asnjë vendim pa e ndarë me ju, pa u këshilluar me ata që më kanë besuar dhe votuar, sepse nuk do të gjej paqe në shpirtin tim për shkak të trazimit të besimit dhe shpirtit tuaj.
Rruga jonë, e juaja dhe imja, e anëtarëve dhe simpatizantëve të PPD ka qenë e vështirë për të ardhur deri në këtë Kongres sepse zhurma për riorganizimin e PPD ishte shumë e madhe dhe shqetësimi i kallur brenda nesh nga skenarë të sajuar nga dashakeqët ishin tmerrsisht shqetësues, por ne shkuam tek çdo njeri që në zemër kishte PPD, biseduam me çdo shqiptar që ende ruante me fanatizëm librezën e anëtarësimit të PPD, folëm me fjalë zemre. Fjalët e mia dhe të bashkëpuntorëve të mi janë të sinqerta, ato vijnë nga thellësia e shpirtit të pastër, prandaj ne triumfuam dhe jemi bashkë këtu sot, në këtë Kongres për tju treguar se, PPD me popullin shqiptar vazhdojmë të ecim përpara.
Ju gjyshër, e prindër, të rinj, kudo që jeni, në këtë sallë, në Maqedoni dhe jashtë saj keni pritur me zemër të dridhur nëse PPD do riorganizohet apo të zhduket.
E pra, na kujtohet të gjithëve koha e PPD kur lumi i njerëzve nuk ndalej përballë hermelinave dhe kordoneve policore për të votuar për intelektualët e vërtetë, për të dërguar me votën e lirë profesorë të dëshmuar përballë të tjerëve.
Më lejoni t’jua them sot, hapur, në sy, se ne punojmë dhe përpiqemi të rikthejmë krenarinë dhe dinjitetin kombëtar, të rikthejmë besimin dhe shpresën për një të ardhme më të mirë, të dërgojmë me votën tuaj njerëzit më të suksesshëm në institucionet shtetërore. Por gjithnjë ua kam përsëritur miqve, bashkëpunëtorëve të mi se na duhet votëbesimi i gjithë popullit, për të dalë faqebardhë, më të fortë me qëllimin e mirë që rinia shqiptare të mos largohet për të emigruar. Na ndihmoni pra, për të kontribuar të gjithë bashkë për të mundur të keqen, për të dalë nga balta ku na kanë futur prej kaq vitesh politikanët vasal, planprishës dhe keqpërdorues të besimit të popullit. Duke kontribuar të gjithë bashkë për të mirën e njerëzimit, për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë, për brezat që vijnë pas. Duhet të dimë se është mëkat që PPD të mbetet jashtë Kuvendit të Maqedonisë, sepse ajo ka qenë dhe është partia e vlerave të larta, partia që bëri historinë e vërtetë të shqiptarëve në Maqedoni.
Me vizione të reja, na priftë e mbara!
* Fjala e kryetares së sapo zgjedhur e PPD Teuta LLALLA