
Nga MASSIMO FRANCO/
Fitorja e qëndrës së majtë, veçanërisht e PD, është e pastër: në Romë e Torino, mbas Milanos, Napolit e Bolonjës të fituara në rradhën e parë. Po ashtu e tillë është edhe humbja e qëndrës së djathtë, që mban vetëm Triesten e fiton në Kalabri; dhe në brendësi të saj e përbërëses populiste si të Legës si të Vëllezërve t’Italisë. Por në gjithë brendësinë e sistemit politik zgjatet hija e një mosvotimi që sjell elemente paqartësie dhe alarmi për përfundimet. Dhe shtrin një vello të rëndë pasigurie mbi qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të aleancave dhe të ekipeve drejtues. Në fakt, mbas votës së djeshme hapet, nuk mbyllet një fazë e re. Do të fillojnë të shihen përvijimet duke filluar nga zgjedhja e presidentit të Republikës, në shkurt 2022. N’atë çast do të formësohen të tjera aleanca. Do të kuptohet nëse kryeministri Mario Draghi do të mundet të verë në siguri ndihmat evropiane, pa qënë i frenuar, o akoma më keq i bojkotuar nga hakmarrje apo shkurtore zgjedhore. Enriko Letta, sekretari i PD thotë se opinioni publik është më përpara se partitë. Ka kryer në kutitë e votimit një saldim që grindshmëria e së majtës dhe protagonizmi i kryebashkiakeve nuk ka arritur t’a prodhojë. Por pasojë e domosdoshme e këtij pohimi është nevoja për të përimtuar në thellësi arsyen se përse më shumë se gjysma, në disa raste madje dy votues në tre, kanë mbetur në shtëpi. Letta ka shtuar se suksesi i djeshëm i kushtohet bashkësisë së rrjeshtimit të tij. Ndoshta. Megjithatë, më shumë se e bashkuar qëndra e majtë është treguar e njësishme: meritë e padyshimtë, për t’u vërtetuar me kohë. Në mënyrë paradoksale, është ajo që nuk ka treguar qëndra e djathtë. Është paraqitur e bashkuar por jo e njësishme; madje, në mënyrë të maskuar grindavece dhe e ndarë. Kundërshtia për të drejtuar ndërmjet legistit Matteo Salvini e Xhorxhia Melonit të Vt’I, së fundi i ka dëmtuar që të dy; e është pasqyruar tek kandidatët, të mirë apo më pak të mirë që ishin: me Silvio Berluskonin në rolin e vëzhguesit të dyshimtë. Qarja për këtë dukuri për të përligjur humbjen bie erë vetëshkarkimi dhe alibie. Është përgjegjësi e partive që i kanë thirrur, fakti që nuk kanë arritur t’i sjellin votuesit në kutitë e votimeve. Prandaj, që sot hapet një çështje që ka të bëjë me çdo forcë politike. Por një gjë është të riorganizohen aleancat mbi bazën e miratimit fitues, e tjetër është të rifillosh ecjen nga një humbje që djeg më shumë nga mëtimi i të qënurit shumicë në Vend. Për PD në fakt çështja është si të gjejë edhe me aleatët atë “fushë të gjërë” të thirrur si një synim por ende për t’u sendërtuar; e lrijuar nga zgjedhësit por e katandisur në një karikaturë nga kujtesa e ndarjes së rencianëve dhe nga mekja e boshtit me L5Y të Xhuzeppe Contes. Megjithatë, përceptimi është se ndershmëria kundrejt qeverisë Draghi dhe evropeizmi e bëjnë partinë e Lettës një qëndër tërheqjeje edhe për aleatët: edhe se herë herë mbytëse. Kështu një grilizëm tashmë mbeturinor, mund të paraqesë, në sajë të afërsisë me PD, ndonjë kromozom evropeist. Ndërsa qëndra e djathtë ndodhet në një gjëndje të kundërt e më të ndërlikuar, pjesërisht e varur nga fakti që Lega e FI janë në qeveri, Vt’I në opozitë. Shumë nga vështirësia e Salvinit për të bërë një zgjedhje të qartë ndërmjet përkatësisë në koalicionin e Draghit dhe joshjes së skajshmërisë së Melonit. Por ende më shumë, hipoteka johenike përfaqësohet nga pa-aftësia për të kryer një rishikim të vendosjes së tyre evropiane. Qerrja e luftës dhe Vt’I mbeten të rrënjosur në një arqipelag populist, sa të ndryshëm aq dhe agresiv, të paracaktuar për veçim. Evroskeptiçizmi i zhurmshëm dhe i herëmbashershëm i tyre dobëson pozitat pro-BE të Berliskonit. Aq sa vjen vetvetiu pyetja nëse mungesa e kthesës evropiane varet nga një e metë vullneti, apo nga pamundësia e Salvinit e Melonit për të këmbyer lëkurën, vlerat dhe njëmendësinë. Mbetja e llogarisë është megjithatë negative. Luhatja ndërmjet qeverisë e opozitës, mosbesimet, kandidaturat e vona e të kompromiseve kanë bërë që e djathta të mbante në votimet e dyta zgjedhësit e herës së parë, pa mundur të kalojë rrethimin kulturor e të përqindjeve që e dënojnë me humbje. Më shumë se një koleksion gabimesh qemë të pranishëm në një rast vigan të hedhur poshtë. Qytete si Roma, Torino, Napoli ishin më shumë se të mundshëm për t’u fituar: deri n’atë pikë sa pesë vite më parë në dy prej tyre kishte fituar Lëvizja Pesë Yje. E thëna më e përhapur është se zgjedhjet politike pothuaj kurrë nuk shkelin mbi gjurmët e atyre vendore. Është e vështirë të mohohet. Megjithatë, në një stinë ndryshimesh të mëdha, qëndra e djathtë duket se zbulohet më pak e pajisur se sa e majta për të kuptuar se çfarë po ndodh. Nuk mjafton të vetëquhesh, madje edhe të jesh shumicë politike në Itali, nëse mbrapa nuk je në gjëndje të tregosh kah përgjegjësie e aftësi qeverisëse. Rreziku trasversal që spikat në sfond është kthimi i mosvotimit në zemërim; e të gënjyerit se mund të kalërohet në dobinë tënde. “Corriere della Sera”, 18 tetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika