Nga Rafael Floqi/
Berisha pranoi se nuk mundi të arrinte të realizonte ëndrrën e tij të liderit që e bëri Shqipërinë një vend të zhvilluar evropian, ndërsa Rama pohoi se ai u çlirua nga paranoja e tij e vdekjes se ai do të ketë mundësi të zërë një vend në histori. Jemi përpara një humbje të thellë të PD-së. Është nga ato vota, masive që nuk të lë të krijosh iluzione për karakterin e votës së shqiptarëve. Dikush thotë se Berisha, humbi për shkak të rrotacionit, dikush nga të pakënaqurit e Berishës brenda PD-së, dikush për shkak të autarkizmit, apo të arrogancës së PD-së, për shkak të mungesës së demokracisë, apo korrupsionit, një tjetër. Mund të jenë këto apo dhe të tjera, por unë do të theksoja elementet psikoanalitikë të personalitetit të dy liderëve.
PD humbi për shkak të projeksionit të personalitetit të Berishës në ëndrrën e tij evropiane, për një Shqipëri evropiane. Ndërsa Rama tashmë. siç pohonte vete në një intervistë të dhënë në 23 qershor për prestigjiozen franceze “Le Courrier des Balkans” fitoi se kërkon të lerë një emër në histori. Dhe në emfazë pohoi paranojën e tij nga vdekja tok me delirin e tij të madhështisë “Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes.”
PD humbi për shkak se ëndrra evropiane e Berishës,( ai ka pohuar se nuk sheh ëndrra gjatë natës ) ishte makro dhe madhështore, por duke bërë këtë ai harroi mikron. Mikromenaxhimin e elementeve të jetës së ekonomisë të njerëzve, ku kriza ekonomike kish futur kthetrat e saj. Ai humbi ndër të tjera edhe pse nuk kuptoi, nëse një shoqëri nuk ndihmon shumicën e varfër, atëherë ajo nuk ndihmon edhe të pasurit.
Berisha nuk ka ditur t’i shmangë krizat, madje i krijonte apo i krijoheshin, dhe vetëm pastaj përpiqej t’i menaxhonte. Kriza e Piramidave e vitit 1997 është dëshmi për këtë. Berisha i toleroi piramidat me idenë se krijonte bollëkun, iluzionin e liderit që të linte një mesazh të madh në histori. Dhe piramidat po të kujtoni ndodhën pas udhëtimit të Berishës në Malajzi dhe në Brunei. Ai ndjeu se me ndonjë rrugë informale mund te krijonte, bumin ekonomik dhe dështoi, për vetë modelin që krijoi, apo dhe për rrethana të tjera. Burimet e pastrimit të parave të u prenë, dhe Gjallica e Sudja e te tjera ranë dhe ndodhi ajo që ndodhi. Le të thotë, si të dojë Berisha, por ai asnjëherë nuk ka qenë sinqerisht i qartë në ndjesën për atë që ndodhi. Dhe shkaku pse kjo ndodhi, lidhet me dëshirat e tij për të lënë një gjurmë pozitive në Historinë e Shqipërisë. Por për të gjykuar berishizmin mund ta gjykosh nga anti- berishizmi dhe nga miti negativ për Berishën që armiqtë e tij të shumtë kanë në mendje.
Por a votuan shqiptarët më shumë kundër rizgjedhjes të Berishës, apo votuan për një shpresë ekonomike me të mirë? Ai ishte ky basti i fundit i tij?
Në fakt, Berisha mori përsipër vetë të gjitha madje dhe humbjen. Ministrat dhe deputetët munguan në gjithë fushatën e tij. Rizgjedhja ishte sfida e tij dhe sfida e moshës së vet. Sado të duket paradoksale, lind pyetja: A u mund i anatemuari Berisha nga opozita, apo u mund nga populli?
A u mund ai nga rrotacioni politik, si konsum moral, apo nga epitetet për të, si “gjysh”, megjithëse energjia e tij ishte e pashtershme, dhe ata që do të vijnë, edhe pse të rinj nuk kanë së bashku as gjysmën e energjisë së tij.
Vetë Berisha, pat thënë në një intervistë duke qeshur se ai ka rënë nga kali dhe përsëri është ngritur. Dhe në qoftë kjo rënia e tij e fundit, edhe pse ende ka takat, nuk ka kohë të ringrihet. Socialistët kërkuan me ngut që ai t’i njihte zgjedhjet. Ndërsa ai i qetë po priste përfundimet, edhe pse tendenca fliste ndryshe. Ai kishte humbur…
A pat humbur ai kontaktin me realitetin duke ndjekur imazhin e vet, apo ishte i kthjellët . Berisha me “mea culpa-n” e tij, sërish prapë pohoi se “kjo ka qenë fushata më e mirë që ka bërë” . Mundet po me shumë pak rezultat.
Natyrisht puthadorët dhe sahanlëpirësit brenda partisë nuk mundën ta ftillonin. Ai i besonte më shumë personalitetit të vet, sesa ideve të enturazhit e të këshilltarëve. Kritikët dashamirë të partisë u eliminuan. Zërat ndryshe, si: Selami Xhepa apo Mark Marku, nuk u rikandituan, habi është mos kandidimi i juristit Ilir Rusmaili, ende ka pikëpyetje. Mos Berishës, zelli i tij për të dalë në televizion iu duk si karshillëk, apo i mos i dukej Josefinës? Kohët e fundit dhe i larguari Aleksander Biberaj u rikthye për të sfiluar për kryesinë e PD. A do të pranohen dhe të tjerët? A është në gjendje PD-ja të funksionojë pa Berishën dhe hijen e tij? Pse vetëm tani që Berisha që po kërkon të gatuajë portretin e dishepullit të vet në PD, flet për rregullin demokratik “një votues një votë”? Pse do të duhej kjo humbje katastrofale për të kuptuar atë, që Berisha s’mundi të zbatonte dot nga Makiaveli, edhe pse diti dhe shfrytëzoi shumë nga mekanizmat e tij të ruajtjes së pushtetit. Berisha pati dhe ka dhe një të metë të madhe, nuk diti të delegojë, nuk krijoi një ekip pasues, nuk gjeneroi një brez të ri për partinë. Ashtu si Dashamir Shehu pohonte në një debat disa ditë me parë se “në PD ishte Berisha , ishin 100 vende bosh dhe pastaj vinin të tjerët”.
Mendja e tij, që e majta e quan djallëzore, autoritare dhe që i frikësohet edhe sot atë edhe kur Berisha është e mundur, nuk mundet të punojë ndryshe. Berisha humbi se ai luajti për veten dhe jo për partinë e vet.
Ai nuk diti të kuptonte se imazhi i ndryshimit të zgjedhjeve të 2005, KOP-i, nuk u sendërtua si normë në PD. Ndoshta Berisha filloi t’i druhej më shumë hyrjeve të reja, sesa xhaketave të vjetra të PD-së, të cilët i pranonte mjaft që të pranonin pushtetin e vet. Çfarë i sollën Imamët dhe Cekat partisë ? Në fakt, çdo skizmë brenda PD-së dështoi të konsolidohej. Ai i mundi dhe si të mundur i futi në vathën e vet. Por kjo forcë e karakterit të tij, që mbante partinë ishte dhe një makth për të majtën.
“Për fat, shkruante një analist, nga ata që janë paguar për të nxirë çdo gjë kundër Berishës, “, mosha e tij, nuk do t’i lejojë amnezisë legjendare të shqiptarëve që ta rikthejë në pushtet. Ai që përçau shqiptarët, që zgjidhjen e konflikteve e bënte duke ngjizur të reja, që luante pamëshirshëm me instinktet më të ulëta, që ngjallte ambiciet më të zeza, që promovonte njerëzit e deformuar dhe me mbështetjen e tyre qeveriste, që shfrytëzonte dobësitë për t’i përdorur, tashmë nuk do jetë më dhe nuk rrezikon të rikthehet.” Por ai bëri atë që e majta nuk e ka bërë , pranoi Mea Culpa, kjo e lartëson a të moralisht më shumë se dyshja e batalionit e “Rilindja” me komandant Ramën, dhe komisar Metën “.
“Dy mami e nxjerrin çyryk fëmijën”, thonë. Por a mund të vijë Rilindja nga dy mami si PS dhe LSI kur i ndan në mes një kurban? Kjo është një pyetje që lind natyrshëm dhe shpjegon atë pse e majta edhe sot shpreh një gëzim të përmbajtur. Me gjithë 16 votat e Metës, diversioni i përhershëm që e mbajti të majtën të përçarë, i rri si shpata e Damokleut për koalicionin. A mund të ketë një përçarje të ardhshme mes tyre. Ambiciet janë aty. Meta garanton, por nuk besohet. Atij PS nuk i beson se ai ka kaluar shpesh herë ylberin. Ndaj dhe gëzimi është jo aq i shfaqur . Meta më së fundi deklaroi se kryeministri i takon PS-së dhe se ai do të marrë vendin e spikerit . Nëse do të jetë kështu nga pikëpamja pragmatiste, çka do të fitojë Meta më shumë nga aleanca “e natyrshme “me PS-në, sesa fitoi nga ajo “e panatyrshme” me PD-në.
Nga ana tjetër, vetë anëtarët e koalicionit duhet ta lexojnë me kujdes dhe modesti fitoren. Përmbysje të tilla, para së gjithash vijnë për shkak të mbingopjes nga një qeverisje, dhe jo prej programeve ose shpresës që ngjallin të ardhurit rishtas. Shqiptarëve iu mërzit Sali Berisha dhe riciklimi i tij, më shumë sesa keqadministrimi i qeverisë. Ajo që është e sigurt, ka lidhje me faktin, se vota “pro” opozitës, vjen para së gjithash nga refuzim i Berishës, sesa nga ndonjë parapëlqim i ngjyrës “mavi”.
Shqiptarët presin që dyshja Rama – Meta, t’iu tregojë se janë diçka ndryshe, nëse janë të paktën mami të kujdesshme. Fuqia e LSI si një parti që mori më shumë vota “pse të fut në punë” do të bjerë shpejt pasi nuk janë të mundur të punësohen të gjithë ata zgjedhës. Çelësi për të kuptuar humbjen e fitoren e këtyre zgjedhjeve lidhet me të kuptuarit pse fitoi LSI-ja. Pasi niveli i përqindjes të votës së PS-së është po ai rreth 41%. Këtu lind pyetja a do të ketë një mandat të plotë katërvjeçar. Apo kriza më shumë se fuqia e opozitës së re do të paraqesë zgjidhje të reja. Shumë nga premtimet populiste të opozitës para zgjedhjeve lokale do të jenë dëshmuara se ishin vetëm mashtrime elektorale. Pasi ekuacionit me shumë të panjohura të programit populist të PS-së, të cilës as dhe ekonomistët e PS-së nuk mund t’ia bëjnë provën.
Megjithatë se çfarë do që të bëjnë socialistët, nuk mund ta largojnë Berishën nga historia. Ajo kujton shpesh se veprat e mëdha dhe gabimet e mëdha i bëjnë ata që janë autoritarë dhe ndjekin vizionin e tyre. Berisha bëri rrugë dhe tunele si Ajzenauri në SHBA që krijoi boom-in ekonomik të pas luftës në SHBA, por i duhej dhe pak kohë. Shihni, gazsjellësi TAP u miratua edhe me lobimin e Berishës. Por gjatë mandatit të dytë qeverisja e Berishës ra më shumë viktimë e vet projeksionit të tij në histori, dhe krizës ekonomike botërore, sesa e autoritarizmit të tij . Gjatë kësaj kohe Berisha u mor më shumë me idenë e vet, sesa me hallet e njerëzve për një jetë më të mirë, shëndetësi, arsim dinjitoz. Këto qenë pikat e dobëta që opozita i kapi dhe ato i dhanë asaj fitoren. Ai mendoi me të drejtë se veprat e mëdha do të sjellin begati ekonomike, por për zgjedhësin e thjeshtë është me e prekshme shtrimi falas në spital, sesa koha që do të fitojë nga tuneli i Elbasanit. Por megjithatë ka mundësi që premtimet që i sollën opozitës së majtë fitoren mund t’i sjellin edhe asaj rënien.
Dyshja e majtë që do të qeverisë vendin në katër vitet që vijnë, rrënjët i kanë në vitin e trazuar ‘90-të. Janë pjesëmarrës aktivë të ngjarjeve të kohës, rrjedhimisht kanë gjithë virtytet dhe veset e saj. Kurbani i Ramës e ilustron këtë. Por tani qeveria e së majtës i ka gjithë shanset të mos t’i zhgënjejnë të qeverisurit e tyre. Por a do të dinë të bashkëjetojnë, pasi Rama psikologjikisht priret drejt ndarjes ?
Votuesit shqiptarë e bënë zgjedhjen. E kanë bërë detyrën e tyre. Po presim që të rinjtë .” e vjeter” te ardhur në fuqi, do të dinë të ngrenë një shtet me fytyrë njerëzore dhe në shërbim të shtetasve, një administratë profesionale dhe të karrierës, drejtësi të pavarur. Por kjo më shume se një asfiksi e pushtetit të demokratëve, është rezultat i demoniakizimit të figurës së Berishës nga propaganda e majtë. Vetëm disa dalje televizive në fund të fushatës nuk zbuluan dot anët njerëzore të tij. Rama në fjalën e tij u tregua kalorësiak ndaj Berishës. Premtoi se nuk do të ketë hakmarrje ndaj zgjedhësve dhe mediave, të paktën kështu kanë deklaruar. Por a mund t’u besosh, Metës me video korrupsioni qoftë dhe të montuar, apo Ramës që largoi nga Partia gjithë detashment e mendimit ndryshe, dhe mbajti vendin për një vit jashtë mundësisë për kandidimin në BE, ai se ka hedhur poshtë ende librin “Kurban”.
Në fakt fitorja e arritur nga Aleanca e Majtë është një goditje për politikanët që kanë qeverisur deri tani. Ky është një proces demokratik ,ku ka fituar shumica e cila tashmë i takon edhe të qeverisë për katër vitet e ardhshme. Duke u ndalur tek sfidat e integrimit, një vend kandidat duhet që qeveria t’i plotësojë me rigorozitet të gjitha këto kërkesa, pa zvarritje dhe mungesë vullneti nga të gjitha palët. Votuesit kanë dhënë votën për ata (të majtët) dhe tani është koha që ata të dëshmojnë se sa janë në gjendje t’u përgjigjen premtimeve të tyre dhe të qeverisin në respekt të votës së zgjedhësve. Pra të shohim në vitet në vijim se sa ata mund të bëjnë më mirë ose jo në qeverisjen e vendit. Tani ata kanë shansin që në muajt dhe vitet e ardhshme të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Sfidat që ka përpara Shqipëria janë të shumta. Kjo do te varet se sa opozita do dijë të zbatojë mësimin e J.F. Kenedit “Detyra jonë nuk është të rregullojmë duke fajësuar të kaluarën, por të rregullojmë kursin e së ardhmes.”