

Aspekte të propagandës ateiste në revistën “Vatra e Kulturës” përgjatë regjimit komunist 1965-1975
Sokol Paja
Më 6 shkurt 1967 Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Diktatori Enver Hoxha në fjalimin e tij për “Revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë dhe të pushtetit” tronditi qdo themel shoqëror ku shigjeta komuniste u ngul më shumë tek feja. Klerikët më në zë, institucionet fetare, mediat fetare, shkollat fetare që prej vendosjes së regjimit komunist më 1945, kishin pësuar një agresion të pashembullt çka kishte sjellë dobësim të fesë dhe veprimtarisë klerikale në Shqipëri. Dobësimit të veprimtarisë fetare në Shqipëri, pas fjalimit të Enver Hoxhës, vjen ateizmi zyrtar. Rinia komuniste e Durrësit sulmoi Manastirin e Shën Vlashit, në të gjitha qytetet e mëdha si Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë etj rinia komuniste dhe masat komuniste sulmuan masivisht institucionet fetare dhe objektet e kultit fetar. Shteti komunist shqiptar arriti që nëpërmjet shtypit të shkruar dhe represionit të kontrollonte të ndikonte, orjentonte dhe kontrollonte masat punonjëse. Shtypi komunist kishte një rol të jashtëzakonshëm në propagandën ateiste përgjatë diktaturës komuniste sidomos në vitet 65-75 ku lufta ndaj fesë pati shtrirjen më të gjerë. Shtypi i shkruar në luftën që shteti diktatorial ndërmori kundër fesë, u kthye në një megafon të sitemit politik. Revista “Vatra e Kulturës”, u kthye në një element të rëndësishëm në mbështetje të propagandës zyrtare të shtetit ateist. Në këtë artikull shkencor do të sjellim fakte dhe detaje të organizimit të propagandës ateiste të shtetit komunist në revistën “Vatra e Kulturës”. Feja për shtetitn komunist shihej si një pengesë serioze në ndërtimin e socializmit ndaj në “Revistën Vatra” u zhvillua një propagandë e fortë ku si element u gjet përveç tjerash edhe femra shqiptare që kërkonte zhvillim duke braktisur fenë si element që binte në kundërshtim me ideologjinë zyrtare të shtetit komunist.
Komunistët kundër “opiumit fetar”
Edhe pse u zhvillua një luftë e pashembullt me aksione konkrete të shkatërrimit të veprimtarisë klerikale dhe eleminimit të drejtuesve e klerikëve të thjeshtë prapë se prapë regjimi propagandonte për zhdukjen në rrënjën e formave të vjetra të ideologjisë fetare që regjimi i barazonte me klasave shfrytëzuese e sunduese. Sipas Hulusi Hizmo në artikullin “Çlirimi i plotë i ndërgjegjes nga opiumi fetar – proces i gjatë i riedukimit dhe edukimit” botuar në revistën “Vatra e Kulturës” të vitit 1972, theksonte se në luftën gjithnjë e më të ndezur për të zhdukur fenë është e domosdoshme të mprehet vigjilenca dhe të shtohet këmbëngulja nga të gjithë si për t’i zbuluar ashtu edhe për t’i luftuar shfaqjet e ideologjisë fetare pasi feja,sipas propagandës ateiste, lidhet me të gjitha mbeturinat e tjera. Hizmo porosit se “luftë kundër fesë nuk duhet ngushtuar, ai duhet parë në tërë gjërësinë e tij, pse lufta kundër fesë është luftë kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste”. Sipas autorit, nocioni mbeturinë fetare është shumë i gjërë dhe shtrihet në të gjitha fushat e jetës si në punë, në kohën e lirë, në jetën individuale, në familje në shoqëri. “Organizmi i edukimit të masave punonjëse, veç ta tjerave do të na çojë dhe në dobësimin e në zhdukjen e fesë” pasi jeta socialiste sipas Hizmos është edukuesi më i mirë me frymën e ateizmit, është agjitatori dhe udhëheqësi drejt së vërtetës dhe për këtë qëllim sipas propagandës duhet ti shërbejnë dhe të gjitha format e mjetet e arësimit dhe të kulturës. Botëkuptimi fetar në propagandën ateiste, nuk është i sistemuar dhe nuk ka një bazë të shëndoshë teologjike; ai është më tepër një botëkuptim që shkrihet në zakonet prapanike, në traditat, në mënyrën e jetës, në interpretimin naiv të fenomeve të natyrës të shoqërisë. Në luftën kundër fesë, Hizmo porosit se duhet bërë kryesisht një punë sqaruese, bindëse e me durim njerëzit binden ideologjikisht që t’i braktisin konceptet fetare. Po ashtu në punën ateiste-shkencore porosit autori se “nuk duhet të harxhojmë fishekët duke luftuar vetëm pasojën, si fenomen; për shëmbull të prishim antenën e radios që është vendosur mbi oxhak në formë kryqi” por nga shfaqja e problemit t’i hyhet në thellësi atij problemi të shfaqur, të depërtohet në brendësi të zbulohet rrënjët e koncepteve që ushqëjnë ato veprime. Feja sipas propagandës ateiste, ka aleate padijen, nivelin e ulëtarsimor e kultural. Njerëzit e paformuar me botëkuptimin materialist, para sëmundjeve e vështirësive humbasin besimin, bien në pesimizëm e kërkojnë rrugëdalje tek fej e cila i mban njerëzit të lidhur në errësirë dhe në padije. Në luftën për çrrenjosjen e ideologjisë fetare nga ndërgjegja e njerëzve, sipas shkrimit të autorit duhet të bëhet nëpërmjet punës kulturale e aksioneve masive të njihet mënyrën e jetës, edukatën e punës konceptet për kohën e lirë, për marrëdhëniet në familje, për higjenën dhe pastërtëinë, për shoqërinë, miqësinë, krushqinë etj. Vetëm në këtë mënyrë do të zbulohet dhe korrigjohet sipas autorit çdo shfaqje e koncepteve të gabuara dhe do të bëhet njohja me to me anë të formimit të psikologjisë e të botëkuptimit të ri, që në etapat e ndryshme të zhvillimit ekonomiko-shoqërorë, formohen tek çdo individ e shtresë shoqërore. “Bindja është arma kryesore për çrrënjosjes e çdo gjëjë të vjetër dhe regresive, përçmimi dhe lufta e vazhdueshme kundër koncepteve të vjetra nëpërmjet punës edukative ideopolitike” por përveç kësaj sipas Hulusi Hizmos, duhet bërë rrënjosja në ndërgjegjen e njerëzve e koncepteve e zakoneve të reja, krijimi i traditave revolucionare si mjet për zhdukjen përfundimtare të elementëve fetar nga ndërgjegja e njerëzve. Në luftën kundër fesë propaganda dhe sistemi i kohës kërkoi dhe synoi forcën e opinionit të shëndoshë shoqëror, të cilin sipas Hizmos, duhet ta përdorin më me efekt në formimin e formave të punës kulturale dhe krijimin e një vetëdijeje shoqërore pa fe. Gjithçka u projektua në krijimin e njeriut të ri komunist, njeriun pa Zot, pa botë shpirtërore, pa liri, pa të drejta por ama “revolucionar”.