
Prof. Milazim Krasniqi/
Ngado që të sillesh, dëgjon ankesa në përmbajtjet e medieve vizive. Të gjithë disi moralizojnë. Po i pyete pse i shikojnë përmbatjet që u duken të këqija e të dëmshme, rrudhin krahët. Në kohën kur ka diversitet të madh medial, vendor e global, mundësia e zgjedhjes është shumë e madhe. Prandaj, publiku vetëm duhet të edukohet që të di të refuzojë atë që nuk e pëlqen. Në rast të refuzimit të madh, ai refuzim reflektohet në shikueshmëri, në reklama, në të ardhurat e medies, gjë që e detyron ose ta ndryshojë qasjen programore, ose ta mbyll dugajen. (Ndikimin dhe përgjegjësinë e publikut mbi medien e trajton qasja liberale në studimin e medieve dhe mendoj se ka shumë argumente në këtë qasje.) Mbetet vetëm një mundësi: aftësimi i publikut që të përzgjedhjë çka i bën dobi, çka i shijon e pastaj të refuzojë të tjerat. (Me këtë problem qenkam mërzitë edhe para shtatë vitesh po këtu, me këtë titull paksa arrogant.)
PUBLIKU E DO, MEDIA VETËM SA E PËRHAPË LIGËSINË
Jo vetëm vendin tonë, po botën mbarë e ka kapluar epidemia e lajmeve të rreme, e dezinformatave, e spinit, e indoktrinimit, e sulmeve ad hominem, e gjuhes së urrejtjes dhe e degradimit të komunikimit medial e politik. Shembulli më dramatik ishte në fushatën për president të SHBA-ve, nga e cila tashmë ka lindur një luftë e ashpër ndërmjet establishmentit dhe medies mejnstrim. Edhe vendi ynë tashmë është pllakosur nga kjo epidemi. Disa prej nesh, vërtet çmeritemi nga pasioni i disa medieve dhe i disa politikanëve për të gënjyer, për të mashtruar. Por, unë besoj se për përhapjen masive të formave të deformuara dhe imorale të komunikimit, më shumë se sa mediet, kanë faj vetë qytetarët, publiku. Publiku është shndërruar në një lloj voajeri psikopat, që ka qejf të shoh aktet imorale të të tjerëve, që të kënaqë perversitetin që fsheh në vete. Faktikisht, mediet vetëm sa ndihmojnë që të legalizohet perversiteti dhe deskruksioni, i cili ekziston në masat e njerëzve. Mediet e koncentrojnë në agjenda konkrete atë perversitet e destruksion, por ai ekziston dhe vepron në formë okulte në mendimet dhe sjelljet e publikut. Pra, ky publik e dëshiron dezinformatën, e dëshiron sulmin ad hominem, e ka qejf gjuhën e urrejtjes, e ka qejf dhunën. Kjo është e vërteta e hidhur e shoqërisë sonë. Faji i faturohet medies, por kryefajin e kanë vetë qytetarët e çmoralizuar, pra publiku i pangopur me perversitete. Po të mos e kishte ky publik në qejf dezinformatën, perversitetin, gjuhën e urrejtjes e dhunën, do ta refuzonte, edhe si përmbajtje mediale. Në atë rast edhe mediet do ta braktisnin, sepse nuk do të kishin kujt t’ia shisnin atë produkt. Pra, ajo që shohim në medie e në politikë, si komunikim i deformuar dhe imoral, realisht është gjendja morale e qytetarëve. Mediet janë një lloj pasqyre, ku ata njerëz perversë, e realizojnë aktin e onanisë së tyre, të shkrirë në masë, në publik. E vërteta është se një pjesë e publikut-qytetarëve vuajnë nga këto produkte mediale jonormale. Por ata që vuajnë nga presioni që shkakton kjo çoroditje, janë pakicë në shoqëri. Ndaj, ata shikojnë zemërplasur, por nuk kanë asnjë mundësi që ta ndryshojnë gjendjen. Prandaj konsideroj se epidemia e tillë do të përhapet edhe më shumë. Deri kur? Deri sa të ndodhë përmirësimi moral i shoqërisë dhe të funksionojë shteti mirëfilli ligjor.