
…Mëmëdheu është ai turku me origjinë shqiptare, në Turqi (e shihja në një ekran tv tonin), me familje emigruar nga Arbëria atje, qindra vjet më parë, që hapte një sënduk të vjetër, nxirrte s’andejmi ca relike shqiptare të gjysh katragjyshit e tek i tregonte, i dridhej zëri e i dilnin lot…Qindra vjet…!…
…Mëmëdheu janë ata arbëreshët që na përqafonin e na flisnin në gluhën tënë të shprishur e na mbusheshin neve sytë me lot… kur shkuam në Vaccarizzo Albanese – të Kozencës në Kalabri, ku u vendos busti i Skënderbeut…
…Mëmëdheu ishte ai poshtë nga avioni, tek kthehesha nga një udhëtim disa pak javësh, nga Amerika, në fillim të viteve 90…e shihja ato shtëpitë e vogla e të mjera, ndêrtuar shtremba shtremba, pa rregull, që qerthullonin Tiranën e që më bënin të ndjeja sa më kish marrë malli…
…Mëmëdheu është ai miku im i ngushtë në Francë, që i lindi vajza në Paris e nisi t’i mësojë shqip që në belbëzimet e para… e që ndonëse lindi e u rrit atje franceze,sjell çdo vit shokët e shkollës e më pas të universitetit në Shqipëri e ua tregon me krenari e i bën edhe ata ta adhurojnë këtë vend…
…Mēmëdheu është ai që kur më telefonoi Lorenc Bejko nga Quebec nga Kanadaja e më tha:” Profesor fituam…edhe Berati u përfshi në listën e UNESCO si site i tradhëgimisë botërore”…mua mu drodh shpirti( na ish thënë se edhe, mund të mos pranohej) dhe u përqafuam e kërcyem përpjetë me miqtë e bashkëpuntorët përreth, sikur të kish shënuar gol Broja( edhe ky i fundit është mëmëdheu)…
Mëmëdheu janë miliona emigrantët nēpër botë, që mbetën me sytë e me zemren kēndej, ndonëse vitet ikin e ikin e ata “ nuk zenë mend” ta harrojnë mëmëdhenë, kudo që janë.
….Atdheu është ndjesi e këto janë ndjesi të miat. Vetëm ca pak syresh, se kam shumë e më shumë.
Seicili nga ju me siguri ka të tijat…
…Veç për të gjithë ne që vazhdojmë të jetojmë e do të vdesim në këtë vend, atdheu është edhe një ndjesi e përbashkët. Ajo e rrënjës që ze fill në këtë tokë, e bimës që hedh shtat këtu, filiz i ri e pasi rritet e rritet si pemë e gjelbër, së fundmi edhe thahet,bie, kalbet por tretet ama në po këtë dhè. Përzjehet e bëhet pjesë e këtij dheu ku treten e do të treten të tjerë e të tjerë…Pjesë e dheut të Mënëdheut…
Prof. Dr. Ylli Pango