Bruksel, 30 nëntor 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me Sekretarin për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku dhe Sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, gjatë qëndrimit të tyre në Bruksel kanë zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, si dhe me Kryesuesin e Grupit të Miqësisë me Kosovë në Parlamentin Europian, Lucas Mandl. Temat që u shtjelluan në këto takime ishin mbështetja e Parlamentit Europian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thellimi i bashkëpunimit politik me BE-në për t’i hapur rrugë integrimit europian të Kosovës në tërësi, si dhe fuqizimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kryetari Krasniqi dhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, njëherit eurodeputeti gjerman nga Partia Popullore Europiane, David McAllister, gjatë takimit diskutuan për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor e veçanërisht në Kosovë, me theks të veçantë tek prioritetet e politikës së jashtme të vendit tonë. Tutje, lideri i PDK-së ka takuar Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, me të cilën kanë folur për nevojën e vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi, por edhe për nevojën që Këshilli Europian sa më parë të marrë vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. “Raportuesja Von Cramon është njëra ndër përkrahëset më të mëdha të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe ne jemi shumë mirënjohës për angazhimin e saj në raport me këtë çështje tejet të rëndësishme për vendin tonë.”, tha Krasniqi. Edhe në takimin me eurodeputetin austriak dhe raportuesin për Kosovën të Partisë Popullore Europiane, njëherit Kryesuesin e Grupit të Miqësisë me Kosovë në Parlamentin Europian, Lukas Mandl, kreu i PDK-së theksoi nevojën e pashmangshme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse ka vite që janë përmbushur kriteret e kërkuara për këtë proces. “Eurodeputetin Mandl e falënderova për angazhimin e tij në këtë pikë, i cili u pajtua se mundësimi i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës është urgjent dhe shumë i rëndësishëm. Po ashtu, Mandl, i cili ishte Shef i Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë, na përgëzoi për nivelin e lartë të demokracisë të treguar në këtë proces nga i tërë spektri politik në Kosovë.”, tha Krasniqi.