
“ING. AVNI HOXHA , SHKËNDIJA E NJË KTHESE?”
Po t’i hedhim një sy mbrapavështrues dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit që shkoi e deri më sot, ballafaqohemi me kundërthënie vërtet marramendëse!
Për hir të temës që trajtohet, të rikujtojmë disa momente kyçe. Vitet 80-të historia do t’i studjojë si vitet që shënuan asgjësimin e kometës komuniste. Ajo u nis drejtë hapësirave kozmike e mbështetur dhe e shtyrë përjetë nga vrulli i masave të shtypura që udhëhiqeshin nga disa ëndërrues idealistë. E vazhdoi flurudhën për një farë kohe duke lënë mbrapa veç kufoma armiqsh dhe tradhëtarësh imagjinarë, e në mes tyre domosdo ndër të parët edhe ish idealistët e saj, sepse ata fill mbas marrjes së pushtetit u asgjësuan nga tiranët diktatorë t’ardhshëm. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ekonomia pastaj, ajo forcë e jashtëzakonëshme, ligjet e së cilës barazohen edhe me ligjin e qëndërtërheqjes universale, e detyruan atë kometë të hynte në shtresat e dëndura të atmosferës tokësore e duke u djegur … të asgjësohej. Goditja qe e tmerrshme.
Po tek ne ç’la? Një pështjellim të plotë në mëndjet e njerëzve! Ky rezultati i parë, më i prekëshmi! Po tjetër? Luftë për mbijetesë pa marrë parasysh as norma, as etikë pa le moral. Nuk kishte se si të ngjiste ndryshe. Ai popull indiferent deri në dhimbje, ku e kishte katandisur barazia në skamje, veç vegjetonte. E në këta kushte nuk duhet harruar se kush qe ai popull. Ai nuk e ndiente veten më as pasardhësin e Kastriotit, Ded Gjolulit, Ismail Qemalit apo të Topullarëve, ashtu siç edhe gruaja shqiptare nuk e ndjente aspak veten pasuese të Shotës apo Suliotëve. Ai ishte në mesatare, njeriu i ri socialist! Ai ishte veç karilatura e shqiptarit si e deshi partia dhe ku e katandisi ai eksperiment djallëzor që desh t’i mbushë mëndjen botës se do t’i jepte shëmbull asaj në gjithçmos! Atëbotë, kur nuk kishte më se si të shërohej gërbula që e kish përfshirë ekonominë socialiste as me tufëza e as me arëza, atëkohë u shëmb edhe diktatura! Dhe shqiptari, i lartpërmenduri shqiptar, u ballafaqua me realitetin sa të bukur e gjithaq të vështirëpër t’u përballur: Ekonominë e trëgut! Ah sa e vështirë ishte n’ato rrethana, të gjëndej orientimi. Dhe populli ia hyri aventurës, dikush duke shitur pije freskuese, tjetri duke luajtur kartën e emigrimit dhe përballimit me një të panjohur tjetër akoma më të madhe e domosdo dikush … duke u veshur me pushtet. Dihet se ç’do shëmbje pasohet nga një rilindje. Është e vërtetë. Mirëpo rilindja mbas dhjetëvjeçarësh të tërë, përgjatë të cilëve u punua sistematikisht të vlerësohej antivlera e të çvlerësoheshin normat e etikës si edhe të moralit, do të rezultonte një rilindje (mbase jo një abort), por sidoqoftë një rilindje tejet dhe tragjikisht e vështirë. Kësisoji si fenomen, natyrshëm bashkëudhëtar i demokracisë, lindi i brishtë por u mëkëmb dhe tani ka marrë përmasa të frikëshme, korrupsioni. Ky është realiteti.
Pa dashur tashti të analizohen të metat e kaluara, se s’ka si bëhet më e kollajtë të kritikosh atë që punon ndërsa ti qëndron jashtë loje, por njëkohësisht pa ju dorëzuar fatit, e vetmja alternativë pozitive mbetet ajo e të thënit gjithsecili vetes: Ҫ’ duhet bërë që vëndin tonë t’a nxjerrim nga këneta ku është zhytur? Pa asnjë mëdyshje, hapi i parë është kufizimi i korrupsionit. Mendoj se si ata që e përcaktuan Ing. Avni Hoxhën kandidat për Kryetar Bashkie të Durrësit e gjithashtu edhe vetë Avniu që e pranoi kandidaturën, kanë marrë një vendim skajshmërisht të drejtpeshuar: të parët, duke nxjerrë mësime nga e kaluara, (më mirë vonë se sa kurrë), dhe i dyti thjeshtë nga dashuria e tij e skajshme për qytetin e tij të lindjes si edhe për popullin e Durrësit, kanë vendosur t’a bëjnë këtë qytet që, për nga rëndësia vjen mbas kryeqytetit, por përsa i takon luftës që i duhet bërë kontrabandës si edhe korrupsionit, mbase merr rëndësi të dorës së parë, shëmbull për të ndjekur për të gjithë!
U kthehemi tashti garancive etiko – morale që jep ky kandidat. Unë personalisht kam që në thellësitë e viteve që njihem me familjen e Hoxhajve duke qënë mik i ngushtë me të ndjerët vëllezërit e Avniut, Hilmiun si edhe Idrizin, (mungesën e të cilëve e ndjej shumë). Rrënja e familjes, xha Shabani i ndjerë, (i ati i Avniut) ish me zë në Durrës si tregtar i pasur, i ndershëm deri tek ai, si edhe bamirës. Vëllai i madh, Hilmiu, i cili edhe sakrifikoi e bëri shumë për vëllezërit e tij, punoi mullixhi, shofer e ç’nuk bëri ai pergjatë jetës së tij duke qënë shëmbull ndershmërie e bamirësie për të tjerët. Në këtë mjedis familiar u brumos edhe pinjolli i kësaj familjeje të nderuar, Avni Hoxha. Nuk kam si të mos e përmend me këtë rast edhe vjehrrin e Avniut, të nderuarin tashmë të ndjerë, Sulejman Bratin, të cilin e kam njohur që në vitet 50-të dhe e them me kryelartësí se e kam për nder që kam qenë mik i tij. Nuk kish si të bëhej njeriu më me karakter se ai. Kështu Avniu pati fatin të lindet, të jetojë, të rritet e të burrërohet në një mjedis me plot kuptimin e fjalës fisnik! Sa i takon vetë Avniut: e njeh gjithë Durrësi, veçanërisht përgjatë periudhës mbas diktaturës, sa i ndershëm, korrekt dhe i aftë është treguar gjatë viteve që drejton si bashkëpronar firmën SIAC.
Vijmë tashti tek garancitë teknike që jep Avniu si kandidat. Në rradhë të parë është i pakorruptueshëm sepse është fisnik nga prejardhja si edhe nga formacioni i vet karakterial. Gëzon mirëqënie, (për të mos thënë se është i pasur),si rrjedhojë e punës së palodhur shumëvjeçare të pa asnjë njollë. I papëzier me zhvillimet politike e pra jashtë ndikimeve partiake. Shumë i aftë teknikisht si inxhinier ndërtimi si edhe me shpirt organizatori të përkryer. Dhe pa e zgjatur më shumë kurorën e virtyteve që ka, ai e pranon detyrën e kryetarit të Bashkisë së Durrësit vetëm si barrë e pa as më të voglin pikësynim përfitimi vetiak.Ai e di sfidën që do t’i duhet të përballojë dhe pikërisht dashuria e tij për bashkëqytetarët e zhgënjyer si edhe për qytetin e tij, e detyrojnë t’a marrë përsipër këtë barrë!
Tashti dy konsiderata. Së pari, paralelizmi me Bashkinë e Tiranës. Duhet t’a them që në fillim se në mënyrë të paragjykuar, nuk kam se si të kem konsideratë për zotin Edi Rama nga e kaluara e tij, (tejet i përfolurnga kolegët e tij të Klubit Dinamo në rinin e tij të hershme e pastaj disident i skajshëm, gjithmonë simbas tij, i regjimit diktatorial e në vazhdim çuditërisht menjëherë i thithur nga socialistët në rrjetën e tyre, deri sa për hir posti gjasat janë që nuk do të çudiste asnjeri sikur t’a shihnim në poste drejtuese të socialistëve). Nga ana tjetër, nga ç’kemi lexuar në shtyp, i akuzuar nga gjithë anët si mitëmarrës dhe i korruptuar. E ky person me këmbëngulje kërkon të rizgjidhet sërishmi kryetar i Bashkisë së Tiranës! Logjika e thjeshtë thotë se ky njeri, sado karrierist që të jetë, për t’a patur të drejtën morale të kandidimit, po të jetë njeri i ndershëm dhe i pakorruptuar siç pretendon, hap të parë duhet të bëjë pastrimin publikisht të figurës së tij nga njollat që i venë dhe të hedhë poshtë akuzat me të cilat e ngarkojnë. Kjo do t’i takonte si qytetari numur një i kryeqytetit. Po ai hesht dhe e …e vazhdon fushatën e tij. E tashti, duke iu kthyer Durrësit, me gjithë ndonjë sukses që lidhet me punën e zotit Rama në Bashkinë e Tiranës, a ka se si krahasohet zoti Edi Rama me Ing. Avni Hoxhën? I lemë përfoljet ndaj tij (z. Rama) se unë së paku nuk kam prova për to e prandaj as nuk i marr në konsideratë. Por e them me plot bindje se shtysa e zotit Rama ka qenë vetëm vetqëndërsia dhe egoizmi i tij. Ai nuk është ilidhur me qytetin e Tiranës dhe as nuk ka se si të ketë profesionalizmin teknik, i krahasuar me përgatitjen teknike të Ing. Avni Hoxhës si edhe përkushtimin e tij ndaj qytetit si edhe banorëve të Durrësit. Planimetria e Tiranës është bërë, me plot kuptimin e dhimshëm të fjalës, një kaos. E ky kryetar vazhdon dhe e inkurajon kaosin. (Nuk bëj insinuata mitëmarrjeje lidhur me këtë kaos, por vetë diletantizmi i tij profesional nuk e lejon t’i a ndryshojë rrjedhën ngjarjeve). Kurse Ing. A. Hoxha në rradhë të parë falë vetë formimit profesional si edhe pastërtisë së tij, jo që do t’i thotë ndal aventurizmit në ndërtim, por do të dijë të hartojë planet perspektive të shtrirjes së Durrësit si edhe të korigjimeve eventuale që mund t’u bëhen gafave të kaluara.
Ja edhe konsiderata e dytë. Jo pa qëllim e theksova më lart se udhëheqja e PD-së më në fund e kuptoi se punës i duhet gjetur njeriu i ndershëmsi edhe i aftë, pa u ndikuar nga gjoja besnikëria e partishme. E theksoj këtë moment nisur mga fakti se në ata çaste të përmbysjes së diktaturës u hodhën nga ana e demokratëve me kuç e me maç, (si i thonë lebërit), e kjo solli si pasojë edhe atë çoroditje në veprimet si edhe mëndjet e njerëzve. Prandaj edhe vendosja e demokracisë në Shqipëri kaloi nëpër zig-zage të tilla ku sot e dijmë mirëfilli se ku ishim, po aspak se ku po shkojmë. A ka farsë më të goditur, (për t’a paraqitur veten) se sa të deklarohet nga institucioni shkencor si sihariq i madh se u zbulua shtëpia e nënës dhe motrës së Nënë Terezës? I gjithë brezi im që është rritur në zonën mes Lanës dhe rrugës së Kavajës e ka ditur mirëfilli se cila ishte shtëpia ku banonin nëna dhe vajza e Bojaxhive. E dijnë kryesisht mirëfilli Zajmët e pas tyre Bermemajt si edhe Brahimajt, e dijnë Hamzarajt si edhe Bulkët e gjithashtu Plasarët me gjithë Vuthët. Po nuk mbaron me kaq farsa. Shkencëtari që e jep këtë lajm njofton njëkohësisht se do të promovojë më 19 tetor albumin e hartuar prej tij me titull “Shqipëria dhe Nënë Tereza”. Unë i drejtohem shumë njerëzisht duke e ftuar të heqë dorë nga kjo ripërshtatje e tij rrethanave të reja. E ka njohur i gjithë Durrësi si punonjës shkencor. Por e ka njohur edhe si përfaqësues të asaj partie që Nënë Terezën e quajti “lavire” si edhe agjente të Cia-s. E ftoj pra të merret me shkencën së cilës i është përkushtuar e t’ua lerë Nënë Terezën studjuesve me emër dhe të nderuar si Dr,Dom Lush Gjergjit me shokë.
Me këtë kategori të ripërshtaturish u mbush PD-ja, pa e diskutuar fare pastaj faktin se si brënda natës, ata që nuk milituan me PD-në, ranë për të fjetur si ish komunistë dhe u gdhinë … socialistë! E kjo qe pra tragjedia e Shqipërisë. Se po të ishin zgjedhur që në fillimet e s’ashtuquajturës demokraci, drejtues të kalibrit të Ing. Avni Hoxhës, ndryshe do të kishte ecur Shqipëria”.
Tashti edhe një kujtim i cili flet vetë. Ishte fundi i vitit 1981. Kisha qenë për darkë tek Avni Hoxha dhe aty pranë mesnatës ai po më përcjell. Ngjitur me shtëpinë e tij shohim njerëz të ulur në trotuar. Avniu i shikon dhe i revoltuar nga fakti që ata të shkretë kishin zënë rradhën me shpresë për të marrë dy shishe qumështi në mëngjes, më thotë gjithë pasion … të betohem Mërgim, të më emërojnë kryetar Komiteti në vëndin e Isa Kurtit, brënda dhjetë ditësh po nuk zhduka rradhët për qunësht e nevojat e popullatës të mbulohen pa vështirës, mos më thënçin Avni! Dhe shtoi … dhe besoma se i di si planet e detyrimeve që ka rrethi i ynë si dhe prodhimin faktik të qumështit. Por e keqja vjen vetëm nga ç’organizimi i organizuar i këtij sistemi!
Është e qartë se atëhere as Avniut e as mua nuk kishte se si të na shkonte në mëndje se do të vinte dita dhe ai do të kandidonte pikërisht për postin e drejtuesit kryesor të rrethit.Por ama ai fakt duhet t’u flasë shumë bashkëqytetarëve të Avniut e t’u thotë se u ka ardhur dita që vërtet t’a hedhin votën e tyre për njeriun i cili i ka mundësitë të bëjë shumë pòër ta si dhe qytetin e tyre!
Megjithatë, uroj nga zemra që më në fund opozita mos t’a lerë ing. Avni Hoxhën një rast të vetmuar e të tillë njerëz të zgjidhen si në poste drejtimi shtetëror e gjithashtu edhe partie. Por edhe partia në drejtim sot, shpresoj t’i tnërrasë mëndjes e të reagojë duke e kuptiar se po nuk bëri ndryshime cilësore me vlera filluar që nga maja e piramidës së saj, sa vjen dhe do të degradohet.
E tashti, para se t’i mbyll këto rradhë, dua t’u kujtoj durrsakëve të vjetër një moment shumë kuptimplotë nga e kaluara.
Durrësi ka patur dy kryetarë Bashkie tejet të nderuar: Zotërinjtë Ahmet Dakli si edhe Hysen Myshketa. Emrat e të dyve janë të lidhur me zhvillime shumë kuptimplote.Z. Dakli, si kundërshtar i Ahmet Zogut, largohet më 1925-ën nga Shqipëria kur ky i fundit e mori fuqinë në dorë. Mbas disa viteve mërgim, i lodhur nga jeta larg atdheut, kërkon leje të kthehet dhe Mbreti ia aprovon kthimin. Mbas disa ditëve e thërret në Pallatin Mbretëror dhe e informon se e kishte emëruar kryetar të Bashkisë së Durrësit. Ahmet Dakli e refuzon emërimin duke i parashtruar më shumë se sa arësye, sebepe. I kthehet Mbreti dhe i thotë: Zoti Dakli, duhet t’a pranosh se Shqipërinë nuk e dua unë më shumë se sa ti. Në Durrës ti do të jesh Mbreti i qytetit. Puno me ndershmërinë që të karakterizon, përparoje dhe lulëzoje qytetin e t’a kemi shëmbull edhe për qytetet e tjerë. Dhe i gjithë Durrësi e mban mënd se sa i shërbeu qytetit ai kryetar Bashkie.
Vite më vonë emërohet kryetar Bashkie njeriu me emër si i ndershëm si edhe filantrop ii njohur i Durrësit, zoti Hysen Myshketa. Me sjelljet si edhe veprimet e tija qe bërë simboli i qytetit dhe ngado të ktheje kokën dukej dora e dashuruesit të qytetit si edhe banorëve të tij.
I kujtova këta dy raste për të vënë në dukje se si historia jo e largët ka treguar së pari se si Durrësi ka patur traditë shumë të mirë në pasjen si kryetarë të Bashkisësë tij figura madhore edhe të kombit tonë e së dyti, që ing. Avni Hoxha duhet t’a mbajë mirë parasysh se, veç të tjerave, ç’përgjegjësí po merr përsipërduke u bërë objet krahasimi me ata dy burra të nderuar!
Po i mbyll këto rradhë duke qenë i gëzuar që popullit të Durrësit po i jepet mundësia të votojë këtë herë për një person që i ka të gjitha të dhënat të bëhet farkëtues i ndryshimeve të mëdha për bashkëqytetarët si edhe qytetin e tij, të votojë për ing. Avni Hoxhën.