
(Pena e “Historive të pashkruara” të Shqipërisë
Nga Eugjen Merlika
Më datën 23 shkurt 2026, në qytetin Detroit të Sh.B.A. , në gjirin e familjes ndërroi jetë publiçisti, historiani, studjuesi dhe ingjinjeri i talentuar Mërgim Korça. I limdur më 1932, nga një familje intelektuale korçare, Ai mori emrin “Mërgim”, sepse babai i Tij, Xhevat Korça, ish drejtori i parë i gjimnazit shtetëror të Shkodrës, mbasi, që në moshën 17 – vjeçare kishte rrëmbyer armët në dorë për të qënë pjesë e çetës atdhetare të Themistokli Gërmenjit, në luftën për Atdheun e pavarur, atëherë ishte i mërguar politik, i larguar nga Shqipëria në krishtlindjen 1924, mbas kthimit të Ahmet Zogut nga Jugosllavia.
Atë emër shqiptar, siç ishte n’atë kohë një farë prirjeje e nacionalistëve shqiptarë për t’u a ngjitur bijve të tyre, i Ndjeri e mbajti me dinjitet e ndershmëri deri në çastet e fundit të jetës së Tij, fatmirësisht të gjatë (94 vite). Babai i Tij , i kthyer në atdhe më 1939, mbas pushtimit fashist, qe një atdhetar i përkushtuar për fatet e Vëndit të Tij, e mori pjesë në Qeverinë Nacionaliste të Mustafa Krujës, si Ministër i Arsimit, në periudhën e bashkimit të trojeve shqiptare 1941 – 1844, ku u shqua në vazhdim të misionit të ish Ministrit Koliqi, në hapjen e në organizimin e shkollave shqipe në “Tokat r lirueme”.
Si mik e bashkëpuntor i Kryetarit të Qeverisë, Ai punoi me një zell e energji të jashtzakonëshme në zhvillimin e arsimit kombëtar, kryesisht në krahinat e shkëputura nga trungu – amë në vjeshtën e vitit 1912, një dukuri tejet e zezë, që kushtëzoi të gjithë historinë shqiptare të shekullit të njëzetë, e mbetet ende e pazgjidhur deri në ditët tona, mbas më shumë se një qindvjetori. Si pasojë e kësaj veprimtarie, Xhevat Korça u arrestua nga organet e dhunës së regjimit komunist, e u dënua me shumë vite burgim nga “drejtësia popullore” në vitin 1945. Në vitin 1959 Ai ndërroi jetë në burgun e Burrelit ku u bë nismëtar i një greve urije.
Mërgimi jetoi në Shqipërinë komuniste dhe siç shihet në kapakun e mbrapëm të librit të tij “Histori të pashkruara”, stodjoi në fushën e ingjinjerisë mekanike. Në sajë të vullnetit e aftësisë së Tij krijuese, n’atë fushë arriti të marrë titullin shkencor si “Punonjës i shquar i Shkencës dhe Teknikës”. Por me tjetërsimin e sistemit politik në Shqipëri, Ai u shpërngul në SH. B. A., pranë vëllait të vetëm, Gencit, që kishte një post të lartë si Drejtor i Përgjithshëm i Higjenës industriale në Sh. B. A .
Atje Mërgimi, që ishte rreth gjashtëdhjetë vite, filloi një jetë të re, në një shoqëri të lirë, e pati rastin të punojë në fusha të ndryshme si publiçistika, gjuha shqipe në nivel universitar mësimdhënie të shqipes, gjuhët e huaja, studimet historike, etj., duke e paraqitur veten si ndër mëndjet më të ndritura të jetës intelektuale të Mërgatës, madje edhe të gjithë paskomunizmit shqiptar.
Si përfundim i asaj veprimtarie Ai i la popullit të tij një trashëgimi të paçmuar, kryesisht në publiçistikë e në studimet historike, në të cilët ishte njëri ndër zërat më të shquar në zbulimin e të vërtetave historike, të cilat ishin shtrembëruar e masakruar gjatë një gjysmë shekulli nga regjimi komunist në fushat e kulturës, të studimeve e të histori – shkruarjes. Ndërmjet veprave të Tij të shquara, kam menduar të riparaqes disa nga shkrimet e Tij publiçistike, të përmbledhur e të botuar në vëllimin “Histori të pashkruara”, të botuar në Tiranë, më 2005 nga “Media Enter” nën kujdesin e gazetarit e botuesit Z. Mero Baze.
Besoj se nisma për t’i ribotuar shkrimet e Tij të dhjetëvjeçarëve më parë, është një shenjë nderimi e respekti, për ndihmesën e Tij të rrallë, në dobi të ndriçimit të shumë anëve të realitetit shqiptar në qindvjeçarë, kryesisht të atij të Shtetit të pavarur, deri në ditët e sotme.
Duke i uruar shpirtit të bardhë të Mërgimit, lumturinë e pasosur në përjetësinë e Parajsës së Zotit, të cilin Ai e deshi dhe i shërbeu gjatë gjithë jetës së Tij tokësore, përfytyroj takimin e tij në Botën e së Vërtetës, me familjarët dhe morinë e personazheve të jetës shqiptare të shumë fushave, të cilët e kanë pritur me ndjenjën e falënderimit e mirënjohjes për mëndjen e dorën eTij, që nxori në dritën e së vërtetës jetët dhe veprat e tyre.
Uroj që të njëjtat ndjenja e mendime do të prodhojnë edhe në mëndjet e të rinjve shqiptarë, që do të kenë rastin të lexojnë apo të rilexojnë shkrimet e Tij, mbas dhjtëvjeçarësh.