Shkruan: PIRRO MANI/
Për mua seria e “Rrëfenjave nga Amerika”, të shkruara nga Pëllumb Kulla, ishin një befasi e këndëshme dhe pas publikimit të asaj të parës, mezi prisnja të hënat që të lexonja rrëfenjën e radhës. Befasia ishte e bukur edhe pse autorin, afërmendsh, e njoh si penë të fortë të humorit e satirës dhe të pjesëve teatrale që ka shkruar e vënë në skenë, në atë planetin tonë të teatrove. Ndryshe nga psikologjia sqimatare që i ka marrë si nëpër këmëbë miniaturat teatrale që shihnim nëpër estradat, unë gjithnjë e kam vlerësuar lart punën e kolegëve të mij regjisorë që punonin atje dhe ku miku im Kulla, ka arritur një varg impresionues suksesesh. Por, megjithatë, sinqerisht nuk e besoja se Pëllumb Kulla do të niste e ta shpinte gjer në fund në një lartësi të tillë, atë gjerdan rrëfenjash, që më ngjasin me një varg reportazhesh nga Nju Jorku, sa zbavitës aq edhe të dhimbshëm, sa të përmallshëm aq edhe informativë, sa tradicionalë aq edhe modernë, sa të lidhur me shqiptarët e Amerikës, aq edhe pranë atyre të viseve shqiptare në Ballkan, sa të shtruar aq edhe ritmikë… Arti i këtyre tregimthave të botuar në Shekulli është i një graviteti të jashtzakonshëm.
Një nga tiparet më të dukshme të rrefenjave është poezia që dëshmon se ato janë shkruar me një rrëmbim. Poezia ka shërbyer aty si një rrëshirë lidhëse, si një dritë e ngrohtë, e cila bie e ndrit njësoj, qytetet amerikane e shqiptare. Imazhet me Menhettënin në mëngjes, me Qafën e Kërrabës pas një shiu të shkurtër behari, kur fëmijët fshatarë dalin buzë rrugës për t’u shitur fiq turistëve, përrallat e vjetra tona, që një kujdestare që nuk di anglisht ua tregon vogëlushve amerikanë, përralla tjetër që kosovari plak i tregon për 40 vjet rresht të birit mbi viset e banorët e Shqipërisë, janë të një bukurie të rrallë.
Por përtej poezisë, rrëfenjat janë njëkohësisht të lidhura me temat më djegëse të kohës, sa më dukej se analizave aq të mprehta e të goditura që boton vazhdimisht Shekulli, me këto rrefenja iu shtuan edhe disa. Por këtë rradhë me një gjuhë tjetër, me një pikëvështrim tjetër, me tipa të një seriali të suksesshëm që ditë pas dite, të familjarizon edhe të miqëson me karakteret. Duke treguar për Amerikën autori nuk shmanget pa satirizuar jetën postdiktatoriale shqiptare. Në rrëfenjën e parë, Peçoja, një nga karakteret më të realizuar letrarë, thotë: “…Prandaj është më mirë bre, kur shtetnë e drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Këtë po përpiqen të realizojnë burrat e shtetit në Shqipëri. Që shtetnë ta drejtojnë të pasurit, ka dy rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe po ndodh kjo e dyta: ministrat po bëhen të pasur! Atje vjedhjet kanë qëllime të pastra, bre, fisnike… Prandajza, sa herë vete andej-këtej dëpër Amerikë, u them shqiptarëve, kudo që janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas… të ini krenarë për mëmëdhenë e dashur! Atje vjedhën për pikësynime të nderçme… Njëherë vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithëshme, sot për të mirë të tij, individi i rrjep lëkurën e përgjithëshme shtetit!…” Tepër i hollë është satirizimi i atij lideri partiak, në rrëfenjën e katërt, që udhëton për në Uashington dhe kalon aty dy ditë, pa takuar asnjë personalitet politik apo shtetëror të asnjë rangu! Por mbyllet në një hotel buzë lumit Potomak, sheh nga dritarja Memorialin e Linkolnit dhe drejton që andej fushatën zgjedhore në Libarzhd e Kukës e nëpër fshatrat e Shqipërisë. Satira është dërmuese: ka shumë politikanë që udhëtojnë për në kryeqytetin amerikan, vetëm e vetëm që në Rinas të zbresin të ardhur që andej, nga Uashingtoni, vetëm e vetëm që të ushqejnë fantazinë e fanatikëve të tyre e të trembin kundërshtarët politikë. Grotesku shpaloset shumë shumë i fuqishëm e kordha e satirikut prêt më të majtë e më të djathtë në rrëfenjën “Planet e fshehta ushtarake”, ku e gjithë kjo dyndje shqiptarësh nga viset arbërore në Amerikë, interpretohet si një strategji shekullore shqiptare për … pushtimin e Shteteve të Bashkuara(!!!), strategji e ideuar dhe zbatuar nga tërë tërë krerët e shtetit të vockël të shqiptarëve, që kanë qënë tërë një mendje, (ironi më vete dhe kjo!) “Nuk e di kush e ka bërë pllanë, thonë Ismail Qemali, thonë mbreti Zog! – spjegon Peçoja– “Ama këta që kanë erdhur në krye të vendit më pas, pavarësisht nga inatet me njëri tjatrin, pllanë nuk e kanë kundërshtuarë… Ay, (Enveri) nuku kish zemër të vriste një zoçkë. Vravi mijra e mijra bashkatdhetarë, që të tjerët të besoshin, kur arratiseshin në Amerikë, ore! Qëllimi qe i lartë! Ay zbatonte porositë e mbretit. Njeriu i tij ka qënë, bre, s’ke dëgjuarë? Zogu e ka patur konsull në Belgjikë!
– Shiko, shiko! Ti Peço ke vendosur të më lesh me gojë hapur sot! Unë, Enverë e mendonja diktator tamam! Ay e bëkërke… Shih-shih! Tashi po e çmoj. Dhe po filloj të kem respekt, për të.
Po unë deri këtu, e po ndalem në zbulimin e vlerave në përmbajtje. Po kthehem të përdor më shumë metrat e mi, pra të një njeriu, që është marrë me teatrin dhe spektaklet në tërësi. Tufa e “rrëfenjave nga Amerika” i ka të gjitha cilësitë e një seriali televiziv të suksesshëm. Bile do të thosha edhe më shumë se një serial, një film unik, mbi këtë valë historike emigracioni, që mori shkas nga shpërbërja e perandorisë komuniste dhe bëri që në truallin amerikan të sulen rusët, bullgarët, polakët, ukrainas e tjerë… Dhe midis tyre shqiptarët! Nga tëra viset tej e mbanë kufijve. E që të gjithë, pavarësisht nga kombësia, përballin problemet e adoptimit, njohjen e kapitalizmit të vërtetë. Njësoj në varfërinë e tyre, njësoj në vlerat e tyre shpirtërore nga njëherë për t’u patur zili nga amerikanët. Njësoj në vështirësitë me gjuhën, me mekanizmat e punësimit, njësoj me iluzionet dhe me deziluzionet, me dëshirat dhe me dështimet.
Vëllimi i rrëfenjave përmban temën e madhe të emigracionit, ose të kurbetit, siç ka hyrë në ndërgjegjen dhe dhimbjen e popujve. Po këtë rradhë në Amerikë kanë vërshuar jo fshatarët e dikurshëm të Korçës e Gjirokastrës, por studentët, mjekët, sportistë të shquar, artistë, me një mesatare kulturore të paimagjinueshme. Të gjithë kanë sjellë këtu një botë mendore specifike në një infrastrukturë amerikane, të njohur së prapthi nga propaganda armiqësore komuniste. Por gjithësesi ajo është e largët, e huaj dhe e vështirë për t’u adoptuar në të.
Publikimi i këtyre rrëfimeve, duket që nuk është një frymëzim i çastit i autorit, por një mbarsje e gjatë dhe e pjekur në kohë. Karakteret që popullojnë rrëfenjat janë të besueshëm, të përditshëm dhe të veçantë. Duket që ata kanë ardhur nëpër ato faqe letrare duke zbrazur blloqet me shënime të autorit Pëllumb Kulla.
Merr karakterin kryesor: Peçoja është i gjallë, tërë lëng jetësor. Ai është një lloj filozofi popullor, që e ka mësuar filozofinë jo në katedrat e filozofisë por në rrugën e mundimeve: ka qënë në burg në rininë e tij, emigrant në Greqi dhe i futur pastaj fshehur në Amerikë. Gjuha e tij është e figurshme dhe dialektale aqë sa ajo bëhet tipar i krahinës së tij të Devollit dhe ende e shumë ngjyrshme me mbetjet interesante nga fëmijëria e hershme. “Erdhi dhe më qëndrovi një të pështyrë larg”, thotë Peçoja kur do të tregojë largësinë më një njeri të neveritshëm, në rrëfenjën e shtatë. Situatat nëpër të cilat kalon ky shofer taksie apo limuzine, janë shpesh dramatike, komike, bufe, por asnjëherë të vetqëllimshme. Ai është një karakter i ngrohtë, puntor, i ndershëm dhe me një dashuri e dhëmbje për atdheun në të cilin u rrit jo në ambjente ideale, por gjithsesi të dashura. Ai i shpalos të metat e veta me një lehtësi impresionuese. Kujtoni dasmën kur këtij i duhet të ndeshet me fshatarin që ka zënë një qoshe përrallore në pikën doganore, edhe kur tërë ambienti fshatar e shtyn Peçon të luajë “amerikanin” (Rrëfenja “Paradë pasanikësh” që unë do ta quaja një nga tregimet më të bukur të narrativës kombëtare).
Karaktere të tjerë interesantë gjen në faqet e këtij vëllimi më shumicë: Gruaja e shoferit, tërë kohën në alarm për çdo ditë që gdhin në Amerikë; fëmijët që përhapen si vaji në tavën amerikane; Roza, ajo nënolja e pasuksesëshme në Shqipëri, e cila i ka vënë vetes si qëllim të gjejë një burrë amerikan dhe e konsumon veten duke parë kanalet porno; ministrat e qeverisë hije, që presin akoma të bjerë komunizmi, edhe kur ai ka dymbëdhjetë vjet që është gremisur; hetuesi që ka torturuar në qelitë e Sigurimit e tani ka nxituar të marrë strehimin politik edhe më parë nga ata që pat rrahur me duart e tij duke i akuzuar se patën dashur të arratisen në Amerikë; Beni, ai i riu i papunë në Tiranë, që nuk ka shkelur kurrë në Nju Jork dhe di edhe cilat korsi do asfaltohen të djelën në darkë mbi një urë të Menhettënit… E plot e plot të tjerë, të gjallë të etur, të këndshëm, tuhafë, pasionalë që mbushin rrëfenjat e Peços. E sidomos të përditshëm, që të sjellin shpesh mendjen tek figurat çehoviane.
Puna në teatër dhe telvizion që ka bërë autori gjatë jetës së tij e ka ndihmuar mjaft që në narracion të jetë dinamik. Në të gjithë këta tregime ndihet lëvizja, mizanskena. Përshkrimi alternohet me fjalën në një zhvillim të mrekullueshëm filmik. Karaktere thellësisht shqiptarë, në një dekor marramendës gratacielash të vërtetë.
Unë i uroj autorit një jetë më të bukur suksesesh letrare, por jam i bindur që edhe përvoja me Shekullin, për të, duhet të ketë qenë e mrekullueshme.
Kurse mua që tani më ka marrë malli për ato të hëna, këtu në Kolorado, kur hapnja internetin, klikonja tek Shekulli on the Web dhe pasi i hidhnja një sy lajmeve e komenteve, linja për në fund, siç lihet ëmbëlsira, rrëfenjën e radhës endur e thurrur me aq shije nga pena e mrekullueshme e autorit Pëllumb Kulla, njohës i mprehtë dhe i thellë i psikologjisë së bashkëkohësve të tij.(Botoi Shekulli, Foto- Dielli, shtator 2013)