Ndërkohë që Bashkimi Europian ra dakord në parim për shpërndarjen e 160 mijë refugjatëve në shtetet e unionit, një tjetër deklaratë e fortë ka ardhur mbi emigrantët sirianë që çdo ditë e më shumë po zbarkojnë në brigjet italiane e në ishujt e Greqisë.
“Dy në 100 emigrantë sirianë janë mbështetës të Shtetit Islamik”. Ky është paralajmërimi që ministri libanez i arsimit i ka dhënë Kryeministrit britanik, David Cameron.
Ministri libanez, Elias Bousaab, i cili u takua me Cameron gjatë një vizite të papritur në Britani, tha se grupi ekstremist po dërgon xhihadistë të trajnuar për të goditur objektivat në Perëndim. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Europës do t’i duhet të përballet me mbi 3000 xhihadistët, të cilët sipas ministrit libanez, janë mes 160 mijë refugjatëve që do të shpërndahen në shtetet e BE- së. Bousaab tha se duhet një bashkëpunim më i madh në luftën ndaj Shtetit Islamik, pasi sipas tij ISIS është në një rritje të vazhdueshme dhe më e frikshmja është se ata kanë rekrutuar edhe një numër të madh fëmijësh. “Bota duhet të zgjohet e të bëjë diçka për këtë”, tha Elias Bousaab në takimin që pati me Cameron. {Sh.K}