
Valbona Ahmeti/
7 Marsi në atdheun tonë festohet si Dita e Mësuesit, ndërsa 8 Marsi si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Me rastin e këtyre dy festave të bukura, komuniteti ynë shqiptar në Montreal u mblodh në një aktivitet të veçantë, të organizuar nga Shoqata Shqiptare nën përkujdesjen e zonjave Julinda Basha, Anila Hasko dhe Ilirjana Latifi.
Atmosfera e aktivitetit ishte e ngrohtë dhe plot emocion. Poezi të recituara nga poetja Valbona Ahmeti, pastaj nxënësit e shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Montreal recituan me shumë dashuri poezi kushtuar mësuesit dhe nënës, ndërsa të vegjlit interpretuan edhe disa këngë që sollën buzëqeshje dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Programi artistik u pasurua edhe më tej nga Suela Mero e cila interpretoi disa këngë të shoqëruara me fizarmonikë nga kompozitori Vlonjat Piro Kola. Një moment shumë i veçantë ishte edhe paraqitja e vajzushës Abigael, e cila na mahniti me zërin e saj plot ngjyra dhe me një vokal të nivelit të lartë, duke interpretuar dy këngë në gjuhën angleze.
Natyrisht, si në çdo aktivitet të komunitetit tonë, nuk munguan as ushqimet tradicionale shqiptare, të cilat i dhanë edhe më shumë shije këtij takimi miqësor. Falënderime të veçanta shkojnë për sponsorët që kontribuuan në këtë organizim: zotëri Prend Tanushi, zotëri Nexhi, Lori Café, si dhe të gjithë ata që ndihmuan për ta bërë këtë festë edhe më të bukur.
Ky takim ishte një dëshmi e gjallë e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe traditat tona, si dhe një moment i bukur bashkimi për komunitetin shqiptar në Montreal.



See insights and ads
All reactions:
33