Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 2 Gusht 2022/ Mesazhi për ata që duan kufirin në Mitrovicë, i Gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në botimin e 30 Dhjetorit të Vitit 2008 të Pavarësisë e ndjohjeve ndërkombëtare të Kosovës, është aktual edhe tani pas 14 viteve, kur në veri të Kosovës nga grupe të organizuara serbe – strukturat ilegale të Serbisë që janë bërë banda kriminale e agresive vendosen e zhvendosen barrikada dhe shkruhen e dëgjohen parulla “Këtu është Serbi”…
Ky ishte shkrimi i atëherë kryeredaktorit të Gazetës Rilindja, tani korrespondent në Kosovë i Gazëtës Dielli – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra:
MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË
Behlul Jashari
Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.
Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.
Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.
Gëzuar!
(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)