E nderuar Familja Kupi,/
Në emër të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe të gjithë Legalistëve shqiptar, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe të përzemërta për humbjen e njeriut tuaj të dashtun dhe ikonës së rezistencës kundër diktaturës komuniste, të ndjerit Fatbardh Abaz Kupi.I lindur dhe rritur në një familje patriotike dhe biri i kryepatriotit Gjeneral Abaz Kupit, i ndjeri Fatbardh Kupi mishëroi qysh në moshë të re vlerat fisnike të të parëve të tij dhe të gjithë atyre që kishin vendosur të mbronin me vetëmohim dinjitetin e tyre, emrin e të parëve të tyre si dhe të atyre që ata përfaqësonin.Gjatë jetës së tij, Fatbardh Kupi nuk bëri asnjë mëkat për të merituar vitet e burgut, internimet dhe torturat përgjatë më shumë se 50 vitesh. Përkundrazi ! Ai ishte pinjolli i një familjeje atdhetare dhe nacionaliste, ishte i biri i Heroit të Rezistencës së 7 Prillit ‘39 kundër pushtimit të vendit, ishte një njeri me karakter, besë e burrni, ishte i dashur për farefisin, miqtë dhe dashamirët dhe i mëshirshëm ndaj kundërshtarëve, ishte një bashkëshort dhe prind shembullor. Por mbi të gjitha, Ai ishte një atdhetar i pamposhtur dhe një shqiptar i ndershëm që besonte në vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Dhe pikërisht, për këta arsye, ata që dhunuan atdheun dhe kombin tonë për një gjysmë shekulli dhe që përfaqësonin anti-vlerat e shqiptarizmit dhe patriotizmit, shkatërruan kaq shumë jetë shqiptarësh tëndershëm dhe të pafajshëm, ndër të cilat atë të të ndjerit Fatbardh Kupi dhe të familjarëve të tij.Por i ndjeri Fatbardh Kupi, në traditën e të parëve të tij, diti tu rezistojë pa u përkulur asnjëherëkundërshtarëve të vet politikë si dhe armiqve të familjes dhe të kombit shqiptar. Ai rezistoi duke u mbijetuar kryelartë vuajtjeve dhe dhimbjeve të pallogaritshme sepse ishte i bindur se qëndresa e vet ishte e drejtë dhe se diktatura komuniste do të perëndonte një ditë e bashkë me të edhe mitet dhe gënjeshtrat e tyre kundër nacionalistëve dhe patriotëve shqiptarë. Sikur për të jetësuar shprehjen e shkrimtarit francez të fillim-shekullit të kaluar, Henri Jeanson, kur thoshte se “Kemi vetëm një liri: lirinë për të luftuar për të fituar lirinë”, Fatbardh Kupi luftoi gjithë jetën e tij derisa triumfoi dhe u çlirua nga prangat e diktaturës komuniste në fillim të viteve 90.
Ndonëse forca dhe vendosmëria e vet e mundësuan të përjetojë fundosjen e regjimit komunist, i ndjeri Fatbardh Kupi e kishte kuptuar se demokracia shqiptare ishte e cunguar dhe e kurdisur mbrapsht. Ai arriti të shijojë lirinë dhe demokracinë e plotë vetëm kur u bashkua në SHBA me familjarët e vet prej të cilëve ishte ndarë 60 vite më parë dhe ku jetoi vitet e fundit të jetës së tij.
Për legalistët shqiptarë dhe për të gjithë ata që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë, rezistenca e të ndjerit Fatbardh Kupi ndaj diktaturave fashiste, naziste dhe komuniste; dashuria e tij për liri, demokraci e drejtësi; përkushtimi i tij ndaj Atdheut dhe Kombit; besnikëria e tij ndaj legjitimitetit dhe Mbretit, janë dhe do të mbeten shembuj frymëzimi në përpjekjet tona të përditshme derisa të realizojmë amanetin e Gjeneral Abaz Kupit, të patriotëve të tjerë dhe të gjithë atyre që sakrifikuan jetën e tyre për Shqipërinë.Në këto ditë zi e pikëllimi për Familjen Kupi dhe mbarë familjen legaliste e nacionaliste shqiptarë, ju shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të thella për humbjen e të ndjerit Fatbardh Kupi.
I paharruar qoftë kujtimi i Tij.
Sulejman Gjana
Kryetar i PLL
Pata kenaqesine te njihem deri diku me aktivitetin e shoqates. Krijimi dhe funksionimi i kesaj shoqate eshte nje domosdoshmeri per komunitetin shqiptar ne Arizona, sic jane te gjitha shoqatat shqiptare ne vende te ndryshme. Qellimi tyre eshte bashkimi i komunitetit shqiptar ne nje shoqate, qellimi i se ciles eshte afrimi i shqiptareve te te gjithe trevave, ndarja e vlerave me te mira qe trashegojme, realizimi i veprimtarive kulturore, etj. Kam njohuri te mjaftueshme te shoqatave te tilla nga komuniteti i shqiptareve (te Shqiperise) ne Evrope dhe programet e tyre. Shikoj se jane te fokusuara ne ato aspekte qe u sherbejne te gjitheve, duke filluar nga ngjarje qe na bashkojne dhe qe nuk na ndajne, shqetesime per mesimin e gjuhes shqipe nga femijet, perkujtimin e ngjarjeve te rendesishme si Dita e Flamurit e te tjera.
Duke i kaluar nje sy kolones se lajmeve (artikujve te fundit) shikoj se i kushtohet shume vend ngjarjeve politike, te cilat mund te pelqehen nga nje pjese e komunitetit dhe te mos pelqehet nga nje tjeter, cka do mendoja qe nuk i sherben ceshtjes. Gjithkush i ndjek zhvillimet politike ne vend on-line.Sa me larg ndasive politike, te cilat per fat te keq jane shume te thella e te ashpra ne komunitetin shqiptar aq me mire do te jete.Le tja leme politiken politikaneve dhe shoqatat te merren me ato ceshtje qe na interesojne dhe sjellin dobi.
Ju uroj suksese ne punen tuaj,
V. Pulaj
Resident i ri ne Arizona