• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pas mospranimit në Bruksel, Pëllumb Xhufi vjen në Zvicër

May 14, 2018 by dgreca

  • Instrumentalizmi i diasporës nga politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk duhet të lejohet. Ky instrumentalizmi  bie ndesh me unitetin dhe sigurinë. Aq më tepër kur bie erë enverizëm!Diaspora shqiptare në Belgjikë me të drejtë e sfidoi Tiranën zyrtare dhe takimi me kryereferuesin Pëllumb Xhufi anullohet./

1 elida Bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

Pas dështimit të takimit të tij në Bruksel, Prof.Pëllumb Xhufi vjen në Zvicër. Gjithmonë në gjoja kuadrin e Vitit të Skënderbeut, Tirana zyrtare me paratë e taksapaguesave sjell nëpër diasporë njerëzit e vet. Diaspora ka identitetin e vet dhe është e drejta e saj që të ftojë figurat që do ajo, jo të imponuara nga Tirana apo Prishtina zyrtare.

Siç dihet, Ambasada e Shqipërisë në Belgjikë organizoi një konferencë me panelistë që i përzgjodhi sipas shijes të Ditmir Bushatit, që do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.

Por Ditmir Bushati nuk mund të bënte ligjin në disaporën shqiptare të Begjikës, që u anullua për shkak të reagimit të diasporës shqiptare aty, e cila nuk pranoi që zoti Xhufi mbante kryereferatin pas deklarimeve të tij rreth Kampit famëkeq të Tepelenës.

Sulejman Gjana, një nga figurat kryesore të diasporës shqiptare në Bruksel në një shkrim të tij e sqaroi qëndrimin e diasporës shqiptare atje duke nënvizuar shkakun se “përse në Bruksel nuk ka vend për historianin Pëllumb Xhufi.”

Në këtë shkrim zoti Gjana vuri në pah se e çmon veprën shkencore të Prof.Xhufit, “por assesi jo pozicionimin e tij si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste”. Pëllumb Xhufi shkoi në Bruksel pikërisht “kur në Shqipëri kishte plasur debati lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë dhe Xhufi ishte pozicionuar rishtas si “apologjet i krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke komprometuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike”, vuri në spikamë në shkrimin e tij zoti Gjana.

“Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit, nënvizoi zoti Gjana.

Është e qartë se Tirana zyrtare kërkon të bëjë ligjin në diasporë sipas stilit të Sulejman Bushatit, ish-anëtarit të KQPPSH dhe babait të kryediplomatit Ditmir Bushatit. Por diaspora do t’i thotë “Jo”!

Instrumentalizmi i diasporës nga politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk duhet të lejohet. Ky instrumentalizmi  bie ndesh me unitetin dhe sigurinë. Aq më tepër kur bie erë enverizëm!

Diaspora shqiptare në Belgjikë me të drejtë e sfidoi Tiranën zyrtare dhe takimi me kryereferuesin Pëllumb Xhufi anullohet.

Pas kësaj Prof.Xhufi do të reagonte duke thënë se ai do të ketë takimet të tjera nëpër Europë, duke përmendur Zvicrën.

Zvicra është një bastion i njohur i enveristëve dhe krahut ekstremist shqiptar. Prof.Xhufi vjen në Zvicër.  Nuk merret vesh se kush e ka ftuar Prof.Xhufin. Ka disa shoqata që ambasadat shqiptare i përdorin si zara. Nga ana tjetër, Prof.Xhufi mikpritet nga ambasadori Ilir Gjoni.

Prania e Xhufit në Gjenevë në krahë të Ambasadorit Ilir Gjoni duket si sfidë që i bëhet diasporës shqiptare në Bruksel:

Edi Rama, përmes ambasadave, ku janë të emëruar elita me prejardhje nga ish-nomenklatura diktatoriale, ka vendosur që të merret me organizimin e diasporës shqiptare, sipas stilit të kohës të Mërgatës të Qyqeve.

Por gabon kohë. Sot problemi i sigurisë në vendet europiane, përfshi Zvicrën, ka marrë një rëndësi të dorës të parë dhe kjo nuk toleron politikat subversive të Edi Ramës! Edi Rama e provoi vetë se si e pritën gazetarët zviceranë gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër, një vit më parë, sa që ata gazetarë të Shqipërisë që ai i quan kazan iu dukën lule.

Edi Rama nuk mund të bëjë ligjin në Zvicër! Edi Rama nuk ka legjitimitet të bëjë ligjin as në Shqipëri! Në Shqipëri është shpërdorues i pushtetit, në Zvicër është vetëm një vizitor!

Ambasada e Shqipërisë në Zvicër prej vitit 1997 është vënë në funksion të çorganizimit të diasporës shqiptare, sikur ka qenë gjatë diktaturës, duke bërë organizime për të faktorizuar njerëz në shërbimin e vet klientelist dhe më gjërë.

Në vitin 1997, Ambasadori i asaj kohe në Bernë do të thërriste përkthyesit shqiptarë, duke iu dhënë direktiva për të dëmtuar dhe penguar shqiptarët që kishin kërkuar azil politik në Konfederatën Helvetike dhe duke vënë në përdorim të gjitha mjetet e propagandës staliniste kundër njerëzve që i cilësonte si armiqtë e regjimit që u instalua më 1997. Kjo politikë e mbrapshtë vijon edhe sot. Diplomacia shqiptare kërkon të faktorizojë rrjetin e vet në dëm të identitetit dhe unitetit të diasporës.

Vdekja e Rugovës dhe ardhja në pushtet e Hashim Thaçit prej 2007, krijoi kushte për çoroditjen e diasporës në Zvicër, ku shqiptarët nga Kosova përbëjnë shumicën dërrmuese. Thaçi ka mbështetur organizma që marrin fonde dhe shërbejnë si marioneta të politikës së Prishtinës dhe Tiranës. Kështu, për shembull, drejtoresha e e shoqatës OJQ që njihet me emrin e Universitetit Popullor të Gjenevës, Albana Krasniqi, gruaja e ish-Ambasadorit të Kosovës, është kunata e Armela Krasniqit, ish zëdhënëses së Edi Ramës, tani emëruar prej tij drejtoreshë e ATSH-së.

Po kujtoj një fakt. Babai im Vehbi Skënderi u masakrua nga regjimi komunist. Prej 1996 deri sa vdiq më 13 qershor 2011, ai jetoi dhe krijoi në Zvicër, ndërsa Ambasada e Shqipërisë ka mbajtur qëndrim kriminal dhe poshtërues përmes indiferencës dhe injorimit.

Politika e injorimit është burgu, persekutimi, arma e ftohtë dhe kallashnikovi i Tiranës zyrtare në diasporë!

T’i themi të gjithë “ndal” kësaj politike të helmatisur me urrejtje ndërshqiptare!

Nëse Edi Rama do të kishte ndjekur politika shtetformuese në shtetin amë këta pesë vjet, le të vinte edhe në Zvicër, por ai Shqipërinë e ka kthyer në republikë droge, ndërsa diplomacia e tij është diplomacia e demagogjisë së hashashit!

Enverizmi duhet të ndalet me ligj, që kësisoj të ndalin aktivitetin e tyre në Zvicër edhe shoqatat enveriste. Në Zvicër këto shoqata promovojnë librat e diktatorit dhe të Nexhmije Hoxhës, këtu vijnë dhe promovojnë të njëjtat libra njerëz me lidhje me politikën, ndërsa Tirana zyrtare bën politikë ekskomunikuese kundër figurave të diasporës.

Në Zvicër jeton një komunitet shumë i madh i shqiptarëve, rreth gjysmë milioni, por është tërësisht i përçarë nga politika. Ky komunitet ka fuqi të mjaftueshme për t’i thënë ndal instrumentalizmit politik të diasporës, duke u marrë si shembull diaspora e Belgjikës. Ambasadat e Shqipërisë nuk i përkasin një “tufëze” apo “arëze”, ato i takojnë gjithë diasporës! Përfaqësuesit e vendit janë shërbyes të shtetit jo të pushtetit politik, sepse paret e tyre i marrin nga taksapaguesit! Nëse Prof.Xhufi do të denonconte krimet e komunizmit, ai do të ishte e mirëpritur në Bruksel e kudo! Diplomacia e Tiranës nuk mund të bëjë politika trushplarjeje në diasporë! Nuk do ta lemë! Diaspora është jona, jo e Edi Ramës, as pushtetarëve të tij!

Tirana zyrtare po shpenzon paret e taksapaguesave për të instrumentalizuar diasporën në një vegël të politikave të tyre të pista. Aty ku mundin. Dhe Zvicrën e shohin si një mundësi. Se në Belgjikë apo në SHBA nuk mund ta bëjë dot në dritë të diellit. Natyrisht, në SHBA apo në Belgjikë enveristët nuk gjejnë shesh të hapur veprimi, ndërsa në Zvicër po. Vizita e Prof.Xhufit në Zvicër ishte në këtë kuadër, si sfidë e diasporës së Belgjikës.

Edhe turi politik i Pandali Majkos, që ka premtuar para për celulat e partisë në diasporë, është një veprim i hapur mafioz për të paguar marioneta me paratë e taksapaguesave. Pandeli Majko ka premtuar hapjen e 36 qendrave kulturore të përbashkëta me Kosovën nëpër Europë për celulat partiake, çka duhet të ndalohet me çdo kusht si keppërdorim i fondeve publike për interesa të pushtetit politik jo të shtetit demokratik. Edi Rama dhe Hashim Thaçi shpërndajnë dekorata dhe para për grupacione në shërbimin e tyre politik dhe të enverizmit! Ky është korrupsion i hapur!

Diaspora shqiptare duhet të ndalë me të gjitha mënyrat demokratike organizmin politik të diasporës me stilin e Edi Ramës, Hashim Thaçit, enveristëve apo të tjerëve!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ilir Gjoni, Kampi i Tepelenes, Pëllum Xhufi, Rama, Sulejman Gjana

Brukseli nuk ka vend për Pëllumb Xhufat…

April 21, 2018 by dgreca

Nga Sulejman GJANA/Para disa ditësh, Komuna e Skarbekut në Bruksel lajmëroi mbajtjen më 23 prill (të hënën), të një konference kushtuar Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar.

Në lajmërimin dhe ftesat e shpërndara bëhej me dije se ky aktivitet organizohej me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Belgjikë dhe se konferencierët-panelistë të përzgjedhur nga ambasada do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.

I kam lexuar me endje e i kam vlerësuar veprat dhe studimet e prof. Pëllumb Xhufit për historinë e vendit tonë në Mesjetë. Në mënyrë të veçantë kam vlerësuar qëndrimet dhe mbrojtjen që ai i bën si rrallëkush në Shqipëri çështjes Çame dhe interesit kombëtar në raport me fqinjët tanë jugorë. Ndaj jam trishtuar shpesh kur ai prej 2 dekadash është pozicionuar hapur si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste lidhur me LDB dhe po aq shpesh edhe si relativizues, justifikues e deri si mohues kokëfortë i krimeve të komunizimit që datojnë qysh nga themelimi i PKSH e deri në ditën e mbrame të diktaturës.

Veçanërisht debati që ai ka nisur, nxitur dhe vazhduar lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë, e ka pozicionuar Xhufin si apologjet të krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke kompromentuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike.

Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit.

Bijtë e kësaj mërgate, lindur dhe rritur në demokraci, madje në mes të kryeqytetit zyrtar të Europës ku duam ta integrojmë Shqipërinë, janë edukuar që të bashkëjetojnë me të ndryshmin dhe kundërshtarin e ideve. Ndaj ata që përkundën e përkundin djepat e bijve të tyre duke mëkuar e derdhur atdhedashuri por edhe urrejtje për sllavokomunizmin, në kushte normale do ta pranonin si panelist Xhufin edhepse ky, në shtëpinë e tij, prej dekadash përkundi dhe ende përkund djepat e stërnipave të Enver Hoxhës. Do të pranonin të bashkëbisedonin me medievalistin e shquar Xhufi për: çështjen tonë kombëtare të pazgjidhur; për autoktoninë antiko-mesjetare në trojet tona etnike; për të drejtat kombëtare e pronësore të mohuara në Greqi; për marrëveshjen e detit; për Zajednicën; për të drejtat kombëtare, njerëzore e pronësore të mohuara e të cunguara në pjesën veriore të Mitrovicës, në Maqedoni, Malin e Zi, Metohi, Sanxhak, në Luginë e në mbarë Serbinë.

Sikur “këpucari” të qëndronte tek “këpuca”, sikurse këshilloi Napoleoni, do të pranonim të bashkëbisedonim me të për Skënderbe-Heroin e përbashkët, të cilit me fondet e grumbulluara anembanë botës nga emigracioni i vjetër antikomunist dhe peshën politike të merituar ia ngritëm përmendoren në mes të Brukselit 50 vjet më parë, bash në komunën e Skarbekut, në jubileun e 500-vjetorit të vdekjes.

Sikur të mos na lëndonte aq shumë, do të pranonim ta dëgjonim e të mos ia përmendnim akademikut Xhufi synimin e heshtur të Enverit për të na zhbërë nga shqiptarësia nëpërmjet shkombëtarizimit gradual me ndihmën e kohës, harresës së programuar e asaj biologjike, multikulturalizmit mbytës metropolitan dhe globalizmit asgjësues të identiteteve kombëtare.

Natyrisht që apologjetit akademik, prej finikërie e jo prej tute, nuk do t’ia ndërmendnim faktin se nga pasuritë e konfiskuara në atdhe pas LDB nga lufta e klasave dhe nga fitimet kolosale prej punës së papaguar në kampe e burgje, deri në “kursimet” shtazarake të ushqimit dhe kushteve të “jetesës”, Enveri dhe regjimi i tij nuk kursyen asnjë shpenzim për asgjësimin sitematik të nacionalistëve antikomunistë që përbënin dhe përbejnë shtresën e shëndoshtë të ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë; shtresë në të cilën emigracioni i vjetër politik e ka identifikuar dhe e identifikon vetvetën si pjesë e pandarë e saj.

Çuditërisht dhe me shkujdesje të habitshme, me aktivitetin e programuar Tirana zyrtare sërish e sfidoi dhe e ofendoi mërgatën antikomuniste që jeton prej dekadash në Bruksel teksa bash pa u shuar debati ngjethës, i vendosi Pëllumb Xhufit në krah një ish-të përndjekur si Lek Pervizi (?). Dhe për këtë u sajua kjo tribunë në Bruksel, prej ku akademikut do t’i jepej mundësia për t’u kumtuar të gjithë kundërshtarëve të vet në Shqipëri se “mua më njeh Brukseli dhe nuk pyes për ju”, se “ju jeni fanatikë të pandreqshëm”, se “në krah më rri nëpër konferenca një ish-i internuar i kampit të Tepelenës dhe ai nuk ka asnjë problem me mua, pasi e di që nuk gënjej”, etj., etj..

Mirëpo, me sa duket, qeveria shqiptare (që ende i përdor ambasadat për llogari politike) i kishte bërë hesapet pa hanxhinë, teksa harroi se Europa demokratike është ndërtuar edhe mbi bazën e vlerave e parimeve më të larta morale e njerëzore. Dhe si një prej parimeve të tilla të shenjta spikat injorimi i negacionistëve të vuajtjeve të komuniteteve, racave e popullsive të pafajshme, krahas injorimit të të pa-penduarve, apologjetëve të diktaturave dhe glorifikuesve të krimeve e kriminelëve.

Fatkeqësisht, në Shqipëri këto kategori individësh vazhdojnë të vlerësohen. Dhe kjo ndodh jo vetëm sepse trashëgimia komuniste është akoma e fortë (dikush mund të thotë se gjithçka ka qenë e planifikuar me “Katovicën” për të mbërritur në këtë ditë), por sepse morali dhe etika janë nocione të pakuptimta për shumëkënd…, por edhe ngaqë vlerat dhe parimet europiane konsiderohen ende si të huaja nga politikanët dhe aparaçikët tanë të djeshëm e të sotëm.

Mbi të gjitha ky zvetënim i frikshëm moral ndodh sepse pas ’90-ës sistemi i ndërtuar mbi “rrënojat” e komunizimit ka prodhuar një politikë monstruoze me dy fytyra, që ka jetësuar realitetin absurd ku viktimat dëmshpërblehen dhe xhelatët jetojnë të lirë, mbajnë titujt, dekoratat dhe madje edhe hierarkohen në administratë, krahas lejimit të glorifikimit të veprës së tyre gjakatare dhe mohimit të krimeve nën diktaturë. Sintetizuar të gjitha këto në sloganin “bashkëvuajtës-bashkëfajtor”.

Mirëpo për fat të mirë, gjërat funksionojnë ndryshe jashtë “bahçes me lule”.

Në vendet e qytetëruara, parimet janë parime, krimet janë krime dhe mohuesit e krimeve e glorifikuesit e xhelatëve nuk kanë vend.

Në Europë, për shembull, edhe pse shkrimtari francez Seline (Louis-Ferdinand Céline) është pa dyshim një prej autorëve më novatorë të letërsisë franceze të shek. XX, ai nuk studiohet nëpër gjimnaze sepse, ndonëse ishte antikomunist i thekur, ishte edhe antisemit dhe apologjet i holokaustit ndaj jahudive.

E njëjta gjë vlen në SHBA për kineastin 85-vjeçar Roman Polanski, që u arratis në vitin 1977 prej vendit vet, ku nuk mund të shkelë më pa u dënuar për krimet prej pedofili, pavarësisht se është një prej kineastëve bashkëkohorë më të vlerësuar.

“Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!”? Kurrën e kurrës…

“Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është më i tillë”, – thotë Hana Arendt. Sipas saj, “nuk ka fajësi kolektive apo pafajësi kolektive. Fajësia dhe pafajësia kanë kuptim vetëm nëqoftëse u personalizohen dhe u mveshen individëve…”.

“Pranimi spontan i përgjegjësisë kolektive – shkruan Arendt – dëshmon një konfuzion moral mjaft të rrezikshëm, që fatkeqësisht vërehet në shoqëritë post-totalitare”.

E si mund të ketë përgjegjësi kolektive nëse pranojmë a priori mekanizmin tmerrues të krimit gjenocidal që Arendt na zbulon, teksa thekson: “Nyja morale e krimeve monstruoze konsistonte në urdhëresën: Ti do të vrasësh jo armikun tënd, por njerëz të pafajshëm, që as potencialisht nuk ishin të rrezikshëm, dhe do t’i vrasësh jo nga domosdoshmëria…”.

Diktaturat kudo ku u jetësuan, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të konsiderohen si më i madhi rrezik, që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Këto sisteme çnjerëzore bazohen mbi shkërmoqjen e hallkave jetike që e lidhin njeriun me disa pika reference morale.

Hajdegeri na mëson se “Diktaturat kanë vetëm një armik: vetë Lirinë…, domethënë të Vërtetën, akademizmin, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artet dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë të depërtojmë në trojet e panjohura të shpirtit, ku gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, tek çdo qenie njerëzore na udhëheq kah ndërgjegjia për të qenë vetvetja”.

Ndaj jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje.

Hegeli kishte të drejtë kur shkruante se “një komunitet politik nuk mund të ndërtohet pa krijuar më parë një komunitet moral”.

Monteskjë kërkonte krijimin doemos të qytetarit në gjirin e njerëzve dhe kishte të drejtë kur shkruante se “Njeriu mund të vdesë një ditë, por qytetari duhet të mbetet dhe doemos do të mbetet”.

Tashmë, në pasdiktaturë, ne shqiptarët duhet të krijojmë institucionin e Drejtësisë bazuar mbi “Të Drejtën” dhe “Lirinë”, sepse drejtësia është e lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë.

“Një popull që nuk arrin të bashkojë Lirinë me Drejtësinë është i humbur në gjithçka”, – shkruante Kamy.

Niçja na mëson se: “Njeriu ka nevojë ta shikojë historinë në mënyrën kritike, dhe ta vendosë atë (pra historinë) nën drejtësinë”.

Nëse pranojmë se historia është historia e njerëzimit dhe se nuk është tjetër veçse turravrapi i tij drejt lirisë (Hegeli)… nëse pranojmë edhe se veprimet e sjelljet janë forma e jashtme e moralit, – natyrshëm arrijmë në përfundimin se edhe demokracia ka nevojë dhe nuk mund të kuptohet pa moralin dhe moralizimin.

Kishin të drejtë filozofët grekë kur nënvizonin se Demokracia është ballafaqim të kundërtash dhe debat i përditshëm, teksa krahas Qytetit-(polis) ekziston edhe Konflikti-(Polemos), çka gjithashtu i jep të drejtë Kroçes kur shkruan se: Moraliteti nuk është tjetër veçse lufta kundër të Keqes…

Prandaj, për t’i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve tona të larta morale e qytetare, ne djemtë e mërgatës antikomuniste të Belgjikës bëmë të mundur që Komuna e Skarbekut në Bruksel të anullojë konferencën e planifikuar me datë 23 prill, ku Pëllumb Xhufi nuk është i pranueshëm as prej nesh as prej zyrtarëve vendas që mishërojnë pikërisht vlera dhe parime, pavarësisht se unë personalisht vazhdoj ta vlerësoj atë për kontributet prej historiani mesjetar dhe si një mbrojtës i mirë i çështjes Çame.

Sepse në fundore kujtojmë se edhe shejtani ishte i zgjuar, i ditur dhe adhurues i madh por Zoti e mallkoi dhe e bëri lahnet për shkak të mohimit që ai i bëri të vërtetës si dhe për shkak të mendjemadhësisë dhe arrogancës vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Brukseli, Pellumb Xhufat, Sulejman Gjana

Marrëveshja e detit dhe shkujdesja e frikshme e politikës!

March 9, 2018 by dgreca

sulejman-gjana

Nga Sulejman GJANA/*

Të besuarit fort tek përgjegjshmëria dhe kodi moral i politikës, m’i bën të pakuptueshëm nxitimin dhe shkujdesjen absurde të qeverisë në lidhje me “Marrëveshjen e Detit” të negociuar së fundmi me Greqinë.

Çfarëdolloj interesash shtetërorë, ose jo, tendencash për protagoniszëm, apo përfitimesh politike, nuk mund t’i shërbenin kurrsesi Ramës si hajmali fuqie për injorimin e reagimit negativ të opinionit publik pas akuzave të natyrshme, që burojnë nga frika e shqiptarëve për “tradhtinë” e radhës nga klasa politike.

Zhvillimet vijuese në Kosovë, me të njëjtin sfond për Demarkacionin dhe Zajednicën, por sidomos reagimi i pritshëm i opozitës (me në krye PD) pas intransparencës fyese, që shoqëroi negociatat Greqi-Shqipëri, me apo pa marrëveshje të përmbyllur – duhet ta shtynin mazhorancën të mos ngutej aq tinëzisht, befas dhe në errësirë të plotë.

Duket se një hall apo interes i madh e ka shtyrë Ramën t’i vërë shqiptarët para faktit të kryer, duke shmangur edhe Kryetarin e Shtetit, i cili rezultoi se nuk kishte kurrfarë dijenie për ç’bëhej me kufijtë e shtetit që kryeson!

Sot faktorët politikë e shtetërorë shqiptarë në rajon e kanë gjithmonë e më të vështirë t’i kundërshtojnë akuzat se në të gjitha rastet kanë pranuar të negociojnë (me imponim, ose jo) vetëm agjendat e fqinjëve dhe kurrë agjendat tona.

Frika nga e panjohura, pra nga e vërteta për stadin se deri ku kanë mbërritur negociatat – se mos vallë është përmbyllur marrëveshja dhe autorizimi i Presidentit Meta kërkohet vetëm për formalitet…,     se mos kemi humbur më shumë sesa marrëveshja e mëparshme (anuluar nga Gjykata Kushtetuese), etj., u kanë dhënë furi debateve, akuzave të ndërsjella, deri edhe humorit të zi. Madje si ilustrim i këtij të fundit është përdorur batuta e famshme e një negociatori të marrëveshjes së kaluar, që asokohe u shpreh se “… i kemi dhënë me mirëkuptim më shumë ujëra detarë Greqisë, sepse ka flotën ndër më të mëdhatë në botë dhe pa ndihmën tonë u vështirësohej qarkullimi i anijeve (!)”.

Dhe humori i zi vazhdon me batutën se “ndoshta kësaj radhe mund të marrim ujëra dhe peshq më shumë, por do humbasim në zonat ekskluzive ekonomike ku ka më shumë gaz dhe naftë…”, athua se ndokush ndër shqiptarët ka informacion të klasifikuar se në cilat koordinata janë zbuluar këto vendburime të përfolura (!).

Dhe bash këtyre absurditeteve që zgjojnë djajtë e dyshimeve, mazhoranca u përgjigjet me marrinë tjetër “garantuese” se “kësaj radhe do të marrim shumë më tepër ujëra detarë se në marrëveshjen që u anulua…, ja, keni për ta parë…, jua themi ne që e denoncuam dhe e paditëm në Kushtetuese atë marrëveshje që përbënte ‘tradhti kombëtare’ (!)”.

Shkurt dhe troç, mazhoranca dhe opozita po e përdorin marrëveshjen për t’u shfaqur secila më patriote se tjetra dhe për ta mbajtur elektoratin përkatës në orbitë, duke u dhënë qytetarëve përshtypjen se të gjitha palët po i mbrojnë interesat kombëtare, natyrisht secila në mënyrën e vet.

Në debatet publikë lidhur me marrëveshjen e kaluar dhe vendimin anulues të mëpastajmë të Gjykatës Kushtetuese, konstatohet hapur sjellja djallëzore e disa protagonistëve politikë e teknikë (çka i shton dyshimet për fajësi të qëllimshme), teksa deklarojnë se gjoja për shkak të respektit për Drejtësinë nuk pranojnë ta komentojnë vendimin unanim (nëntë me zero!) të Gjykatës Kushtetuese. Them kështu, sepse kam bindjen e patundur se vendimet gjyqësore eprore në të gjitha vendet demokratike janë të paapelueshme e si të tilla edhe të detyrueshme për zbatim – ama, jo sepse kanë ndonjë fuqi, drejtësi e vërtetësi hyjnore, por sepse supozohet se në to mishërohet “drejtësi” që buron nga sovraniteti i plotë i ushtruar në emër të popullit sovran, nga perfeksionimi i doktrinave dhe i teorive të së Drejtës, si dhe i praksës gjyqësore…

Me këtë dua të them se këto vendime janë të pakundërshtueshme në zbatim, por nuk janë e nuk mund të jenë kurrsesi të pakomentueshme e të paqortueshme nga opinione me operacion logjik, akademik, apo juridik.  Çka do të thotë se askush nuk ka ndaluar askënd në mbarë shqiptarinë që të kundërshtojë, komentojë e qortojë me argumente vendimin e gjykatës në fjalë në lidhje me marrëveshjen e kaluar.

Ndaj sot duket fyese arratisja e dredharakëve ish-protagonistë nga e vërteta e padiskutueshme se vendimi i asokohshëm i Gjykatës sonë Kushtetuese, mbi të gjitha, ishte i stërfuqishëm jo thjesht për shkak të autoritetit kushtetues dhe superlartësisë së saj vendimmarrëse në hierarkinë e sistemit gjyqësor, por sepse dispozitivi arsyetues i vendimit ishte tejet profesional dhe i nivelit të lartë teoriko-akademik, për shkak se ishte formuluar nga njëri prej ekspertëve më të mirë shqiptarë të së Drejtës së Detit, nga ish- profesori-lektor në Fakultetin Juridik të UT (kryetari i atëkohshëm i Gjykatës Kushtetuese, prof. dr. Xhezair Zaganjori).

Asokohe, gjatë hetimit gjyqësor të marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese, qeveria e paditur nga PS gaboi rëndë kur si eksperte përfaqësuese dërgoi një ish-drejtoreshë të MPJ që u broçkulliti gjepura Zaganjorit dhe anëtarëve të trupës gjykuese të akademikë-gjyqtarëve më të shquar të vendit. Trupë që në fund vendosi jo vetëm të mbronte me vendimin e saj interesat jetike të shtetit shqiptar, por krahas tyre të mbronte edhe parimet e shenjta të akademizmit, doktrinave juridike dhe të së Drejtës së Detit, të nëpërkëmbura nga negociatorët e papërgjegjshëm.

Ndaj dhe në këtë kontekst, Presidenti Meta kishte plotësisht të drejtë kur e konsideroi vendimin në fjalë si “vijë e kuqe” që duhet mbajtur në konsideratë gjatë negociatave dhe si themel në formulimin e marrëveshjes së re.

Ishte pikërisht ky veprim intransigjent i Presidentit, që e detyroi fillimisht z. Bushati dhe më pas z. Rama që të mos ngulmojnë pambarimisht “t’i tregojnë babait kufijtë e arave”, por të shkojnë në Presidencë për të dhënë sqarime dhe marrë autorizimin për vijimin e negociatave.

Megjithatë, “të vepruarit si skuadër” (e grupit negociator me Presidentin – sikurse u shpreh z. Bushati pasi doli nga Presidenca), nuk mundet t’i fshijë të gjitha dyshimet, sidomos pas takimit të fundëm kokë më kokë të “armiqve” Rama e Meta. Dhe kjo sepse “skuadra” në fjalë të kujton “skuadrën” kosovare Presidencë-qeveri të para disa viteve, që mbante fshehur nga deputetët e opozitës bisedimet Serbi-Kosovë, që mbaheshin në Bruksel, teksa zv.kryeministresha ua refuzoi transparencën për to deputetëve opozitarë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit me argumentin se “bisedimet e Brukselit janë dhe duhet të mbeten sekrete”. Por, mori përgjigjen shkatërruese: “Pra, ju jeni zotuar t’i ruani amanet-sekretin armikut historik që na ka vrarë dhe prerë tash dy shekuj dhe këtë sekret e mbani fshehur nga deputetët-përfaqësues të popullit shqiptar të masakruar nga ky hasëm? Po na thoni të paktën se me cilin jeni, me ne shqiptarët apo me Serbinë…”?

Gjithsesi, duhet pranuar se, përtej deklaratave dhe qëndrimeve për konsum politik të brendshëm të palëve, tejet të paktë janë qytetarët që kuptojnë se ç’po ndodh realisht dhe çfarë do të fitojë e humbasë Shqipëria nga “Marrëveshja për Detin”. Por pavarësisht kësaj, transparenca duhet të jetë maksimale dhe turravrapi për nënshkrimin e marrëveshjes duhet të ndalet sa më parë, sidomos tani kur zërat për dhënien e lejes për kërkime nga shteti grek për blloqe-zonat në diskutim për ndarje janë shtuar krahas zërave se Rama ka mbaruar punë, por pret vetëm të firmosë edhe formalisht.

Çështja thellësisht teknike sikurse është përcaktimi i vijës kufitare detare midis dy vendeve fqinje mbart shkallë të pazakontë vështirësie (dhe kujdesi…) edhe për ekspertët e fushës në vendet me përvojë në trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave të tilla. Dhe kjo sepse pothuajse në të gjitha rastet, gjatë ndarjes së ujërave, kërkohet kombinimi i ligjësive, parimeve dhe metodikave të njohura ndërkombëtarisht nga doktrina e së Drejtës së Detit.  Dhe sepse marrëveshjet ndërshtetërore prodhojnë edhe efekte të gjithëpranuara këto e të zbatuara ndërkombëtarisht gjithashtu, pas ratifikimit nga parlamentet kombëtare, nga OKB në të cilën dorëzohen dhe regjistrohen.

Nëse nuk do të ishin përdorur parime, kritere dhe metodika të kombinuara sipas rasteve të panumërta të njohura dhe jo thjesht dhe vetëm parimi i “baraslargësisë” së kundëradmiral Gervenit, atëherë Greqia me ishujt e saj Sestus, Lemnos, Lezbos, Chios, Samos, Miletus, Yali, Cnidys, Rodos, Carpathos etj., do ta kish mbyllur Turqinë (tokë kontinentale) në pak kilometra të brigjeve turke të Egjeut dhe me këtë logjikë “gervenët turq”, me vetëpranim, gjithë detin Egje pas këtyre ishujve të famshëm grekë do ta kishin njohur dhe shpallur botërisht, me marrëveshje, si det grek dhe si ujëra territoriale greke, ku nuk do të mund të lundrohej pa lejen e Athinës drejt Dardaneleve e Bosforit për në Detin e Zi dhe anasjelltas… Por, as në Turqi dhe askund nuk mund të gjenden “gervenë” që shpallin si elementë ekuivalentë shkëmbinj nënujorë alla-Barketa për të mbyllur në brigje Galipolin, Izmirin, Efesin dhe mbarë qytetet turke të Egjeut, sikurse vepruan negociatorët tanë me Sarandën, të cilën në marrëveshje e lanë edhe pa ujëra të brigjeve të brendshme dhe të gjithë Kanalin e Korfuzit pranuan t’ia “falin” Greqisë!

Delimitimi i ujërave detarë midis vendit tonë dhe Italisë në vitet ‘80-të kërkoi 7 vjet punë voluminoze të ekspertëve të palëve, ndonëse rasti konkret ishte ku e ku më i thjeshtë sesa ky i sotmi me Greqinë që ka përballë tokës shqiptare veçse ishuj dhe shkëmbinj ujorë, por jo tokë me vazhdimësi kontinentale.

Ndaj, çështja e ndarjes së ujërave detarë me Greqinë është tejet sensitive dhe sikurse shumë çështje të tjera, kërkon doemos konsensus të gjerë politik, pasi interesi i Shqipërisë dhe i mbarë shqiptarëve nuk është e nuk mund të jetë ekskluzivitet vetëm i qeveritarëve në detyrë në një moment të caktuar.

Një konsensus i tillë duhet të kërkohet e të jepet publikisht e me kurajë nga të gjitha palët, pa llogaritur përfitimet politike dhe elektorale. Dhe kjo sepse pavarësisht ndonjë rasti të favorizimit tonë (të supozuar) nga zgjidhjet teorike, nga drejtësia ndërkombëtare dhe Konventa e Detit, pala greke mund të na kërkojë lëshime (për shembull në këmbim të mbështetjes për anëtarësimin në BE). Mirëpo lëshime të supozuara, apo konkrete, kurrsesi nuk mund të bëhen vetëm nga një palë politike, pasi qeveria duhet të negociojë së pari me “robt e shtëpisë”.

Në kushtet aktuale kur dyshohet realisht se qeveria po cedon me interesat kombëtare, do të ishte e udhës që deputetët e opozitës në komisionin parlamentar ad-hoc të kërkojnë që parlamenti të ngarkojë disa grupe ekspertësh të huaj nga vende me përvojë në çështjen e përcaktimit të kufijve detarë.

Mund të ngarkohen grupe ekspertësh psh. anglezë, holandezë, japonezë etj., të cilëve lipset thjesht t’u vihen në dispozicion të gjitha dokumentacionet përkatëse, duke u kërkuar që të japin opsionet më të favorshme për shtetin shqiptar.

Edhe pse ekspertiza të tilla mund të kërkojnë kohë, rëndësia e problemit, efektet ekonomike dhe rrjedhojat strategjike për vendin e vlejnë durimin e duhur për një trajtim gjakftohtë, larg pasioneve të momentit.

Nëse një veprim i tillë do të ndërmerrej, ballafaqimi i rekomandimeve dhe zgjidhjeve të disa grupeve të ekspertizës do të ishte më i lehtë dhe mund të shërbente si bazë për opozitën, por edhe për qeverinë, për të bërë transparencë tek publiku për çfarë na takon si hak, çfarë po lëshojmë, nëse duhet të lëshojmë diçka dhe çfarë përfitojmë nga ndonjë lëshim i mundshëm.

Kësisoj do të shpëtonim edhe nga vendimmarrja e “spiunëve” që qenkan të vetmit ekspertë të aftë në një kohë kur të tillë e të papërgojuar ka me bollëk, këtej e përtej Atlantikut.

* E falenderojme autorin qe e ndau artikullin me lexuesit e gazetes “DIELLI” ne SHBA

Filed Under: Analiza Tagged With: e frikshme e politikës!, Marrëveshja e detit dhe shkujdesja, Sulejman Gjana

Humbja e Agollit, nostalgjia për diktaturën dhe rehabilitimi neokomunist i saj

February 15, 2017 by dgreca

sulejman-3sulejman Gjana

Nga Sulejman GJANA/Ceremonia e bujshme mortore e majtistëve, me pjesëmarrje qeveritare dhe e organizuar me komision shtetëror në ish “Pallatin e Kongreseve të PPSH”, pasuar me fjalime patetike të lamtumirës përcjellëse nga ithtarët e Agollit, si dhe shpërthimet histerike në media kundër atyre pak zërave kritikë ndaj “veprës” së tij kryesisht dhe thellësisht ideologjike, më shtynë në reflektime dhe më detyruan të shkruaj këto radhë.

Agolli nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë “poet i popullit”, sikurse e etiketuan në të gjallë dhe pas vdekjes, sepse krijimtaria e tij i ka kontribuar diferencimit klasor dhe përçarjes ndërshqiptare.

Glorifikimi prej tij i të ashtuquajturës Luftë Nac-çlirimtare, ku ai si partizan 11-12 vjeçar kishte luftuar kundër “armiqve dhe tradhtarëve”, e bën atë poet dhe shkrimtar të popullit komunist, që përfaqëson një pakicë të popullit shqiptar dhe mbarë shqiptarisë, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.

Urrejtja patologjike dhe e pashuar e tij ndaj “reaksionarëve”, ia heq edhe qyrkun e “babaxhanit”, që ia veshën qysh për së gjalli për ta lartësuar dhe përjetësuar në kujtesën tonë kolektive, për qëllime ideologjike, duke e përdorur keqas të vetëpërdorurin që, për lavdi dhe përfitime personale u bë pjesë e pushteteve dhe popullin e pa dhe e trajtoi si tufë laramane, me dele të “bardha” e të “zeza”.

Agolli ka meritën se solli, përktheu dhe përshtati me saktësi zhdanovizmin dhe socrealizmin si “metodë krijuese” në letërsi dhe ishte një nga prekursorët e zbatimit…

Nejse, kjo ishte zgjidhja dhe zgjedhja e tij, që nuk ka përse të na kompleksojë, sidomos kur ajo që ai me shokë bëri dhe u bë në kurriz të shqiptarëve nuk zhbëhet më. Por Agolli, edhe me vdekjen e tij, la pas rikonfirmimin e bindjes së pashembshme se, ndonëse kanë kaluar 26 vjet nga rrëzimi i diktaturës, Shqipëria ende gëlon nga nostalgjikët e saj ndaj enverizmit, enveristëve, hierarkëve të regjimit komunist dhe “ndihmësve të Partisë për edukimin komunist të masave”.

Shkurt, dekomunistizimi i vendit ka mbetur një ëndërr në sirtar dhe Njeriu i Ri mbetet skeleti i paprekur i majtizmit neokomunist shqiptar. Dhe jo thjesht dhe vetëm si qëllim i pushtetmarrjes dhe pushtetmbajtjes, por si mendësi që nuk ka kurrfarë lidhjeje më socialdemokracinë e shpallur zyrtarisht në politikë dhe si shumicë elektorale.

Pranimi i kundërshtarit dhe i bindjeve të kundërta në pluralizëm është mëse i natyrshëm, por të trishton nostalgjia për diktaturën dhe prelatët e saj, tashmë në trajtën e neokomunizmit të hapur e të zyrtarizuar, që shpjegon përse vendi lëngon ende në tranzicion dhe jemi kaq larg Europës ku duam të integrohemi.

Që Agollit i kish mbetur ora tek Enveri, për të cilin u betua në vargje se do të shkruante gjithë jetën, për ne kundërshtarët politikë kombëtaristë nuk përbënte dhe nuk përbën asnjë problem. Ndaj nuk habiteshim kur “Patriarku” deklamonte me pathos poetik se përbuzte “zhabat e majme në gjol” dhe kishte “miq skifterët që luftonin në çdo barrikadë, nga poli në pol”.

Përkundrazi, ia dëgjonim me vëmendje ligjërimet ku llafoste e molloiste fjali të stërzgjatura, të zvargura në temporitëm, pa krye, elementë sintaksorë e strukturë. Fjali që nuk kishin asnjë lidhje me ndonjë “patriark”, por që na shtonin bindjen dhe respektin për dorën mjeshtërore të redaktorëve të tij në krijimet më të arrira, për të cilat Prof. Mark Marku, si njohës i mirë i letërsisë, deklaroi se përbënin vetëm 20 % të krijimtarisë agolliane.

Sot, apologjetët e Dritëroit me të drejtë kanë frikë të botojnë të ashtuquajturin fjalim programatik “anti-punist” të tij në Kongresin e Dhjetë të PPSH, ku u pagëzua PS, dhe ku atë që i akuzoi se “Ju nuk rinovoheni”, Nexhmija dhe Ramizi që sodisnin nga lozha, sipas skenarit katovician, megjithë histerinë e 99 % të delegatëve dhe pavarësisht votës plot urrejtje për “tradhtarin bukëshkalë”, e zgjodhën në kryesi të PS dhe e mandatuan edhe 3 herë të tjera si deputet.

Deputet që megjithëse po përjetonte “patriarqinë e dytë”, atë neokomuniste, tashmë si “patriark” i partisë më të madhe politike në vend, në foltoren e parlamentit jo vetëm që nuk la asnjë gjurmë me mendime prej “Patriarku”, por i vuri vulën vetes me bejte për Jozefinën e të tjerë, duke zënë meritueshëm kryet e vendit në ligjërimin dhe letërsinë e bejtexhinjve (gjithmonë nëse do të respektojmë klasifikimet dhe kapitulimet e njohura të studiuesve të letërsisë shqipe).

Me përvojën e gjatë profesionale të piar-it (PR) dhe politikave të botimeve në Perëndim, e them me bindje të plotë se vepra e tij kurrë nuk do t’i kalonte kufijtë e vendit, nëse nuk do të botohej me shpenzimet e shtetit shqiptar konform politikave të eksportim-importimit të famës për interesa politiko-propagandistike të regjimit të kohës, pasi nuk do të gjindej asnjë botues që do të guxonte të hidhte paratë në erë. Dhe kjo sepse Agolli nuk ishte Gorki apo Majakovski, Solzhenicini apo Shollohovi.

Nga pikëpamja e stilit, thellësisë së mendimit e mesazhit, niveli i veprës së tij në prozë as që i afrohet atij të Kadaresë, Sabri Godos, Jakov Xoxes dhe Vath Koreshit.

Memo-Rrapua dhe Zylo i tij, janë vite drite poshtë nivelit të veprave madhore të Kadaresë, sikurse “Kronikë në gur” dhe “Pallati i ëndërrave”, apo atyre të gjinisë së romanit historik “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”, të Sabri Godos.

Po kështu, edhe në poezi, vepra e tij sfidohet keqas prej më shumë se 30 poetësh, qysh nga Naimi dhe të tjerë rilindas, e deri tek ata të sotëm. Dhe ky gjykim nuk është çështje shijesh, por vlerash estetike të gjithëpranuara nga shumë ekspertë dhe lexues të kultivuar.

Ekspertët perëndimorë të letërsisë së krijuar në vendet ish komuniste, akuzojnë “krijuesit” e socrealizmit Lindor për plagjiaturë masive të krijimtarisë së mijëra poetëve rusë, vepra e të cilëve është botuar në Rusi qysh nga krijimtaria shumëshekullore e shkruar në gjuhën starosllaviane e deri në ditët e sotme. Ndofta këtu e kanë burimin edhe “gjetjet” prozaike e poetike të subjekteve dhe teknikave stilistike të poetëve tanë “sovjetikë”, të kamufluara me ngjashmërinë e jetës dhe frymëzimeve të “realitetit socialist”, krijime për të cilat Kadare në vitin 1989 akuzoi krijuesit shqiptarë në një mbledhje të Lidhjes, se “ngjajnë uniforme sikurse delet e qethura”, duke evidentuar kësisoj shterpësinë dhe njësh-kolorin e skematizmit socrealist.

Agollit nuk mund t’ia mohojmë meritën se në ditët që pasuan Pleniumin IV të KQ ku u dha pretenca për krijuesit me shkarje ideologjike, solli “baltën e Devollit mbledhur arave për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve”, me të cilën baltosi dhe varrosi “armiqtë ideologjikë, dekadentë e devijatorë të socrealizmit dhe vijës së Partisë në letërsi…”.

Ishin këto merita që çuan në shkurorëzimin e paraardhësit Shuteriqi, studiues ky tejet i njohur dhe cilësor në shumë fusha të letërsisë dhe Albanologjisë, me vepra dinjitoze që i mbeten e që i mungojnë Agollit që mori postin e Kryetarit të Lidhjes me kartabiankë…

Janë këto merita të Agollit në mbledhje-masakrat maratonë të Lidhjes, ku jepte pretencën dhe vendimin që prangoste me “ekspertizë” poetët e mrekullueshëm Frederik Rreshpja e Sadri Ahmeti.

Dritëroi ishte krenar dhe vetvetja kur në skenarin e filmit “I teti në bronz” shkroi fjalinë lapidare: “Po ta bënë benë këta të Partisë, të puth halla mu në ballë”.

Dhe vërtet, Partia e Dritëroit e themeluar nga Dushani dhe Miladini dhe me në krye Enverin, ua bëri benë mijëra shqiptarëve gjatë dhe pas LBD, duke filluar me mbi 200 ballistët e Devollit në vjeshtën e vitit 1943, e të cilëve u preu kokat dhe u çarti kufomat sipas Zakonikut të Stefan Dushanit serb dhe teknikave të Dushanit komunist, por Dritëroi nuk u pendua, përkundrazi, i talli në film.

Agolli gjithashtu nuk ndjeu dhe shprehu keqardhje as kur Partia e Titos, Rankoviçit, Dushanit e Miladinit ua bëri benë 50 mijë kosovarëve pas LDB, duke kulmuar me Masakrën e Tivarit.

Ndaj Dritëroi nuk shkroi ndonjë elegji për Masakrën e Tivarit, sikundër shkroi Sadri Ahmeti, por shkroi elegji kur vdiq Enveri i tij.

Agolli nuk shkroi elegji as kur serbët masakruan shqiptarët e Kosovës në pranverën e përgjakshme të vitit 1981, madje heshti…

Heshti kur ia bënë benë dhe i dërguan hallën ta puthë në ballë poetin Trifon Xhagjika, por nuk heshti dhe orientoi “ekspertët dhe ekspertizën” që çoi në pushkatimin e poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Sikurse veproi edhe kur ekzekutuan poetin Havzi Nela në prag të rrëzimit të Perdes së Hekurt. Dhe ky është vetëm bilanci i pjesshëm i “veprës” së tij në krye të Lidhjes.

Ndaj askush nuk e dëgjoi “Patriarkun” të shprehë ndonjëherë pendesë për “delet e zeza të grigjës që printe” si kryetar i Lidhjes, e që Partia e tij i dërgoi në thertoren e komunizmit. Përkundrazi, një video e hedhur në internet këto ditë dëshmon qartë pozicionimin e palëkundur të Agollit për Luftën e Klasave, Luftën Nac-çl, Revolucionin, Partinë dhe Socializmin, para dhe pas ’90-ës.

Mbase këto janë edhe arsyet e rrëmbimit në errësirë, me Polici dhe kamionë, të Arkivës së Lidhjes para disa vitesh, sapo kryetari i Fundit i saj, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Hysen Sinani deklaroi në konferencë shtypi se do të publikonte të vërtetat e fshehura të së kaluarës komuniste dhe të abuzimeve financiare të periudhës postkomuniste në Lidhje.

Kjo është edhe arsyeja përse Partia e “rinovuar” e Agollit dyllosi me maturim 25 vjeçar Arkivën e KQ dhe PPSH me një ligj të miratuar fshehurazi në vitin 2003, e ku padyshim janë arkivuar edhe kontributet dokumentare të tij në mbrojtje të Socrealizmit dhe vijës së Partisë… Mjaft që imazhi i tij si “Patriark”, dje dhe sot, të mos preket, por t’i ngrihet edhe ndonjë shtatore nga shokët “Skulptorë të Popullit Komunist”, që ende jetojnë dhe krijojnë.

Dritëroi zgjodhi hedonizmin dhe lavdinë, teksa gjobiti pushtetin e PPSH dhe atë të PS, aq sa e detyroi Nanon t’ia përmendë publikisht në një mbledhje të forumeve drejtuese të PS se ishte lodhur nga privilegjet e pafundme dhe tenderat që ai kërkonte, bashkë me dhëndrrin, të cilët ai si kryeministër i paskësh “mbuluar me miliona që kurrë nuk mjaftuan dhe nuk i ngopën…”.

 

*****

 

Pas pleniumit IV të KQ, Enveri vendosi t’u jepte skeptrin e censorit për literaturën dhe veprat dekadente njerëzve që konsideroheshin ndër më të besuarit.

Natyrisht që në letërsi ia dha Agollit, asokohe deputet dhe anëtar i KQ, duke e emëruar Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, kurse në Artet Figurative ku ishin dhënë gjithashtu goditje të rënda, detyra iu propozua skulptorit Odhise Paskali, tejet i kulturuar dhe poliglot. Dhe kjo pavarësisht se Paskali ishte i njohur si antikonformist dhe njeri që u shmangej turmave të “krijuesve” dhe debateve marroqe nëpër klube e mbledhje të Lidhjes, duke bërë pothuajse jetë prej asketi. Por më e çuditshmja ishte se detyrën e censorit zyrtar të arteve pamore ia propozuan Paskalit, pavarësisht se e dinin mirë që ishte dhëndërr i Gjonmarkajve.

Arsyeja kryesore e vlerësimit të tij si kandidat i përzgjedhur ishte konsiderata e lartë e Hoxhës për të, sidomos pas realizimit prej tij të bustit të famshëm të Enverit, i vlerësuar si punim tejet cilësor edhe sot e kësaj dite nga artistë pamorë antikonformistë e antikomunistë.

Por kur përfaqësuesi i lartë i Enverit ia propozoi Paskalit “detyrën” e censorit të arteve pamore, ku si përparësi i kërkoi censurimin e literaturës “dekedente”, nga “buronin ndikimet borgjezo-reaksionare e revizioniste…”, mori si përgjigje refuzimin e prerë, shoqëruar me vërejtjen shokuese: “Nuk ka dhe nuk mund të ketë literaturë dhe libra të këqinj, sepse edhe ato që ju i quani të tillë të mësojnë se çka nuk duhet pranuar dhe sesi nuk duhet bërë, dhe këtë duhet ta vendosin vetë krijuesit, me vullnet të lirë dhe jo me imponim…”.

Paskëtaj, detyrën e censorit, bashkë me skeptrin dhe vulën e censurës, ia dhanë piktorit Kujtim Buza, kunat i Klement dhe Florian Kolanecit, me ndihmës Thoma Thomain, dhëndërr tek familja Kapo-Kondi.

Teksa sot dëgjojmë ngashërime të “talenteve” vjershaxhinj dhe poetucë të humbur pa nam e nishan nga letrat shqipe, që i paskërka përkrahur, promovuar dhe dërguar në shkollë Dritëroi, çuditërisht harrohet “harresa” e tij e plotë për të mëdhenjtë e nahijes së Agollit, sikurse Lazgushi e Kuteli… Fatkeqësia e madhe e të cilëve buronte nga shkaku se ishin jo vetëm të mëdhenj dhe të ndritur si krijues dhe intelektualë, por edhe sepse si atdhetarë të pashoq kishin shkruar se “Drini plak që buron nga Shën Naumi” ndante mes-përmes Shqipërinë, apo “Poemi Kosovar”.

Lazgushi mendjendritur një vit para se të shuhej, një “talenti” gegë që në prezantim iu mburr se ishte nga rrethi më verior, e që, sipas tij, ishte njëkohësisht edhe “kryet e Shqipërisë”, i tha me nervozizëm: “Kështu të kanë mësuar ty, se atje nga je ti janë ‘kryet e Shqipërisë’? Kryet e Shqipërisë janë Nishi, Lugina e Preshevës, Mitrovica dhe Metohija. Krahina nga je ti është plënci i Shqipërisë…, e cila këmbët i ka në Gjirin e Ambrakisë, në Artë dhe Prevezë…”.

Lazgushi, Kuteli që u dënua dhe u burgos me akuzën kryesore si “antijugosllav”, krahas Fishtës, Vinçenc Prendushit, Camajt, Arshi Pipës dhe Bilal Xhaferrit, kurrë nuk u përmendën, as para dhe as pas ’90-ës, nga “amneziku” i KQ, i “Kuvendit Popullor” dhe “Lidhjes…”, në asnjërën nga takimet ku si dollibash, me raki, vodkë e shlivovicë, promovonte dhe lëvdonte “talentet” në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj. Ndërkohë që për të impresionuar ata që e rrethonin, nuk linte rast pa përmendur e cituar Ivo Andriq-in, Danillo Kish-in dhe Vaso Popën, për të cilët mburrej se i lexonte në origjinal (natyrisht, në familjen e tij sllavofone, ngaqë edhe kunatën e porsadiplomuar që e mbante në shtëpi e kish emëruar përkthyese të serbishtes në ATSH-në e fillimviteve ’80-të).

Ruso-Jugo-nostalgjia dhe të qënit sllavofon e sllavofil, e bënin Agollin të ndihej krenar në Kosovë e Serbi, ku shpesh herë pati rastin të udhëtonte si i emëruari dhe i shpalluri nga regjimi “patriark” i letrave shqipe dhe kryetar i Lidhjes që edhe emrin e shqipëruar e kish marrë nga “Lidhja Komuniste” dhe nga organizatat homologe të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Jugosllavisë dhe Serbisë.

Ky formim e shtyu Agollin që në vitin 1987, në takimin midis shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe atyre të Shqipërisë të mbajtur në Serbi, me dollinë me gotë shlivovice në dorë, t’u deklaronte krerëve serbë të SANU (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë), se “Në mëngjeset e ditëve të verës, nga Maja e Tomorrit shihet qartë Shkodra e rrethuar nga fshatrat sllavë…”.

Dhe këtë deklaratë të shoqëruar me ftesë zyrtare, Agolli po ua bënte krerëve serbë të SANU bash disa muaj pasi këta kishin hartuar dhe firmosur Memorandumin famëkeq me të cilin i kërkonin Millosheviçit futjen e tankeve në Kosovë, shtypjen e shqiptarëve me zinxhirët e tyre nëpër rrugë dhe shfarosjen e gjithë të tjerëve me mitrolozë.

Të nesërmen Agolli e mori shpërblimin nga shtypi i shkruar serb, që pasqyroi me gazmend kronikën e takimit dhe deklaratën e plotë të tij, shoqëruar me lëvdata për mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjelltë midis shkrimtarëve të Shqipërisë dhe atyre të Serbisë, që, sipas gazetave serbe, kontrastonte thellë me qëndrimet jodashamirëse dhe antiserbe të kahershme e të manifestuara edhe në atë takim nga shkrimtarët kosovarë…

Jugonostagjikët, titistët dhe hoxhistët e Kosovës dhe Shqipërisë patën rastin të ngashërehen për “Patriarkun” dhe t’i këndojnë hosanara, por harrojnë se balta së cilës i këndoi tret të ndjerin, po kurrsesi bëmat e tij, që do të mbesin në jetë të jetëve.

Filed Under: Politike Tagged With: Humbja e Agollit, nostalgjia për diktaturën, Sulejman Gjana

Bashkëjetesa e pamundur e Papës me Enverin

April 11, 2016 by dgreca

Nga Sulejman GJANA/Kryetar i PLL/

Para disa netësh, teksa po kaloja nëpër bulevardin kryesor të Tiranës, në orët e vona të natës, në kthim nga një vend ku më pëlqen të qëndroj i qetë për të medituar, lexuar e punuar, ndesha bustin e Papës Françesku, që u përurua para disa javësh, dhe instinktivisht ndalova para tij.

Ndalova nga kureshtja, duke e ditur se Papa përfaqëson një fe monoteiste që unë e respektoj, edhe pse jam mysliman dhe e deklaroj me krenari përkatësinë time fetare. Madje ky fakt nuk më pengon aspak që të respektoj dhe vlerësoj fetë e tjera monoteiste. Përkundrazi, jam i bindur se feja ime më stimulon ta bëj një gjë të tillë, sidomos në vendin tonë ku harmonia fetare është realitet dhe baza e njësimit kombëtar.

Ndalova gjithashtu për ta soditur bustin, që, edhe pse nuk jam kritik arti, nuk ma shkul bindjen se cilësisht lë shumë për të dëshiruar, sidomos kur e krahasoj me ato të Papës Gjon Pali II në Paris, Madrid apo Abixhan, atë të papës Urbain II në Chatillon-sur-Marne, apo me veprat e autorëve shqiptarë me famë europiane e më gjerë si Radovan Albanezi i Kroacisë, Miho Tivarasi, Andrea Aleksi, Maestro Donati, Francesk, Gjon e Jeronim Albanezi, Mark Bazaiti, Viktor Karpaçi, Onufri, Kostandin Shpataraku, Kostandin dhe Joan Grabovari, Kolë Idromeno, Murat Toptani, Naxhi Bakalli, Ibrahim Kodra, etj..

Ndalova po ashtu sepse përtej Papës Francesku, unë i përkas gjeneratës që i ka përjetuar përpjekjet dhe kontributet madhore të Papës Gjon Pali II në shembjen e diktaturave komuniste në Poloni, në Europën Lindore dhe Shqipëri. Diktatura këto që shkatërruan miliona jetë njerëzore, e që përfaqësuan të Keqen e Njerëzimit në kohërat moderne… diktatura ndër të cilat ajo shqiptare ishte sumumi i antivlerave par excellence, me të cilat u luftua dhe u mohua deri edhe ekzistenca e Krijuesit, në “sfidë me të cilin” kjo diktaturë krijoi Njeriun e Ri, si një qenie hibride pa moral, pa shpirt, pa komb, pa fe dhe pa atdhe.

Tashmë dihet nga të gjithë se Enveri dhe PPSH përdorën edhe “artistët-ndihmës të partisë për krijimin e Njeriut të Ri”.

Por fatkeqësisht pas ndryshimit të sistemit, një ndër paradokset ilustrues të “ndryshimit” që solli pluralizmi katovician ishte edhe ruajtja e hierarkisë dhe e pushtetit real në artet pamore, të hierarkëve më të lartë të artit të realizmit socialist. Athua se këta nuk kishin qenë ndihmësit më të zellshëm të PPSH, por ishin reformuar sipas stilemës: edhe artin komunist, edhe artin “demokratik” e bëjnë po këta; edhe komunizmin, edhe demokracinë e përjetësojnë në art vetëm këta, s’ka të tjerë!!?

E në vijim të kësaj logjike të mbrapshtë i bie që: edhe të Majtën, edhe të Djathtën në Shqipëri e bëjnë dhe e përfaqësojnë vetëm këta, në të gjitha fushat.

Ndaj tek po sodisja bustin e Papës Francesku dhe vendin e përzgjedhur për vendosjen e tij, nuk u habita aspak dhe menjëherë u kujtova dhe u binda se ishte pikërisht kontributi i këtij takëmi pushtetmbajtësish të përjetshëm në art, që kishin ideuar dhe rekomanduar pozicionimin e bustit ngjitur me ansamblin pseudoskulpturor të murit prej betoni, rrethuar me kanale të mermerta dhe me një të ashtuquajtur “kambanë paqeje” mbi krye. Marifet i pështirë ky, me të cilin ideuesit dhe realizuesit e murit dhe “Kambanës së Paqes”, nëpërmjet bashkëshoqërimit të saj me bustin e Papës, kërkonin thjesht legjitimimin konceptual, logjik dhe moral të së parës, si “vepër arti”.Them kështu sepse nuk mund të ndërtohet kurrfarë bashkëshoqërimi me logjikë dhe simbolika të “paqes” dhe “kambanës” së “krishterë” me një figurë madhore të Krishterimit, ndërkohë që e para është thjesht simbolika skulpturore e rebelimit komunist të armatosur të vitit 1997, me gëzhojat e armëve të të cilit ideuesit dhe vetë ish ministri i Kulturës i kohës, Edi Rama, pranuan dhe u vetëlëvduan publikisht para 17 vitesh se derdhën “Kambanën e Paqes”.

Soditjes time mbi bustin e Papës nuk mund t’i shpëtonte kurrsesi sfondi, Piramida e Enverit, e vendosur dhe e mbetur aty si një dëshmi e së Keqes dhe e antivlerës njerëzore, me të cilën shqiptarët ende nuk kanë arritur të shkëputen.

Kryeministri ynë piktor e di mirë se artet epokale (skulptura, pikura dhe arkitektura), qysh nga lashtësia e hershme, janë përdorur për të nderuar, lartësuar e përjetësuar hierarkinë tokësore në rivalitet me idhujt paganë dhe ato të feve politeiste.

Ndaj dhe faraonët egjiptianë, të cilët e konsideronin veten Perëndia mbi tokë, i ndërtuan piramidat si varre të përjetshëm në të cilët varroseshin të shoqëruar nga suita e skllevërve që u kishin shërbyer në të gjallë.

Enveri që vetëpandehej Keops, Ramses, Tutmes, Tutamkhamon e Amenofis, si dhe Nexhmija, Ramizi, dhe të tijtë që e pandehnin të tillë, jo rastësisht caktuan dhëndërrin e të bijën që t’i projektonin si varr një piramidë. Të cilën e mbushën me të gjitha takëmet që Enveri kish mbajtur qysh në të gjallë, pa harruar xhaqetat, qillotat dhe këpucët inglize, deri edhe çorapet e leshit që mbante në Progonat (në kohë të luftës), krahas orës, busullës prej komandanti, e deri edhe çorapet e arnuara të gjirokastritit “nikoqir” që kursente “paratë dhe pasurinë e popullit”.

Natyrisht që ata që i ndejtën rrotull dhe që i shërbyen, krahas 4 milionë shqiptarëve-skllevër, Enveri nuk pranoi t’i merrte me vete. Të parët i la jashtë të vazhdonin dinastinë e “Tutmesit” komunist, kurse 4 milion shqiptarët i la jashtë si “skllevërit e dinastisë”, bash në varrin e hapur gjigant prej 28 mijë km katrorë, që në të gjallë të tij e me urdhër të tij kish përpirë dhjetëra mijëra të pafajshëm, kundërshtarë të njimendtë e të supozuar.

E meqë nuk pranonte të mumifikohej si Lenini në “Mauzoleumin Lenin” të Rusisë, ngaqë mumifikimi do ta shndërronte në lugat të zi për vizitorët dhe do t’ia zvogëlonte shtatin nja 50 cm., urdhëroi qysh në të gjallë që babai i kryeministrit aktual t’i realizonte një shtatore gjigante prej mermeri, i ulur në fron si Buda, por me pozicionin e duarve si Abraham Linkolni në statujën e famshme.

Të gjitha ia kryen siç dëshironte dhe, pas disa vitesh, shqiptarëve u mbeti Piramida si simbolikë e pushtetit të përjetshëm të tij e të të tijve, tashmë të “reformuar, demokratë-proletarë pa proletariat… dhe properëndimorë!?”.

Ajo piramidë, që simbolizon pushtetin komunist në mes të kryeqytetit, u thotë shqiptarëve dhe botës se gabojnë nëse mendojnë se mendësia dhe pushteti i komunistëve në këtë vend kanë perënduar. Siç u tha shqiptarëve dhe botës edhe ceremonia madhështore e 21 shtatorit 2014 për nder të ardhjes së Papës në Shqipëri, ku rreshtimi i fotove të 40 martirëve të kishës Katolike në bulevard (në atë bulevard që mban akoma emërin e vrasësve të këtyre martirëve…) u shit si të ishte vepër e alienëve, dhe jo e baballarëve të pushtetarëve të sotëm!!!

Madje me simbolikën më të fundme me bustin e Papës dhe Piramidën, neokomunistët në pushtet duan të na kumtojnë se ata vetë, Krishterimi dhe Demokracia, bashkëjetojnë në Paqe bashkë me kambanën e derdhur me gëzhojat e rebelimit komunist, dhe bashkë me ato të kishave katolike e ortodokse, sidomos me Katedralen Katolike aty pranë (përtej Lanës).

Paskëtaj nuk kisha dhe nuk kam më asnjë mëdyshje për synimin djallëzor të ideatorëve të këtij paralelizmi ndërmjet Kambanës së Paqes, Papës dhe Piramidës, për të bashkëshoqëruar me sukses në bashkëjetesë të përhershme vlerat dhe antivlerat, të Mirën dhe të Keqen.

 

Por nuk mund të mos e pyetja vehten se ku e marrin këtë guxim komunistët e konvertuar në demokratë, që jo vetëm nuk e shembën atë Piramidë, por arrijnë edhe të vendosin bustin e Papës para saj… Natyrisht për ta legjitimuar moralisht Piramidën, dhe përtej kësaj metafore për të ngulitur në mendjen e shqiptarëve idenë se e Mira bashkëjeton normalisht me të Keqen, madje edhe më tej: se diktatura komuniste ishte po aq e mirë sa edhe Papa dhe mbarë sistemi i vlerave që përfaqëson Shenjtëria e Tij.

 

Por kjo është e papranueshme dhe ndodh sepse në Shqipëri, përgjatë 25 viteve të fundit, nuk është bërë sa duhet për t’u ndarë nga e kaluara komuniste dhe për të mbyllur zezonën e asaj plloje.

 

Kameleonizmi politik i komunistëve nuk është fenomen vetëm shqiptar, por retushimin dhe përshtatjen e legjislacionit, vendimmarrjes, sjelljes dhe qëndrimeve politike me standardet demokratike, e kanë bërë hapur vetëm ish komunistët shqiptarë në Europën e sotme, e megjithatë ia kanë dalë mbanë.

 

Në të këtë çmenduri ata kanë guxuar deri të hedhin në votim në parlament e të rrëzojnë me vota kartat ndërkombëtare të nënshkruara dhe standardet demokratike të gjithëpranuara, duke kapërcyer dhe anashkaluar Brukselin, Strasburgun, Këshillin e Europës dhe Komisionin e Venecias.

 

Për të vërtetuar këtë fakt mjaftojnë ligjet për tokën, sabotimi i hapjes së dosjeve dhe i lustracionit, sabotimi i Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi, mashtrimet që u janë bërë ish të burgosurve, ish të përndjekurve, pronarëve legjitimë, emigracionit politik shqiptar të para ‘90-ës, etj..

 

Për të gjitha këto arsye, bashkëjetesa midis simboleve të Papës, atij të rebelimit komunist dhe Enverit e enverizimit nuk munden dhe nuk duhet të vazhdojnë më tej.

 

Për ndërprerjen e kësaj marrëzie dhe fillimin e njëfarë normaliteti, për mendimin tim, duhet të niset me shembjen e Piramidës së Enverit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enveri, Papa, Sulejman Gjana

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT