
Nga GUIDO SANTEVECCHI/
Ribashkimi i Taivanit Kinës “është historikisht I pashmangëshëm e do të sendërtohet”. Fjalë të Xi Jinping-ut, që është kthyer mbi çështjen në një fjalim të mbajtur në Sallën e Madhe të Popullit të Tienanmenit mbasi kishte lëshuar në fillim të tetorit turma aeroplanësh lufte përqark ishullit që ende nuk pranon t’i nënështrohet “pashmangshmërisë”.
Që kur është në fuqi, nga 2012, Xi ka folur shumë herë mbi çështjen taivaneze, duke ndërsjellë tone paqtuese me kërcënime për përdorimin e fuqisë. Në këtë rast ai ka zgjedhur vijën më të matur kur ka pohuar se “ribashkimi nëpërmjet mjeteve paqësore është ai më i miri për interesat e kombit kinez, përfshirë edhe bashkatdhetarët taivanezë”. Por ka shtuar se “ata që harrojnë zanafillën e tyre, tradhëtojnë mëmëdhenë e kërkojnë të ndajnë Vendin nuk do të kenë një fund të mirë, do të përçmohen nga populli e do të dënohen nga historia”.
Në të shkuarën Xi e ka shpallur “mision historik” dhe “zotim të paluajtëshëm” risjelljen nën kontrollin e qeverisë komuniste ishullin, ku më 1949 u strehuan kombëtaristët Gomindan të Çan Kai Shi-së, të mundur në luftën civile nga Ushtria e kuqe e Maos. Në 2019 ka shpalosur hapur hijen e veprimit ushtarak duke thënë se nuk donte e nuk mund të bënte “asnjë premtim të heqjes dorë nga përdorimi i fuqisë, mbajmë mundësinë e sendërtimit të çfarëdo mase të nevojshme”.
Këtë herë Xi i bëri thirrje historisë dhe pashmangshmërisë së synimit që bën pjesë në premtimin e tij për “ripërtëritjen e kombit kinez”. Politologët e botës së globalizuar, nga Taipei në Washington , u vunë shpejt në punë për të deshifruar fjalimin e Xi Jinping-ut. Duhet të mbajmë parasysh se është mbajtur në kremtimin e 110-vjetorit të revolucionit të frymëzuar nga doktor Sun Jat-sen-i, që më 1911 përmbysi të fundmin perandor të dinastisë Çin, duke themeluar Republikën e Kinës. Bëhet fjalë për një ditë të krenarisë kombëtare në të dy anët e ngushticës: Taipei do t’a kremtojë nesër. Xi ka përvehtësuar trashëgiminë të të parit udhëheqës revolucionar, Sun Jat-Senit, që themeloi Gomindanin, e ky mund të lexohet si një shenjë respekti kundrejt Taivanit ku u tërhoq Gomindani i përzënë nga pjesa tjetër e Kinës, vëren historiani i njohur Rana Mitter, doçent i politikës kineze në Oxford. “Në muajt e fundit Pekini ka përdorur pothuaj të njëjtën gjuhë kërcënuese kundrejt Taivanit dhe kjo fjalë e Xi-së mund të jetë një orvatje për të këshilluar një rrugë paqësore”, thotë profesori. Një ndërpretim i hollë, por duhet kujtuar se Xi ka premtuar shumë herë se zgjidhja e çështjes taivaneze nuk mund t’u lihet më brezave t’ardhshëm, siç është bërë për shtatëdhjetë vite, nga dhjetori i 1949, kur Çan Kai Shi-ja zbarkoi mbi ishull dhe u ngujua aty. Që atëherë Taivani është vetëqeverisur, duke u kthyer nga diktaturë me ligje lufte deri në vitet 80, në një demokraci të pjekur, e në një fuqi ekonomike.
Kur thotë se çështja taivaneze nuk mund t’i kalohet pa zgjidhje brezit pasardhës, Xi-ja zbulon synimin e tij: do të jetë ai përbashkuesi i madh. Ka ende shumë vite përpara për të kryer misionin, sepse ka bërë të ndryshohet Kushtetuta për të qënë një president pa kufizim kohe e vitin e ardhshëm Kongresi i Partisë komuniste do t’i japë një tjetër pesëvjeçar si Sekretar i përgjithshëm. Por për të çuar në fund misionin “e pashmangshëm” të ribashkimit me Taivanin ai i ka lënë vetes pak opcione. Karta m’e mirë ishte ajo “Një Vënd dy sisteme”, e përdorur për të fituar kthimin e Hong Kongut nga kolonizuesit britanikë. Por në Taipei kanë vërejtur mirë se si u mbyll çështja hongkongase në muajt e fundit dhe një hipotezë ribashkimi n’atë model tashmë është e vdekur.
Këtë javë ministri i Mbrojtjes taivaneze ka dhënë piskamën mbi përgatitjet e sulmit kinez, duke paralajmëruar se më 2025 Pekini do të ketë aftësinë për të provuar mësymjen; presidenteja Tsai Ing-wen i ka bërë një thirrje bashkësisë ndërkombëtare me qëllim që të shmangë “katastrofën e rënies së Taivanit në duar kineze”.
Sot përgjigja e Taipeit fjalimit të Xi-së është hartuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Kinën: 23 milionë banorët e ishullit kanë të drejtë të vendosin t’ardhmen dhe zhvillimin e Taivanit; modeli Një vënd e dy Sisteme është treguar i gabuar. Të djelën, më 10 tetor, do të flasë presidentja Tsai Ing-wen, në ditën të cilën Taivani ka zgjedhur për të kremtuar Festën kombëtare për revolucionin republikan të Sun Jat-sen-it. Përpara pallatit presidencial të Taipeit do të zhvillohet një paradë ushtarake me raketa dhe do të shigjetojnë aeroplanët për t’i lajmëruar Pekinit vullnetin e qëndresës.
“Corriere della Sera”, 9 tetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika