Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe personalitete nga bota shqiptare në Amerikë, përcjellin mesazhe ngushëllimi, për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Penës dhe Patriarkut të Letërsisë Shqipe-Dritero AGOLLI.
Ka gjëra në jetë që ndodhin krejt papritur dhe ndryshojnë rrjedhën e jetës mes të bukurës e së përditshmes njerëzore, na krijohet ndjesia e një realiteti, i cili kërkon të ekuilibrojmë përpos gjendjes shpirtërore edhe përjetimin e dhimbjes, pikëllimit, humbjen e njerësve më të dashur, të familjes e shoqërisë. E pra vijnë ato caste në jetë që të prishin paqen shpirtërore! Lajmin e trishtë se u shua Patriarku Devolli, Patriarku i Letërsisë Shqipe, Dritero Agolli erdhi edhe këtu në Amerikën e largët. Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan në Amerikë shprehën ngushëllimet e sinqerta dhe të ngrohta për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Penës Shqiptare, Dritero Agolli.
Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, shkrimtarja dhe publicistja, Raimonda Moisiu, shprehu ngushëllimet e sinqerta, trishtimin dhe dashurinë, për ikjen nga jeta të shkrimtarit të shquar, Dritero Agolli: “Kombi e Atdheu, komuniteti i letrave shqipe këtej e përtej Atlantikut, të gjithë së bashku, humbëm një shkrimtar të papërsëritshëm dhe të pazvendësueshëm, burrin devolli të mëncur dhe plot urtësi, njeriu i virtyteve njerëzore, qytetare e intelektuale, artdashës i cmuar, mahnitës dhe popullor në stilin e tij poetik dhe rrëfimtar terrifik, i cili ligjëroi dhe shkroi aq ndjeshëm e bukur, në prozë, poezi, dhe publicistikë, për tabanin popullor, tokën dhe baltën devollite të vendlindjes, që e lindi dhe rriti, tokën e shenjtë të atdheut, të cilat mbetën frymëzim, muzë e jetë, deri në ashtin e frymës së fundit. Dritero Agolli është shkrimtari i shquar dhe Bardi i poezisë shqipe, Mjeshtër i Penës dhe i Rrëfenjës, i cili me talentin e forcën letrare artistike e filozofike, sillte karaktere realistikë me një sens të mprehtë të jetës e mbijetesës, depërtonte brenda së bukurës e njerëzores, dhimbjes e dashurisë, jetës e vdekjes, duke i transformuar ato, në një subjekt drite e shprese, mes artistikes e filozofisë së jetës e për jetën. Besnik i idealeve të tij në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës, si shkrimtar që u përket dy epokave të letërsisë shqipe ai asnjëherë nuk e mohoj veprën e tij, duke mbetur kështu autor i shquar, jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë ballkanike dhe unike europiane. Aty ku ka jetë ka edhe vdekje! Edhe pse një sentëncë e njohur kjo, për Patriarkun devolli të letrave shqipe, ai përsëri gjente forcë e dashuri, të ngushëllonte veten, ne, njerëzit që e donin dhe e rrethonin, duke mendur gjithmonë se jeta dhe drita e trashëgimisë që shpirti krijues lë pas, vazhdojnë përjetësisht pas vdekjes. Ai ishte dhe mbetet Bardi i Poezisë dhe Mjeshtër i Rrëfimit, i vlerësuar nga koha e historia, teksa ne ende vazhdojmë dhe i dëgjojmë poezitë, rrëfenjat, tregimet e shkrimet e tij, sepse vepra e Dritëroit të Madh, vazhdon të jetojë përmes atyre rrëfimeve dhe vargjeve poetike, tabanit popullor, artit e ideve. Ai është i pavdekshëm, si është magjia e ndjesisë dhe thellësia e mendimit, i sigurtë e guximtar për vlerën e tij, ai vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e jetës dhe botës shqiptare. Shkrimtari i Madh Dritero Agolli, modest përtej modestisë, popullor dhe i dashur për këdo, sa ishte gjallë kurrë nuk rendi pas famës, por ai e arriti atë parakohe me veprat e tij, ndikimin e thellë të atyre veprave në shoqëri, art kulturë dhe historinë e një kombi. Në emrin tim personal e të familjes sime, në emrin e SHSHSHA-së që unë kryesoj shpreh ngushëllimet familjes së shkrimtarit të Shquar Dritero Agolli dhe komunitetit të letrave shqipe kudo në botën shqiptare! Prehu në Paqen e Amëshuar Mjeshtër i Penës! Të qoftë Dheu i Atdheut dhe i Devollit i lehtë! I përjetshëm Kujtimi dhe Drita e Veprës që ju latë pas!
Amen!- mbyll mesazhin e ngushëllimit, znj.Moisiu.
Ndërsa President Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti dhe publicisti nga Lugina e Preshevës, Adnan Mehmeti në mesazhin e ngushëllimit në emrin e tij , të familjes dhe SHSHSHA-së, shprehet: “Shumica e anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë e kemi takuar dhe vizituar personalisht. Gjithmonë kemi mbajtuar lidhje të ngushta me të nëpërmjet veprës së tij shkruar ndër vite, deri në ditën e fundit të jetës së tij. Dritero Agolli jetoi gjithë jetën në Shqipëri, por ne u lidhëm shpirtërisht me të, duke botuar, lexuar dhe vlerësuar nga krijimtaria e tij e pasur letrare në botimet e shoqatës sonë. Dritëroi është një humbje shumë e madhe për gjithë popullin shqiptar, por vargjet e tij janë pasuria më e madhe të cilën la përjetësisht në duart e cdo secilit nga ne. Ngushëllime familjes dhe letrave shqipe për këtë njeri të madh, që na la pas një vepër të madhe plot dashuri, art, kulturë dhe histori. U Prehtë Shpirti i tij në Paqe!
Një mesazh tejet prekës dhe ngushëllues për ndarjen nga jeta të Driteroit të Madh, ka përcjellë edhe Sekretarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, shkrimtarja, poetja dhe studiuesja, dr. Yllka Filipi: “A thua u shua në heshtje Krijuesi? Në vazhdën e natyrshme të ikjeve përtej, Dritero Agolli ende dremit, ndjek erërat e trazuara, retë e stuhitë, keqardhjet, ekzaltimet, profecitë mes gjëmimit dhe pikëllimit të pandashëm të jetës, përkrah Naimit, Cajupit, Mjedës, Nolit, Migjenit, Poradecit, Kutelit, aty ku gjallohet edhe pas vdekjes. Vepra e tij është dëshmi e jetëshkrimit shpirtëror, gulcim dhe ankth i shqiptarit nëpër kohëra, në detin e trazuar të historisë së kombit. Semantika e vdekjes së Agollit është thjesht ikje pa bujë në iluminat, drejt shkëndijave të dritës që përcjell vepra e pasur që na la trashëgimi. Un-i i tij poetik është figura e dyzuar e krijuesit dhe e shqiptarit të vërtetë. Sipas Sharl Bodler “Poeti gëzon privilegjin e pakrahasueshëm të jetë vetja dhe të tjerët, si të dojë.” Udhë të mbarë drejt qiellit të dritës Dritero! Në rafte a në ëndrra trandu prapë, si një blerim, a një shkrepëse, a një Mall! Trupi t’u lodh, por shpirti t’u bë fjalë dhe jehonë.”
Studiuesi Thanas L. Gjika shkruan: Më 4 shkurt 2017 u nda nga jeta poeti i talentuar Dritëro Agolli. Die u përcoll me madhështi në banesën e fundit me respekte të mëdha, për të shkruan e folën personalitete nga më të shquarit e kulturës dhe të pushtetit. E qanë si të ishte krijuesi dhe intelektuali model që duhet të ndjekin shqiptarët. Partitë politike si Partia Socialiste dhe nëna e saj PPSh-ja i kanë dashur dhe i duan ushtarët e talentuar, sepse ata vlejnë sa për mijëra ushtarë të thjeshtë. Mirëpo pikërisht tek dashuria, kujdesi dhe privilegjet që u japin partitë politike krijuesve të talentuar qëndron fatkeqësia e tyre, sepse aty është burimi i së keqes, kapja e tyre, korruptimi, skllavërimi ndaj politikës së këtyre partive. Skllavërim i cili shpie në ngjizjen e pjesës së sëmurë të jetës dhe të veprës së tyre.
Në krijimtarinë letrare të Dritëroit, pjesa e hartuar gjatë diktaturës komuniste sipas parimeve të realizmit socialist dhe ajo e krijuar gjatë tranzicionit si jorgan për të mbuluar gabimet e krimet e PPSh-së e PS-së, përbën pjesën kanceroze të veprës së tij. Kjo pjesë e veprës së tij do të vijë duke u pastruar nga botimi në botim derisa të arrihet një koleksion vlerash të vërteta artistike që u përkasin të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të këtyre dy partive.
Privilegjet që u jepte partia shtet dhe lajkat që u bënin kalemxhinjtë e saj krijuesve të talentuar si poetëve Ismail Kadare, Dritëro Agolli, etj; regjisorit Viktor Gjika, piktorit Zef Shoshi, skulptorëve Kristqa Rama, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, Sali Shijaku, etj, shumë kompozitorëve etj; përbënin pëlhurën e merimagës me të cilën partia i kapte si me kthetra për të mos i lëshuar kurrë këta bij të talentuar, që ajo i shfrytëzoi për të përjetësuar e glorifikuar sundimin e saj. Ashtu si përfundoi me turp sundimi i partisë shtet, ashtu po lihet e do të lihet mënjanë nga dita në ditë, si vepër e turpshme, qesharake dhe e dëmshme edhe vepra e këtyre krijuesve e hartuar sipas parimeve partiake të realizmit socialist. Për fatin tonë të mirë këta krijues u përpoqën që krahas kësaj lloj krijimtarie të hartonin edhe vepra thjesht realiste. E këtu është pjesa e shëndoshë e veprës së tyre, të cilën e duam e do ta duam sepse ajo u përket të gjitha shtresave të popullit tonë dhe të gjitha kohëve.
Të tillë krijues janë talente të shquar, por jo Njerëz të Mëdhenj, sepse Njeriu i Madh ndihmon me çdo sakrificë popullin e vet dhe popujt e botës të shkojnë drejt lirisë, kurse ata me pjesën e sëmurë të veprës së tyre i shërbyen partisë shtet për skllavërimin e popullit shqiptar…
Ndërsa publicisti Dalip Greca, Editori i gazetës historike më shumë se një shekullore e shqiptarëve të Amerikës, gazetes Dielli, e cila me 15 Shkrurt feston pervjetorin e 108 te botimit, në mesazhin e tij shkruan: “Shuarja e Dritëro Agollit është një lajm i trishtë për shumicën e shqipatrëve. Në opinionin tim, Agolli ishte dhe mbetet një përfaqësues dinjitoz i Letërsisë Shqiptare. Shqipëria humbi poetin e shquar, lirikun e ëmbël, tregimtarin e rrallë, romancierin brilant, publicistin që guxoi, humbëm përkthyesin, kolosin e madh të letrave shqipe, po ashtu edhe personalitetin politik, që edhe pse me bindje të majta, i parapriu ndryshimeve dhe u përpoq të zgjoi nga gjumi militantët e partisë ku bënte pjesë dhe te gjithe shqiptaret. Si romancier në mendjen tim Agolli mbetet i papërsëritshëm me “Shkëlqimi dhe Rënia e shokut Zylo”, romani i përkthyer në shumë prej vendeve të Evropës, qe erdhi ne kohen e duhur. Agolli nuk mund të shihet”bardh e zi” si këngëtar i oborrit, pavarësisht se ishte në Krye të Lidhjes së Shkrimatrëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Shumë nga krijuesit me hapësira të kufizuara në kohën e diktaturës e kanë ndjerë mbështetjen e Dritëro Agollit. Nuk mund t’i kërkohet Agollit pse nuk dha mesazhe lirie në kohët e vështira, ndryshe ai s’do të ishte në krye të shkrimtarëve, por do të ishte në burg duke vuajtur si i ndjeri Pjetër Arbnori, apo shkrimtari i burgosur Visar Zhiti, dhe gjithë të shquarit e Letrave shqipe, që iu vunë prangat. Mesazhet që u dhanë me rastin e shuarjes së Tij nga Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, ish Kryeministri Berisha, kreu i Opozitës Lulzim Basha, e të tjerë, tregon vlerat reale Kombëtare të Dritëro Agollit, i cili nuk i perkiste vetem pozites se sotme. Shpirti në Paqe Mjeshtrit të Penës!
Ja si shkruan në mesazhin e saj të ngushëllimit, prozatorja dhe analistja mediatike, Marjana Zeneli Bulku: Letërsia shqiptare humbi një pelegrin që përshkroi tëj përtej problematikën shqiptare dhe tranzicionet e saj, duke mbetur gjithmonë mjeshtër i fjalës dhe i mendimit. Fenomeni letrar agollian post 90-s, është një dëshmi e qartë, se antikonformizmi është promotorr i zhvillimit dhe progresit në art dhe pikërisht kjo e ridimensionoi edhe njëherë veprën e Dritero Agollit duke e renditur atë në kryeveprat e letërsisë sonë dhe duke i ruajtur asaj shkëlqim të përhershëm.
Nëkryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, romancieri dhe publicisti, Vlash Fili, shpreh trishtimin dhe ngushëllimin e tij për humbjen e kolosit të letrave shqipe: “Përpos ngushëllimeve dhe trishtimit, zgjedh lavdinë e veprës së tij që na la pas, përjetë, për gjeneratat e kombit. U prehsh në paqe, me dashurin dhe respektin e gjithë shqiptarve kudo që ndodhen.”
Poetja e shquar e dhimbjes dhe e dashurisë, Iliriana Sulkuqi, mike e hershme e familjes Agolli dhe gjeniut të letrave shqipe, Dritero Agolli, me lot ndër sy shpreh ngushëllimin e saj poetik, ashtu sikundër dinë të “ qajnë”, poetët vetëm poetikisht:
“Lamtumirë Pelegrini Dritëro!… Dhèu të qoftë i lehtë! Fjala të peshoftë sa Dhèu i Globit! Ti,i shtrenjti ynë, Dritëro more sot e përgjithmonë, nga “balta” jote, që magjishëm e ktheve në pasuri kulturore, Çmimin “Nobel”, më të merituar se Çmimi “Nobel” që jepet nga komisione… Sërish do të jesh Pelegrin…, vetëm se ke ndërruar “adresën”…, atje ku të presin të malluar miqtë e tu Fjalës… Lamtumirë, pa lot, sepse kam CD -në me zërin tënd në poezitë e Tua! Pa lot, sepse kam shumë dhurata –libra, stilolaps,fotografi (nga Ju dhe me JU), që më bëjnë të besoj se frymon… Faleminderit, që na dhe në pëllëmbë të dorës çelësat që hapin dyert e Fjalës dhe Njeriut! Dhèu të qoftë i lehtë! Fjala të peshoftë sa Dhèu i Globit! [Ngushëllime Devollinjtë e Dritëroit dhe të tim eti (im atë, nga Zagradeci i Devollit, ose Buzë Uji)! Ngushëllime “ Nëna Shqipëri” e Dritëroit! Ngushëllime Poetë, miq të përhershëm të njeri-tjetrit, kudo që jetoni dhe u ka ngrirë lapsi! Dëgjofshi dhe jetofshi me lajme të gëzuara! Iliriana Sulkuqi, Brooklyn, 4 shkurt, 2017.”
“Është një humbje e madhe për letërsinë shqiptare. Është një humbje e madhe për korpusin e intelektualëve. Është një humbje e madhe për mendimin politik të së majtës shqiptare. Shoqëria civile humbi një autoritet të madh të fjalës së lire. Atdhetarët e vërtetë nuk do të kenë më një flamurtar të mëncur të mendimit përparimtar shqiptar. U prehsh në paqe e qetësi të përherëshme Dritero. Do të kujtohesh për mirë edhe në vitin 3017, ndoshta edhe 4017,-shkruan në mesazhin ngushëllues, publicisti dhe analisti, Asllan Bushati, që është njëkohësisht dhe Nën/Kryetar I Federatës Panshqiptare Vatra të Nolit e Konicës, në Amerikë.
“Ngushëllime familjes Agolli si edhe familjes së madhe shqiptare të letrave shqipe për këtë humbje të kolosit të letrave. Driteroi i madh dritëroi me vargjet e tij dhe skaliti përmendoren e pavdeksisë dhe të tillë do ta njohin brezat. U prehte në paqe, shpirti i tij! -përcjell mesazhin e tij ngushëllues, poeti dhe shkrimtari, Mëhill Velaj.
Edhe aneëtarë të tjerë, të SHSHSHA-së, shkrimtarë, poetë dhe krijuesë që jetojnë e krijojnë në Amerikë, shprehën trishtimin dhe vlerësimet e tyre nëpërmjet rrjteve sociale dhe mediave online.
Dritërimi i Driteroit të Madh, kujtimi i ndritur i veprës së tij, do të mbeten përgjithmonë në zemrën, mendjen dhe historinë e kombit.
PERGATITI:RAIMONDA MOISIU/SHBA/
Nadia e Hektor Zotaj-USA says
Komenti i plote
Vleresojme analizen e thelle, realiste dhe humane te Thanas Gjikes per vepren e Driteroit dhe talenteve te tjera te Shqiperise te kohes se enverizmit.
Ne shkrimet e tij Driteroi kujtonte: ” Ne nje takim me Mehmet Shehun, mua dhe Ismail Kadarese na tha:” Ju jini dy Qe , qe leroni aren tone”. Pra sipas Driteroit-te dy nen zgjedhe punonin aren e enverizmit. Ndersa Ismaili ne vitin 1989 e hoqi qafen nga zgjedha, ai, Driteroi e mbajti kularin e enverizmit ne qafe deri sa u largua nga kjo bote,
Perendia e misherofte,
Emigranti SHBA. says
SI shqipatro amerkan, shperh edhe une keqardhjen per vdekjen e shkrimtarit Dritero Agollit, Jeten dhe vepren e te cilit e kane skalitur ne shkrimine mesiperm, gjith zonjat e zoterinjt e mesiperm. Nderimet qe populli i kryeqytetit dhe personalitetet e larta shtetrore i ben ne pallatine kongreseve korifeut te letrersis ne poezi, proze, liroke, tregon qe driteroin dota ken brezat e sotem e te neserme, ne bibliotekat shtererore dhe private, ne auditoret e shkollave dhe universiteteve, keshtu qe personalitete si driteroi svdesin kure. Sme erdhi mire qe presidenca , opozita e vendit tone, smori pjes ne ceremonin mortore qe orkanizoi qeveria per ta percjell ne banesen e fundit te ndjerin Dritero. GJest, jo i kendeshem per Te vleresuar nje shkrimtar me keto permasa, ndekoh qe ishte rasti edhe pert e treguar, qe pamvaresisht mospajtimeve dhe interesave politike, ne probleme madhore duhet te tregojne bashkepunim, sepse keto qendrime ndikojne dhe ne unitetin e popullit. unitetin, Megjithate sejcili mer ate qe i takon ne keto raste. Me kete rast familjarisht i shpreh ngushellimet e sinqerta bashkeshortes zonjes Sadie, femijeve te tij, te afermeve, kolegeve, per vdekjen e bashkeshortit, babait, vellezerve dhe motrave, kolegeve qe dhimbjen ta kethen ne force, per te punuar e jetuer me ate vullnet, dashuri e perkushtim per ti dhene popullit tone emer dhe krenari kombetare ashtu si idha Korifeu i letersis SHqiptare i paharuari Dritero Agolli. I paharuar qofte kujtimi i tij. Uprefte ne paqe.
Sadik Elshani says
Edhe studiusi Thanas Gjika jetoi ne te njejten kohe dhe nen te njejten diktature si Driteroi dhe shkrimtaret e artistet e brezit te tij, prandaj te na tregoje se c’beri ai per ta luftuar ate diktature. E nfriti ai zerin ndonjehere apo jo? Ajo kohe ishte nje kohe e stuhishme qe duhet studiuar mire me gjakftohesi dhe me kritere te rrepta shkencore e jo duke bere me gisht ne drejtim te njerit apo tjetrit. Te dallohen njerezit qe i sherbyen me zell asaj diktature nga njerezit qe s’kishin care pa i kushtuar nje poezi, kenge, pikture, skulpture, por e shfrytezuan rastin per te bere edhe vepra tjera me vlera te verteta artistike. Gjerat jane te nderlikuara dhe meritojne nje studim me te thelle. Tani eshte shume lehte qe dikush te behet trim n’Amerike 25/6 vite pas renjes se diktatures.