Eda e Visar Zhiti/
Padre Raffaele Lanzilli, jezuiti italian, i njohur me emrin At’ Lello, është kaq i dashur dhe në Shqipëri, 20 vjet, ishte me mision mes nesh. Që nga 1993 deri në 2014 shërbeu në Tiranë dhe në Shkodër si at’ shpirtëror, drejtor i gjimnazit “Pjetër Meshkalla” profesor universitar i psikologjisë në Universitetin Teologjik, epror i komunitetit jezuit, etj, dhe e fliste shqipen tonë kaq bukur, sa nuk kuptohej që ishte i huaj, megjithëse ai nuk dinte të ishte i huaj kurrë.
Fjala dhe zemra e tij do të mbeten të mrekullueshme përgjithmonë.
E kam thënë dhe në librin tim, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, më rrëmbeu fjala e tij në një meshë, po e sjell këtu atë pjesë libri, është në epilog:
GABIMI FATAL I SHQIPËRISË
Mezi po prisnim të shkonim në kishën tonë në Romë, të dielave mesha mbahet në gjuhën shqipe […]
Ime shoqe dhe unë i kishim dëndësuar vajtjet atje. Donim të luteshim së bashku […] edhe për të dashurit tanë, për miqtë e përbashkët… për vendin.
Të ndizja dhe një qiri…
Meshtari shqiptar, Dom Gjovalini, kishte ikur në Shkodër, edhe At Mikeli s’ishte, po kështu dhe rektori i kishave shqiptare në Itali, Don Pasquale gjendej në Veri dhe atë të diel do ta celebronte meshën një prift italian, Padre Lello, që fliste një shqipe liturgjike tërheqëse.
Gjatë homelisë ai po na fliste për ringjalljen e Krishtit e për dyshimin e Tomës, nga që s’kishte qenë i pranishëm në atë ringjallje dhe donte të sigurohej në ishte i njëjtë ai që ishte kthyer nga vdekja me atë që kishin kryqëzuar… pa vënë gishtin tim në vëndin e gozhdave, pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj… shkruhet në Ungjillin sipas Gjonit.
Pa këtë vazhdimësi s’do të kishte kuptim… po thoshte meshtari.
Ngrita kryet i tronditur si ai që zbulon një gjë me rëndësi. Tek ne kishte ndodhur ndryshe, nuk i kishin prekur dhe aq plagët tona, s’na kishin vënë dorë në kraharor, nuk na besonin duke qenë dhe vetë të mosbesuar dhe më e rënda, të tjerë ishin ata që u kryqëzuan dhe të tjerë ishin ata që u ringjallën.
Gabimi fatal që kishte bërë Shqipëria…
Ia thashë Edës. Më pa dëshpërueshëm.
* * *
Me Padre Lelon arrita të përcaktoj këtë zbulim, mashtrimin e madh, do të thosha, dhe kur e ke të qartë realitetin, e përballon më mirë.
E kishim takuar edhe në Tiranë, edhe në Romë dhe shkëmbenim shpesh mesazhe, jo vetëm për urime festash, por dhe për ta pyetur, jo vetëm për shëndetin, por dhe për çështje të ndryshme, ndonjë sqarim biblik, etj, dhe ai na përgjigjej me mirësi të madhe, gjithmonë…
E qeshura e tij, aq e natyrshme dhe e begatë, ishte e mençur si fjala e tij, aq e thjeshtë në dukje…
Por sot në Romë, në zyrën e tij në Curian e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, ku ne e kishim vizituar dhe kishim ndejtur gjatë me të, në mëngjes sot, ai u gjet pa jetë. Kështu është ai, punonte deri në fund…
Mesha e tij do të vazhdojë në Qiell, ku dhe iku engjëllrisht.
Dëshpërimi është tek të gjithë ata që e njohën e punuan me atë, por ai do ta zbukurojë Qiellin edhe më siç e bënte edhe më të mirë tokën…