Alfons Grishaj/
Në historinë etimologjisë botërore, fjala “mëshirë” rrjell nga latinishtja – “merces” që nuk e ka kuptimin e sotëm, mëshirë (mercy). Frëngët e huazuan fjalën “merces” (frëngjishtja e vjetër) dhe e përdorën si latinët, në kuptimin: pagesë, rrogë, fitim. Ndërsa në Bibël, kjo fjalë ka kuptim hyjnor: Dhuratë e mirësisë dhe dhembshurisë mëshirëplotë të Zotit. Po në Fjalorin Biblik, ka një shpjegim prej dy faqesh. Jo rastësisht zgjodha f.1106, një paragraf gjithëpërfshirës, ku shkruhet: “Mercy as given by God is foundation of forgiveness. It is His faithfulness and steadfast love. God is not seen as displaying an emotion called mercy but as taking merciful action”.
Me kalimin kohës “merceres” është shkrirë në kuptim internacional: mëshirë, bamirësi, tolerancë etj…Në këtë rast, ne duhet t’a përdorim “merceres” në kuptimin racional-internacional dhe Biblik: “mëshirë”. Sipas meje, kjo fjalë përbën thelbin e ndërgjegjes, mirësisë, ndjeshmërisë e solidaritetit. Fjalë që afron shans, tolerancë, zbutje vuajtjeje, mbase dhe zgjidhje permanente. Për momentin, mëshira mund të bëhet dhe dashuri, por rrallë herë bëhet bindje sepse lind si kujdes reflektiv. Mëshira është arma e njeriut (apo Hyut) të fuqishëm mbi të mundurin, mbi të pangrënin, mbi mjerimin, mbi fajtorin, mbi telendisjen morale dhe humbjen e shpresës, dhe jo në rastin kur fantazia përkëdhel botën tonë të brendshme në pikën dhe pikun e fantazisë për të qenë në time machine!
Sikur mëshira e fuqisë qiellore mund të bëhej eksperiment i tillë, trenat, bregdetet, lëndinat dhe kështjellat nuk do kishin vend më për imagjinatën dhe unin tonë të uritur…që venitet ngadalë prej viteve duke shfuqizuar dëshirën dhe shpresën.
Mëshira, në rrethana të barabarta është kompromentuese që dhe sikur të dëshirosh t’a aplikosh në një ngarkesë psikologjike të tillë, sjell impuls artificial, qëllim të stisur që nuk tingëllon pastër. Nëse njeriu jeton në botën ireale dhe dëshiron të bëhet person që nuk ka IQ e duhur, ai/ajo mund të përpiqet në pafundësi për t’ia arritur qëllimit…Prova e sforcuar mund të arrijë diçka ose humb bashkë me ëndrrën. Dështimi përpjekjes nuk presupozon mëshirë, por keqardhje. Kështu toleranca si sinonim i mëshirës vihet në punë kur njeriu nuk e hedh jetën në zare. Prandaj dhe mëshira kuptohet si tolerancë dhe shans për mëshiruesin, ku i mëshiruari mund të bëhet gjithçka…mbase mëshirëmadh dhe Profet si, St.Paul, me aureolë omnipotente dhe omniprezente.
Mendoj se, një pjesë e rinisë, në udhëtimin e jetës “maten”me yjësinë dhe gjatë rrugëtimit humbin rrugën…Lum ai që nuk bjen në dashuri me vetveten për t’a braktisur boshtin, duke konsumuar hapat e arta të jetës në kotësinë e humbëtirës pakthim. Sigurisht njeriu nuk është i përsosur dhe gabimet janë pjesë e provës së personalitetit, kurajos dhe sfidës për t’u përballur dinjitetshëm me luftën e jetës. Gjatë analizave tipologjike për mëshirën, kam konstatuar se janë katër lloje kategorie mendjesh për “mëshirën” me trajtim dinjitoz dhe jo dinjitoz.
Sipas meje kategoritë janë: “Kompromisaxhinjtë”, “Të paepurit”, “Të vetmundurit”, “Pushtetarët aksidentalë”. “Kompromisaxhinjtë”, janë karaktere elastike që në të shumtën e rasteve krijojnë balanca për paqe dhe luftë. Në postet që gëzojnë, krijojnë difiçite të riparueshme për të mos rrëshqitur në abis, duke paguar çmime shumë të larta. Për këtë tipologji, mëshira mbetet mekanizëm fitimi, propagandë dhe dekoracion. Pardoni Biden, mëshira për të birin Hunter Biden, zgjeroi listën e faljes dhe në stafin tij: Milley, Adam Schief, Liz Cheney, Fauci, James Biden, Valeria Biden Owens, të cilët mbase do të ishin përballur me ligjin sikur mos përfitonin nga “klemenca” e Presidentit në ikje…Mëshira e kësaj forme mbulon me mister dhe vello të zezë “pardonin” e firmosur, duke kompromentuar keq fjalën, mëshirë (pardon), falje.
“Tē paepurit”, janë besimtarë që nuk mund t’i çarmatosësh mendërisht kurrë. Prandaj ata bëjnë emër dhe histori, realizojnë detyrat që i vënë vetes,mbrojnë vlerat e lirisë dhe civilizimit, shpikin gjëra që të tjerët nuk krijojnë dot. Këta janë dhe mëshirëmëdhenjtë real. Marrim si shembull rastin e Presidentit Trump (i paepur deri në fitore), në firmosjen “Urdhërit Ekzekutiv” për lirimin e 1500 demonstruesve, dhe më vonë dhe të tjerë, të cilët morën pjesë me, 6 Janar të vitit 2021, Capitol Hill-Washington,D.C. Vendimi i Trump gëzoi rreth 1600 familje amerikane dhe frymëzoi miliona liridashës të tjerë në Amerikë dhe botë, duke treguar sa vlerë ka mëshira në raste tilla, paçka se kundërshtarët e komentuan së prapthi.
Trump, nuk u prek nga fjalët e Mariann Edgar Budde (Bishop of Washington), e cila i kërkoi: HAVE MERCY ON LGBTQ, MIGRANTS, përkundrazi Trump iu përgjigj: “Bishop is “not very good at her Job”. Presidenti i sapozgjedhur pas një eksperience negative me krahun e majtë, por dhe i pajisur me një kulturë fetare Biblike të admirueshme, nuk ka dëshirë të pranojë forma didaktike të stisuara e deformuara kundër fjalës së Hyut. Asnjë libër i shenjtë nuk thotë se ka një zgjidhje të tretë përveç burrit dhe gruas. Nëse dikush e di…do të më bënte nder që të ma kujtonte…Sofistika hipokrite dhe deformimi human nuk ka lidhje me mësimet e Zotit, sepse mund të ketë Gomorrah dhe Sadoma të tjera, mbase dhe doomsday.
“Të vetmundurit”, janë vetë falimenti (të vetmundurit nuk janë të mundurit që dinë të ngrihen më të fortë), që rrëzohen për mos u ngritur më, ose dhe kur ngrihen, çohen me paterica duke mos e njohur mëshirën me pretekstin se nuk i ka mëshiruar askush. Për mendimin tim, vuajtja të bën më të fortë, të lartëson, të krijon një eksperiencë që është shkollë dhe pasuri. Plus një botë që mbase disave u mungon. Rrethanat e vuajtjes të bëjnë më të thellë dhe racional. Vuajtja të pajis me dashuri dhe mëshirë. Fatkeqësisht, të vetmundurit, janë viktima të vetvetes në mizantropi, ku pakuptuar jetojnë në një vullkan urrejtje të stisur që i largon nga solidariteti i dhimbjes që ka ndjenjë dhe përgjegjësi. Kjo rrit honin midis ekstremit dhe normalitetit në mëshirëdhënie dhe mëshirëmarrje.
“Pushtetarët aksidentalë”, janë kategori mëkatare e vetëfryrë nga lavdia artificiale e momentin ku penetrojnë në kapërcyell të ndryshimeve të mëdha. Aksidenti i vesh tipat e gënjeshtërt me trofenë e dhuruar nga koha. Uria e tyre nuk njeh limite dhe mëshirë. Paraja, orgjitë, plaçkitja dhe pushteti i shpërdoruar mbeten kryefjala e lukunisë aksidentale, të cilët nuk kanē mëshirë për askënd. Dhe kur u bie ndërmend për “mëshirë”…zgjohen të çoroditur për show duke përdorur pushtetin si instrument arritjeje dëshirash meskine. Shpura e tallallexhinjëve që kanë pas vetes, shtriqen si kaçamijtë në lagështirë, ku me narrativa dhe artopolantë ushqejnë dhe lartësojnë delekuentët si shpëtimtarë të varfërisë dhe rritjes mirëqënies së paqënë.
Qytetërimi, mëshirën e ka jetësore. Fenomenin e bën të njohur me një përkujdesje humane, ku, pothuajse dhe sensacioni humbet forcën në planin njerëzor. Trajtimi i mëshirës zë vend natyrshëm në pardonin e një mëkati apo dickaje tjetër që krijon impakt në rrethana të caktuara apo të papërcaktuara. Ka raste shkarje përdorimi si lajm komercial, por fatkeqësia nuk tjerret si qëllim në vetvete (siç e kam thënë…), sepse informuesit, media udhëhiqen nga kodi moral dhe etiko-profesional.
Mendoj se, mëshira nuk duhet të bëhet kurrë pjesë maskarade-propagande, por solidarizim shpirtëror, duke lënë jashtë megafonë e TV, gurë e shigjeta helmi të përdorura nga fytyrat teatrale.
Farsa dhe loja me “mëshirën”, janë si fijet e merimangës që sa më i dendur të bëhet rrjeti, aq më e pamundur bëhet dalja nga webi.
Shumë njerëz paqësorë pyesin, “Sikur njeriu mos t’a njihte mëshirën…a do frikësoheshin bishat nga ai? Po Zoti a do tregonte mëshirë për të pamëshirshmin? Sikur ligji të bëhej mbiligj (pa mëshirë – pa klemencë) si do quhej ligjvënësi? Sikur ligji të mos ekzistonte…a do quhej Mozes, babai i ligjit dhe çfarë do bënte njeriu?”.
A e ndryshon mëshira llojin e lindur? Unë mendoj se jo!
Tek “Rrëfenjat e Papagallit” (Histori dhe fabula Indiane), lexojmë Rrëfenja tridhjetë e një: “Për birin e dijetarit dhe nepërkën”, ku papagalli i tregon Huxhastës bukur se, si nepërka i kërkoi djalit të dijetarit t’a shpëtojë nga një ndjekës që kërkonte t’a vriste…Djali pa një pa dy e mëshiroi gjarpërin duke e marrë dhe fshehur në mëngën e mantelit. Ndjekësi e pyeti djaloshin nëse kish parë një gjarpër të zi, por djaloshi e mohoi se kish parë ndonjë të tillë. Armiku i gjarpërit u largua. Atëherë djaloshi i kërkoi nepërkës që të dilte nga mënga e mantelit ku ishte kacavjerrur ngaqë nuk përbënte më rrezik për jetën. Po nepërka i tha se do e kafshonte. Pas një debati midis njëri-tjetrit, gjarpëri iu përgjigj, – Ja çfarë kam dëgjuar nga të diturit: “T’u bësh mirë të këqinjve, është njësoj sikur t’u bësh keq të mirëve.”
Thjeshtë mendoj se, mëshira (mirësia dhe klemenca si sinonime) është si kaleidoskop…ku brenda tubit, pjesët e koloreve dhe elementeve ndryshojnë pamjet e objekteve sa herë rrotullon unazën e fokusimit…