
Gelanda Shkurtaj/
Sipas Ungjillit të Gjonit, Juda ishte një ndër më të besuarit e dymbëdhjetë apostujve të zgjedhur nga Messiah. Ai mbante arkën dhe kujdesej për fondet e dishepujve, por vetëm se për një grusht para, shiti shpirtin bashkë me krijuesin tek romakët. Tradhtia e Judë Iskariotit mësoi se afërsia me zotin nuk është e barabartë me besnikërinë ndaj tij. Në teologji misteri më i thellë mbeti nëse Messiah e dinte tradhtinë e Judës dhe përse e lejoi atë. Shumë interpretues të Ungjillit thonë se kjo ishte pjesë e planit të shpëtimit, pasi tradhtia e Judës çoi në kryqëzimin dhe ringjalljen e Messiah-s. Në këtë mënyrë, pa e ditur, ai u bë dora dhe materia me të cilën hyji tregoi vetekzistencën. Juda mbeti në histori si simboli i tradhtisë dhe lakmisë, duke mos e shfajësuar kurrë si mëkatarin abuzues të besimit.
Një ditë Judës iu zgjua ndërgjegjja, u pendua e nuk gjeti falje te vetja, arsye për të cilën shkoi drejt fundit tragjik të vetëvrasjes. Grali i shenjtë i mbushur me lëngun e kuq të hajnisë, në ndryshim nga Bibla me një Judë, u pi nga dymbëdhjetë dishepuj, me të vetmin sakrilegj që darkën e fundit e hëngrën, pas lutjes së predikuar, në paraburgim. Çmimi i mëkatit për Judën tridhjetë monedha argjendi, për dishepujt e partisë një mizerie miliona eurosh, nuk ka prekur hyjin, që ndofta në këtë kontekst vetëm është lartësuar. Në teologjinë shqiptare, sekreti i Gralit, sesa është përfshirë Messiah i politikës me dishepujt kontingjent të Ievp-ve, nuk ka gjetur një teolog që mund t’i vërtitet. Ndofta diku përgjigjen e ruajnë fijet e patronazhistëve nëntokësorë. Skenarët, duke sfiduar edhe thriller-at më në zë të Hitchcock-ut, e kanë të pamundur të besojnë virgjërinë e mendimit dhe sakrilegjin e shpirtit, por kjo mos qoftë kurrë e thënë. Messiah, deri më tani, mbetet ende profan dhe i papërlyer nga mëkati që ka prekur apostujt e tij.
Anonimi i sekretit të templarëve në takimet kokë më kokë turbullon edhe idenë më engjëllore që lind nga mendja e djallëzuar njerëzore. Çfarë iu thotë Messiah ndër mbledhje e konsulta rreth dhjetë urdhëresave, ku të vjedhësh është preludi për në ferr? Kaq i mohuar dijes, e kaq i larguar mënxyrës se dishepujt e qeverisë janë përlyer këmbë e kokë te mëkati i mëkateve, që shkel bashkë ungjillet e Mateut, Gjonit, Lukës dhe Markut. E në ndryshim nga Juda që u flijua i vetëshkatërruar nga pesha e ndërgjegjes, apostujt e qeverisë shqiptare, atë “dobiç” faj, nuk e njohin, e kanë lënë pa soj, pa katandi, pa familje e askush nuk ia di shtëpinë. Midis menefregizmit dhe krekosjes, ecejaket e apostujve nëpër burgje nuk kanë njohur frikën e purgatorit për përdhosjen e moralit. Në fund të ditës kush do t’i gjykojë dhe frikën e cilit zot do të kishin. Messiah, biri hyjit, ndaj dijes i panxënë nuk di për be’, gjë prej gjëje (!).
Mos arsyeto për ta, shih dhe vazhdo – “non ragionam di loro, guarda e passa”
Në këngën e tretë të “Ferrit”, në vargun pesëdhjetë e një, Virgjili takon dhe përshkruan në jetën e përtejme shpirtrat e atyre që kur ishin mbi tokë, nuk dhanë asnjë kontribut dhe angazhim njerëzor. Dante i konsideronte mëkatarët më të rëndë, ata që pranonin çdolloj kompromisi në të keqe të njerëzimit, vetëm për të mos prishur rehatinë e tyre. E këtu nuk fuste thjeshtë politikanët, por më shumë njerëzit e zakonshëm, që bëheshin palë morale e tyre, e aq më keq mbrojtës apo proklamues të ideologjisë së tyre shkatërrimtare. Atyre, vendin ua kishte imagjinuar në ferr, për aq sa kishin përtesë shpirtërore të thoshin të vërtetën e të luftonin për të. Injorimin dhe damkën ua dha në fjalët plot himn e shpërfillje: “non ragionam di loro, guarda e passa – mos arsyeto për ta, shikoji dhe ik”. Në testamentin e vjetër të partive, vjedhja është lartësuar si nder dhe ndershmëria sanksionuar si turp, falë këtyre shpirtraveqë pranojnë çdo gjë, vetëm për pak privilegj personal.
Si askund, në vendin kult të tolerancës fetare, morali puritan ngërdheshet e shpotitet, ndërkohë, sharlatanizmi politik nuk qëllohet me gurë dhe as kryqëzohet, por përcillet me lot dhe lavdërime. Në jetën e përtejme janë të njëjtët që ndërrojnë rolet, por mbi tokë, gjykata supreme e të urtëve në mejhanin e lagjes, po atë verdikt do të jap: fajin e kanë të tjerët. Turpi si pasqyrë e ndëshkim ndaj vetvetes ka ndryshuar strukturën e gjenomës humane. Gjykatat popullore që dikur stigmatizonin herezi dijen dhe trupin e virgjër e mbanin në altarin më të lartë të prestigjit, tani poligaminë de-facto dhe orgjinë i hanë përditë me bukë dhe i falin. Lavdet, çjerrjet, përqafimet dhe brohoritjet i kanë të imunizuar ndaj çdo lloj virusi që kërkon të depërtojë ndërgjegjet e tyre. Gjithmonë fajin e kanë ata, dhe “ata” kur vijnë në fron, po prapë moralin e vetëgjykimit e lënë pas derës, kështu edhe për “ata” fajin e kanë “këta”.
Në testamentin e ri të partive, pakti i popullit me Zotin, i cili kalon nëpërmjet Messiah-s, mëson vjedhjen si vlerë dhe përçudnimin shpirtëror si sprovë që të ndershmit duhet të kalojnë në këtë jetë, për të merituar ndofta parajsën e përtejme. E derisa ai moment të vij, turpi i bërë njësh me trupin ecën krenar dhe i respektuar nga shpirtrat e “mos arsyeto për ta” që i justifikojnë, i duartrokasin dhe i duan. Nëse mesazhi i vetëm i testamentit të ri është lidhja me hyjin nëpërmjet Messiah-s, e vetmja vlerë e ringjallur në shtatin e rilindur të hajdutërisë, është nekrofagia brenda species sonë, duke neveritur botën e njeriut, e duke admiruar botën e kafshëve ku edhe hienat e savanës, hajninë e përdorin vetëm ndaj specieve kundërshtare, jo kundrejt të njëjtëve. Ndofta ato nuk e meritojnë ferrin e Alighierit-t.
PRAPË TË PAPREKUR DHE TË PAKRYQËZUAR
cilado qeveri që vjedh popullin e vet do të konsiderohej e diskretituar moralisht, bashkëpërgjegjëse dhe e delegjitimuar në sytë e votuesve. Për shumë syresh, që shohin të ndarë përgjegjësinë personale nga ajo partiake, të paktën t’u tregonin Messiah-ve të politikës se duhet të mbartin fajin e zgjedhjes vetë të dishepujve. Darkat e pagabuara janë sipas menusë të tyre me dishepujt e parapëlqyer, pa iu kërkuar në biografi shkollat dhe medaljet e meritokracisë. E fundit e vlerës e para e kritereve është qenësia partiake, servilizmi, arroganca, injoranca dhe mbi të gjitha mbajtja nën pushtetin e kontrollit. Judat e politikës, në ndryshim nga Judë Iskarioti, që u shit tek shpresonte të shihte me sy ringjalljen, nuk kanë nevojë të spekulojnë mbi këtë. Fronin të rilindur e të ringjallur do ta kenë në përjetësi për aq kohë sa shpirtrat e “non ragionam di loro” janë aty dhe i mbrojnë e i duan.
Në aspektin politik, një përkufizimi më i përshtatshëm do të ishte qeveri e kapur, ose qeveri e krizës. Nëse dikush do të rrekej me dogmën e paaftësisë për të pastruar partinë, apo vetë në person Messiah nuk është i akuzuar, në teorinë e shtetit e së drejtës publike, do të thuhej se përgjegjësia politike është e pashmangshme kur dështimi i moralit publik është sistematik. Në një vend normal ku një zv.kryeministër në arrati, disa ministra e një ish-president koalicioni, lozin domino tek 313- ta pa u skuqur për vjedhjet, do të quheshin bashkëpërgjegjës politikë për degradimin e integritet qeveritar. Mospërfshirja direkt në krimin bashkëqeverisës (deri në provën e kundërt, thonë juristët), gjithsesi nuk përbën as arsye ndershmërie dhe aq më pak krenarie boshe, ku vihen duart përpara me sloganin “ia lëmë drejtësisë në dorë”.
Kjo nuk mjafton, edhe pse për herë të parë në historinë e Biblës shqiptare, Messia nuk mbron nën kupolën e krimit, dishepujt e vetë, siç kanë bërë paraardhësit e tij. E megjithatë, nëse një ditë hyji do të bënte një të mirë në këtë vend të nëmur nga haka e të drejtit, të tregonte sa më parë nëse Messia-t janë të virgjër nga mëkati, apo janë thjeshtë Mohikanët e fundit të një lufte për pushtet, ku arma më e sofistikuar mbetet fshehja dhe heshtja. Deri atëherë mendjet e mbrapshta dhe ndërgjegjet idiopatike të ithtarëve do të krijojnë teoritë që sfidojnë edhe konspiracionin e templarëve, ku djajtë mund të kenë bërë çdo gjë, por Messiah-t e politikës do dalin gjithmonë të larë e të papërlyer nga krimi i vjedhjes. Pakti i fundit në testamentin e ri? Shpresa, në mos o Zot, te vrasja e ndërgjegjes së tyre!
“Gazeta Panorama”