
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/
Sot, ne kujtojmë një ngjarje të rëndësishme për historinë tonë: hapjen e Mësonjëtores së Parë Kombëtare Shqipe në Korçë, më 7 mars 1887!
Në këtë përvjetor kujtojmë edhe figurat e shquara që bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare në Çamëri.
Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi bashkërendoi punën me Sabri Prevezën, me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë.
Në Prevezë, Sheh Sabri Preveza, formoi shoqërinë “Dituria” dhe në teqën e tij çeli “shkollën” shqipe. Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margëlliç e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).
Në Filat, atdhetari Rexhep Demi mbante lidhje të dendura me klubet dhe shoqëritë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Janinës, Aleksandrisë etj, dhe menjëherë pas Hyrjetit (korrik 1908), formoi klubin “Vëllazëria”, duke mundësuar kështu që përmes klubit të përhapte aktivitetin e mësimit të gjuhës shqipe.
Ai edhe vet punoi si mësues në Konispol, Gjirokastër, Libohovë etj. Shkolla e parë në Filat u çel më 7 shtator 1908, ku mësues të parë ishin Qamil Izet Çami dhe Hamit Demi. Pas kësaj, deri më 1910 u çelën edhe disa shkolla tjera, në Luros, Mallakastër, Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek, etj. Qamil Çami bëri përpjekje edhe për hapjen e një shkolle të mesme në Filat, për të përgatitë mësues për shkollat shqipe. Përveç mësimit të fëmijëve gjatë ditës në shkollë, mësuesit mbanin edhe kurse të natës, për të mësuar edhe të rriturit shkrim e lexim shqip. Me insistimin e aktivistëve dhe të popullit të Çamërisë, gjuha shqipe nisi të mësohej edhe në shkollat turke dhe në ato greke, ndonëse me fond të vogël orësh dhe e nënçmuar nga udhëheqësit e atyre shkollave. Një formë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe e ndihmuan edhe “mësuesit shetitës”. Shkollat shqipe (1908-1912) i ndihmuan me libra e financa klubet dhe shoqëritë atdhetare brënda e jashtë atdheut, ndërsa populli i lëshoi shtëpitë për shkolla.
Ndihmë të veçantë asokohe dha Dervish Hima, doktori Asaf Çami-Ajdonati po edhe shumë të tjerë. Rasih Dino mbante me financat e tij katër shkolla dhe paguante nga 350 grosh në muaj tre mësues “shetitës”, për t’ua mësuar njerëzve shkrim-këndimin, dhe kishte filluar ndërtimin e një godine shkollore në Filat. Rexhep Demi, në moshën 62 vjeçare kreu kurse për mësues. Dhe këta mësues e aktivistë, sa bënin luftë për gjuhën, poaq bënin për alfabetin latin, pasiqë xhonturqit ua impononin alfabetin arab, ndërsa kisha greke alfabetin grek.
Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: “Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit”. (Gazeta “Korça”, nr. 9, 20.05.1910).
Por ai proces, ai aktivitet dhe ai enthusiazëm i popullit të Çamërisë e gjithë Shqipërisë për mësimin e gjuhës dhe për shkollën shqipe, u ndërpre me shpërthimin e kryengritjeve të armatosura për çlirimin e vendit dhe me Luftën Ballkanike, me ndarjen e Çamërisë nga Shqipëria, të cilën Konferenca e Londrës (1913) ia dha Greqisë, e cila jo se nuk lejoi shkolla shqipe, por bëri terror mbi popullsinë myslimane të Çamërisë, duke i detyruar të shpërngulën për në Turqi, Shqipëri e deri në Amerikë, ndërsa shqiptarët e krishterë duke i asimiluar në grekë.
Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.