
Virgjil Kule/
Franz Kafka e nis librin e tij “Metamorfoza” me një rrufe në qiell të hapur. Pa asnjë parapërgatitje për tensionin dramatik që do të vijojë, pra pa pikë mëshire për brishtësinë e lexuesit, ai shpalos gjëmën: Gregor Samsa, sapo zgjohet nga gjumi, e sheh veten të shndërruar në një insekt gjigant.
Lexuesi kapet në befasi. Me përdhunë, Kafka e detyron atë të përjetojë tmerrin e Gregor Samsës. Duarbosh, pa armët e arsyetimit dhe të logjikës, lexuesi nis edhe ai përballjen e vet me absurdin e ekzistencës.
Tronditja thellohet kur mëson se Gregori është më i shqetësuar për humbjen e punës sesa për trupin e tij të përçudnuar. Fillimisht keqardhëse, edhe familja e tij ndryshon kurs: mërzitet, bezdiset dhe, në heshtje, mban një qëndrim armiqësor. Kafka zbulon kështu një të vërtetë të hidhur: shoqëria njerëzore vlerëson më shumë dobishmërinë socio-materiale të dikujt sesa vlerat e tij humane. Për sa kohë Gregori sillte të ardhura dhe ndihmonte familjen, ai respektohej prej saj. Në çastin që e humbi këtë aftësi, vlera e tij nisi të pësonte rënie — një rënie të ngadaltë, të dhimbshme dhe të pashmangshme.
Gjuha e Kafkës është e thjeshtë: nuk ka as teprime poetike dhe as dialogë dramatikë. Ka vetëm tonin e ftohtë të vëzhguesit.
Por kjo narrativë, në dukje e rrafshët, përshkohet nga një segment i gjatë emocional dëshpërimi. Dhoma e Gregorit zvogëlohet, bëhet më e errët dhe më e boshatisur — pasqyrim i vendit të tij të mpakur në botë. Motra, Grete, dikur tepër e lidhur shpirtërisht me të, fillon të lodhet nga kujdesi. Dashuria e saj zbehet. Stermundimi në përkujdesje, ankthi për fatin e vëllait dhe, sidomos, presioni shoqëror, dalëngadalë zëvendësojnë dhembshurinë. Ndërkohë, dëgjojmë Kafkën që na pëshpërit në vesh: Kujdes, i dashur lexues — shmangia sociale, tjetërsimi, është më shkatërrues se çdo urrejtje e shprehur hapur.
Në të vërtetë, Gregori e kishte ndjerë tjetërsimin shumë kohë para se të shndërrohej në insekt. Ai jetonte për të punuar dhe punonte për të mbijetuar në një ekzistencë të mjerë. Shndërrimi i tij fizik nxori në pah, e bëri të dukshme diçka që deri atëherë nuk shihej: ai kishte qenë një hije mes njerëzve — i papikasur, i pazëshëm dhe krejtësisht i vetmuar emocionalisht.
Me një gjakftohtësi drithëruese, Kafka na shpalos këtë dukuri të zakonshme të jetës së miliona njerëzve, të cilët detyrohen të luajnë role që nuk u përshtaten, të bllokuar palëvizshëm në kurthin e pritshmërive dhe të vlerësimit thjesht mbi bazën e dobisë materiale që sjellin.
A ishte mallkim shndërrimi i Gregorit në insekt nga ata që shtypen me këmbë pa u vënë re, apo një mjet grotesk i autorit për zbulimin e një të vërtete? Mjeshtërisht, Kafka paraqiti lakuriq diçka që bota nuk e shfaqte hapur: përbuzjen ndaj ekzistencës së Gregorit dhe të miliona të tjerëve si ai.
Nëse Gregor Samsa do të jetonte në kohën tonë — i stërlodhur nga stresi, i sfilitur nga përgjegjësitë familjare e shoqërore, i tejshqetësuar për të krijuar dhe ruajtur një nivel të pranueshëm jetese, i tejtrembur nga të papriturat që mund t’i ndodhnin, i zhgënjyer nga mosmirënjohja, i zvetënuar nga të qenit përjetësisht anonim — a do të ishte ndryshe nga insekti i Kafkës?
Ku është kufiri ndarës midis pozicioneve sociale, ku në njërën anë shoqëria të sheh si të dobishëm, dhe në anën tjetër si të bezdisshëm?