Nga Beqir Sina/
Në “Kensico Dam Plaza”, Qendra “Nënë Tereza” e Famullisë “Zoja e Shkodrës” dhe zyra e Parqeve të Qarkut Westchester organizuan festivalin në nder të trashëgimisë kulturore shqiptare në Amerikë.
Ky festival vjetor si për çdo vjet mbahet nën kujdesin e veçantë të Dom Pjeter Popaj famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ndërkohë që festivali i trashëgimisë shqiptare shfaqet si një pasuri dhe identitet i pastër kombëtar shqiptar, traditë e moçme shqiptare, kulturë, muzikë, këngë e valle shqiptare të gërshetuara me sport si garat në futboll, volejboll, shah e lojëra të tjera, kuzhinë shqiptare me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe.
Dita e Trashëgimisë Shqiptare, u mbajt të dielën 4 qershor nga mesdreka (ora 11:00) deri në orën e e para të mbrëmjes (ora 19:00) në parkun argëtues “Kensico Dam Plaza” në Valhalla konteja e Westchester – New York.
Aktiviteti vjetor mbahet në kuadër të festivaleve komunitare, të kontesë Westchester “Ditës të Trashëgimisë Kulturore”, ku bënë pjesë edhe trashëgimia kulturore shqiptare në Amerikë.
E diela e parë e qershorit në parkun rekreativ “Kensico Dam Plaza” në Valhalla konteja e Westchester – New York, është një ditë për komunitetin shqiptar të kujtojë trashëgiminë kombëtare shqiptare, ku të gjitha vlerat e saj materiale dhe shpirtërore bëhen një së bashku për t’ua përcjellë brezave si dëshmi të identitetit tonë kulturor në diasporë.
Famullitari Dom Pjetër Popaj në fjalën e rastin vlerësoi “Ditën e Trashëgimisë Shqiptare” në New York, për traditën që ruan, për vlerat që trashëgon dhe mbi të gjitha për kënaqësitë dhe krenarinë që i fal çdo të pranishmi : ”Dita e trashëgimisë shqiptare, tha ai është kthyer në një festival mbarëkombëtar shqiptar që ruan dhe përjetëson kulturën shqiptare në Amerikë”.
Duke shprehur një kënaqësi të jashtëzakonshme, ai tha se “Ky festival jo vetëm për ne që e dimë se çfarë është tradita shqiptare, por edhe për të huajt që vijnë për të vizituar, janë të gjithë të impresionuar për një ditë kaq të madhe që ja dedikojmë “Ditës së Trashëgimisë Shqiptare, ditës tonë. Ditë në të cilën ne nderojmë të gjithë personat që e kanë organizuar këtë ditë të madhe, në krye me zotin Fran Çotaj e të gjithë ata që kanë ndihmuar në sistemin e parkut. Përfshirë, autoritetet lokale të Westchester County, dhe parqeve të cilët janë të pranishëm të na urojnë në këtë ditë”.
Dom Pjeter Popaj, u shpreh :”Të gjithë e shohin komunitetin shqiptar, si një popull që e do Zotin në qiell, dhe kombin shqiptar mbi tokë. Dhëntë Zoti që dita e traditës shqiptare të jetë e gjallë në mendjen e zëmrat e popullit tonë, Ta falenderojmë Zotin për këtë ditë të madhe dhe të jemi krenar që jemi Shqiptar.”
Më tej ai tha se “Për të hyrë në historinë e popullit shqiptar, është një nga popujt më të lasht të Europës, megjithëse ka vuajtur nga sundimi i të huajve në shekuj. Por pa marrë parasysh se çfarë vështirësish se çfarë okupimesh, populli shqiptar prapë e ka ruajtur kulturën traditën dhe identitetin tonë kombëtar, sikurse shqiptar.”
Duke folur për asimilimin e egër në Diasporë, dhe ruajtjen e kultivimin e kulturës e traditës shqiptare, famullitari Dom Pjetër Popaj, tha se: “Edhe këtu në Amerikë, megjithëse, i kemi të gjitha të mirat, kemi edhe një “sulm- një luftë” atë që mundet të jetë , është asimilimi. Por, prapëseprapë shqiptari nuk e harron rranxën e vet , nuk e harron trungun e vet dhe indetitetin e vet. Dhashtë Zoti! sikurse na, për çdo vjet me e mbajt gjallë këtë kulturë dhe këtë traditë , ta përcjellim te gjeneratat e reja që vijnë pas nesh të bëjnë të njëjtën gjë”.
Në fund ai solli edhe bekimin e “Tokës së Shenjët” për Shqiptarët: “Sot sapo kam ardhë nga “Toka e Shenjtë” me atë hir dhe bekim që merr çdo shtegtar që udhëton atje – Me atë vijmë dhe ju përshëndesim : Zoti u Bekoft! Gëzuar Dita e Traditës tonë Shqiptare”
Në këtë aktivitet morën pjesë mijëra shqiptarë nga Nju Jorku dhe Zona Tri-Shtetëshit, shqiptar të të gjitha moshave me familjet dhe miqtë e tyre, në këtë festival të madh, të festojnë kulturën tonë shqiptare.
Mark Gjonaj dhe personalitetet e njohura të komunitetit e vlerësuan këtë aktivitet si për nga pjesëmarrja, por edhe mesazhet që përcjell për shqiptarët në mbarë trevat shqipfolëse.
Ky festival kulturor si e quajnë amerikanët, është padyshim edhe një nga aktivitet më masive të komunitetit shqiptar, në cilin përfshihet kuzhina tradicionale shqiptare, pijet alkoolike(verë dhe raki) nga vendlindja, koncerte më këngë e kërcim popullor nga Shqipëria, Kosova, dhe trojet shqiptare, dhe një sërë aktivitetesh sportive (futboll, volejboll, shah, çiklizëm, vrapim etj).
Drejtuesi kryesor i veprimtarisë artistike dhe kulturore është Fran Çotaj bashkë me koreografe Agjelina Nika “Mjeshtër i Madh” udhëheqëse artistike e Grupit Rozafati.
Festivali “Dita e Trashëgimisë Shqiptare” në Kensico Dam Plaza , këtë vit u shoqërua me performancën live nga këngëtarja e njohur Liria Dedvukaj, dhe Valdet Luka, në orkestrimin muzikor të DJ Edi, ndërsa fëmijët performuan me kostumet e bukura folklorike kërcime tradicionale shqiptare nga të gjitha trevat.
Ky festival kulturor për më shumë se shtatë orë shfaqi në natyrën e bukur të këtij parku gjatë gjithë ditës në skenën e madhe të parkut dhe sheshin para digës, këngë e vallëzime nga grupi “Rozafati” me koreografe “Mjeshtren e Madhe” Angelina Nika, nga Qendra Kulturore “Nëna Tereze” e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”. Në, ndërkohë, që në sheshin e parkingut, ambulantët ishin ata që tregtojnë vepra arti, orendi zbukurimi, veshje popullore, bluza me stampime shqiponjën me dy krena, simbole kombëtare me ngjyrat kuq e zi, dhe shërbejnë me artikuj të kinkalerisë, aksesor me simbolet kombëtare, si dhe qebabtoret me ushqime etnike të çastit.
Ky i ashtuquajtur festival përfshinë gjithashtu, në fushat e gjelbërta kënde me lojra nga më të dashurat për fëmijë, lojra me balona, dhe pikturë të fytyrës e krahëve me shqiponja dhe flamurin kuq e zi.
Të gjitha ambientet e parkut dhe për rreth fushës së gjelbërt në Kensico Dam Plaza në Valhalla, si gjithmonë janë në dispozicion për të pranishmit.
Drejtori Ekzekutivi i kontesë Westchester George Latimer ka thënë: “Komuniteti shqiptar si një komunitet, kontesë Westchester County, me këto aktivitete kulturore, sportive dhe argëtuese po përpiqet të nxisë diversitetin, barazinë dhe përfshirjen sa më shumë në jetën tonë komunitare. Ku shqiptarët i kushtojnë një vlerë të madhe familjeve dhe trashëgimisë së tyre etnike, nga vendorigjina e tyre. Shqiptarët vijnë për çdo vit të kalojnë kohë të bukur me të dashurit e tyre dhe të mësojnë fëmijët e tyre, të lindur në Amerikë për kulturën e traditën e bukur shqiptare.”
Komisionerja e Parqeve të Qarkut Westchester, Kathy O’Connor, thotë :”Kensico Dam Plaza është mjedisi i përsosur që kultura e Shqiptarëve në Amerikë, të gjallërohet përmes lojës së futbollit, volejbollit, muzikës, kërcimit dhe aktiviteteve kulturore për të të gjitha moshave.”
Festivali Dita e Trashëgimisë Shqiptare në Kensico Dam Plaza – Westchester, mbahet çdo javë të parë të qershorit, organizuar nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, në kujdesin e famulllisë, famullitarit Dom Pjetër Popaj.
(Photo credit Mark Shkreli)