
Më 26 korrik të këtij viti bëhen 59 vjet nga tërmeti katastrofal që e goditi Shkupin, që la pas vetes më shumë se 1.000 viktima, diku 4.000 të tjerë të lënduar, ndërsa 200.000 njerëz i la pa kulm mbi kokë. Përnjëherë, nga një dridhje e tokës, që zgjati 20 sekonda, Shkupi u gdhi mbi rrënoja, dhimbje e vaj. Gati 80% e qytetit ishte rrënuar. Pamjet që janë ruajtur, disa nga të cilat do t’i shihni edhe në këtë ekspozitë, dëshmojnë për një hapësirë gërmadhë.
Por, në çastet e dhimbjes dhe rënies, gjithnjë qëllon edhe një dorë e solidaritetit, për të na dëshmuar se megjithatë ne nuk jemi të vetmuar dhe të braktisur. Kështu, kur Shkupi dhe shkupjanët po e vajtonin atë që e kishin humbur, u ngrit pjesa më e madhe e botës për ta dëshmuar solidaritetin dhe humanizmin në vepër. Deri atëherë shkupjanët kishin pasur përshtypjen se a thua e di bota se ata ekzistojnë, por vera e vitit 1963 dhe disa vite më vonë ishin dëshmi se bota kishte respekt të veçantë për këtë qytet dhe për banorët e tij. Madje, Shkupi u bë pikëtakimi i botës bipolare, duke i bërë të ndihmojnë pranë njërit-tjetrit edhe kundërshtarët e Luftës së Ftohtë. Siç duket, ngrohtësia shpirtërore që fle në këtë qytet i zbuti edhe ato dallime, sepse në Shkup të gjithë filluan të ndjehen si shkupjanë. Shkupi po ribëhej. Dhe, vërtet, përveç angazhimit të shtetit në të cilin atëherë bënim pjesë, e rëndësishme ishte edhe ndihma që rrodhi gjithandej në Shkup, qoftë ndihmë në ushqime, në veshmbathje ose në ndërtimtari, duke bërë që në Shkup plot kombe ta lënë gjurmën e tyre të bamirësisë.
Në këtë kontekst pa dyshim ndër ndihmat më të mëdha që Shkupi i pranoi atëbotë ishte ndihma amerikane, që erdhi pas letrës së Kabinetit të Presidentit Kennedy, ndërsa bëri që Shkupi ta ndjejë se edhe Amerika e largët, me të cilën ishim ndarë pas Luftës së Dytë Botërore, përsëri na kujtuaka. Shkupjanët për herë të parë panë qumësht në pluhur, që ata e quanin “qumësht Amerike”, por pranuan edhe ndihmë mjekësore, veshje e pajisje shtëpiake, ndërsa edhe disa lagje e ndërtesa, që sot i gëzon Qyteti, janë pikërisht në saje të kësaj ndihme amerikane.
Duke qenë në këtë përvjetor të tërmetit dhe të solidaritetit, por duke pasur edhe një arsye tjetër, atë të ftesës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, që sigurisht erdhi pas ndihmës dhe mbështetjes amerikane, Shkupi ka të drejtë ta regjistrojë proverbin “Miku i mirë – në ditë të vështirë”. Atëherë kur rrezikohej mbijetesa fizike e Shkupit ishin amerikanët ata që erdhën përtej Atlantikut për të na ndihmuar dhe përsëri sot, kur Shkupi ishte në udhëkryqin e ri historik, u shfaq përsëri dora amerikane për të na dhënë mbështetje drejt perspektivës, stabilitetit dhe mirëqenies. Mund të jetë koincidencë, por gjërat e mira nuk janë vetëm koincidencë.
Të gjendur në këtë përvjetor, duke gjurmuar në Arkivin e Qytetit të Shkupit, kemi gjetur dokumente dhe fotografi të vlefshme që e dokumentojnë ndihmën amerikane para 59 vjetëve, ndërsa janë freski e kujtesës kolektive, se jorastësisht SHBA-të edhe sot janë në anën tonë. Nga ky material është krijuar edhe ekspozita e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me titull “55-vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”.
Le të jetë kjo ekspozitë falënderimi që po e bëjmë ne në emër të Shkupit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e para gjysmëshekullit, por edhe për atë që e bën sot ky vend mik për ne!
Dr. Skender Asani,
drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve
Shkup, 26 korrik 2022