Prof. dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest/




Pjesa 1
Me rastin e 95 vjetorit të vrasjes së albaologut kroat me origjine gjermane.
Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arriti në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. – Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.00, në rrugën “Dalmatinska” nr. 6 (në Zagreb), Milan von Sufflay goditet për vdekje nga pusia. – Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. – Gjatë qëndrimit në Shqipëri, dr. Shuflaj më 16 janar 1931 mban një fjalim në Parlamentin shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të 6vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. – Për këtë gjë, Parlamenti Shqiptar nga buxheti i shtetit, e urdhëron ministrin e arsimit që në emër të shpenzimeve të paguaj në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”, në llogari të dr. Millan Shuflajt, shumën prej 75.000, frangash ari, që sot është e barabartë me rreth 4 milionë dollarë.
Është interesant fakti, që në përmbajtjen e vëllimit të tretë, M. Sufflay nuk kishte futur dokumentet nga arkivat e Barcelonës dhe të Milanos, të cilat i kishin përshkruar për të disa scribes spanjollë (Barcelonë) dhe italianë (Milano), por ia kishte huazuar ato akademikut serb në Beograd, Jovan Radoniqit, për konsultim, e për një studim. Ky i fundit i botoi ato në vitin 1942, (Jovan Radonić. Ðurađ Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku. /Istorijska građa/. “Spomenik,” Srpske Kralevske Akademije, drugi razred. knj. 74. Beograd, 1942. Duke shfletuar me kujdes vëllimin e botuar nga Jovan Radoniq, vërejmë se aty janë 48 dokumenta nga Arkivi i Barcelonës që Milan von Sufflay ia kishte huazuar atij) pas vdekjes së M. Sufflay, pa pasur kurrë lejen e tij për botim. Përkundrazi, M. Sufflay kishte kërkuar me këmbëngulje që Radoniqi t’ia kthente dokumentet nga arkivi i Barcelonës, (Shih letrën e Sufflay-t që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer shqip.Arkivi Shtetëror Korat /HDA/ Zagreb, R. O. M. Sufflay, kut. 9, IV/1, nr. 264, /Zagreb, 18. I. 1926/ dhe kut. 9, IV/1, nr. 267, /Zagreb, 14. X. 1930/) e megjithatë ai i kishte mbajtur ato, edhe pse i kishte premtuar Sufflay-t se do t’ia kthente. (Në letrën e tij origjinale që ne po botojmë me faksimile dhe të përkthyer në shqip, dërguar M. Sufflay-t, Jovan Radoniq, i shkruan se ato dokumente do t’ia kthente menjëherë. HDA-Zagreb, R. O. M. Šufflay, kut. 9; IV/1, nr. 218, /Beograd, 28. X. 1930/).
Millan von Sufflaj ishte kroat me origjinë gjermane,Ai nuk ishte hebre apo i nonjë ndionlitei tjetër, pra ishte gjerman që jeonte në Kroaci.
Ndër njësitë e para onomastike që lidheshin me Arbanonin përkatësisht me dëshminë më të lashtë të shkruar; dr. Millan Shuflaj trajton emrin popullor të shqiptarve, përkatësisht prejardhjen e trajtës greke Albanoi, Arvanitai, Albanitai si dhe të asaj sllave Raban e Rabanija. Pa u lëshuar në detaje, Shuflaj pohon se emri popullor i shqiptarve Alban do të ketë për rrënjë një fjalë të ngjashme të ligurishtes, përkatësisht se rrënjën e këtij emri duhet kërkuar tek: alb, “kodër, mal, lartësirë” të gurrave paraindoevropiane. Kështu Shuflaj në mënyrë përmbajtësore ka analizuar dhe shqyrtuar trajtat e emrit Arbër, Arbëresh, Arbëror, Arbëri, Arbëni dhe ato Shqiptar e Shqipni (Shqipëri), të cilat janë sinonim për emrin kombëtar shqiptar. Shuflaj është i pari shkencëtar që në mënyrë të argumentuar dhe shkencore nxori rrënjën e emrit shqiptar nga mesjeta. Duke shfrytëzuar arkivin e Dubrovnikut, ai hasi në disa dokumente të shekullit XIV, në një emër të familjes mesjetare shqiptare nga Drishti (Drivatsi) në formën Schipuder, Schepuder, Schibudar, etj., nga e cila sipas tij rrjedh emri i sotëm Shqiptar dhe Shqipëri, duke hedhur poshtë teoritë e ndryshme të cilat ekzistonin por që nuk kishin bazë të fortë shkencore rreth këtij problemi tejet të ndieshëm në shkencën historiografike shqiptare
Prof. dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Milan von Sufflay lindi më 8 nëntor 1879 në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku u diplomua si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit dhe doktoroi në vitin 1901.
Menjëherë pas doktoratës, Sufflay iu vu punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus,” (Diplomatičkom zborniku Kraljevine Hrvatske, Dalmacije i Slavonije 1101-1399). Këtu lindën kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe fare të pahulumtuar që i takonte Shqipërisë.
Në vitin 1902, Sufflay mbrojti me sukses titullin “profesor” në shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit me temën: “Hrvatska i zadnja pregnuča istoćne imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180).” Në vitet 1902/3, u specializua në Vjenë në Österreichisches Institut für Geschichtsforschung për paleografi latine, diplomatikë, kronologji dhe notariat, tek profesorët e mirënjohur O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, ai u regjistrua tek prof. K. Jireček për “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, studime këto që nuk arriti t`i përfundonte. Në vitin 1904, botoi studimin e habilitacionit me titull: “Die Dalmatinische Privaturkunde. Dr. Milan v. Sufflay. In Kommission bei Carl Gerold’s sohn/ Buchhändler der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften. Sitzungsberichte der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften in Ëien. Philosophisch – Historische Klasse. Band CXLVII. (Vorgelegt am 20. Mai 1903), Ëien, 1904.”
Në vitet 1904-1908, dr. Sufflay punoi si asistent në bibliotekën kombëtare Szeczeny të Budapestit. Këtu thelloi njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos të albanologjisë. Ai arriti të vendosë kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzonte më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Sufflay arriti që në revista dhe gazeta të ndryshme të botonte një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën Szazdok, botoi dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregoi se dokumentet e Rabit të shek. XI dhe XII për mbretin kroat Zvonimir ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtonte shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’i bojkotonin leksionet e tijja nč universitetin e Zagrebit!
Në vitin 1908, ai u emërua profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Thallóczy-in dhe Jireček-un ai botoi në vitin 1913 dhe 1918 kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vol. I-II. Në vitin 1918, doli me kërkesën e tij në pension, e pastaj botoi “Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Damme” në: Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 1-70, që do të ishte pjesa e tretë e Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar që ta shkruante së bashku me Thallóczy-in dhe Jireèek-un në pesë vëllime.
Po këtë vit, botoi edhe studimin tjetër: “Politische Schicksale des Themas Dyrrhachion, në Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 273-300.” Në vitin 1920 vazhdoi botimet e tijme romanin, “Konstantin Balšiæ”, me temë nga mesjeta shqiptare. E firmosi me pseudonimin Alba Limi.
Në dhjetor të vitit 1920, Sufflay u burgos. U dënua me tre vjet e gjysmë burg të cilat i kaloi në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1924 botoi në të përditshmen zagrebase “Obzor” romanin fantastiko-shkencor “Na Pacifiku 2255 – metagenetièki roman u èetri knjige”. Po në këtë vit botoi edhe “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters, vorgelegt in der Sitzung am 24. April 1918. Akademische der Ëisenschaften in Ëien. Philosophischen-historische Klasse. Denkschriften, 63. Band, 1. Abhandlung. Wien – Leipzig: Hölder-Pichler-Tempsky A.-G. Kommisions-Verleger der Akademie der Wissenschaften in Ëien, 1924,” dhe “Nacionalne maglice. Sredovjeèna plemena Albanije i Crne Gore, në Obzor. Zagreb, 20, 24-25 shkurt dhe 4 prill 1924, viti LXV, nr. 49, f. 4; nr. 53, f. 3; nr. 54, f. 3; nr. 62, f. 2,” si dhe “Sredovjeèni dinaste Albanije i Crne Gore. Državne jezgrice, në Obzor, Zagreb, 16-19 prill 1924, viti. LXV, nr. 105, f. 4; nr. 106, f. 1; nr. 107, f. 4; nr. 108, f. 11.”
Veprimtarinë botuese në fushën e albanologjisë e vazhdoi me botimet: “Povijest sjevernih Arbanasa (Sociološka Studija) në “Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju” /Urednik H. Bariæ/ [Seminar de Philologie Albanaise-Seminar za Arbanasku filologiju], Beograd, 1925, libri II (1924), f. 193-242″ dhe “Srbi i Arbanasi (Njihova simbizoa u srednjem vijeku), Sa predgovorom prof. Univ. u Beogradu, Beograd, 1925, f. III-IV 1-142,” kurse më 1926 botoi: “Vjerske prilike u Albaniji kroz vjekove, Katolički Sjever i pravoslavni Jugu u muslimanskoj državi në Obzor, Zagreb, 11 qershor 1926, viti. LXVII, nr. 154, f. 2-3.” Në vitin 1928, botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”. Po këtë vit, u emërua profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit, por për shkak se nuk i dhanë pasaportë, u detyrua ta refuzojë këtë emërim. Problemet me policinë ishin pjesë përbërëse e jetës së Sufflay-t.
Sipas disa të dhënave më të reja të zbuluara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, Milan von Sufflay ishte njëri ndër shkencëtarët e rrallë në botë që u përcoll hap pas hapi nga policia, e madje jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. Një mbikqyrje e tillë kishte filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht vëzhgohej vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Për çdo të re nga mbikëqyrja i raportohej drejtpërdrejt kryeministrit, Petar Zhivkovič, e më vonë pasardhësit të tij, Milorad Srshkiči në Beograd dhe vetë mbretit, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh.
Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozoi dr. Sufflay-t që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia,” vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj për të hequr shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Milan von Sufflay, u ftua të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arriti në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931.
Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.00, në rrugën “Dalmatinska” nr. 6 (në Zagreb), Milan von Sufflay goditet për vdekje nga pusia. Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina.
Ata deklaruan që kishin marrë urdhër nga Beogradi për të likuiduar Sufflay-n.
Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin drejt një veprimi të tillë.
Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë e këtyre dorëshkrime, mesa duket janë humbur përgjithmonë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk u është gjetur ndonjë gjurmë. Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, M. Sufflay na ka lënë shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.
Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë, etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe “Ligue Internationale des Droits des L’Homme,” “Federation Universitaire Internationale.” Kështu, me vdekjen e Sufflay-t, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë, studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.
*****
Në fushën e studimeve albanologjike dhe balkanologjike kontributi i dr. Millan Shuflajt është i jashtëzakonshëm, dhe ka një rëndësi të veçantë. Është ndër studiuesit e rrallë, që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, duke nxierrë në dritë dokumenta dhe të dhëna shumë të çmuara, për këtë periudhë pothuajse të pahulumtuar fare të historisë sonë kombëtare. Në këtë mënyrë ai, tejkalon studimet e vjetruara, të njëanshme dhe tendencioze të studiuesve: italianë, austriak, sllavë, grekë, bullgarë, etj.
Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus”, të Tadija Smiçiklasit, gjen materiale burimore, shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë, ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Millan Shuflajt dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me L. Thallocin dhe K. Jireçekun. Materialin e mbledhur, dr. Shuflaj e sistemonte dhe e përcillte me komente të ndryshme, kështuqë të shumtën këto komente, paraqesin diskutime me vlerë të lartë shkencore dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Punën për përgatitjen e botimit të kësaj kryevepre e ka vazhduar edhe më tutje. Janë përshkruar një pjesë e dokumentave nga arkiva të ndryshme, është konsultuar literatura përkatëse si dhe është bërë plani konkret për botimin e vëllimit të tretë. Kohëve të fundit në shtypin periodik si dhe në studime të veçanta, në Kroaci, Shqipëri, por edhe gjetiu, është shkruar se është gjetur vëllimi i tretë i cili ishte i gatshëm për botim. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Dr. Millan Shuflaj, nuk kishte arritur ta përgatiste për botim vëllimin e tretë, ashtu siç është shkruar e pohuar deri tash, dhe këtë vëllim e kishte konfiskuar policia me rastin e bastisjes së apartamentit të tij. Në dorëshkrimet e tij, të cilat ndodhen ne Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, një pjesë e këtyre dokumenteve, që përbëjnë dy të tretat e vëllimit të tretë, janë të shpërndara nëpër kuti të ndryshme. Kjo është e tëra që është zbuluar, pas hulumtimeve të bëra, e jo dorëshkrimi komplet i vëllimit të tretë, sikur pohohet tash. Pra dr. Millan Shuflaj nuk e kishte shkruar e as që e kishte përgatitur për botim voëllimin e tretë.
Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj, paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë, ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me Sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore.
Kontributi i dr. Shuflajt në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazias, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo sllavë, vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare. në anën tjetër, studim, që deri tashi ka mbetur i vetmi në këtë lëmi.
Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, dr. Shuflaj e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimorë dhe lindorë në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapsirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim.
Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Shuflaj e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.
Ndër njësitë e para onomastike që lidheshin me Arbanonin përkatësisht me dëshminë më të lashtë të shkruar; dr. Millan Shuflaj trajton emrin popullor të shqiptarve, përkatësisht prejardhjen e trajtës greke Albanoi, Arvanitai, Albanitai si dhe të asaj sllave Raban e Rabanija. Pa u lëshuar në detaje, Shuflaj pohon se emri popullor i shqiptarve Alban do të ketë për rrënjë një fjalë të ngjashme të ligurishtes, përkatësisht se rrënjën e këtij emri duhet kërkuar tek: alb, “kodër, mal, lartësirë” të gurrave paraindoevropiane. Kështu Shuflaj në mënyrë përmbajtësore ka analizuar dhe shqyrtuar trajtat e emrit Arbër, Arbëresh, Arbëror, Arbëri, Arbëni dhe ato Shqiptar e Shqipni (Shqipëri), të cilat janë sinonim për emrin kombëtar shqiptar. Shuflaj është i pari shkencëtar që në mënyrë të argumentuar dhe shkencore nxori rrënjën e emrit shqiptar nga mesjeta. Duke shfrytëzuar arkivin e Dubrovnikut, ai hasi në disa dokumente të shekullit XIV, në një emër të familjes mesjetare shqiptare nga Drishti (Drivatsi) në formën Schipuder, Schepuder, Schibudar, etj., nga e cila sipas tij rrjedh emri i sotëm Shqiptar dhe Shqipëri, duke hedhur poshtë teoritë e ndryshme të cilat ekzistonin por që nuk kishin bazë të fortë shkencore rreth këtij problemi tejet të ndieshëm në shkencën historiografike shqiptare.