
Foto: Millan Sufflay ne studion e punes ne Zagreb

Foto: Godina ku është vrarë Millan Sufflay në Zagreb

Foto: Doreshkrim autograf i Millan Sufflay-t
Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, Millan Šufflay e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimore dhe lindore në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eksluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundimin e ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo të tjetrit ndikim. – Šufflay e paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë, se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. – Šufflay është imendimit se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmjeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.
Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies, Budapest
Në fushën e studimeve albanologjike dhe balkanologjike kontributi i Millan Šufflay-t është i jashtëzakonshëm, dhe ka një rëndësi të veçantë. Është ndër studiuesit e rrallë, që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, duke nxjerrë në dritë dokumente dhe të dhëna shumë të çmuara për këtë periudhë pothuajse të pahulumtuar fare. Në këtë mënyrë ai tejkalon studimet e vjetruara, të njëanshme dhe tendencioze të studiuesve sllavë, grekë, bullgarë, austriakë, italianë, rumunë, çekë etj.
Si studiues i historisë dhe veçanërisht i mesjetës shqiptare, M. Šufflay është pikë-referencë për çdo medievist shqiptar dhe të huaj. Për atë vetë, si autor dhe krijues letrar dihet pak ose aspak fare. Edhe pse është autor i më shumë se një vepre letrare, ai nuk ka vendin e merituar në fushën e letrave shqipe, posaçërisht atë të krijuesit të prozës së gjatë, romanit.
Romanin “Konstandin Balsha” Šufflay e kishte filluar së shkruari që në vitin 1918.[1] Menjëherë pas botimit të vëllimit të dytë të “Acta et diplomata” e cila, në fakt është edhe burimi kryesor i idesë dhe zhvillimeve në rrafshin kohor përmes njërës prej familjeve më të fuqishme të fisnikërisë feudale shqiptare, asaj të Balshajve.
Duke ndjekur me kudjes zhvillimet politike, ushtarake dhe ekonomike të faktorëve ndërkombëtare të kohës, Venedikut në radhë të parë, por edhe Vatikanit, Dubrovnikut dhe Turqisë në anën tjetër si dhe fqinjëve sllavë e grekë, Šufflay, jo rastësisht zgjodhi si personazh kryesor Kostandin Balshën, pinjoll i po së njëjtës familje me ndikime shumë të mëdha në tërë arealin shqiptar nga jugu në veri dhe nga bregdeti i Adriatikut deri thellë në hinterland.
Në pamje të parë, romani “Konstadin Balsha” është një dramë e vërtetë e popujve që bashkëjetonin në territoret e Shqipërisë etnike, pa ndonjë dallim të madh me pjesët e tjera të Europës, por, pas analizës së personazheve kryesore, pothuajse të gjithë përfaqësues në një mënyrë apo tjetër të fiseve, kombeve, krahinave, komunave dhe shteteve Europiane, vërehet thellësisht dëshpërimi i elementit kombëtar vendor ndaj veprimeve të pushtuesve të rinj apo të vjetër, të cilët me mendjemadhësi dhe komplote, me dinakëri dhe tradhëti, me korrupsion dhe me forcë, arrijnë të ruajnë interesat e tyre, fillimisht duke fituar besimin e shtresës së mesme, jo fisnikërisë së lartë, por as të popullit të thjeshtë, gjë që na përkujton origjinën e vetë autorit të romanit, Millan Šufflay, i cili jo në pak raste, në shkrimet dhe studimet e tija fut edhe elemente autobiografike.
Të shkruash një roman për një familje fisnike, që i përket një kombi të lashtë, një territori të caktuar, kompakt, një gjuhe indoeuropiane, ku tradita kulturore është e vjetër sa vetë populli shqiptar në radhë të parë, por edhe popujt tjerë që bashkëjetuan me të gjatë shekujve, pa e shkelur me këmbë kurrë, ose të paktën pa qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me të, është mjaft e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Është befasues për çdo lexues, kur të shikojë se sa më lehtësi, saktësi dhe korrektësi e përshkruan Šufflay vendin tonë, kështjellat, rrugët, detin, liqenjtë, lumenjtë, malet, pyjet, pastaj kishat, kuvendet, katedralet, për të cilat ai ka njohuri aq të thella, sa ne ia kemi lakmi edhe sot e kësaj dite.
Shtresëzimi kohor, kalimi nga njëri shekull në tjetrin, zhvillimet e furishme me ndikime shumë kundërthënëse, rrënjet dhe ngritjet e finsikëve shqiptarë dhe të tjerëve për Šufflay-n, nuk paraqesin asnjë problem përkundrazi, ai bëhet pjesë e tyre përmes personazheve të cilat i portretizon me shumë kujdes, duke hyrë thellë në karakterin e tyre psiqik dhe fizik, me një mjeshëtri prej një pende të sprovuar krijuesi.
Për shumë albanologë dhe kritikë të letërsisë shqiptare, romani është shumë pak i njohur ose i panjohur fare, për shkak se ata nuk kanë arritur ta lexojnë atë në kroatisht, në gjuhën në të cilën është shkruar. Megjithatë nuk kanë munguar rastet, kur albanologët dhe kritikët e letërsisë shqipe, edhe pa e lexuar fare atë, e kanë paragjykuar në mënyra ekstreme, nga vlerësime shumë pozitive deri te ato më negativet. Si ilustrim mund të sjellim një rast nga viti 2002, kur një akademik i nderuar shqiptar, që lexon kroatisht pohonte “e kam lexuar romanin, por nuk kam marrë vesh asgjë prej gjëje, sepse ai është një histori, kronologji dhe psikologji e ngatërruar!”[2]
Përkthyesi vetë e ka pasur për herë të parë në dorë këtë roman në vitin 1994, dhe në vitet 1996 – 1997, e ka përgatitur për ribotim[3] në kroatisht, ku u botua në Zagreb, me mbështetjen e zotit Mensur Gjergjizi.[4] Përkthimin e romanit e kemi bërë që në atë kohë, por për shkaqe të ndryshme, objektive e subjektive, ai ka mbetur pa u botuar deri sot.
Gjatë kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore në dorëshkrimet e M. Šufflay-t në Arkivin Shtetëror të Zagrebit, kemi hasur edhe në dorëshkrim autograf të romanit; dorëshkrim i cili nuk është komplet, (dorëshkrimit autograf i mungojë disa pjesë nga kapitulli i VI dhe i VIII),siç është rasti për shembull me romanin tjetër fanatastiko-shkencor “Në Pacifik në vitin 2255” i cili është i shkruar në gjermanisht e kroatisht dhe është botuar kroatisht në Zagreb në vitin 1998 dhe ruhet në tre kpje origjinale, një dorëshkrim autograf me stilolaps dhe në dy kopje të daktiloshkruara me makinë shkrimi në gjermanisht e kroatisht.[5]
Interesimin e Šufflay-t për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus”, të Tadija Smiçiklasit, gjen materiale burimore shumë interesante që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë, ishte e pahulumtuar fare dhe zgjonte interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky, i cili e preokupon aq shumë, sa bëhet madje pjesëmarrësi kryesor i kësaj veprimtarie shkencore për gjithë jetën e tij.[6]
Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga penda e Millan Šufflay-t dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me L. Thallóczyn dhe K. Jirečekun.[7]
Materialin e mbledhur, Šufflay, e sistemonte dhe e përcillte me komente të thukta shkencore, kështu që të shumtën këto tekste, paraqesin diskutime me vlerë të lartë dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Puna për përgatitjen e vazhdimit të botimit të kësaj kryevepre ka vazhduar edhe më tutje. Janë përshkruar një pjesë e dokumenteve nga arkiva të ndryshme, është konsultuar literatura përkatëse si dhe është bërë plani konkret për botimin e vëllimit të tretë. Është me rëndësi të ceket se vëllimi i tretë i “Acta Albaniae” nuk ishte i përgatitur për shtyp, ashtu siç është menduar e shkruar deri tani.[8]
Deri në këtë kohë, vepra më e njohur e M. Šufflay-t, sipas medievistit kroat T. Raukar[9] ishte: “Serbët dhe Shqiptarët”.[10]
Kontributi i M. Šufflay-t në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinjë, malazesë, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë, serbë, etj., vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet e tjera të cilat kishin një traditë të gjatë në këto treva.
Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytetet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes të zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci nga njëra anë dhe të Italisë jugore dhe asaj shqiptare nga ana tjetër.
Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, M. Šufflay e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimore dhe lindore në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eksluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundimin e ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo të tjetrit ndikim.
Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Šufflay e paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, duke mbrojtur teorinë, se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore.
Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Šufflay e arsyeton me argumentin e pranisë së emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i konsideron për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumë gjuhësor të shqipes.[11] Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmjeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.[12]
Ndër njësitë e para onomastike që lidheshin me Arbërinë përkatësisht me dëshminë më të lashtë të shkruar; Millan Šufflay, trajton emrin popullor të shqiptarve, përkatësisht prejardhjen e trajtës greke Albanoi, Arvanitai, Albanitai si dhe të asaj slave Raban e Rabanija. Pa u lëshuar në detaje, Šufflay pohon se emri popullor i shqiptarve Alban duhet të ketë si rrënjë një fjalë të ngjashme të ligurishtes, respektivisht se rrënja e këtij emri duhet kërkuar te: alb, “kodër, mal, lartësi” të gurrave paraindoevropiane.[13] Kështu Šufflay në mënyrë përmbajtësore ka analizuar dhe shqyrtuar trajtat e emrit Arbër, Arbëresh, Arbëror, Arbëri, Arbëni dhe ato Shqiptar e Shqipni (Shqipëri), të cilat janë sinonime për emrin shqiptar. Varianti i ri që Šufflay propozon është opinioni se emri Shqiptar heq rrënjët nga emri familjar i një dere bujare drishtase, emrin e së cilës e ndeshim në burimet e shekullit të XIV dhe XV[14] në format Schepuder, Schipuder, Schibudar[15] duke hedhur poshtë teoritë e ndryshme që ekzistonin, por që nuk kishin bazë të fortë shkencore rreth këtij problemi tejet të ndieshëm në shkencën historiografike shqiptare.
Sadoqë Šufflay ishte një medievist i shkëlqyeshëm e jo gjuhëtar i sprovuar,[16] propozimet dhe interpretimet e tij etimologjike i kanë bërë ballë kohës, duke u pranuar edhe sot si të qëndrueshme, sidomos përsa i përket elementeve onomastike shqiptare në Mal të Zi, sepse ai nuk i konsideronte ato elemente si ndikim të gjuhës apo korpusit onomastik sllav, por si substrat onomastik, përkatësisht si relikte gjuhësore e onomastike shqiptare në ato vise ku elementi shqiptar ishte i pranishëm edhe në mesjetën e hershme.[17]
Edhe në studimet e tjera të Millan Šufflay-t bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shyrtuar sa duhet faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve ishte për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë,[18] me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila për Millan Šufflay-n paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.[19]
Në historiografinë kroate, Millan Šufflay paraqitet për herë të parë me një temë nga e mesjeta bizantine.[20] Šufflay nuk i vazhdoi kërkimet dhe studimet e tij në fushën e bizantologjisë,[21] sepse interesimi i tij për këtë periudhë kishte ndryshuar, për shkak të rrethanave të reja të krijuara, e në radhë të parë për shkak të bashkëpunimit me Smiçiklasin, Jireçekun, Thallocin etj.[22]
Studimet dhe hulumtimet e Millan Šufflay-t në fushën e historiografisë kroate kanë lënë një gjurmë të pashlyer, qofshin ato studime të botuara apo dorëshkrime të cilat ruhen në HDA dhe presin të botohen. Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme qofshin ato paleografike, diplomatike, etnografike, antropologjike, etimologjike, etj., edhe sot e kësaj dite janë të patjekaluara. Një gjë të tillë ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta,[23] vullneti dhe këmbëngulia që e vërteta çdo herë të ngadhnjente, edhe në ato raste kur dikujt nuk i pëlqente një gjë e tillë. Edhe pse është shkruar se Millan Šufflay nuk ka shkruar shumë,[24] e vërteta është krejt ndryshe.[25]
Qeveria shqiptare, duke treguar respekt dhe nderim të veçantë për shkencëtarin dhe albanologun e njohur kroat me famë botërore, e ftoi atë në fund të vitit 1930 që të vizitonte Shqipërinë.[26] Kjo ftesë u bë menjëherë pasi “Kaiserliche Akademie der Wissenschaften in Wien”[27] i kishte propozuar Šufflay-t të vazhdonte botimin e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. I pritur me nderimet më të larta shtetërore, që nga mbreti Zogu i Parë, kryeministri, ministri i kulturës dhe më në fund nga anëtarët e Parlamentit shqiptar, Millan Šufflay-t i njihet, dhe në një farë mënyre, i shpërblehet gjithë mundi që kishte bërë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fushën e albanologjisë dhe veçanërisht në studimin dhe botimin e dokumenteve mesjetare të cilat deri në atë kohë pothuajse ishin të panjohura fare.[28] I shoqëruar nga intelektualë[29] dhe politikanë shqiptarë, studiuesi i madh kroat, viziton arkiva të ndryshme kishtare, biblioteka, pika arkeologjike dhe njihet për së afërmi me kulturën dhe traditën shqiptare, për të cilën kishte shkruar aq shumë. “Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ai kishte arritur deri te disa zbulime shumë të rëndësishme për shtrirjen e territorit kroat /në mesjetë/ përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut që nga lumi i Rashës në Istër e deri te Shkodra, përkatësisht te abacia e Shën Gjergjit në Bunë.”[30] I impresionuar nga mbishkrimet dhe dokumentet[31] e shumta mesjetare, ai kërkon që pjesa më e madhe e tyre të fotografohen ose të përshkruhen[32] që më vonë kur të kthehej në Zagreb t’i studjonte me themel dhe të nxirrte konkludime të rëndësishme shkencore. Për fat të keq, një gjë të tillë nuk arriti ta e bënte kurrë ngase u vra nga dora kriminale e policisë serbe.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, M. Šufflay[33] mban një fjalim në Parlamentin shqiptar më 16 janar 1931, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”[34], si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar nga buxheti i shtetit, e urdhëron ministrin e arsimit, Hilë Mosin,[35] që në emër të shpenzimeve të paguante në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”,[36] në llogari të dr. Millan Šufflay-t, shumën prej 75.000 frangash ari.[37]
Punimet dhe studimet e tij janë të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe ato të botuara si libra të posaçme, janë të njohur vetëm për një numër të vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa lexuesi i gjerë nuk ka njohuri për ekzistencën e tyre.
[1] Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 10-13.
[2] Ne me këtë rast, qëllimisht nuk po shënojmë emrin e akademikut shqiptar, por tëinteresuarit mund ta gjejnë në studimet dhe shkrimet tona për M. Šufflay-n
[3] Ne kemi studiuar dorëshkrimet origjinale të romanit të M. Šufflay-t fund të vitit 1996 dhe fillim vitin e 1997, në: Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 10-13, së abshku me kopjen e shtypur të botimit të parë në kroatisht. Me rastin e ribotimit në kroatisht tëkëtij romani në vitin 2002, një fjalën hyrëse e ka shkruar Ante Krmpotić. Botimi është bërë nga: Bashkësia e Shqiptarëve të Kroacisë, me seli në Zagreb, nën përkujdesjen tonë. Ky ribotim (nuk ishte ribotim anastatik, siç ndodhi me veprën tjetër në vitin 2002 “Acta e diplomata”), u shit dhe u shpërnda falas shumë shpejt dhe menjëher pasuar edhe tre ribotime tjera më 2004, 2005 e 2007 në Zagreb,nga botues të ndryshëm.
[4] Zoti Mesur Gjergjizi në atëkohë ishte kryetar i Bashkësisë së Shqiptarëve të Kroacisë, me seli në Zagreb. Me rastin e ribotimit në kroatisht tëkëtij romani në vitin 2002, një fjalën hyrëse e ka shkruar prof. dr. Ante Krmpotić. Botimi është bërë nga: Bashkësia e Shqiptarëve të Kroacisë, me seli në Zagreb, nën përkujdesjen tonë. Ky ribotim (nuk ishte ribotim anastatik, siç ndodhi me veprën tjetër në vitin 2002 “Acta e diplomata” të cilën poashtu e kemi përgatitur ne për botim. Kjo vepër u botua në Prishtinë), u shit dhe u shpërnda falas shumë shpejt dhe menjëher pasuar edhe tre ribotime tjera më 2004, 2005 e 2007 në Zagreb,nga botues të ndryshëm.
[5] Shih: Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 10-13
[6] Zekerija Cana, Millan Shuflaj… f. 97-98; i njëjti në parathënien e përkthimit shqip të librit Serbët dhe Shqiptarët. Prishtinë, 1968, f. 9.
[7] Ludovicus Thallóczy, Constantinus Jireček et Emillianus de Sufflay. Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Volumen I. (Annos 344-1343 tabulamque geographicam contens). Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1913, vëll. I dhe vëll. II, Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Volumen II. (Annos 1344-1406 continens). Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1918. Sikurse theksuam më lartë përgaditjen për botimin anastatik (fototipik) të kësaj vepre të Milan Šufflay-t e kemi bërë ne. Vepra është botuar në vitin 2002 nga “Drejtoria e Përgjithëshme e Arkivave & Revista EKSLUZIVE, në Tiranë-Prishitnë, dhe është shytpur në shtypëshkronjën e “Dukagjinit” me seli në Pejë. Kjo vepër sot është raritet bibliografik.
[8] Pothuajse të gjithë studiuesit e Šufflay-t kanë pohuar se vëllimin e tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, i cili ishte i përgatitur për botim, e ka konfiskuar policia menjëherë pas vrasjen së tij. Aleks Buda, [red.], Fjalori enciklopedik shqiptar (FESH), Tiranë, 1985, f. 1070; J. Horvat, Hrvatski … f. 225; D. Sagrak, Dr. Milan Šufflaj… f. 90; Jaroslav Šidak, Enciklopedija Jugoslavije, vëll. 8, Zagreb 1971, f. 273. Z. Cana, Letërkëmbimi… f. 282; etj. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Millan Šufflay, vetëm kishte përshkruar dhe mbledhur një pjesë të dokumenteve të cilat mendonte t’i botonte në vëllimin e tretë. Ai nuk e kishte përgatitur fare dorëshkrimin. Në HDA R. O. M. Š., këto dokumente ruhen të shpërndara dhe të pasistemuara në disa kuti. Po ashtu i paqëndrueshëm dhe jo i saktë është edhe pohimi se është gjetur dorëshkrimi i vëllimit të tretë të “Acta Albaniae”. D. Sagrak, Dr. Milan Šufflaj… f. 1.
[9] “Sažima svoja dotadašnja znastvena nastojanja, dodajući im i jake elemente filološke i sociološke analize. Ova knjiga njie studija samo o Albaniji u srednjem vijeku, ni o srpsko-albanskim odnosima, nego široko zasnovana prostorna i društvena sinteza o jadransko-balkanskom srednjovekovlju, usredotočena oko albanske povijesti.” Tomislav Raukar, Milan Šufflaj i hrvatsko srednjovekovlje. Kolo. Zagreb, 1991, nr. 3, f. 126.
[10] Ky studim u botua për herë të parë në gjuhën sllave në Beograd me 1925. Në shqip u përkthye për herë të parë në Tiranë në vitin 1926, nga Karl Gurakuqi dhe Zef Ferkeçi, e pastaj në Prishtinë me 1968, nga Zekerija Cana e Abdullah Kajragdiu. Kanë vazhduar botimet e përkthimit të kësaj vepre herë me emër të përkthyersit e herë pa emër të përkthyesit. Është interesant fakti se kjo vepër u botua e përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 2022, nga përkthyesi Arben Ndreca (përktheu nga kroatishtja dhe pajisi me shënime Arben Ndreca; Lektorimi: Migena Shyti Kapllani) me titull të ndryshuar nga botimi i parë i vetë Millan Šufflay-t: “Serbët dhe Arbërit. Simbioza e tyre në mesjetë”, botuar në kuadrin e “Rradhonjtë e Shéjzave” nga “BERK”. Përkthyesi, për mendimin tonë ka gabuar duke i ndërruar titullin botimit origjinal. Në një nga studimet tona së shpejti do trajtojmë këtë çështje të këtij përkthimi.
[11] Skënder Gashi, Kontributi i K. Jireçekut, M. Shuflajt e i I. Popoviqit studimit te onomastikës shqipe dhe albanizmave ndër sllavët e jugut. Prishtinë: Dituria, 1981, nr. 1-2, f. 114.
[12] Millan Šufflay, “Biologie des Albanischen Volksstammes,” Ungarische Rundschau 1916, viti V, f. 12-13; S. Gashi, Kontributi… f. 114.
[13] M. Šufflay, Biologie… f. 6; S. Gashi, Kontributi… f. 117.
[14] Shiko Çabej, dhe arkivi i Dubrovnikut.
[15] Konstantin Jireček, Die Romanen in den Städten Dalmatiens während des Mittelalters. Wien, 1901-1904, f. 51. S. Gashi, Kontributi… f. 117.
[16] S. Gashi, Kontributi… f. 119.
[17] S. Gashi, Kontributi… f. 119.
[18] S. Gashi, Kontributi… f. 114.
[19] A. Buda, FESH, f. 1070.
[20] Milan Šufflay, Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod željezom triju Komnena (1075-1180). Zagreb, 1901, f. 1-63.
[21] “Šufflaj nikada nije nastavio to početno bizantološko istraživanje jer je njegovo znanstveno zanimanje uskoro krenulo novim smjerovima, ali je taj prvi objavljeni rad ipak zanimljiv jer su u njemu primjetne dvije značajke što će ga obilježavati u sveukupnom kasnijem djelovanju: osjećaj za povijesno vrelo i smisao za obzorje sinteze.” T. Raukar, Milan Šufflaj… f. 124.
[22] Një mednim i tillë është shumë interesant dhe paraqet një nga vlerësimet e para pozitive për veprën e Millan Šufflay-t nga ana e shkencëtarve bashkëkohorë kroat, të cilët për një kohë të gjatë e kishin margjinalizuar, për të mos thënë se e kishin lënë krejt anash. Edhe më interesant është mendimi i akademikut Dubravko Jelçiqit: “Tek pola godine poslije slobodnih izbora, organiziran možda i prvi javni skup na Sveučilišnoj razini, na kojemu je obnovljeno naše zapretano znanje o njemu kao znanstveniku i piscu koji je ostavio duboki trag, jer je u svemu što je promišljao i o čemu je pisao bio inovantan, a u svestranosti gotovo unikatan: znanstvenik i književnik, povjesničar i politikolog, albanolog svjetskoga glasa, možda i uopće najveći dosad istraživač i najbolji znalac Albanije i albanskog etnosa, albanske prošlosti i albanske kulture; a istodobno bio je i kroatolog neograničenih vidika, svakako jedinstven, izvoran i doslovce neponovljiv i širinom i dubinom i dalekoseženošću svojih razmatranja hrvatskih tema od same pojave Hrvata u povijesti pa do jegova vremena.” Dubravko Jelčić, Sanjar i realist između političke fantastike i političke pragmatike. Hrvatsko pravo. Zagreb, 29 janar 1999, viti V, nr. 197, f. 13.
[23] Millan Šufflay ishte poliglot i vërtetë, ai fliste: kroatisht, gjermanisht, hungarisht, frengjisht, anglisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër, mesjetare dhe të re, sanskritisht si dhe natyrisht të gjitha gjuhët sllave. Gjuhën shqipe e kuptonte, por nuk e fliste e as nuk e shkruante. Për këtë fakt gjejmë të dhëna orijginale nga dorëshkrimet e vetë Millan Šufflay-t qësot ruhen në: Hrvatski Državni Arhiv (HDA), Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflay, (R. O M. Š), kutitë: 5 /f. 21-23/, 7 /f. 6-8/ e 16 /f. 49-50/.
[24] D. Jelčić, Sanjar i realist… f. 13; por edhe të tjerët të cilët kanë sjellë bibliografinë e Šufflay-t ose të dhëna bibliografike si: Franjo Perše, Milan Šufflaj. In memoriam-prigodom 25. Godišnjice smrti /18.II.1931/. Hrvatska revija. Buenos Aires, 1956, viti IV, nr. 4, f. 315-318, sjell 114 tituj në: “Hrvatska Gruda”, 12 shkurt 1941, viti V, nr. 182, f. 6, me autor anonin, sjell 115 tituj; D. Sagrak, Milan… f. 115-119, sjell 116 tituj. Ndërsa sa i përket asaj se sa punime janë shkruar mbi Šufflay-n, kemi disa të dhëna: Tomislav Držić, Dr. Milan Šufflaj… f. 25, pohon: “koliko je poznato, objavljeno je oko 200 članaka, pa i nešto brošura”; Mladen Švab, në artikullin e tij: Pravaš… Hrvatsko pravo. Zagreb. 1991, f. 23, sjell të dhënën se janë shkruar më shumë se 180 tituj; Petar Strčić – Bosiljka Janjatović, në studimin e tyre: O ubojstvu dr. Milana Šufflaja. Historijski Zbornik. Zagreb. 1993, viti XLVI, nr. 1, f. 89, sjellin 37 tituj; ndërsa ne bibliografinë që e kemi gati për botim, kemi shënuar 637 zëra bibliografikë.
[25] Në studimin tonë bibliografikë, ku janë shfletuar rreth 72 organe të gazetave dhe revistave të ndryshme, kemi arritur të saktësojmë se M. Šufflay ka botuar 3.219 zëra bibliografikë, përfshirë këtu edhe botimet e veçanta. Është kjo dëshmi e cila hedh poshtë të gjitha pohimet e deritanishme se Šufflay ka shkruar pak. Darko Sagrak, Policija pratila Šufflayn do smrti i dostavlja izvješća kralja u Beograd. Veçernji list. Zagreb. 43 (1999), nr. 12833 (19. VI.), f. 34 – 35.
[26] Për hollësi shiko edhe: HDA, Fond 832, Rukopisna ostavština Milana Šufflaja, (R. O M. Š), kutia 9, nr. 255; Zekerija Cana, Milan Shuflaj. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Shpalime historike. Prishtinë, 1985, f. 108; Tomislav Držić, Dr. Milan Šufflaj: Znanstvenik, političar i žrtva. Večernji list, Zagreb, 22 shkurt 1991, viti XXXV, nr. 9883, f. 29; në mënyrë të gabuar e shënon këtë datë, Geörgy Daniel në punimin e tij: Të dhëna për jetën dhe veprën e Milan Shuflajt. Gjurmime albanologjike – seria historike. /Recherches albanologiques – série historique/. Prishtinë, 1982, viti XI (1981), f. 287-291; Julio Szekfü, Tragedija Milana Šufflay. Magyar Szemle. Budapest, 1931, nr. 4, përkthimi i këtij artikulli është në kroatisht dhe ndodhet në HDA, RO M. Š., kut. 9, nr. 109-113 (1-10); të njëjtin artikull e sjell edhe Darko Sagrak, Dr. Milan Šufflaj hrvatski aristokrat duha. Zagreb, 1998, f. 155-161.
[27] HDA, RO M. Š. kut. 9, nr. 110 (3); Pavle Radić, Rukopisna ostavština Milana Šufflaja. Vodić HDA-Zagreb., f. 17.
[28] Stjepan Antoljak, Milan Šufflaj kao paleograf i diplomatičar. Arhivski Vjensik. Zagreb, 1995, viti XXVIII, f. 140.
[29] Gjatë kësaj vizite të vetme në Shqipëri, ai është shoqëruar nga Lumo Skendo (alias Mit’hat Frashëri), Hil Mosi, Abdurrahman Dibra, Mehdi Frashëri, etj.
[30] Grgo Pejinović, Dr. Milan Šufflaj i Crvena Hrvatska. /Tragovima hrvatske prošlosti./. Ustaša. Zagreb. 22 shkurt 1942, viti XII, nr. 8, f. 7.
[31] Millan Šufflay një pjesë të pergamenëve dhe dokumenteve origjinale i kishte marrë me vete me t’u kthyer në Zagreb. Sot nuk dihet asgjë për fatin e këtyre dokumenteve.
[32] HDA, RO M. Š. kut. 6, III/3, A. d., nr. 501-5014. Fotografitë janë ende të pabotuara dhe kanë një vlerë të jashtëzakonshme, për shkak se në to vërehen mbishkrime të ndryshme të gdhenduara në gurë në lokalitete të shumta të Shqipërisë, dhe sot disa nga to nuk ekzistojnë më.
[33] Profesor Shuflaj gjendet në kryeqytet. Arbënia, Tiranë, 16 janar 1931, viti II, nr. 126, f. 1.
[34] Lumo Skendo, Profesori Milan Shuflaj dhe histori e Shqipris. Vullneti i Popullit. Tiranë, 25 janar 1931, f. 3.
[35] HDA, RO M. Š. kut. 9, nr. 268 e 274.
[36] HDA, RO M. Š. kut, 9, nr. 193; Z. Cana – Y. Jaka, Letërkëmbimi i Milan Shuflajt rreth studimeve shqiptare. Populli shqiptar në kapërcyell të shek. XX. Prishtinë, 1991, f. 313; Titulli i bankës është i shkruar kështu në të gjitha dokumentet që kemi shfytëzuar deri tani.
[37] Kjo shumë e cila ndodhet edhe sot e kësaj dite në bankën e Zvicrës, është ekuivalente me 4 milion dollarë. Rreth kësaj shume ekzistojnë mendime të ndryshme të cilat janë të gabuara, ngase nuk janë konsultuar dokumentet arkivore që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës dhe ato në HDA të Zagrebit. Psh.: Josip Horvat, Hrvatski panoptikum, Zagreb, 1965, f. 229; të njëjtin gabim e përsërit edhe Tomislav Držić, në punimin e tij: Dr. Milan Šufflaj: Znanstvenik, političar i žrtva. Večernji list. Zagreb, 22 shkurt 1991, viti XXXV, nr. 9883, f. 29, të gjithë këta pohojnë se Šufflay-t i ishin paguar 100. 000 franga zviceriane