

Mimoza Ferraj, një nga protagonistet kryesore të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, rrëfen rolin e Ramiz Alisë dhe Sali Berishës, në procesin e ndryshimeve demokratike.

Ferraj, në një rrëfim për gazetën “Dielli”, New York, shprehet se Alia u gjend në presionin e brendshëm nga studentët për të lëshuar pushtetin, por zbatoi projektin e Lindjes për të mbetur sërish në pushtet komunistët, ndërsa për Sali Berishën thotë se kishte një rol ekuilibrues. Mimoza Ferraj deklaron se Lëvizja e Dhjetorit nuk i ka arritur qëllimet e saj, pasi pjesë e politikës së sotme janë njerëz të korruptuar dhe ish anëtarë të Byrosë Politike.

Intervistoi: Eneida Jaçaj
-Si e vlerësoni rolin e Diasporës Shqiptare në çështjet e komunitetit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë?

Shqiptarët e Diasporës, solidaritetin e nisën me kontributin që dhanë para dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Në kohën e komunizmit, Zëri i Amerikës ka qenë si një fanar i demokracisë në tunelin e errët të komunizmit, ka qenë mbështetja më e fuqishme pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri, të mos harrojmë; gjithashtu, të gjitha ndihmat dhe organizimet ushtarake dhe monetare që u bënë në luftën e Kosovës. Fryma kombëtare i kalonte oqeanet dhe kufijtë evropiane! Mos harroni se Diaspora ka mbajtur me bukë të gjithë familjet e tyre në Shqipëri, për të kaluar tranzicionin ekonomik, nga komunizmi, në tranzicionin demokratik. Diaspora Shqiptare ka qenë dhe është në krye të zhvillimeve dinamike, në krye të proceseve e gatshme në çdo kohë për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat në nevojë. Diaspora Shqiptare mbajti barën e financimit më shumë se dy dekada jo vetëm në luftë, por edhe në paqe; Diaspora Shqiptare ka qenë dhe do të mbetet solidare aktive dinamike dhe plot veprimtari. Atë që dua të nxjerr në pah është se Diaspora ndeshi në luftë grupin e lëvizjes marksiste-leniniste, ata ishin kundër përpjekjeve mes strukturave dhe kërkesave të tyre që kishin, dhe nga shërbimi kërkonin të minonin frymën kombëtare dhe solidaritetin e Diasporës.

-Ju jeni një nga përfaqësueset e Lëvizjes Studentore, qëllimi i së cilës ishte vendosja e sistemit demokratik në vend me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Si e shihni ju Shqipërinë sot pas 30 vitesh?
Problemi kryesor është pastrimi i politikës nga krimi dhe drejtësia! Duhet të fillojë me pastrimin e Parlamentit dhe të partive, të cilat nuk përfaqësohen nga politikanë, por nga biznesmenë, të cilët janë në bashkëpunim me bandat kriminale, dhe janë aty për interesat e tyre private. Këta janë më të rrezikshëm se vetë sistemi komunist që e mbajti popullin në skllavëri për 50 vjet; këtu nuk ke të bësh më me frymë komuniste, ke të bësh me frymë kriminale. Në Parlament janë të gjithë ushtarët e Byrosë Politike. Ramizi ka vdekur dhe ka lënë të tjerët pas. Tranzicioni duhet të marrë fund! Të gjithë aktorët e Ramizit duhet të largohen. Pasurinë që kanë bërë, është pasuria e shtetit! Ka vdekur shpirti te populli…populli është i lodhur me të njëjtat figura kriminale dhe pret që drejtësia të veprojë mbi këta kriminelë dhe të dalin njerëz të pastër me parti të reja, dhe të fillojë jeta normale për popullin shqiptar.

-Si arriti të formohej Lëvizja Studentore, dhe si u bëtë ju pjesë e saj?
Lëvizja Studentore i ka fillimet e veta që në nëntor të vitit 1990. Isha unë e para në 17 nëntor 1990, ku debatova me ministrin e Transportit të dërguar nga Z.Ramiz Alia, duke i shprehur zhgënjimin tim nga politika e PPSH-së, si dhe isha e para që i shpreha Ramiz Alisë në takim kthesën për krijimin e një partie studentore. Liria nuk kërkohet, fitohet! Iu futa rrugës së kërkimit të demokracisë, së bashku me të gjithë bashkëmoshatarët e mi për një demokraci të pastër e të sinqertë. Po kështu nuk llogarita as pasojat që do më vinin nga familja ime, të cilat ishin normale për kohën dhe mentalitetin e krijuar në vite.

-Si e shihni rolin e Ramiz Alisë në ndryshimin e sistemit? Ishte Lëvizja e Dhjetorit që detyroi Ramiz Alinë të lëshonte pushtetin, apo ishte një manovër për të bindur studentët se sollën ndryshimin, por që në fakt në pushtet mbetën sërish komunistët?
Ramiz Alia kishte si synim përçarjen e grupit të studentëve, me qëllim realizimin e synimeve të veta. Nuk ka shumë rëndësi përmbajtja, por ideja e saj e cila ishte që ne të përçaheshim. Ramiz Alia është përgjegjës për veprimet e H.Isait. Dhuna fillimisht ishte e pranishme dhe me intensitet të lartë, madje deri në eleminimin fizik. Prova e parë jam unë kur jam goditur fizikisht kur bëra polemikë në këtë takim me Ramiz Alinë, por pavaresisht gjithçkaje, çdo përpjekje e imja dhe e gjithë studentëve që më shoqëronin u vlerësua në fund me përmbysjen e sistemit komunist, duke i lënë vendin demokracisë. Trysnia e brendshme dhe sidomos ajo e jashtme, e detyruan Ramiz Alinë që të zbatonte projektin e vendeve të Lindjes komuniste, i cili, pavarësisht se është i njëjtë për t’u zbatuar, ndryshon në bazë të kushteve dhe rrethanave të vendeve. Ramizit i duhej të krijonte një rrëmujë, të krijonte parti të ndryshme, dhe njerëzit që do të përbënin partitë, do të ishin njerëz të vënë nga ai. Kështu, Ramiz Alia e filloi me shkollën e Mjekësisë. Me anë të sigurimsave, ai ngriti studentët në demonstratë. Ramiz Alisë nuk i interesonte ardhja e pluralizmit, por synimi i tij ishte që të shfrytëzonte demostratat e studentëve dhe më pas të zbatonte Katovicën. Por Sabit Brokaj, i cili nuk ishte i informuar për planin e Ramiz Alisë, si komunist dhe si administrator i shkollës që ishte, i shtypi demonstratat. Më pas i shkon pranë një nga krerët e sigurimit dhe i thotë: “Çfarë na bëre, na prishe punë?”. Urdhri kishte ardhur nga Ramiz Alia që çdo gjë të ishte e programuar. Pasi Sabit Brokaj ia dështoi planin, Ramiz Alia atëherë urdhëroi Pandeli Majkon që të hidhte një fletërrufe. Majko ishte shoku im i Universitetit, djali i sekretares së Universitetit, Janulla Majko. Kur doli fletë-rrufeja, Majko, Ilir Meta, Arben Imami, Edmond Budina, Skënder Gjinushi, Blendi Gonxhja zhvilluan një takim me Ramiz Alinë. Ramiz Alia pasi dështoi me Fakultetin e Mjekësisë, vijoi me të tjera universitete. Në takimin me 200 studentë erdhi ministri i Transportit. Brenda studentëve ishin edhe atë studentë që Ramizi i kishte zgjedhur. Pandeli Majko ishte i zgjedhuri i Ramizit.
-Cili ka qenë roli i Sali Berishës në procesin e ndryshimeve demokratike?
Një përfshirje aktive, pasi ishte ndër intelektualët që ne si studentë donim që të na mbronte interesat tona. Ai mori përsipër mjekimin e studentëve të plagosur dhe lirimin e të gjithë studentëve të ndaluar apo arrestuar nga policia. Roli i tij ka qenë ekuilibrist, mediator dhe tolerant, në “peshoren” midis policisë dhe shtetit.
-Si u krijua PD dhe a u instalua vërtet sistemi demokratik në vend?
Kjo gjë ndodhi pasi erdhëm në qytetin Studenti, ku gjërat dihen. Pastaj unë, Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Edmond Budina u mblodhëm në shtëpinë e Gramoz Pashkos dhe filluam të formulonim deklaratën e partisë që duhet të çohej në Ministrinë e Drejtësisë, të njihej zyrtarisht. Ai ishte programi minimal i PD-së, që u caktua të lexohej tërësisht në mitingun e shpalljes së partisë.
-Një mesazh për politiken shqiptare sot…
Personat që përfaqësojnë Parlamentin Shqiptar, vetëm politikanë nuk janë, por ata janë biznesmenë për të cilët e kanë arritur këtë status, duke vjedhur popullin shqiptar, pasurinë kombëtare dhe duke pasur si mbështetje bandat kriminale, duke e shndërruar vendin tonë në një “Kolumbi të dyte”, por ju siguroj ashtu si El Chapo që fati u vendos në Brooklyn të US, ashtu dhe fati i tyre do jete i njëjtë. Drejtësia vonon, por nuk harron!