U nda nga jeta në qytetin e Worcesterit në USA njëri nga pionierët e elektrifikimit të vendit, kryeinxhinieri i parë i Ndërmarrjes së Ndërtimit të Linjave të Tensionit të Lartë, njëri nga heronjtë e heshtur të atij brezi të mrekullueshëm, Inxh. Minella Papakostandini.
Minella lindi në qytetin e Beratit më 6 Gusht të vitit 1932 në një familje qytetare dhe intelektuale të madhe dhe të nderuar. Fëmijërinë Minella kryesisht e kaloi në qytetin e Durrësit. Ai shquhej nga shokët për rezultatet e larta në mësime si dhe për talentin që kishte në pikturë dhe skulpturë por dhe për besnikërinë dhe dashurinë që ai kishte për shokët dhe njerëzit në përgjithësi. Këto virtute e karakterizuan dhe shoqëruan gjatë gjithë jetës së gjatë dhe siç e thotë vetë ai në librin e tij të fundit “Dritëhijet e një jete të trazuar” Minelles iu desh të punonte që në moshë të re 12, 13 vjeç së bashku me profesorin e tij të pikturës në shtëpinë e kulturës të qytetit të Durrësit që ishte nga Italianët e mbetur në Shqipëri, profesor Kulluri si dhe shokët e tij të fëmijërisë Kristaq Ramen dhe Konstandin Leken. Iu desh të punonte pasi babai i tij u fut në burg nga regjimi i atëhershëm për 3 vjet dhe ishte Minella 13 vjeçar që mbajti familjen e tij si dhe paguante për vëllezërit dhe motrat që ishin më të vegjël…kjo skaliti tek Minella ndjenjën e përgjegjësisë si dhe rriti respektin e miqve dhe shokëve dhe të kujdo që e njihte. Për motrat dhe vëllezërit e tij nuk thonin janë fëmijët e Pandeliut por janë motrat e vëllezërit të Minellës. Mbas shkollës Minella punoi për më shumë se 30 vjet si kryeinxhinieri i ndërmarrjes së tensionit të lartë, kryenxhinieri i parë…një nga pionerët e parë të elektrifikimit të Shqipërisë. Brezi i nderuar i asaj plejade ndërtuesish dhe heronjsh të heshtur që nuk morën atë që meritonin as nga rregjimi komunist por as nga demokracia. Brezi që sakrifikuan çdo gjë dhe si shpërblim morën vetëm respektin dhe dashurinë e njëri – tjetrit.
Gjatë kësaj periudhe mori një mori medaljesh dhe urdhëra pune të klasit të parë…po i përmend pasi këto kohët e fundit i përmendte gjithmonë dhe nja dy edhe i vuri në kornizë. Minella është autori i mbi 14 librave teknikë si dhe mbi dhjetë libra artistikë dhe përkthime. Libri i tij i fundit i botuar me rastin e 90 vjetorit ishte i veçantë për të dhe kishte qejf që ta kujtonte dhe të bisedonte…përveç librave Inxh. Minella na ka lënë dhe një galeri të tërë me pikturat e tij bërë në vite të ndryshme si dhe skica politike në gazetat kombëtare në Shqipëri dhe Amerikë. Në jetën shoqërore Minella ishte një shok dhe mik i vyer, njeri që dëgjohej dhe respektohej dhe që fjala i peshonte. Djali i tij Alfredi na thotë për të atin që pata kënaqësinë dhe fatin të punoja mbas universitetit në institutin e ndërtimit dhe njoha aty shumë nga shokët dhe kolegët e babit, respekti ishte shumë i madh. Kur binte fjala për babin ato më thonin po e ka thënë Minella mos diskuto më…dhe e thonin me krenari dhe plot gojen. Kjo u duk në artikullin e gazetës “Drita” të para dy vjetëve nga komentet e kolegëve dhe shokëve të tij, legjendarëveve të ndërtimit të veprave madhore. Por Minella kishte dhe jetën familjare. Ai ishte një djalë i rrallë dhe vëlla i pa parë për prindërit dhe motrat që sakrifikoi aq shumë gjersa u bënë dhe ato ashtu siç dëshironin…Për familjen e tij i biri dhe 2 vajzat e Minelles thonë që babi ishte model i njeriut këmbëngulës dhe moralit të lartë. Babi ishte një bashkëshort shembullor për mamanë tonë Premtinen për 64 vjet. Njeri vetmohues dhe që na hapi horizontet dhe na e bëri rrugën e jetës sonç më të lehtë. Në punë e dinte që ishte i pari por në shtëpi edhe pse kishte peshë vinte pas mamasë.
Minella u bë një gjysh model për të gjithë nipërit dhe mbesat por njëkohësisht dhe një gjysh-baba i mrekullueshëm për fëmijët e vajzës së mesme mbas fatkeqësisë që e la vetëm në moshë të re. Minella la mbrapa gruan, djalin, Alfredin dhe 2 vajzat, Silvana dhe Lydra si dhe nipat e mbesat si dhe 2 stërmbesat. Për ta përfunduar desha ti themi Minellës që të kemi dashur dhe të duam dhe do të duam për sa kohë që do jemi këtu dhe do kujtohesh me respekt se njerëzit e mirë nuk harrohen kurrë.
Të qoftë dheu i lehtë dhe lamtumirë Kryeinxhinier Minella!