Sokol Paja/
New York më 16 Tetor 2021, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës z.Armend Mehaj u prit në një takim të përzëmërt e vëllazëror nga komuniteti shqiptar në Amerikë. Përgjatë vizitës në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, Ministri Mehaj u ndal te roli i jashtëzakonshëm që ka pasur diaspora shqiptare në Amerikë në ndihmë të forcimit të shtetit të Kosovës, veçanërisht dhe në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. “Ju jeni zemra dhe shpirti i kombit tonë” me këto falë iu drejtua të pranishmëve Ministri Mehaj gjatë takimit vëllazëror me personalitete të diasporës shqiptare në Amerikë, vatranë, kryetarë shoqatash, veprimtarë, mësues, aktivistë kombëtarë, gazetarë, patriotë, studiues etj. Ministri Mehaj në emër të shtetit të Kosovës falenderoi mërgaten shqiptare në Amerikë duke shprehur mirënjohje të veçantë për ndihmën e pakursyer ushtarake, ekonomike, politike, diplomatike, që mergata i ka dhënë Kosovës në etapat e luftës ndaj okupatorit serb, hapave për kosolidimin e shtetit ligjor e demokratik. Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës z.Armend Mehaj shoqërohej nga Ambasador Valdet Sadiku, Ambasador Frymëzim Isufaj, Atashe Qirici, diplomat Lulzim Krasniqi dhe stafi i tyre mbështetës. Ministri Mehaj dhe delegacioni që e shoqëronte mbeti i impresionuar nga pritja e bashkatdhetarëve në Vatër. Ministri Mehaj në takimin vëllazëror u prit nga autoritetet më të larta drejtuese të Vatrës, ku Editori i Diellit Sokol Paja i shpjegoi me detaje historinë e themelimit të Federatës Vatra, gazetës Dielli dhe rolit të patjetërsueshëm në shtetformim të kombit shqiptar që Vatra, Dielli dhe shqiptaro-amerikanët kanë dhënë per më shumë se një shekull ekzistencë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha ekspozoi për Ministrin Mehaj dhe ekipin diplomatik dhe ushtarak që e shoqëronte, rolin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Vatra në luftën e UÇKse, lobimin për pavarësinë e Kosovës, lobimin e Vatrës në Senatin Amerikan, Kongresin Amerikan, Departamentin e Shtetit dhe institucione të tjera të Shtetit Amerikan në dobi të zhvillimit dhe të forcimin të shtetit të Kosovës. Ministri Mehaj ekspozoi punën e shkëlqyer të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, modernizimin e forcave të Armatosura të Kosovës, rekrutimet dhe forcimin e ushtrisë së Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministri Mehaj falenderoi SHBA-të për angazhimin që Shtetet e Bashkuara kanë marre ne ndihmete ushtrisë së Kosovës, mundësinë për të marrë pjesë në misione të përbashkëta ushtarake, si një kontribut shumë i rëndësishëm në paqen rajonale dhe sigurinë globale. “Kordinimi me SHBA e ka kthyer ushtrinë e Kosovës në një forcë model dhe vetë Kosovën në një shtet të fuqishëm dhe në një aleat të sigurtë në të ardhmen edhe për NATO-n, si dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit” citoi Ministri Mehaj. “Veriu do të vihet nën kontroll dhe ligjshmëria do të mbizotërojë jo vetëm në Veri të Kosovës, por në çdo cep te Republikës së Kosovës. Provokimet serbe në Veri janë filma të vjetër të Serbisë të cilat kanë lënë një shije të keqe edhe tek ndërkombëtarët dhe në çdo moment ata do të goditen me forcën e ligjit. Edhe vetë serbët e Kosovës e kanë kuptuar këtë film të vjetër dhe lojë të pisët. Çdo gjë dhe gjithçka në Kosovë do të vihet në kontroll të plotë ligjor dhe fryma e funksionimit të shtetit do të jetë konform ligjeve të Kosovës” saktësoi Ministri Mehaj. Në përfundim të takimit vëllazëror, ministri Armend Mehaj dhe ekipi që e shoqëroi u entuzizmuan për mikpritjen dhe garantoi se çdo herë që të vijë në Amerikë, ai do ta vizitojë Vatrën, dhe se diaspora shqiptare në Amerikë ka vend të veçantë në zemrën e çdo shqiptari në Kosovë dhe Shqipëri.