
Mimoza Dajçi/
Koha ka treguar se jeta përballet me shumë sfida, kriza, siç janë varfëria, dhuna në familje dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, të cilat dëmtojnë sigurinë dhe harmonitë familjare, shoqërore, paqen e zhvillimin midis popujve të botës. Për t’u përballur me këto kriza dhe sfida, shkaqet e tyre duhet të adresohen duke promovuar dhe mbrojtur një frymë të përbashkët të solidaritetit njerëzor që merr shumë forma, sipas deklaratave të OKB-së, më e thjeshta është Miqësia.
Miqësia ndërmjet popujve, kulturave, rretheve të ndryshme shoqërore dhe individëve mund të frymëzojë përpjekjet për paqe dhe të ndërtojë ura mes komuniteteve. Nëpërmjet miqësisë, duke zhvilluar lidhje të forta besimi, mund të kontribuojmë në ndryshimet themelore të këtyre krizave dhe sfidave që na dalin përpara. Për miqësinë shkenca e mjekësisë thotë se: “Miqtë janë shumë të rëndësishëm për shëndetin fizik dhe mendor të njeriut në të gjitha fazat e jetës”.
Siç kemi edhe ne shqiptarët një shprehje tepër të veçantë për miqësinë, “Më mirë një mik se një çiflik, ose “E kam mik/mike për kokë”, çfarë tregon se besimi mes palëve është në një nivel të lartë, që në fakt nuk ndodh gjithmonë. Ka raste kur në rrethana të ndryshme dikush gjindet në një hall të madh, miku që mendon se e ka për kokë, shikon rehatinë e tij e nuk i përgjigjet. Ai nuk mund të quhet më mik/mike për kokë.
Nuk ka rëndësi nga vjen e ku shkon, rëndësi ka të jetë një miqësi respektivisht e besueshme dhe jetë gjatë kudo që jeton e punon. Kanë thënë se Ilaçi më i mirë i miqësisë është koha, sa më e besueshme është ajo, aq më e bukur dhe e qëndrueshme është.
Por për të arritur qëndrushmëri dhe stabilitet, “Duhet një rrjet sigurie që do të na mbrojë të gjithëve dhe të krijojë pasion për një botë më të mirë ku të gjithë janë të bashkuar për të mirën madhore të përbashkët, pasi miqtë janë aty për të na ndihmuar në momente të vështira dhe për të festuar momentet e mira sëbashku”, shkruhet në materialin zyrtar të Kombeve të Bashkuara, për Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë,
Miqtë nuk janë të rëndësishëm vetëm në nivel individual. Miqësia mund të jetë gjithashtu e rëndësishme në një nivel global. Miqësitë që kalojnë kufijtë mund të ndihmojnë në sjelljen e paqes dhe shmangien e luftës. Duke qenë se miqësia përfaqësohet në nivel universal, OKB ka njohur Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë, ku gjithashtu përfshihen edhe të rinjtë, si udhëheqës të ardhshëm, në aktivitetet e komunitetit që përfshijnë kultura të ndryshme duke nxitur mirëkuptimin dhe respektin ndërkombëtar për diversitetin.
Miqësitë vijnë në të gjitha format dhe madhësitë. Ata/ato mund të jenë dikush që i kemi takuar qysh fëmijë, një shok klase në shkollë, dikush që e kemi takuar në punë, etj. Ata mund të jenë miq që jetojnë në distancë në një vend tjetër ose miq virtualë që kemi njohur nëpërmjet internetit. Por kushdo qofshin, sido që i takojmë, ka një lidhje të veçantë të bazuar në një histori dhe interesa të përbashkëta, duke shijuar, duke bërë gjëra së bashku ose thjesht duke folur dhe kuptuar njëri tjetrin.