Irena Dragoti/
Ta tregosh mirënjohjen, duhet të dish më parë ç’ është ajo! Mirënjohja, “borxhi “që mbetet pa shlyer plotësisht prej mungesës së kontureve, detyra që nuk delegohet pasi askush nuk e shlyen dot si ti e sa ti, është pengu i përmbushjes së plotë! Mirënjohja si një nga virtytet universale të njerëzimit, lind e ushqehet sa fitojmë ndërgjegjen me atë përkundrejt Zotit , përkundrejt dashurisë prindërore, përkundrejt natyrës , familjes, mësuesve, miqve, kolegëve, heronjve etj etj. Sot do të ndalesha tek ajo ndaj lexuesit tim! Çdo kah mirënjohje ka formën e vet të shpërfaqjes. Nëse kundrejt njeriut nis me fjalën, kundrejt natyrës duhet vepra, kundrejt Zotit lutjet , kundrejt lexuesit mbetet letërsia dinjitoze! Mirënjohja nuk është varësi por reciprocitet, nuk kërkohet, por duhet dhënë! Evolojnë me vitet veç format e përshfaqjes por virtyti mbetet unik në çdo epokë nëse dëshiron ta veshësh. Në pozitat e një vargshkrueseje pyes veten: -A jam mjaftueshëm mirënjohëse kundrejt lexuesit tim, për kohën e leximit? Ai që më mbështet mua në këtë udhë, ai që më lexon, nuk meriton fletërrrufe poetike, mllef poetik, nuk meriton të ngushtohet banalitetin e zënkave personale, pra në narcizmin tim! A ia kam dalë të mos krijoj të tilla? Lexuesi nuk është kosh për të hedhur pakënaqësitë personale!
-Po si ka udhëtuar mirënjohja nga antikiteti deri ne ditët tona?- pyes veten!
Cilat janë përpjekjet apo faktet që e kanë himnizuar atë si virtytin e lumturisë?
Historia përveçse kujtesë është etalon , përvojë, e udhë drejt së ardhmes. Në mendimin grek dhe romak, mirënjohja shihej si një virtyt thelbësor për harmoninë shoqërore dhe vetë-përmbushjen. Aristoteli, në “Etikën Nikomakiane”, e përfshinte mirënjohjen si pjesë të drejtësisë dhe e shihte atë si një obligim ndaj të mirave që marrim nga të tjerët. Nga ana tjetër, Stoikët, si Epikteti dhe Seneka, theksonin se mirënjohja është një akt i brendshëm që na çliron nga ankthi dhe na lidh me rendin natyror. Për Senekën, mirënjohja nuk duhej të ishte një detyrim i jashtëm, por një shprehje e sinqertë e shpirtit për të njohur dhuratat e jetës. Mirënjohja është ndërtuese e marrëdhënieve njerëzore, thotë filozofi modern Immanuel Kant, duke vendos mirënjohjen në kategorinë e detyrimeve morale, duke e parë atë si një akt që nderon bashkëudhëtarët e tu. Për Kantin, kur jemi mirënjohës, ne pranojmë se jemi pjesë e një komuniteti moral ku askush nuk është i vetë-mjaftueshëm.
Ndërkohë, David Hume, në qasjen e tij empiriste, e lidh mirënjohjen me emocionet dhe shprehet se ajo është një përgjigje e natyrshme ndaj akteve të dhembshurisë dhe bujarisë. Përmes mirënjohjes, njerëzit forcojnë ndjenjën e përkatësisë dhe krijojnë ura lidhëse që i mbajnë shoqëritë të bashkuara. Filozofia ekzistencialiste e shekullit XX ka ndihmuar në thellimin e konceptit të mirënjohjes si një përgjigje ndaj dhuratës së ekzistencës. Albert Camus, në meditimet e tij për absurditetin, na fton të shohim mirënjohjen si një akt rebelimi ndaj indiferencës së universit dhe një pohim i vlerës së përvojave tona. Mirënjohja është mësim për shoqërinë moderne e cila duke i dhënë përparësi ambicieve dhe kërkesave materiale në një botë të dominuar nga shpejtësia dhe konkurrenca, harron të ndalet dhe të vlerësoj gjërat e thjeshta. Sipas filozofit bashkëkohor Alain de Botton, mirënjohja është një akt i vetëdijshëm që na ndihmon të përballojmë ndjenjat e zbrazëtisë dhe tjetërsimit, duke na lidhur me nj-tj. Në vitin 1886, Franca i dhuroi Shteteve të Bashkuara, Statujën e Lirisë, si shenjë miqësie dhe mirënjohjeje për mbështetjen e SHBA gjatë Revolucionit Francez.
Holanda dhuron çdo vit tulipanë, Kanadasë si shenjë mirënjohje për ndihmesën gjatë luftës së dytë botërore. Që nga viti 1947, Norvegjia i dhuron Londrës, një pemë të madhe Krishtlindjeje si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pema vendoset në Sheshin Trafalgar. Mahatma Gandi tregoi mirënjohje për popullin e tij përmes filozofisë së mosdhunës, duke frymëzuar miliona njerëz të luftojnë për liri dhe të drejta pa përdorur dhunë, një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë botën. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA nisi Marshall Plan për të ndihmuar rindërtimin e vendeve të shkatërruara në Europë, duke treguar mirënjohje për aleancën dhe për të kontribuar në stabilitetin global. Mirënjohja nuk ka tagër fuqie, moshe, përmase , pozite shoqërore apo kohe ndaj ajo manifestohet në forma të ndryshme si një gjest simbolik, ndihmë konkrete apo trashëgimi e përhershme mes njerëzve, institucioneve apo kohës, Zotit apo natyrës! Unë mbetem e mendimit se mirënjohja është tipar i lindur, mënyrë të menduari e jetuari në një botë ku shpesh përqendrohemi tek ato që na mungojnë, pa çmuar ato që kemi. Të jesh mirënjohës do të thotë të kuptosh se jeta nuk është thjesht një rrjedhë rastësish, por një dhuratë e këmbim. Mirënjohja nuk është përulje por ndërgjegjësim e krenari. Një aspekt i rëndësishëm i mirënjohjes është aftësia për ta shprehur me fuqinë për ta ndarë lumturinë barabar mes atij që e jep e atij që e merr. Mirënjohja mbetet gjithmonë një ndalesë e nevojshme që na rikthen te thelbi i ekzistencës!. Është akt e zgjedhje e ndërgjegjshëshme, forcë transformuese që perfeksionohet duke e praktikuar. Kur e ushtrojmë rregullisht mirënjohjen, ajo kthehet në një mënyrë të të jetuarit ose “ ves” i vlerë. Kushdo që ka lexuar “Les Misérables” – Victor Hugo është mbresuar nga Jean Valjean, ku një ish-i burgosur, falet dhe ndihmohet nga peshkopi Myriel, pra shpëtohet nga dënimi për vjedhje, por njëherazi i jep atij argjendin e shtëpisë së tij, si një mënyrë për të nisur jetë të re. Akti i mëshirës së peshkopit ndryshon jetën e Jean Valjean-it dhe është një shembull i fuqishëm i transformimit njerëzor përmes mirënjohjes. Në librin”The Alchemist” – Paulo Coelho, gjatë udhëtimit për të gjetur thesarin, Santiago mëson rëndësinë e të qenit mirënjohës për çdo pengesë dhe përvojë, pasi ato e ndihmojnë të rritet dhe të kuptojë vlerën e vërtetë të ëndrrave të tij. “A Christmas Carol” – Charles Dicken, Familja Cratchit, pavarësisht varfërisë së tyre, shprehin mirënjohje për njëri-tjetrin dhe për jetën, duke treguar se mirënjohja nuk është e lidhur me pasurinë materiale, por me dashurinë dhe ndihmën që marrin. “Mirënjohja nuk është vetëm virtyti më i madh, por edhe prindi i të gjithë virtyteve të tjera.” – thotë Cicero “Mirënjohja shndërron atë që kemi në mjaftueshmëri dhe më shumë. Ajo kthen mohimet në pranime, kaosin në rend, dhe konfuzionin në qartësi.” – ngulmon Melody Beattie.
Sa bukur kur zbulon se mirënjohja përmbush të parin atë që e jep atë dhe normalisht një njeri i përmbushur bën veç vepra të vlera. Mirënjohja bën atë që nuk do ta bënte dot asnjë lloj pushteti ligji apo rendi pasi ai veprim, ndjesi a virtyt nuk kufizohet te një individ i vetëm kur e dhuron .Virtytet tona apo të mirat që përftojmë duke filluar nga koha e njerëzve e deri te kujdesi mbështetja a ndihma e tyre janë bërthama e rrjedhimeve që vijnë për familjen, shoqërinë apo natyrën! Mistiku persian Rumi e konsideron mirënjohjen si një mënyrë për të përqafuar çdo aspekt të jetës me dashuri dhe pranim. Pas shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, Franca dhe Gjermania nënshkruan Paktin Elysee në vitin 1963, duke u zotuar për bashkëpunim dhe paqe. Ky pakt ishte një shenjë mirënjohjeje për pajtimin midis dy kombeve dhe një hap drejt krijimit të një Europe më të bashkuar. Pas përfundimit të apartheidit në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela tregoi mirënjohje për të gjithë ata që luftuan për liri dhe barazi duke promovuar pajtimin kombëtar. Ai ftoi edhe ish-armiqtë e tij politikë në bisedime, duke dëshmuar se falja është një nga format më të larta të mirënjohjes për jetën dhe njerëzit. Ekonomisti indian Jagdish Bhagwati ka marrë mirënjohje të veçantë nga vendi i tij për përpjekjet e tij në përmirësimin e politikave të zhvillimit ekonomik dhe për promovimin e ideve që ndihmuan miliona njerëz të dalin nga varfëria. Mirënjohja si forcë lidh njerëz, kombe dhe breza, duke krijuar ura për një të ardhme më të ndritur dhe më të bashkuar.
Çfarë ndodh kur ajo mungon?
A demoralizon?
A ul vetvlerësimin?
A frenon ?
Duhet një forcë e madhe për t’mos u pushtuar prej asnjë nga reteorikat më sipër. Mos u nis të bësh mirë pa u pregatitur për mosmirënjohjen,- thotë Konfuci!. • Galileo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në shkencë dhe në kuptimin tonë të universit, por në vend të mirënjohjes, ai u dënua nga Inkuizicioni për pikëpamjet e tij që kundërshtonin doktrinat e kohës. Vincent van Gogh, nuk mori njohjen dhe mirënjohjen që meritonte sa ishte gjallë nga shoqëria e kohës por u vlerësua vetëm pas vdekjes. Nikola Tesla dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e teknologjive moderne si energjia elektrike dhe komunikimet, por ai shpesh u keqtrajtua dhe u shpërfill nga korporatat dhe bashkëkohësit e tij, duke e lënë të vdesë në varfëri dhe harresë. Pra shohim se mungesa e mirënjohjes nuk i ndali ata të bënin atë që dinin më mirë, t’i dhuronin njerëzimit pa kthim art, shkencë, përkushtim. Ata nuk ngatërruan egon me detyrimin që ndjenin brenda vetes se duhej të vazhdonin! Ata respektuan nevojën e shumicës jo dashakeqësinë e disa individëve të shkëputur! Tek kujtoj filmin “Schindler’s List” ku Oskar Schindler, një industrialist gjerman, shpëton qindra hebrenj gjatë Holokaustit duke i punësuar në fabrikën e tij. Në një nga skenat më prekëse, hebrenjtë i dhurojnë atij një unazë me mbishkrimin: “Ai që shpëton një jetë, shpëton botën mbarë.” Kjo sekuencë përçon mirënjohjen e thellë që ata ndjenë ndaj tij. ….apo filmin tim të preferuar “Gladiator” (2000) Komodusi, duke vrarë të atin, perandorin Marcus Aurelius, dhe duke tradhtuar Maksimusin, simbolizon mosmirënjohjen ndaj vlerave dhe trashëgimisë familjare. Ndërkohë, Maksimusi mbetet një simbol i nderit dhe mirënjohjes për të kaluarën e tij.
Në Kuran, thuhet “Allahu nuk ka nevojë për mirënjohjen tuaj, por Ai e do atë te besimtarët.” (Sure Ez-Zumer: 7). Bibla gjithashtu vendos një theks të madh në mirënjohjen si një shenjë dashurie “Falënderojeni Zotin, për çdo gjë falënderojeni; sepse kjo është dëshira e Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” (1 Selanikasve 5:18).
Si në Kuran, ashtu edhe në Bibël, mirënjohja është detyrim moral dhe shpirtëror. Të dy tekstet e shenjta i lidh mirënjohja.
Po ne çfarë na lidh me lexuesin? Kur ai jep kohën, jep mbështetjen, pse i kërkojmë edhe rolin e gjykatësit në problemet personale? Pse kërkojmë të zgjedhë-“o me ne , o me ata”. Pse nuk e konsiderojmë letërsinë mision paqtimi dhe ngushëllimi për të? Pse duhet ta mbajmë në gjendje lufte të përhershme praninë e tij!
Duke iu drejtuar vetes me trokitje të forta në ndërgjegje” – Bëj letërsi aq sa di e mundesh- mendoj se indirekt kam vënë një tullë në atë çka quhet detyrim moral ndaj lexuesit, shoqërisë dhe vendit tim!
Mirënjohja, kjo ndjesi e paqtë duhet menduar se çdo ditë të re që lind e ka ditën e parë të saj ndaj lexuesit! Pa analizuar çfarë e jap e marr kuptoj se duhet të sillem sikur kam marrë gjithçka e kam dhënë kurrgjë! Pra unë ndihem “borxh” ndaj lexuesit ! Koha e tij meriton mirënjohjen nëpërmjet letërsisë së vërtetë!