Emi Krosi/
Kur në jetë vlerësohesh, për veprën tënde, sidomos në kozmosin e madh të letërsisë, pasi kur fillon të shkruash mendon se unë do të bëhem “më i madhi”, apo unë do të arrij në majë, por përmes zjarrit të kudhrës së durimit, duhet të farkëtosh të ardhmen tënde, sidomos përmes librave dhe leximeve, e kupton që ke mbetur në fund. Por, të shkruarit nuk ka garë. Nuk bëhet turravrap. Ajo do durim, kohë, që vetë “horizonti i pritjes”, të shpalosë gjithë atë peshtaf të botës tënde letrare dhe të shkrimtarisë. Po si? Përmes interferencave të kohëve të reja, përmes kumteve të vlerave, përtej vetëvetes, kur i mat vlerat edhe me të tjerët dhe nuk je aq egosit, për të thënë: ua, sa i madh jam!
Në sfondin vjeshtës së Tiranës, ku rrugët kanë shtruar tapetin ngjyrë okër, areola e pemëve tashmë ka zhveshur gjymtyrët e tyre të drunjta, në tetorin e librit, Namik Selmani, vjen me një monografi, të shkruar shkurt por bukur, për Adnan Mehmetin, me titull: “Fuqia e fjalës, së Adnan Mehmetit”; e përbërë nga këto pjesë:
– pjesa e parë; (rrugëtimi njëzetvjeçar në familjen e madhe të Lidhjes Shqiptaro-
Amerikane të Shkrimtarëve, poeti A. Mehmeti, e lidhi jetën, veprën, përditësinë me atë Lidhje), për të ndryshuar, ndoshta edhe historinë e trishtë, të kësaj lidhjeje që fillesat e saj i ka që nga emigrantët e parë shqiptarë në Amerikë. Në atë komunitet të madh, ka lindur gazeta “Dielli”, u themelua Kisha Autoqefale Ortodokse e udhëhequr nga At. Noli, ka lindur VOA, (Zëri i Amerikës në shqip), pastaj lindja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Amerikës e shumë …e shumë organizata të tjera. Shumë punë, duke shpalosur librin dhe gjuhën shqipe para lexuesit amerikan, duke mbledhur dhe promovuar në një panair libri, shumë shkrimtarë dhe poetë shqiptarë që jetojnë në Amerikë: po, ky emocion ka edhe një emër. Një emër organizatori. Është libri, por dhe ata që e ideojnë këtë aktivitet. Por, merita ka dhe për botimin e “Penës”, revistë e Shoqatës, ku promovohen të gjithë krijuesit shqiptar në mbarë hapsirën amerikane. Po, ashtu edhe shtëpia “Adriatic Press”, një shtëpi që promovon vlera duke botuar, libra dhe përkthime cilësore, ashtu siç “Albumi” i Fan Noli-t, që ribotohet pas 75 vitesh. Ja çfarë shkruan autori: “ Adriatic Press” ka të drejtën për të botuar revistën “PENA” organ i shoqatës, si dhe të gjitha librat që lidhen me shoqatën e shkrimtarëve”. Edhe aktiviteti, me rastin e 45-vjetorit të vdekjes së Nolit me Shoqatën në Boston, apo edhe pejzazhe, meditime, kujtime, intervista, publikime, shkëmbime idesh dhe promovime, takime letrare etj., vinë si kurora mbi këtë libër, për nderim të veprës dhe punës së Adnan Mehmetit.
– pjesa e dytë: (është më poetike dhe letrare, me persiatje, vështrime, kumtesa, recensa
dhe qasje kritike për veprat e poetit dhe shkrimtarit Mehmetit, konkretisht “Ndajfoljet e vendit” poezi dhe udhëpërshkrimet tek libri “Simfonia e udhëtimeve”). Autoi ka risjellë shkrimet e miqve, por edhe të pjestarëve për veprën e tij, jo vetëm letrare, por edhe për eventet letrare-kulturore, si edhe për “artin” e organizimit të konkurseve, apo edhe të festivalit të poetëve shqiptarë në Nju -Jork. Nuk mungojnë edhe shkrimet për veprën letrare, por sidomos për veprën me udhëpërshkrime; “Simfonia e udhëtimeve”, një urë komunikimi mes vendeve, popujve, kombeve, feve, besimeve dhe kultura të ndryshme. Marrëdhënia mes një kulture të një kombi shumëmilionësh, shumëgjuhësh dhe multikulturor, përballë një kombi me një gjuhë më të vjetër në botë dhe me kulturën më të lashtë, të trasmentuar brez pas brezi nëpër shekuj.
Sëfundmi: libri na rrëfen sesi, A. Mehmeti, ka arritur të krijojë një njësi të përbashkimit të gjithë shkrimtarëve, artistëve dhe kulturologëve që jetojnë në gjithë hapsirën e madhe Amerikane, të mblidhen, të promovojnë vlerat e kulturës tonë të lashtë Iliro-Dardane, sidomos të gjuhës shqipe, një gjuhë, që pas gjashtëmijë vitesh, akoma flitet dhe shkruhet nga folësit e saj shqiptarë.