Shqiptaro-Amerikanët nderuan Senatorin Bob Dole mikun e madh të kombit shqiptar, në 1 vjetorin e largimit në amshim. Mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe punën e palodhur për popullin shqiptar, posaçërisht për Kosovën përgjatë tridhjetë viteve të shërbimit të tij si lider i Senatit, burrë shteti dhe hero amerikan. Nderimi prej personaliteteve të shquara Shqiptaro-Amerikane u zhvillua, në Arlington pranë vendit ku pushon përjetësisht. Në respekt, vlerësim, mirënjohje e përkujtim të Senatorit Bob Dole, miku dhe bashkëpuntori i tij i ngushtë Jim Xhema i shoqëruar nga veprimtarë aktivë dhe historikë të komunitetit Shqiptaro-Amerikan bënë homazhe tek varri i tij në varrezat kombëtare. Ky 2 shkurt shënon një vjetorin e lamtumirës së përjetshme të Senatorit Bob Dole. Ai pushon në Varrezat Kombëtare në Arlington, vendin e përmotshëm të heronjve amerikanë. Senatori Dole, si kryesues i Senatit së bashku me 7 Senatorë në vitin 1990 vizitoi Kosovën ku u prit nga Presidenti Rugova dhe liderë të shqiptarëve ku dha zotimin para përfaqësuesve të pushtetit serb se ndryshimi po vjen. Nga kjo vizitë në Kosovë filloi bashkudhëtimi i Amerikës dhe Kosovës që kulmoi me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës prej okupatorit serb. Respekt e lavdi Senatorit Bob Dole. Mirënjohje të përjetshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës.