Eugjen Merlika/
Thonë se në lashtësi, në një nga vendet e Lindjes, një mbret i ri, i sapo kurorëzuar në moshën njëzet vjeçare, ishte i etur të njihte historinë e njerëzimit. Thirri pranë tij dijetarët e mbretërisë dhe i ngarkoi atyre detyrën t’a shkruajnë atë. Mbas dhjetë vitesh pune para mbretit u paraqitën dijetarët me një karvan prej njëqind devesh të ngarkuara me rrasa guri, në të cilat ishte shkruar historia. Mbretit i u duk një punë shumë e lodhëshme leximi i tyre e kërkoi përmbledhjen e saj.
Dhjetëvjeçarët kalonin. Historianët e moçëm e pasonin detyrën tek te rijtë. Pakësohej numuri i deveve me rrasa guri por mbreti, tashmë i përthyer nga problemet e qeverisjes e pa entuziazmin e djaloshit njëzet vjeçar, nuk vendoste të mësonte historinë aq shumë të dëshiruar. Në shtratin e vdekjes, me sytë e shuar dhe flokët e zbardhura, i cëmbonte në tru mendimi se po largohej nga kjo botë pa njohur të shkuarën e saj. Mblodhi si dikur dijetarët e mbretërisë e u kërkoi që, me pak fjalë, t’i bënin të mësonte historinë e njerëzimit. Atëhere më i moshuari i tyre u afrua pranë shtratit dhe i tha: “ Madhëri, njeriu lind, jeton dhe vdes. Kjo është historia e njerëzimit.”
Në këtë hark kohor, në të cilin dy pikat anësore përfaqësojnë ardhjen dhe largimin nga kjo botë, rrjedhin në të gjithë larminë e tyre jetët e njerëzve të cilat, të bashkërenduara nga kode rregullash e ligjesh, bashkohen si vijat e ujit në shtratin e një lumi për të formuar shoqëritë e kombet. Rrjedhat e tyre përfundojnë në detin e gjërë që është njerëzimi e ndërthurja tyre përbën atë që quhet historia e njerëzimit. Çdonjeri prej nesh është një pikë uji në oqeanin e madh të njerëzimit, por jetët dhe personalitetet e njerëzve nuk shëmbëllejnë si pikat e ujit. Ata kanë secili të veçantën e tij, duke filluar që nga pamja e jashtëme për të përfunduar tek bota e brëndëshme e padukëshme e mendimeve, ndjenjave, fantazisë, vullnetit, aspiratave, sendërtimi i të cilave përcakton rolin dhe vendin që secili ze në bashkësinë në të cilën jeton. Ai rol e ai vend janë tregues të jetëgjatësisë së individit në kujtesën e përgjithëshme gjatë jetës dhe mbas fundit të saj tokësor. Ndërsa mbi shumicën e stërmadhe të emrave bie pa mëshirë pluhuri i harresës, mbi pak prej tyre ai nuk ve shtresë, nuk arrin t’i mbulojë.
Një prej këtyre emrave është ai i At Zef Pllumit, jeta tokësore e të cilit u ndërpre në mbrëmjen e vonë të 25 shtatorit, në një nga spitalet më të njohura të Romës, në Polikliniko Gemmelli. Parabola e jetës së tij filloi në mars 1924, një vit fatal për demokracinë shqiptare, në zemrën e Arbërisë së lashtë, në malësinë e Lezhës, ku Skënderbeu thirri Kuvendin themelues të Lidhjes shqiptare dhe përfundoi në kryeqytetin mijravjeçar të botës antike, në Romën e përjetëshme. Ajo qe një varg i gjatë mundimesh, vuajtjesh, dhimbjesh e sakrificash të pafundme që dhuna komuniste pa mëshirë i hodhi mbi shpinë, si orteqet e borës së Alpeve të Shqipërisë, që kur ishte një djalosh i ri e deri sa trupi u kërrus nga pesha e tyre dhe e moshës. Gati gjysma e jetës burrërore të tij kaloi nëpër burgjet politike të Shqipërisë komuniste.
Ishin ata kampe vdekjeje e pune të detyrueshme, në njëzet vitet e para të diktaturës, tempujt e shqiptarizmit ku ishin mbyllur mëndjet më të vyera e më cilësore që kishte Shqipëria edhe se të kthyera në kavie sprovash nga kriminelë me pushtet, para të cilëve Jozef Mengele ishte një kopje e zbehtë. Prej bisedave të tyre prifti i ri mësonte historinë dhe bëmat e tokës amtare, i depozitonte thellë në kujtesën e tij të pazakontë, për t’i rrjeshtuar më vonë në veprën e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregue”. Ata njerëz, dikur elita kulturore e kombit, me trupa të shtrembëruara nga torturat, uria e puna shtazore, ishin për te si hojet e bletëve ku ai gjente nektarin e dijes njerëzore dhe substancat e koncentruara të karakterit e të moralit të shqiptarit.
At Zef Pllumi ishte një personalitet shumëplanësh. Ishte prift katolik, i vendosur të predikonte fjalën e Krishtit e të zbatonte mësimet e tij. Ishte një vrojtues i hollë i njerëzve, i jetës e dukurive të saj, cilësi këto që përbënin humusin e mjeshtërisë së shkrimtarit. Por ai nuk ishte vetëm shkrimtari katolik, ishte dhe tribuni i fjalës së lirë, ishte qytetari demokrat që jetonte me problemet e përditëshme të Vendit të tij, që nuk merrej me politikën aktive por e shikonte atë me syun kritik të atdhetarit, të dashamirësit të fateve të popullit të tij. Si meshtar katolik i takoi të përballonte, së bashku me kolegët e tij, furtunat më të fuqishme që historia bashkëkohore ruajti për Kishën katolike. Besoj se nuk ka institucion, në botën e diktaturave të shekullit të shkuar, të meritojë titullin e martirit më shumë se Kisha katolike shqiptare. At Zef Pllumi ishte një shërbyes i bindur e besnik i saj. Si i tillë ai e mbajti kryqin mbi shpinë gjatë gjithë jetës. Kalvarin e tij e përballoi me guxim, përvuejtëri, kurajo e stoiçizëm, duke qëndruar në këmbë, pa u rrëzuar, me besim të patundur në ndihmën e Zotit, me shpresën e palëkundur në fjalën e Krishtit.
Ishte afër të shtatëdhjetave kur rifilloi të predikojë në kishën e Shën Andoit në Tiranë. Në atë proçes të gjatë e të fuqishëm që ishte ringjallja e Kishës katolike shqiptare At Zef Pllumi mbeti një famullitar i thjeshtë, nuk u ngjit në hierarkinë e krijuar rishtas e, thuhet, se marredhëniet me të nuk ishin idilike. Nuk jam në brendësi të atyre marredhënieve, por nuk më duket bindës fakti që një martir me curriculum vitae dhe aftësitë intelektuale të tij të mbetej një famullitar i thjeshtë në një vend si Shqipëria, Kisha katolike e së cilës kishte pësuar valën asgjësuese më shkatërrimtare që kishte njohur në historinë e saj dymijëvjeçare. Të mbijetuarit e asaj vale meritonin më shumë vëmëndje….
Sot Zefi është takuar me etërit e tij shpirtërorë, ata klerikë, atdhetarë e demokratë të masakruar nga komunizmi, që aq shumë ndihmesë i dhanë formimit atdhetar të shqiptarëve e kulturës së tyre. Ai ka shkuar ballëhapët dhe ata e kanë pritur me shumë dashamirësi, mbasi Zefi i vogël, që ata e kishin patur nxënës në bangot e Kolegjit françeskan, e kaloi provën më së miri. Ai arriti në majat e jetës kulturore të popullit të vet dhe amanetin e tyre për të dëshmuar të vërtetën e sendërtoi plotësisht. “Rrno vetëm për me tregue” kishte qënë porosia e atyre që patën largpamësinë të parashikonin tragjedinë e dhimbëshme që do të përplasej mbi Shqipërinë. At Zefi e tregoi atë mbas një gjysëm shekulli, thjesht, pa shtesa e zbukurime, duke na lënë një vepër të pavdekëshme. Në të ai na tregoi historinë tonë të vërtetë, me hollësitë e saj të llahtarëshme, atë histori që, ende sot, shumë kujt në Vendin tonë nuk i vjen për mbarë t’a shohë të shkruar e, aq më pak, të nxënë nga brezat e rinj.
Nëpërmjet shkrimeve të tij e faqeve të Hyllit të Dritës, revistës të të madhit At Gjergj Fishta, të cilën ai e ringjalli për lexuesit shqiptarë, At Zefi foli me gjuhën e meshtarit e të martirit të fesë, të apostullit të kulturës e kultivuesit të vlerave të pavdekshme të popullit të vet por, mbi të gjitha, me gjuhën e së vërtetës. T’a respektojmë të vërtetën, mos t’a dhunojmë e shtrembërojmë atë, t’i qëndrojmë besnikë pasqyrimit të saj edhe atëherë kur nuk shkon në dobinë tonë, këta ishin mësimet që At Zef Pllumi na la si porosi nëpërmjet jetës e veprës së tij.
Ai e shpalli dhe e mbrojti të vërtetën në të gjitha format dhe shfaqjet e saj, në shkrime, predikime, biseda e sugjerime për politikën e mbarëvajtjen e shtetit dhe te shoqërisë. Ishte ky parim që e bëri veprën e tij jo vetëm dëshminë më të fuqishme artistike të dikaturës komuniste shqiptare, por edhe bartëse të një mesazhi të fortë moral, jo vetëm për lexuesin e sotëm por edhe për brezat që do të vijnë.
Prandaj ne sot nderojmë me gjithë zemër kujtimin e tij e ndjejmë një kënaqësi të veçantë kur dijmë se ai pati sodisfaksionin për së gjalli të vlerësohet si “Nder i Kombit”, vlerësim që shpërblen jo vetëm personin, por edhe historinë e tij dhe ndihmesën e dhënë në kulturën e shqiptarëve. Sot Shqipëria e fesë dhe kulturës ka veshur petkun e zisë. Sot ajo përciell në banesën e fundit, në tokën e Shkodrës së lashtë, një bir të saj të shquar, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën e saj.
Shtator 2007
Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011