…. rreth Hysni Toska, një personaliteti i harruar i trevës së Roskovecit, Fier/
Shkruan: Gëzim Llojdia/
1.Luari është fshati i lindjes së Hysni Toskës. Ai ndodhet në pjesën administrative të bashkisë Roskovec ne qarkun e Fierit. Shtrihet në një lartësi 154 m mbi nivelin e detit dhe kufizohet ne lindje me fshatin Kurjan, ne veri me fshatrat Vidhishte dhe Kuman, në perëndim me fshatin Zharrez dhe ne jug me fshatin Siqece. Sipërfaqja e tij është 1120 ha,thotë autori Nuri Plaku, në një biografi të gjatë dhe studimore kushtuar personalitet Hysni Toskës. Po të bëjmë një retrospektivë do të shohim se ndarja e parë territoriale, pas shkëputjes nga Perandoria Otomane është bërë në vitin 1923 dhe Krahina e Roskovecit është inkuadruar si njësi më vete nën emërtimin Komuna “Tregu i Frasherit” në përbërje të Rrethit Qendër të Qarkut Berat. Popullsia e kësaj krahine në këtë periudhë ka qenë 9413 banorë dhe përfshinte 32 fshatra. Referuar gazetës zyrtare Nr. 21, datë 18.04.1929 në ndarjen territoriale të bërë në vigjilje të shpalljes së Shqipërisë Monarki, në fund të vitit 1928, Krahina e Roskovecit ka vazhduar të përfshihet në Rrethin Qendër të qarkut të Beratit me emërtimin “Komuna “Tregu i Frashërit”.Popullsia e kësaj komune në fund të vitit 1928 ishte 7632 frymë dhe përmblidhte 25 fshatra si më poshtë: Arapaj, Cukalat, Çiflik- Strum, Çomlekaj, Donofrose, Drenovice, Ngjeqar, Hallambrezi, Jagodine, Kuman, Kumaraka, Kurjan, Luar, Marinze, Matke, Pobrat, Rërëz, Roskovec, Sllanice, Stamatica, Strum, Suk, Velmish, Vidhishte dhe Ngraçie e përfshirë vetëm në ndarjen administrative të vitit 1923. U shënuan të gjithë fshatrat sepse këto vendbanime përbëjnë atë që historikisht është thirrur “Krahina e Roskovecit.
Rrënjët e këtij fisi zgjaten në thellësi të viteve, duke shkuar deri ne periudhën e Ali Pashë Tepelenës. Pikërisht ne këtë periudhe dokumentohet shfaqja e njërit nga pinjollët e këtij fisi dhe pikërisht Hysen Toskës, për të cilin flitet se është stërgjyshi i Hysni Toskës. Madje edhe emri i Hysniut mendohet të jetë përsëritje e emrit të këtij stërgjyshi. Hysen Toska përmendet nga kronikani grek Panajot Aravantinos, autor i historisë së Ali Pashë Tepelenës, si pjesëtar i grupit, që nënshkruan traktatin me suljotet, i dërguar nga Aliu me 12 dhjetor 1803. Ai është në përbërje të 16 vetëve, me në krye të birin e Aliut,Veli Pashën, pasha i Delvinës. Por pak vjet më vonë dhe pikërisht në lëvizjen e madhe të kryengritjeve kundër reformave të Tanzimatit, që shpërthyen në Shqipërinë e Jugut, hasim një tjetër pinjoll të fisit Toska. Ky është Nurce Toska nga Buzi i Madh i Tepelenës. Sipas disa të dhënave në kryengritjet anti-osmane të Shqipërisë së Jugut në vitet 1820-1847, dolën 30 udhëheqës popullore. Në listën e këtyre komandanteve figuron edhe Nurce Toska i cili është njeri nga luftëtarët e çetave të Jugut në kryengritjet e Tafil Buzit. Ideja për trajtimin e figurës së Hysni Toskes autorit i ka lindur gjatë njohjes me veprimtarinë e tij patriotike në arkivin e Muzeut Historik të Fierit. Emrin e tij e kisha dëgjuar me herët, madje që në fëmijëri kur më flisnin me respekt prindërit e mi, të cilët e kishin njohur pasi banonim në fshatin Marinez, shumë afër me Luarin. Më vone e kisha dëgjuar edhe nga bashkëfshatarët e mi të moshuar te cilët e përmendnin me gjysmë zëri, por me nderim e respekt të veçantë.
2.Studiuesi dhe drejtori i muzeut historik Fier,N.Plaku thotë”:Aktiviteti i Hysni Toskës fillon në vitet e para të shek. XX, me angazhimin e tij në lëvizjen anti-osmane te-ë krahinës së Mallakastrës dhe Myzeqesë dhe përfundon në vjeshte të vitit 1943, kur u rrethua nga forcat partizane të grupit “Shpiragu ” në shtëpinë e tij në Berat dhe iu kërkua të dorëzohej, pa iu komunikuar asnjë faj. Duke ditur qëllimin e mbrapshte të kësaj kërkese, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe u vetëvra. Pas disa ditësh, forcat partizane i pushkatuan edhe djalin e vetëm 16-vjeçar pa gjyq dhe pa i komunikuar as atij, asnjë faj. Fill pas vrasjes, Hysni Toska u konsiderua “kriminel” dhe u anashkalua nga të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Historiografia shqiptare e periudhës, nuk e ka përmendur thuajse asnjëherë emrin e tij. Mbi të, për dhjetëra vjet me radha ka zotëruar një heshtje e rëndë varri. Mjaftonte etiketimi “kriminel” nga politika e kohës dhe çdo studiues do ta anashkalonte nga të gjitha ngjarjet e trajtuara, pavarësisht se ai ishte protagonisti kryesor i tyre. Madje, ky opinion ka bërë të lihen në heshtje edhe disa nga figurat dytësore të kësaj treve, të cilat, në bashkëpunim me të, kanë dhënë kontribute të shquara në ngjarjet më të rëndësishme historike të vendit në gjysmën e parë të shek. XX. Mbas viteve ’90, Hysni Toska u shpall “Martir i Demokracisë”, por mentaliteti i njerëzve të painformuar vazhdonte të ruante ende për të, përshtypjen e erret të një “kriminelit” shkruan N.Plaku. Në këto kushte,thotë ai figura e Hysni Toskës kërkonte një punë të lodhshme për ta zbardhur dhe interpretuar në një këndvështrim të ri, mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe fakteve reale, të cilat do ta prezantonin atë përpara opinionit shoqëror në mënyrë të plote dhe bindëse.Me një punë studimore ku janë përfshirë të dhëna të rëndësishme autori ka punuar dhe ka sjellë dëshmi për të faktuar nëse ishte ,kriminelë emërtim i mbartur keqazi dhe shfrytëzuar, që nga vjeshta e vitit 43 ,kur ai e mbylli jetën me vetëvrasje.
3.
Duke hedhur dritë përmbi këtë figurë në fillim N.Plaku ka botuar një portret me titull “Hysni Toska – Luani i zbutur përgjysmë”. Ku shkrimi u botua në fund të vitit 2005 në buletinin e bashkisë së Fierit me një tirazh prej 2500 kopjesh, të cilat u shpërndanë brenda një kohe shume të shkurtër. Si u prit ky shkrim dhe çfarë debati hapi ai?N.Plaku thotë: Artikulli hapi “kutinë e Pandores” për nostalgjiket, por ndërkohë, ishte edhe një apel për shumë të tjerë të cilët kishin mendim ndryshe për figurën e Hysni Toskes. Diskutimet qen të shumta e të larmishme dhe pjesa e doktrinuar arriti deri në propozime ekstreme ,thotë studiuesi Nuri Plaku ,për largimin tim nga vendi i punës si person që kërkoja të rehabilitoja “kriminelet e luftës” dhe si i tillë, kisha dalë “jashtë radhëve të duhura.” Kjo e bënte edhe më të vështirë studimin e mëtejshëm të kësaj figure, por gjithsesi kisha bindjen se Hysni Toska ishte një personalitet historik, një figure popullore me rrezatim të fuqishëm, të cilin e kishin mohuar padrejtësisht.
Isha i bindur ,vijon autori N.Plaku, gjithashtu se, nëpërmjet figurës së tij do zbardheshin edhe disa nga ngjarjet historike mjaft të rëndësishme të trevës si: Kuvendi i Sinjes mbajtur më 23 korrik 1912 dhe Kongresi i Fierit mbajtur më 10 gusht 1912 etj, në të cilat ai kishte qen pjesëmarrës aktiv. Këto ngjarje shume të rëndësishme për Fierin nuk i kisha hasur në asnjë historik të zonës, në asnjë kumtese të arkivuar në arkivin e Muzeut dhe në asnjë libër ,që fliste për historinë e këtij rrethi. Ato përmendeshin në mënyrë sipërfaqësore dhe pa evidentuar asnjë pjesëmarrës fierak. Zbardhja e këtyre ngjarjeve i rikthente Fierit një pjese të rëndësishme të historisë së periudhës së Pavarësisë, e cila kishte mbetur e erret. Se bashku me rehabilitimin e Hysni Toskes, evokoheshin gjithashtu edhe disa figura të tjera myzeqare kryesisht nga zona e Roskovecit, të cilët kishin qen komandante në forcat e tij, por ishin lënë në heshtje se kishin qene bashkëluftëtare me të. Madje shpesh, në vend të firmëtarëve të vërtetë të Sinjes, përmendeshin të tjerë emra, duke krijuar kështu mëkatin e manipulimit të historisë. Autori thotë ,se disa muaj më vonë , në shkurt të 2006 e ribotoj artikullin . Tashme reflektimi i opinionit qe edhe më i gjerë. Krahas reaksionit që zhvillonin nostalgjiket vlen të përmendet reflektimi dinjitoz i një veterani të LANQ-it, Llazar Bane, i cili, botoi në gazetën “Zëri i Popullit” shkrimin me titull “Hysni Toska, krenari për kombin”. Shkrimi përshkohej nga një frymë reale dhe pendese, sepse Bane kishte marrë pjesë në rrethimin e Hysni Toskës në Berat, ishte plagosur prej tij në këtë rrethim dhe kujtonte me dhimbje thirrjet e dëshpëruara të atij burri, që teksa gjuante partizanët nga këmbët për t’i mbajtur larg, thërriste: “Kam qen e jam patriot!”
4.
Punën, autori e ka filluar duke hulumtuar nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme për të krijuar bazën e të dhënave dokumentare të këtij studimi. Krahas shumë burimeve në Arkivin Qendror të Shtetit, krahas dokumenteve të ndryshme që i përkasin fondit të Hysni Toskes, gjendet edhe një dorëshkrim i jetës dhe aktivitetit të tij, shkruar nga Lef Nosi. Ishte fakt mjaft pozitiv, që një rilindës i shquar si Nosi, t’i kushtonte aq shume v’emendje Hysni Toskes. Ai e kishte njohur personalisht Toskën, madje ka bashkëpunuar me të gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe Mbretërisë Shqiptare. Në këtë shkrim, Nosi përshkruan momente shumë të rëndësishme të aktivitetit të tij patriotik, të cilat e paraqesin Toskën një luftëtar të rëndësishëm të krahut progresist në të gjitha konfliktet e kohës. Në dokumentet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës gjenden disa telegrame ,që lidhen me aktivitetin direkt të Hysni Toskës gjatë kësaj periudhe. Të bën përshtypje fakti, që Ismail Qemali kishte besim të plotë të Hysni Toska duke i ngarkuar detyra mjaft të rëndësishme. Madje është shprehur se njerëz të tillë si ai i duheshin Shqipërisë. Ndërsa, ndër shkrimet e shumta vlen të përmendet trajtesa në vargje e poetit vlonjat Shaban Seferi (Vranishti), me titull “Gjakderdhja shqiptare”, që ndodhet në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë. Libri është botuar në vitin 1936 dhe autori i këndon me frymëzim të ndjerë poetik gjithë luftërave, që ka bërë Hysni Toska, trimërisë, guximit dhe besnikërisë së tij ndaj atdheut, duke e portretizuar atë si një hero legjendar. Në krye të kësaj vepre autori ka lënë edhe këtë shënim: “Në punën, që bëra duke hartuar librin u ruajta shumë dhe nuk vura asnjë shtojce të pa qen, por radhita vetëm ato që kanë ndodhë dhe dëshmohen prej luftëtarëve, që sot rrojnë.”
Duke iu referuar kësaj vepre, prof. dr. Bardhosh Gace shkruan: “Poema “Gjakderdhja patriotike” e poetit dëshmor Shaban Seferi, me pamjet e saj të gjalla rrënimtare, shpalos hap pas hapi jetën, bëmat dhe trimërinë e këtij luftëtari të shquar popullor, i cili, ashtu si atdhetarë të tjerë të kohës së tij, derdhën energjitë e tyre për Lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.”Me botimin e disa librave historike, kujtime apo ditarë, nga autorë të emigracionit politik të Luftës së Dytë Botërore, si: Ago Agaj, Xhelal Staravecka, Eqrem Bej Vlora, Beqir Velo Kanina etj, u zbardh një pjesë e mirë e aktivitetit patriotik të Hysni Toskës.Në shtypin e viteve ’20 të shekullit të kaluar, një numër gazetash dhe revistash, brenda dhe jashtë vendit, e përmendin emrin dhe aktivitetin e tij, në shumë rubrika informative dhe ngjarje të rëndësishme, që ato përshkruajnë. Të tilla janë: gazeta “Liri e Shqipenies” (Selanik), gazeta “Dielli”(Boston), revista “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” (Sofje), gazeta “Shqipëri e Re” (Rumani), gazeta e Qeverise se Përkohshme të Vlorës, “Perlindja e Shqypenies”, gazeta “Populli”, “Atdheu”, etj. Në shtypin e viteve ’30 të shekullit të kaluar, gazeta “Minerva”, në Tiranë ka botuar një shkrim në rubrikën :”Të njohim deputetet tonë”, kushtuar figurës së Hysni Toskës. Gjithashtu, në fondin folklorik të zonës së Mallakastrës, gjenden disa tekste këngësh historike kushtuar këtij luftëtari, çka tregon se ai ka qen ,një lider i njohur i lëvizjeve kryengritëse dhe një figure e dashur dhe e rëndësishme për popullin e kësaj treve. Krahas këtyre të dhënave, ekzistojnë edhe burime folklorike, këngë dhe episode, dëshmi dhe kujtime të bashkëkohësve, të botuara e të pabotuara, të cilat e pasurojnë akoma me shume figurën e tij. Nga të gjitha këto të dhëna, ka rezultuar, se Hysni Toska, gjatë aktivitetit te tij atdhetar, ka qen një luftëtar i përkushtuar dhe besnik deri në vetëflijim për çështjen kombëtare dhe se nuk është përzier në asnjë lloj veprimtarie kriminale shkruan autori Nuri Plaku. Në vitin 2010, me propozim të Muzeut Historik në Fier, Këshilli bashkiak i këtij qyteti, emërtoi me emrin “Hysni Toska”, njërën nga rrugët e tij. Ndërsa në vitin 2012, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë kombëtare, po me propozim të Muzeut, Këshilli bashkiak i qytetit të Roskovecit, e shpalli “Qytetar nderi të qytetit Roskovec”. Me këto veprime, pak nga pak figura e Hysni Toskës po zë vendin e vet të merituar në shoqërinë e re demokratike.