Shkruan: Enver Bytyçi/
Këto ditë po zhvillohet një debat e gjerë rreth deklaratave të Fatos Lubonjës, të cilat ai i ka plasuar në një revistë gjermane të destinuar për Ballkanin. Ai artikull i Lubonjës, i shkruar enkas për revistën e përmendur, përmban në thelb deheroizimin e shoqërisë shqiptare, çmitizimin e historisë dhe veçmas të heronjve të sotëm, e akoma më veçmas të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij shqiptarët, të cilët mbështesin e nderojnë “vrasës” si Haradinaj, pra shqiptarët shumicë, janë “skicofrenë”.
Reagimet e shumta kanë shkuar nga njëri ekstrem te tjetri. Një palë është vënë në mbrojtje të Lubonjës. Midis tyre edhe analisti nga Prishtina, Arben Idrizi. Po kështu mediat serbe kanë ngritur lart aktin e Lubonjës. Sigurisht edhe aktin e Idrizit, i cili në reagimin e tij ndaj artikullit të Lubonjës bën një listë “vrasësish” të Kosovës, në mesin e të cilëve përmend Adem Jasharin. Kjo e ka acaruar kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, i cili ka reaguar ashpër ndaj Arben Idrizit., ndërkohë që përkharësit e Idrizit e akuzojnë Krasniqin për qëndrime raciste e fashiste. Në të vërtetë nuanca të tilla gjenden në deklaratën e Jakup Krasniqit, por askush nuk tha se “skicofrenia” për shqiptarët është gjithashtu një etiketim racist e fashist. Pashë dikënd që thoshte se “Më mirë të jesh fashist, sesa serbo-sllav”, çka do të thotë se ne shqiptarët duhet ta ridiskutojmë procesin e demitizimit nga të gjitha pikëpamjet. Pra duhet ta shkruajmë objektivisht raportin tonë me Gjermaninë e Hitlerit (jo me ideologjinë fashiste), gjithnjë të krahasuar me sundimin serb në Kosovë.
Vetë Ramush Haradinaj është treguar i matur dhe nuk ka ndezur ndonjë debat me kundërakuza ndaj Lubonjës e Idrizit. Por ai ka shpjeguar në një emision televiziv gjithë procesin e gjyikimit të tij në Hagë, duke dëshmuar me fakte e argumente pafajësinë e tij. Unë dua t´i besoj zotit Haradinaj në ato që ka shpjeguar, thjesht dhe për faktin se është i vetmi person i akuzuar dy herë dhe i vënë dy herë në gjykatën e Hagës dhe në të dy rastet ka marrë pafajësinë. Të shkosh dy herë për të njëjtën akuzë në një gjykatë ndërkombëtare dhe të shpallesh dy herë i pafajshëm, besoj se është argument i mjaftueshëm për çdo njeri normal që ai të mos etiketohet si “vrasës”, qoftë dhe nga analistë liberalë të llojit të Lubonjës e Idrizit.
Megjithatë besoj se nuk është e udhës që të merresh me vërtetësinë ose jo të një akuze të ngritur publikisht ndaj dikujt. Këto janë punë të gjykatave dhe drejtësisë e sa kohë drejtësia vepron, aq kohë i duhet besuar asaj. Problemi qëndron në argumentet e palëve gjatë reagimeve me mllefe e pasion të dukshëm. Sigurisht që është e pamundur të evitohet pasioni, mllefi, veçmas nga ata që mendojnë ndryshe nga tjetri dhe kjo nuk përbën krim. Por ftohtësia në analizën e një fenomeni të tillë ndoshta sjell më shumë qartësi, urtësi dhe logjikë. Le të ndalemi në disa aspektë të debatit:
Së pari, përkrahësit e Lubonjës e të Idrizit, sidomos ata që janë vetëshpallur si “moderatorë”, i justifikojnë ata me të qenit njerëz të lirë, me mendim të lirë e të pavarur. Ky lloj arsyetimi është i pa vend, sepse as Lubonja, as Idrizi nuk janë aq tolerantë dhe liberatorë, sa të pranojnë ose të heshtin kur ata sulmohen me akuza, të qena ose të paqena, nga të tjerët. Ne i kemi parë ata në debatet televizive, i kemi ndjekur në analizat që bëjnë dhe reagimet që kanë pasur në shtyp dhe në asnjë rast nuk kemi fiksuar në memorie ndonjë akt tolerance përballë njerëzve me pikëpamje e ide të kundërta, me të cilët ata përballen. Madje shpesh herë të dy dëshmohen më agresivë sesa kritikët e tyre që shfaqen këto ditë me shumicë në mbrojtje të Haradinajt apo “miteve” shqiptare. Aq më tepër të qenit “liberator” nuk të jep asnjë të drejtë morale e civile të bësh lista “vrasësish” e të luash rolin e prokurorit e të gjykatësit. Edhe nëse nuk ke vendime gjykatash për të provuar krimin e dikujt, analisti duhet të ketë së paku disa indicje dhe prova morale për të mbrojtur akuzën që bën. Në këtë pikëpamje Lubonja dhe Idrizi duket se duan të luajnë rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, përballë “skicofrenëve” shqiptarë, të cilët besojnë te e drejta e shqiptarëve për tu çliruar dhe me armë nga pushtimi, sundimi dhe dhuna e pashembullt e Serbisë në Kosovë.
Një analist, opinionist dhe komentator ka përgjegjësi për fjalën që artikulon. Në një analizë timen të para 20 ditëve kam përdorur fjalën “shpurë” për një grup intelektualësh dhe partiakësh, të cilët ikën dhe u rikthyen te Berisha. Miku im, Frrok Çupi, më tha se “nuk shkon kjo fjalë për këta njerëz. Ata nuk janë shpurë, janë intelektualë”. I kërkova falje. Frroku kishte të drejtë. E drejta nuk anonte nga unë. Më ka pëlqyer mua ose jo ikja e rikthimi i tyre te Berisha, kjo është pjesa e sentimentit personal. Si analist nuk kam asnjë të drejtë të përdor epitete, aq më pak të akuzoj dikë pa asnjë fakt e argument. Ndërkaq Lubonja i thotë vrasës një personaliteti politik të Kosovës, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë e argument. E si mund t´i thuash vrasës një duzine njerëzish?! Si mund t´u thuash “skicofrenë” miliona bashkkombasve të tu, siç bën Fatos Lubonja?! Eshtë e paimagjinueshme! Eshtë e pakonceptueshme! Të qenit i lirë nuk e justifikon një veprim të tillë. Së paku për këtë Lubonja dhe Idrizi duhet të kërkojnë ndjesë. Jo Ramush Haradinajt, jo listarëve të Arbenit, po opinionit publik. Të listuarit, nëse duan, kanë se ku e kërkojnë të drejtën e të vërtetën, nëse jo, le të pajtohen me të qenit kriminelë. Eshtë punë e tyre.
Së dyti, e gjithë piramida e akuzave që kanë ndërtuar Lubonja dhe Idrizi është vënë në funksion të deheroizimit. Unë besoj se një mision i tillë është fisnik dhe i drejtë. E vërteta është se të gjithë ballkanasit jetojnë me mitet e heronjve, të tradhëtarëve e të viktimës. Heronjtë i përdorin për të mbajtur të bashkuar sa më shumë njerëz rreth vetes, ose për të identifikuar racën, çka sjell fobitë, antivlerat dhe më pas konfliktet, dhunën, luftrat, vrasjet e kështu me radhë. Tradhëtitë i përdorin për të justifikuar gijotinën politike, morale ose edhe fizike kur e lejojnë rrethanat. Viktimizimin e përdorin për mbrojtje kur bëjnë prapësi dhe krime. Kjo prirje dhe ky realitet është i përhapur shumë më tepër te popujt e tjerë, përjashtuar sllovenët, sesa te shqiptarët. Kujtoni rastin e lirimit nga Haga dhe pritjes se gjeneral Gotovinës me mbi 500 mijë njerëz në sheshin e Zagrebit. Ishte i njëjtë me rastin e Haradinajt.
Çmitizimi dhe deheroizimi në princip është një mision civil, por që shkon në raport me civilizimin e vetë shoqërisë, madje jo vetëm në një vend të caktuar, por në të gjithë rajonin. Lubonja është partizan i çmitizimit, por fatkeqësisht edhe vetë luan shpesh herë rolin e heroit. Le të kujtojmë vitin 2003-2004, kur ai u përball me Nanon dhe përdori gjithçka në funksion të rolit tragjio-komik të heroit, pra edhe të viktimës. Unë kam pasur një milion arsye më shumë sesa Lubonja që të luaja rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, por nuk e mora përsipër këtë rol, jo nga paaftësia, thjesht se nuk doja të obligoja opinionin publik me problemet e mia si botues e gazetar me shtetin, SHIK-un, gjykatat, Bashkinë e Tiranës dhe segmente të tjera të luftës kundër fjalës së lirë. Edhe unë isha gjobitur me 20 milion lekë të vjetra, madje për një shkrim të dikujt tjetër në revistën “Koha”, i cili kishte emër dhe mbiemër. Por “mbatha këmbët e ika”. Qëndrova në hije për të mos luajtur rolin e heroit, siç bëri Lubonja.
Nëse Haradinaj u kthye nga Haga si hero, Lubonja me akuzën e vrasësit, u bë “hero i fjalës së lirë”, kur kishte shumë më pak kontribute se shumë të tjerë në këtë fushë. Heronjtë e fjalës së lirë të kohës së Lubonjës morën edhe ndonjë plumb me vete e nuk u ndjenë, përveçse u përmenden në lajmet e ditës, sikur të ishin pjesë e kronikës së zezë. Fatkeqësisht te ne ndodh gjithnjë i njëjti cikël. “Antiheronjtë” shfaqen të tillë që të zënë vendin e heronjve dhe heronjtë luftojnë me thonj e me dhëmbë që të mbeten të tillë. Moralisht janë më të pranueshëm këta të dytët, sesa të parët. Ndodh ashtu si me lëvizjet tona njëshekullore për vetëvendosje, të cilat përfundojnë në luftë për pushtet. Njëra palë në emër te deheroizmit e demitizimit e shpall veten hero e mitik. Tjetra palë shpallet luftëtar për vetëvendosje e shtet-kombformim dhe përfundon te lufta për karrige, pushtet e para. Në të dyja rastet funksionon paraja, ndërkohë që në rastin e Lubonjës funksionon kapja e pushtetit mediatik, ndërsa te politika kapja e pushtetit politik.
Edhe unë besoj se është e nevojshme që heronjtë t´i shohim si njerëz, por që kanë disa cilësi të veçantë, të avancuara, siç janë aftësitë, përkushtimi, vendosmëria, guximi, pse jo dhe mençuria e urtësia. Kështu ndodh madje me kryeheroin e shqiptarëve. Edhe Skënderbeu ka qenë njëri prej prijësve shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai ka patur thjesht një ose dy cilësi më shumë sesa të tjerët, ndaj është vënë në krye të rezistencës së shqiptarëve për tu mbrojtur nga pushtimi i osmanëve. Por dhe ai ka patur difektet e tij, dhe ai ka bërë një jetë njeriu e nuk pati rënë nga qielli. Po Lubonja e disa të tjerë nuk shkojnë përtej kësaj logjike, kur ata flasin për heronj të tillë si Skënderbeu. U mveshin atyre lloj-lloj cilësish negative dhe nga heronj i shndërrojnë në antiheronj. Nëse lexojmë filozofët e shumtë, të cilët janë marrë me studimet për mitet e heronjtë, atëherë do të gjendej një mesatare e logjikshme dhe civile për të pranuar heronjtë dhe heroizmin e njerëzve. Ndërkaq Lubonja dhe Idrizi e trajtojnë me përbuzje e urrjejte të pabazuar këtë kategori njerëzore, e cila ze vend edhe në vendet e qytetëruara. Kjo ndodh gjithashtu me Arben Idrizin, kur ai i adresohet figurës së Adem Jasharit. Në një kohë paqeje, në e në kohë stabiliteti, logjika e Arbenit është vërtet e pranueshme. Madje kjo logjikë ka qenë e pranueshme nën zë edhe në kohën kur u vra Adem Jashari, përkatësisht fakti se nuk duhej sakrifikuar e gjithë familja në një konflikt të tillë si ai që ndodhi në Kosovë. Megjithatë kjo nuk e zbeh aktin e heroit, i cili u përball me një forcë të pabarabartë, ushtrinë dhe policinë serbe. Pra nuk e justifikon kritkën arbirtrare të analistit Idrizi. Aq më tepër nëse e gjykojmë Adem jasharin me qëllimin e vetëm që t´i bëhet një shërbim i caktuar propagandës së Serbisë, pra për të justifikuar krimet e saj në Kosovë. Nuk jam i sigurt as për Lubonjën, as më Idrizin, nëse me akuzat ndaj Haradinajt e Adem Jasharit ata duan të relativizojnë krimet serbe në Kosovë. Kjo nuk është as detyra ime, edhe pse thash e theme ka plot, së paku sa i përket Lubonjës.
Në këtë kuptim nuk shkojnë gjithashtu disa krahasime që i bëhen Lubonjës dhe Idrizit me Natasha Kondiçin e dikë tjetër në Serbi. Natasha Kondiç, kur flet në përkrahje të shqiptarëve, ajo i referohet vendimeve të Hagës dhe jo akuzave prej prokurorësh. Mbi këtë bazë ajo i ka dënuar gjithherë krimet serbe në Kosovë. Nuk ka luajtur asnjëhherë rolin e prokurorit, siç bëjnë Lubonja e Idrizi. Megjithatë ajo është atakuar në publikun serb si “tradhëtare” e interesave serbe. Unë nuk besoj se Lubonja e Idrizi janë “tradhëtarë” të interesave shqiptare, por besoj se janë i njëjti brumë shqiptarësh, njerëz skicofrenë (nëse besojmë se të tillë jam unë e shqiptarët e akuzuar prej Lubonjës”. Ata të dy janë njerëz mitomanë, madje nga ata që mendojnë se “Bota sillet rreth tyre”. Dredhitë e interpretimit të konteksteve të Lubonjës nuk e zhbëjnë akuzën kolektive të tij kundër nesh, pjesës tjetër të shqiptarëve. Dhe akuzat kolektive janë definime të racizmit e fashizmit në çdo vokabolar të botës.
Në vendet e qytetëruara janë zhvilluar me shekuj luftëra civile e rajonale për të shkuar te ideja reale e mitit dhe heroizmit. Nëse në shekullin e 16-të shpërtheu në Gjermani e në Europë lufta civile fetare e drejtuar nga Martin Luther, ajo u drejtua kundër autoritetit të Papës dhe rolit të tij absolut në jetën fetare europiane. Por ama vetë Martin Luther u shndërrua në një mit për evangjelistët europianë. Ndërkohë që Papa mbeti një institucion me fuqi absolute deri në ditët e sotme. Njerëzimi vërtet zhvillohet përmes të kundërtave, por jo përmes mllefeve, të cilat ne i shohim të shfaqen me bollëk edhe nga kampi pro-Lubonjë, edhe nga kundërshtarët e tij. Rolin e heroit luante gjithashtu Berat Buzhala, në rastin kur i hidhej për hakmarrje politike Jakup Krasniqit.
Së treti, mjeti me të cilin Lubonja lufton për “civilizimin” e shqiptarëve është vërtet një mjet, të cilët e përdorin njerëzit jo civilë. Kur ai thotë se “shqiptarët janë skicofrenë”, shpreh një ngërç në gjetjen e argumentit për tezat që ai lëvron. Dhe përdor fyerjen si mjet “civilizues”. Të jesh moderator, të jesh civil, të kërkosh të jesh ndryshe nga të tjerët, pra i një sëre më të lartë, më të kultivuar, do të thotë të jesh fisnik, do të thotë të jesh i urtë dhe të imponohesh me forcën e argumentit. Të përdorësh një fjalë fyese për një komb të caktuar, edhe nëse ky komb nuk i përket etnitetit që ti i përket, dëshmon për të kundërtën e asaj që predikon. Këtij lloj konflikti nuk i ikin shumica e sojit tonë të analistëve, komentatorëve dhe opinionistëve. Atëherë, pse Lubonja e përdor këtë fyerje kaq të rëndë për bashkkombasit e tij, nëse ai na quan ne bashkkombas? Jam i bindur se ai është i mësuar me autocensurën dhe e njeh mirë instiktin e prodhimit të asaj çfarë i pëlqen, në rastin konkret botuesit. Ai e di se bëhet i famshëm vetëm me skupe të tilla. Rendja pas famës është rendje pas mitit, pas heroizmave. Dhe Lubonja e luan mjaft mirë këtë rol, duke luajtur rolin e antiheroit, antimitit. Për këtë shkak mesazhi i Lubonjës është i pamoralshëm dhe shfaqet si hipokrizi. Ai shfaqet i të njëjtit model si dhe Rahmi Memushi, i cili disa ditë më parë fyente me të pavërteta dhe akuza të çuditshme të gjithë komunitetin katolik në Shqipëri. Këtij trendi të rrezikshëm për shoqërinë njerëzore i duhet dhënë fund. Lavdia dhe fama nuk arrihen mbi fatkeqësitë e të tjerëve ose bazuar në shpifje e akuza. Së paku në një rast të tillë nuk meriton askush të quhet analist, komentator, filozof a ku e di unë çfarë.
Eshtë krejt nornalë që në shoqërinë njerëzore të ketë tokësorë, të cilët me çdo mjet përpiqen për famë. Por vetëdija njerëzore, vetë shoqëria, i ka seleksionuar gjithmonë ata që artficialisht kërkojnë të arrijnë famën dhe mitin. Lubonja beson se është shndërruar në mbinjeri, kur u hakërrehet të gjithëve, kolektivisht, pa dallim. Pikërisht këtë duhet ta evitojmë në shoqëritë e civilizuara që të shndërrohemi në një komb me konkurencë efektive në mesin e vendeve të qytetëruara.
Hajro Çini says
Te lumte Dr. Bytyçi