
– një jetë e dhënë, një jetë e marë –
Sot është ditëlindja e tij… a u përkujtua? A pati homazhe, konferenca, botime?…
Po kur do ta rilindë atdheu atë si shpirt dhe si talent të madh?
SHKRIMTARI
– një ese e vogël –
Ai erdhi në letërsinë shqipe si një gurrë e freskët, me prozën që rridhte e begatë që nga lashtësitë ilirike me këngët e popullit, me poezinë aq të dhimbshme e ëndërrimtare, krenare si me Poemin Kosovar…
Kuteli shkruan shqip, ka zë shqip, mendon shqip…
Po ai ishte dhe përkthyes brilant i mjeshtërve të letrave të botës, që i solli në gjuhën tonë si të ishin tanët.
Tjetër. Kuteli – si askush tjetër – punoi dhe me librat e Lasgushit dhe të Nolit, ai u bë arkitekti dhe përkudesësi i tyre me dashuri, – thesare të pavdekshme në letrat shqipe.
Punoi për të tjerët, për kulturën, për gjuhën, më shumë se sa për veten.
EKONOMISTI
– hero –
…ndërkohë ai ishte dhe ekonomist i shquar, teoricien dhe drejtues, e mbrojti floririn e Shtetit Shqiptar në Bankën Kombëtare nga kthetrat e nazistëve, nuk pranoi monedhën e luftës gjatë pushtimit, etj, etj. Një akt madhështor, që gjermanët donin ta
kapnik, ta ndëshkonin… por e bëri shteti i pasluftës, e burgosën shqiptarët vetë. Kam shkruar për burgun tij, për dramën e pabesueshme të vuajtjes… dhe më pas u përndoq e u komplotua vepra me harrim…
Kuteli mbetet kështu një martir i paradoksit shqiptar, ruajti thesare të kombit: gjuhën e popullit dhe floririn e shtetit shqiptar, teksa vetë u shua në varfëri dhe heshtje.
Po lexoj ditarin e tij… sa njerëzor, sa qyetar, sa i ndjeshëm, sintetik dhe sa stilist…
Sot është shumë e më shumë se një datëlindje. Është dhe një qortim dhimbjeje se si Shqipëria di të shkelë mbi ata që i japin dritë dhe zë…
KUTELI ME KOLIQIN
DHE KONICËN NË BALLË
Mitrush Kutelit është shkrimtar i rëndësishëm, themeltar, ai nga Jugu dhe me Ernest Koliqin nga Veriu, themeluan prozën moderne shqiptare, me Konicën avangardë, ndërkohë dhe themelues i mendimit kritik dhe estetik shqiptar në nivel europian, etj, etj, ndërsa fitimtarët e Luftës II Botërore, që vendosën diktaturën me të keqe se të atyre që u mundën, nazifashistëve, do t’i përndiqnin, Koliqin e dënuan me vdekje, por ai emigroi në Itali, në Europë, ndërsa Kutelin e burgosën dhe donin që të vdiste sa më shpejt, ai dhe vepra, Konicën, që s’jetonte më, e lanë në harresë vrastare, “të mërguar dhe të vdekur”.
Çuditërisht kritika e Realizmit Socialist, shkrimtarë të saj, shkruanin keq për tre K-të, kolegë të tyre, jo vetëm ideologjikisht madje dhe me cinizëm dhe përçmim, ku u shihej dhe zilia, ndërkaq ndodhte të përvetësonin nga veprat e tyre, subjekte dhe ide, personazhe dhe gjuhë deri edhe vjedhje dhe krijuan një lexues militant të ngushtë të tyre, mediokër në shije dhe lolo në mendim…
Por le të kujtojme Kutelin dhe pak:
CICËRIMA DHE KAMBANË
dëgjoj në veprën e Kutelit.
Ja disa rreshta të tij, zogj dhe tempuj:
– Kam mall të fluturoj si një zog i lirë mbi fushat e vendit tim.
– Shqipëria është një përrallë e dhimbshme, që duhet rrëfyer gjithnjë e përsëri.
– Unë jam poet i fshatit tim, i dhimbjes dhe i gëzimit të tij.
– Letërsia është dritë: kush ia fik dritën një shkrimtari, ia fik kombit.
– Jeta ime është një shkrim i grisur nga duar të huaja, por gërmat e saj ende ndriçojnë.
Dhe testamenti,
letra që u la fëmijëve:
– …ta duan vendin dhe gjuhën tonë deri në vuajtje!
– ATDHEU ËSHTË ATDHE, BILE DHE ATËHERE KUR TË VRET.
Ah, ka dhe një Shqipëri tjetër, të tij…! Ndërkaq në qytetin e lindjes, në Pogradec tashmë ngrihet shtatorja në bronz e Mitrush Kurelit, përballë me poetin dhe mikun e tij, bashkëqytetarin, Lasgush Poradeci, parnasian ynë. Bashkë. Aty shtohen lulet dhe adhuruesit. Dhe them:
ATDHE, DUAJI BIJTË E TU
DHE KUR I KE VRARË…
Visar Zhiti