Sadik Elshani
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet të vetëm është e drejta e jonë e ligjshme që na është mohuar padrejtësisht nga të tjerët. Bashkimi kombëtar duhet të jetë në qendër të vëmendjes, përpjekjeve tona, duhet të jetë synimi ynë përfundimtar, kurorëzimi i ëndrrave të brezave të tërë të atdhetarëve tanë që tërë ia kushtuan çështjeve madhore kombëtare. Edhe nga shtrati i vdekjes akademik Mark Krasniqi na porosiste, na linte dëshirën e tij të fundit, amanitin e tij: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Si do të arrihet dhe kur do të arrihet bashkimi kombëtar, kjo çështje varet nga shumë faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm. Në ndërkohë duhet ta ulim kokën e të punojmë, të ndërtojmë dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë dhe të përpiqemi që vëllezërit tanë në Çamëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Sanxhak, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare. Në këtë shkrim të shkurtër nuk dua të përqëndrohem në rrugët sesi mund të arrihet bashkimi kombëtar, këtë do ta bëj në një shkrim tjetër më të zgjeruar, të cilin ka kohë që e kam ravijëzuar (skicuar). Ka shume rruge, forma, ecuri për ta arritur ëndrrën shumëshekullore të shqiptarëve: bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm. Por, bashkimi kombëtar kurrë nuk do të ndodhë nëse shqiptarët e ndjekin rrugën e mbrapshtë të përçarjes. Pra, hapi i parë drejt një bashkimi kombëtar është që t’i lëmë anash zënkat meskine, intrigat e përçarjet e pakuptimta me njëri-tjetrin – dukuri të shëmtuara që janë duke e dëmtuar rëndë kombin tonë. E për fat të keq, kombi sot shumë keq na është përçarë. Ndoshta ende nuk e ka arritur atë shkallën alarmante, por nuk është duke shkuar në drejtimin e duhur, dëshiruar: përçarje në të gjitha nivelet, nga shoqatat, institucionet, organizatat e ndryshme e gjer në nivelet më të larta ndërshtetërore, Kosovë – Shqipëri. Përçarje në trojet tona etnike, përçarje në diasporën shqiptare. Ndoshta disa përcarje nëpër shoqata, organizata, grupime bashkatdhetarësh në shikim të parë na duken të parandësishmë e që nuk çojnë ndonjë peshë të madhe, por në të vërtetë janë shenja, simptome të një sëmundjeje të rëndë që kanë kapluar edhe nivelet më te larta shtetërore, institucionet më të larta arsimore e shkencore: universitetet dhe akademitë e shkencave. Prandaj, edhe këta politikanë, këta udhëheqës partiakë e shtetërorë nuk kanë pikur nga qielli, por kanë dalur nga gjiri i kësaj shoqërie. Shoqëria e shëndoshë, e bashkuar nxjerrë prijës që bashkojnë, ndërsa shoqëria e përçarë nxjerrë përçarës. Edhe diaspora shqiptare që jeton e vepron, që është pjesë e shoqërive të përparuara demokratike përendimore, nuk është immune ndaj këtyre dukurive negative. Ja, edhe këtu në ShBA, në diasporën shqiptaro – amerikane që jeton e vepron në shtetin më demokratik të botës, po ndodhin përçarje nëpër shoqata e organizata të ndryshme. Para ca javësh u bë e njohur në shtypin e diasporës se një përçarje ka ndodhur në Pan – Albanian American Congress – PAAC (Pan Kongresi Shqiptaro – Amerikan), një grupim i formuar vetëm disa muaj më parë nga njerëz të edukuar, veprimtarë të dalluar shumëvjeçarë të bashkësisë sonë, me qëllimin për t’i promovuar vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe amerikanëve. Në këto raportime u bë e njohur se dy anëtarë janë përjashtuar nga kryesia, ndërsa këta dy anëtarë në faqën e PAAC -ut njoftojnë se Bordi Themelues i Kongresit i ka përjashtuar kryetarin dhe një anëtar të kryesisë. Nuk i di rrethanat e kësaj përçarjeje, kush ka të drejtë e kush është gabim – kjo ka pak rëndësi, sepse nuk kam ndërment t’i shes mend, moral askujt, nuk dua ta luaj rolin e gjyqtarit, arbitrit. Emrat nuk janë me rëndësi, sepse ne i kemi emrat tanë vetjak (personal), por para kombit e botës jemi vetëm, shqiptarë. Por, ajo që është shqetësuese është fakti se një grupim i vogël njerëzish të shkolluar, të përkushtuar që veprojnë në një shoqëri demokratike nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ata që janë atdhetarë, që punojnë për kauzat e larta të kombit e atdheut duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, gjuhën e kompromisit – gjuhën e atdhedashurisë. Është krejt normale që për cështje të ndryshme të ndieshme të diskutohet, të argumentohet, të debatohet, të ketë mendime ndryshe e mospajtime,por në fund interesat e atdheut, kombit duhet të mbizotërojnë mbi ato personale. Njerëzit e arsyeshëm gjithmonë e gjejnë një gjuhë të përbashkët, arrijnë në një kompromis të pranueshëm nga të gjitha palët. Pse të përfundojmë me zënka, përçarje?! Shqiptari shqiptarin nuk e ka armik, por vëlla. Për fat të keq, edhe Vatra, njëra nga organiztat më emblematike të historisë sonë kombëtare, po ballafaqohet me një dukuri të tillë. Edhe në këtë rast nuk dua as ta fajësoj e as ta mbroj asnjërën palë të përfshira në këto debate të brendshme. Por, kjo nuk është mirë. Shoqatat, organizatat, grupimet e ndryshme në diasporë, që veprojnë në shoqëritë, shtetet demokratike e me përvoja të gjata qytetarie duhet të jenë shembull për të mirë për të gjitha institucionet shoqërore, arsimore, kulturore e shtetërore në trojet tona etnike. Të jenë shembull sesi duhet organizuar e vepruar për të mirën e kombit. Rrushi e sheh rrushin e piqet – thotë një fjalë e urtë e jona. Dikush duhet të shërbejë si shembull. Të mos e zhgënjejmë popullin tonë, sepse ai shpreson dhe pret shumë nga diaspora shqiptare. T’i japim shpresë popullit e t’i tregojmë botës se edhe ne jemi të zotët që të krijojmë një shoqëri të përparuar, të ndërtojmë institucione serioze dhe shtet të qëndrueshëm e ligjor. Zënkat, përçarjet duhet të jenë shumë shqetësuese për të gjithë,sepse janë shenja të një shoqërie kaotike, të sëmurë. Prirjet tona për zënka meskine, arrogancë e kapadaizëm, përçarje, janë duke u pasqyruar qartë edhe në nivelet më të larta të dy shteteve tona shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Sot, kryeministri i Shqipërisë ka marrëdhënie shumë më të mira, më të ngrohta, më të përzemërta me presidentin e Serbisë sesa me kryeministrin e Kosovës. Ka absurd më të madh se ky, ka nevojë për ndonjë koment më tepër?! Dhe këto marrëzira po ndodhin pikërisht në këto çaste kyçe kur të gjithë duhet te jemi të bashkuar për ta forcuar shtetësinë e Kosovës, përparuar gjendjen, përmirësuar pozitën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, por jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë e Kosovës. Në rrethana të tilla është e pamundur që të kemi një vizion të qartë për të ardhmen, një strategji të përbashkët kombëtare. Nga këto përçarje janë duke përfituar vetëm armiqtë tanë. Bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet me shqiptarë të përçarë. Mjaft më!
Philadelphia, më 9 shtator, 2021
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.