Dr. Nora Gashi, Presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro – Amerikane, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon nevojën për organizata të tilla që ka komuniteti shqiptar në SHBA ku diaspora në mjekësi luan një rol kritik në mbështetjen e komunitetit të saj profesional dhe emigrant. Në këtë organizatë ka profesionistë të kujdesit shëndetësor me prejardhje shqiptare me synim ndërtimin e një strukture të njohur ligjërisht të pranueshme për standardet e SHBA. Synimi sipas Dr. Nora Gashit është që anëtarët e bordit dhe anëtarët e organizatës do të ndajnë njohurinë dhe ekspertizën me kolegët shqiptarë kudo në botë duke organizuar seanca mësimdhënie dhe shkencore.
SHOQATA MJEKËSORE SHQIPTARO – AMERIKANE
Jam zgjedhur Presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro – Amerikane për periudhën 2020-2022. Historikisht jam Presidentja e 5-të. Është nder i madh të jem pjesë e kësaj organizate profesionale, shembull për organizata të tilla në ShBA ku diaspora në mjekësi luan një rol kritik në mbështetjen e komunitetit të saj profesional dhe emigrant. Në korrik 2008, një grup mjekësh me origjinë shqiptare u mblodhën në Boston me ftesë të Dr. Lindita Çoku me qëllim të krijimit formalisht të një organizate të parë profesionale mjekësore. Ky ishte një hap i madh i ndërmarrë pasi kishte diskutime të shumta paraprake midis atyre që ishin integral tashmë në sistemin e SHBA por akoma nuk kishin arritur ne kristalizim të ideve. Në këtë vit Kosova ishte shpallur e pavarur dhe ky ishte një faktor i rëndësishëm në përshpejtimin e krijimit brenda vitit të kësaj organizate në mënyrë që të strukturohej diaspora mjekësore e suksesshme shqiptare në ShBA. Çështjet e adresimit të nevojës për t’u integruar intelektualisht në gjuhën amtare përfshinin ndarjen e përvojave të reja me kolegët në vendlindjen e tyre dhe asistimin e valës së re të pacientëve emigrantë shqiptarë që mbërrinin nga territoret shqiptare të gadishullit Ballkanik të pas viteve 1990. Kjo ishte hera e parë ndonjëherë që profesionistë të kujdesit shëndetësor me prejardhje shqiptare u ulen në një tryezë të rrumbullakët, për të paraqitur idetë dhe sugjerimet e tyre për ndërtimin e një strukture të njohur ligjërisht të pranueshme për standardet e SHBA. Emri dhe formati i organizatës u votuan në mënyrë demokratike nga të pranishmit, dhe në shtator 2008 Shoqata Mjekësore Shqiptaro Amerikane u njoh përfundimisht si një organizatë profesionale mjekësore jofitimprurëse brenda juridiksionit të shtetit së Massachusetts. Brenda një periudhe të shkurtër, kjo organizatë arriti të sigurojë besimin dhe mbështetjen e Dr. Ferid Murad, nobelist në mjekësi dhe fiziologji në 2008. Ai mban titullin e Kryetarit të Nderit prej vitit 2009 dhe në listën e anëtarëve të nderit më tej u shtuan dhe figura të nderuara mjekësh me origjinë shqiptare ose mjekë Amerikanë që përmes kontributit të tyre shembullor të pandalur prej vitesh vulosën fatin e shumë jetëve ose karrierave mjekësore të Shqiptarëve si në ShBA dhe trojet shqiptare. Këtu permendim Dr. Peter Pochi, Dr. Zana Dobroshi, Dr. Anna Kohen, Dr. James Strickler, Dr. Samy McFarland dhe Dr. Shpetim Telegrafi. Shoqata përfshin një rrjet të profesionistëve mjekësorë shqiptarë që punojnë në SHBA, me qëllim të përbashkët të një rrjeti efektiv, në menyrë që të avancojnë njëri tjetrin si dhe brezat e rinj të profesionistëve mjekësorë që synojnë të aplikojnë standartet më të larta në këtë fushë. Unë së bashku me anëtarët e bordit dhe anëtarët e organizatës me kënaqësi do ta ndajmë njohurinë dhe ekspertizën tonë me kolegët shqiptarë kudo në botë duke organizuar seanca mësimdhënie dhe shkencore. Jam po ashtu krenare të ndaj me ju iniciativen e COVID-19 task forcë të krijuar nga shumë disiplina mjekësore të shoqatës që sigurojnë të dhëna dhe burime informacionesh për profesionistët shqiptarë që praktikojnë në territoret shqiptare. Unë falendëroj sinqerisht dhe shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e kësaj organizate që më kanë mbështetur në maksimum për të kryer punën time me dëshirë por dhe me përgjegjësi të lartë. Anëtarët e kësaj organizate operojnë në mënyrë vullnetare dhe mirëmbajnë aktivitetin e saj me kuotat vjetore të anëtarësimeve, donacionet nga komuniteti dhe kompanitë private. Transparenca në çdo nivel të drejtimit është pika më e fortë e jona.
EKSPERIENCA GJATË PANDEMISË COVID -19
Unë isha në vijën e parë të kujdesit ndaj pacientit gjatë pandemisë COVID-19 e cila goditi shtetin e NY në fillim të vitit 2020. Ofrova kujdes gjatë gjithë kohës në Spitalin White Plains Hospital në NY për 3 muaj dhe më pas u vendosa në Hawaii për të punuar në Queens Medical Qendra në Honolulu, ku jam aktualisht në vijën e parë të kujdesit për pacientin COVID-19. Është vështirë të paramendosh krizën derisa nuk e përjeton. Si mjekë ne jemi të trajnuar ti ndihmojmë njerëzve, është shumë vështirë kur nuk mundesh. Fillimi ka qënë shumë i vështirë duke nisur nga mungesa e pajisjeve mbrojtëse personale ose përballja me shumë raste njëherazi të sëmurëve akutë, mungesa e stafit dhe orët e gjata të punës. Kur më kanë pyetur se si po i kaloj ato ditë, unë jam pergjigjur : sikur ushtarët që shkojnë në luftë me mosnjohje se ç’ka po i pret ashtu edhe mjekët e kanë përjetuar, por kjo ishte thirja jonë dhe jam krenare që jam mjeke dhe që kam qënë prezente gjithë kohës së pandemisë. Në shumë raste në mjekësi i pyesim mjekët me ekperiencë se si të trajtohet sëmundja, me COVID është ndryshe nuk ke dije dhe eksperiencë, je para një sëmundje misterioze të pa raportuar më parë në manualet ose revistat mjekësore. Tani situata është pak më lehtë sepse kemi më shumë të dhëna dhe po kryhet me shumicë dhe shpejtësi vaksinimi i popullsisë Amerikane.
SITUATA E COVID NË USA DHE NEW YORK
Pandemia e Covid-19 ka përfshirë të gjithë globin, ku secili shtet është përpjekur që të krijojë mundësi reagimi dhe parandalimi të përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju janë përgjigjur kësaj situate pandemie në të gjitha nivelet, duke përfshirë nivelin federal, shtetëror dhe lokal. Kongresi Amerikan ka krijuar politika të reja që iu janë përshtatur gjëndjes së tanishme të virusit, po ashtu, presidenti paraprak dhe ai i tanishëm kanë nënshkruar një seri urdhërash ekzekutiv për ta parandaluar kolapsin ekonomik dhe menaxhimin sa më të përshtatshëm të kësaj pandemie. Nga ana shëndetësore, CDC, prej momentit të shpalljes së kësaj pandemie, e ka informuar opinionin publik në çdo moment me të rejat e fundit, dhe se si duhet të reagojnë insitucionet shëndetësore më tutje. Rekomandimet publike kanë filluar prej momentit të informimit të opinionit në lidhje me mbrojtjen dhe parandalimin dhe masa që duhet marrë për të identifikuar më tutje simptomat dhe shenjat klinike në institucione të ndryshme. Vitin e kaluar, atëherë edhe kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme, numri i rasteve të paraqitura me shenja klinike dhe po ashtu të diagnostikuar me Covid-19 ishte alarmante. Spitalet në të gjitha nivelet ishin të stërmbushura me pacientë dhe sistemi shëndetësor në të gjitha nivelet u detyrua të ndryshojë mënyrën e përballjes dhe të krijojë priroritet se cilët raste shëndetësore duhet të trajtoheshin. Në fillim, gjëndja ishte e rëndë, kur numri i vdekjeve ishte tepër i lartë, ndërsa tani, me miratimin emergjent të vaksinave si Pfizer, Moderna dhe tani me miratimin e vaksinës së tretë të kompanisë Johnson&Johnson, situata është duke shkuar drejt kontrollit. Mos të harrojmë të përmendim se edhe përvoja tanimë një vjeçare rreth menaxhimit të sëmundjës, ka mundësuar që sistemi shëndetësor në të gjitha nivelet të reagojë në menyrë sa më të drejtë, ku përvoja e profesionistëve ka mundësuar që numri i vdekjeve të jetë më i ulët. Pas një viti, New York dhe shtetet e tjera të SHBA-së, edhe pse ka filluar vaksinimi, ende vazhdojnë që ti respektojnë rregullat e miratuara nga CDC dhe organet e tjera përkatëse në lidhje me këtë pandemi.
VAKSINIMI MES FRIKËS, NEVOJËS DHE TEORIVE KONSPIRACIONISTE
Për shkak se prodhimi dhe shpërndarja e vaksinës është e limituar në SHBA, CDC, është duke i dhënë rekomandime nivelit federal, shtetëror, dhe lokal për menyrën e shpërndarjes, që qasje ndaj vaksinës të kenë kategoritë të cilat preken më rëndë nga kjo pandemi. Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekësor në të gjitha nivelet kanë krijuar një plan bazuar në rekomandimet e CDC që në vaksinim të kenë qasje sa më të lehtë gjithësecili individ që është kategorizuar në nivele përkatëse në bazë të prioriteteve. Individët të cilët vaksinohen, monitorohen më pas në fazat e post-vaksinimit për efektet anësore me anë të platformave digjitale dhe mënyrave të tjera të cilat janë të rekomanduara nga CDC. CDC-ja në bashkëpunim me institucionet mjekësore në të gjithë SHBA, janë duke vrojtuar edhe efikasitetin me anë të hulumtiveve shkencore. Bazuar në hulumtime klinike, CDC rekomandon që të gjithë individët të vaksinohen, për shkak se vaksinat të cilat janë të miratuara, janë efikase dhe të sigurta. Sa i përket pyetjes rreth teorive konspirative, unë mendoj që ne si profesionistë shëndetësore nuk duhet të humbim kohë që ta keqinformojmë opinion rreth kësaj dukurie dhe të mundohemi që të reflektojmë në mënyrë sa më situatës së krijuar me virusin corona.
KOSOVA DHE SHQIPËRIA, PROBLEMATIKAT E SISTEMIT SHËNDETËSOR
Kosova, Shqipëria, por edhe i gjithë rajoni i Ballkanit, ashtu sikurse e gjithë bota ballafaqohet me një virus vdekjeprurës dhe të paparashikuar. Unë nuk e di se si qëndrojnë këto shtete dhe si e kanë të organizuar sistemin e sigurimit dhe menaxhimit shëndetësor, mirepo, duke e patur parasysh që këto vende në përgjithësi ekonominë e kanë më pak të zhvilluar krahasuar me vendet evropiane dhe po ashtu dhe me SHBA-të, besoj që kanë sfida shumë më të mëdha duke u nisur nga aspekti financiar, kushtet nëpër spitale, mënyra e sigurisë së barnave dhe pajisjeve të tjera shëndetësore, që do t’ua kishte lehtësuar profesionistëve shëndetësorë punën dhe mënyrën më adekuate në trajtimin e pacientëve me COVID-19. Kjo çështje është e lidhur në mënyrë zinxhire dhe duhet një angazhim institucional më gjithëpërfshirës rreth menaxhimit të pandemisë globale.
MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT
I përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës Dielli të Vatrës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Edhe pse jemi në rrugën e duhur, të mos harrojmë se pandemia ende nuk ka përfunduar. Virusi vazhdon të jetë agresiv sidomos në shtetet ku ende nuk e kanë marrë vaksinen. Vetëm vaksinimi këput zinxhirin e të keqes. Derisa të presim që mbarë populli të vaksinohet, duhet të jemi shumë të rregullt, të kemi kujdes maksimal, të mos neglizhojmë asnjë çast dhe mbi të gjitha të ruajmë distancën dhe të mbajmë maskat. Kjo periudhë është shumë delikate. Ju kisha lutur të gjithëve që mundohuni të rrini sa më larg moshave të thyera sidomos ata persona që kanë shumë kontakte me mjedisin rrethues në punë apo shoqëri. Kujdes maksimal. Ne do ia dalim të gjithë bashkë.
KUSH ËSHTË DR. NORA GASHI
Nora Gashi, MD është e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Prishtinë, Kosovë. Ajo përfundoi trajnimin e praktikës në Spitalin Kombëtar Universitar të Kosovës dhe u specializua në Mjekësinë Interne në Qendrën Mjekësore Beth Israel në New York, NY në vitin 2009. Për më shumë se një dekadë, Dr. Gashi punon si mjeke e përgjithshme dhe spitalore në disa shtete si NJ, NY, VT dhe HI. Ajo ka fituar kredencialet e çertifikimit dhe licencimit në specialitetin e saj sipas standarteve më të larta të mjekësisë amerikane. Dr. Nora Gashi është një shqiptare e Kosovës e lindur në Beograd, ish Jugosllavi gjatë një kohe që prindërit e saj ishin në specializim. Ajo i kaloi vitet e shkollës së mesme në Durham, North Carolina ndërsa prindërit e saj ishin në trajnime mjekesore për subspecializime në Duke University. Praktika e mjekësisë ka qenë gjithmonë një pjesë integrale e jetës së Dr. Gashi pasi të dy prindërit e saj ishin kirurgë të suksesshëm. Babai i saj i ndjerë ishte një nga kirurgët më të njohur torakal në Kosovë, ku ai mbante tituj si Shef i Kirurgjisë dhe Dekan i Shkollës së Mjekësise në Spitalin Universitar prestigjioz në Prishtinë, Kosovë. Nëna e saj, një OB-GYN në pension është një nga kirurget e para femra në Kosovë. Vëllai i saj, Dr. Valbon Gashi është kirurg vaskular në Prishtinë, Kosovë.