Ramazan Çeka/
Nderim për veprimtarin e shquar të Federatës Pan – Shqiptare “Vatra” Mondi Rakaj, Drejtor i Degëve të Vatrës në Amerikë dhe Kanada. Vatra ka qenë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë e demokracisë. Mondi Rakaj është një djalë fisnik që nderon Komunitetin e Shqiptarëve në Amerikë me vlerat dhe virtytet më të larta të qytetarisë, të mishëruara në karakterin e tij dinjitoz, me të cilin m’u dha rasti ta njihja para shumë kohësh në një aktivitet që u organizua për Festat e Nëntorit në Nju Jork. Unë ndjeva një respekt të veçantë për të dhe punën e tij, jo vetëm si drejtues dhe organizator, por natyrisht edhe si shkodran.
Që në këtë takim më ra në sy pasioni dhe përkushtimi me të cilin punonte. Të befasonte korrektësia e tij në komunikim me njerëzit me atë buzqeshjen e tij të ëmbël që e karakterizon. Me një shpirt gazmor, që ia kanë ushqyer të parët e tij, qyteti tij që e ka rritur, edhe pse sot është një biznesmen në profesion, por që merret edhe me “Vatren”, këtë Federat shekullore, për të cilën ai ndjen detyrë të japin kontributin e tij të çmuar financiar dhe shpirtëror.
Kështu Mond Rakaj është bërë një emër i njohur në Komunitetin Shqiptar në Amerikë, sepse edhe në qoftë se nuk ka qenë organizatori i aktiviteteve të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, ka qenë mbështetësi, jo vetëm moral, por dhe financiar i tyre.
Njohja jonë mori një rrjedhë interesante, pasi rastisi që në disa aktivitete që “Vatra” organizoi gjatë kohës që unë ndodhesha në Amerikë, kur Mondi më bëri të mundur të njihesha edhe me të tjerë vatranë të suksesshëm.
Edhe më vonë gjatë angazhimeve të tjera, unë pata fatin që ta njoh Mondin, këtë djalë simpatik, një nga drejtuesit aktiv të “Vatrës”, i cili me pasionin dhe patiotizmin e tij, dinte të mbante të gjallë frymen Kombëtare dhe të mblidhte rreth vetes djem e vajza mjaft të talentuar, shumica e të cilëve ishin trashëgimtarë të vërtetë të kulturës sonë Kombëtare, përfaqësues të shtresave të ndryshme të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, që nga punëtorët e thjeshtë, e deri te studentët e shkollave prestigjioze të Amerikës. Që në angazhimet e tij të para me “Vatren” e në vazhdim, z.Mondi Rakaj me aftësitë e tij bëhet pjesë e Radio Telavizionit Shqiptar, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, nga ku bashkëpunimet e tij me këtë televizion, morën një udhëtim të sukseshëm, ku u krijuan fusha të ndërsjellta komunikimi ndërmjet Televizionin Shqiptar dhe Televizionit “ALBTVUSA” në Michigan.
U bënë disa vite që unë në Amerikë vij me shumë dëshirë, si një person i pasionuar që si gazetar, të pasqyroj kryesisht jetën artistike e kulturore të Komunitetit Shqiptar.
Bashkëpunimet e mia janë të shumta, por ato që mua më mobilizojnë dhe më frymëzojnë, janë aktivitetet që organizon “Vatra” jonë Shqiptare në Amerikë.
Kjo nuk është një punë e lehtë, por bashkëpunimi im me drejtuesit e kësaj Federate Pan – Shqiptare dhe veçanërisht me drejtuesin e saj organizativ z. Mondi Rakaj, është për mua përgëzimi më i mirë për punën që kam bërë.
Ky aktivist dhe atdhetar kaq i palodhur, që mund të them pa droje se është një nder për të gjithë shqiptarët që e njohin, ose kanë dëgjuar për të, ka lindur në qytetin e Shkodrës. Familja tij e madhe, e veçanërisht prindërit, do të bënin gjithçka për ta edukuar e shkolluar këtë djalë e për ta bërë një qytetar model të Shkodrës.
Mondi emigron në Amerikë në moshë të re dhe merr me vete të gjitha vlerat e një djali shqiptar nga Shkodra, merr me vete vlerat e gjithë qytetit të lindjes dhe Shqiponjën e Flamurit të Kombit, për t’i vënë në shërbim të Atdheut, duke iu përkushtuar çështjes shqiptare, veçanërisht në ditët tona, kur ëndrra shqiptare është Bashkimi Kombëtar.
Të gjithë shqiptarët kontribojnë kudo që janë dhe një ndër ata që kontribon është Mondi Rakaj, i cili pikërisht për këtë, në vitin 2022 është dekoruar me titullin e lartë “KALORËS I URDHËRIT TË FLAMURIT”.