
Prof.as.dr. Thanas Gjika/
Sa herë vjen 28 Nëntori, më vjen në mendje “Monumenti i Pavarësisë” vendosur në Vlorë te Sheshi i Flamurit. Vepër e rëndësishme e cila përgjithëson artistikisht përpjekjet e popullit tonë për liri. Mirëpo, pikërisht përgjithësimi i përpjekjeve të popullit tonë për lirinë kombëtare nga zgjedha osmane, le për të dëshiruar. Guzoj ta them këtë sepse ajo luftë ka pasur diapazon shumë më të gjerë sesa përfaqësojnë grupi i burrave me mustaqe, nja dy dhe me mjekër, që nënkuptojnë Ismail Qemalin e Naim Frashërin.
Aty mungon përfaqësuesi i klerikëve, të cilët përhapën arsimin shqip në kisha, xhami e teqe; mungon përfaqësuesi i gazetarisë, pra përpunuesit e mendimit politiko-shoqëror shqiptar,që krijuan ideologjinë kombëtare (Sami Frashëri, Faik Konica, etj); mungon përfaqësuesja e burrneshave shqiptare, të cilat luftuan krahas burrave dhe dhanë jetën në luftrat kundër pushtuesve osmanë (Princesha Argjiro në shekullin e XV-të, Nora e Kelmendit në shekullin e XVII, Tringa Smajli e Grudës në shekullin e XX-të, etj); mungon figura e femrës që ia kushtoi jetën shkollimit dhe emancipimit të rinisë shqiptare (mësueset Sevasti e Parashqevi Qiriazi në shekullin e XIX-të e XX-të dhe nxënëset e tyre që u bënë mësuese).
Pra, ky monument i krijuar gjatë kohës së diktaturës komuniste, si shumica e veprave artistike të atyre viteve, manifeston kufizimet ideore të kohës, kur Tringa Smajli e Grudës, që kishte luftuar me armë kundër pushtuesve turq e pushtuesve të rinj serbo-malazezë, nuk duhej përmendur se u prishej qejfi vëllezërve jugosllavë, kur shaheshin e denigroheshin Faik Konica që e shpalli komunizmin si regjin të pavlefshëm për Shqipërinë që më 1923, dhe Gjergj Fishta që luftoi me penën e tij shovinizmin serbomadh, kur Sevasti Qiriazi Dakos pushteti komunist i arrestoi të dy djemtë, me akuzë të reme se ishin agjentë të të huajve (më i moshuari, kirurgu i talentuar Gjergji Dako, vdiq nga torturat në hetuesi), etj.
Thjesht e shkurt, “Monumenti i Pavarësisë” ka nevojë të pasurohet me figura të reja, sepse e pasqyron të thjeshtuar e të cunguar Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e cila shpuri te shpallja e pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Prandaj sugjeroj që t’i shtohen këtij monumenti figura që të na kujtojnë burrneshën Tringa Smajlin e Grudës, për të cilën ekziston dhe fotografia e Marubit, dhe figura që të na kujtojnë poetin e dytë kombëtar, klerikun Gjergj Fishta, dhe ideologun Faik Konica dhe mësusen Sevasti Qiriazi…