Nga Miranda Sadiku/
ELBASAN/ Krahina e Dumresë numëron 84 liqene, të mëdhenj e të vegjël, njëri më i bukur se tjetri. Një pasuri që rrallë kush në botë e ka, por një pasuri që fle në heshtjen e saj shekullore. Kur Sami Frashëri endërronte Belshin kryeqytet të Shqipërisë, kishte parasysh përveç faktorit gjeografik edhe liqenet e pafund të Dumresë. Por, Belshi nuk u bë dot kryeqytet, ndërkohë që Tirana, megjithëse nuk kishte asnjë liqen e ndërtoi një të tillë artificial dhe një park rreth tij, ku relaksohen banorët e metropolit.
Liqenet e Belshit, me një bukuri të rrallë si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë etj, kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Fauna e liqeneve është e pasur me peshq të llojeve të ndryshme, siç janë krapi, karasi, ballgjëri, amuri, etj. Në disa liqene ka dhe ngjala, të cilat janë specie endogjene.
Liqenet e Dumresë janë formuar si rezultat i fenomeneve karstike, që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë dhe sot në përmasa më të vogla. Sipërfaqja e tyre e përgjithshme është rreth 640 ha, ndërsa aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë. Ata kanë madhësi dhe thellësi të ndryshme.
Janë liqene kryesisht me regjim shiu, që mbushen nga reshjet që bien. Disa nga liqenet më piktoreskë janë ai i Belshit, Merhojes, Seferanit, Cestijes, Deges, Liqeni i Kuq, i Paraskës, i Marinzës, etj.
Kryetari i organizatës së menaxhimit të peshkimit, Mehmet Hoxha, thotë se 26 nga liqenet e zonës së Dumresë shfrytëzohen për peshkim. Rreth 80 peshkatarë të zonës kanë marrë në administrim dhe shfrytëzim këto liqene, duke arritur të sigurojnë një prodhim 600-700 kv peshk në vit, i cili konsumohet tërësisht nga banorët e zonës.
Vetë Muhameti administron liqenin e Merhojes prej më shumë se 30 vjetësh. Peshkimi është një profesion i lodhshëm, që kërkon dhe pasion. Ai tregon se në liqenin e Merhojes vjet u kap një krap rreth 22 kg. Por, peshkimi kërkon edhe investime që nga blerja e rasateve, ushqimi i tyre, mbrojtja e liqeneve nga papastërtitë dhe nga gjuetia pa kriter.
Ndër liqenet më të bukur është edhe ai i Degës, ndërmjet fshatit Hardhi dhe Fierzë. Është një liqen i gjatë dhe i bukur, me një sipërfaqe prej 37,4 ha dhe një thellësi 17,9 m.
Zona e Dumresë ka patur më shumë liqene, por me ngritjen e ish- kooperativave bujqësore disa prej tyre u përdorën për vaditje dhe erdhën duke u tharë, ndërkohë që edhe kurora e tyre u shpyllëzua për toka buke.
– Sikur Belshi të ishte kryeqytet i Shqipërisë –
Në Belsh, të mëdhenj e të vegjël, e njohin dëshirën e Sami Frashërit që qyteza e tyre të ishte kryeqytet i Shqipërisë dhe kjo i bën të ndihen krenarë, sepse edhe pse kjo dëshirë nuk u bë realitet, ata dëshirojnë ta endërrojnë kështu vendlindjen e tyre.
Por, Belshi me liqenet e tij të panumërta, me kodrat e valëzuara, me resurset e mëdha natyrore dhe me njerëzit e tij punëtorë, mund dhe duhet të bëhet nesër një oaz i madh turistik në qendër të Shqipërisë.
Kryetari i organizatës së menaxhimit të peshkimit, Muhamet Hoxha, thotë se zhvillimin e turizmit do ta favorizonte shumë shpallja Park Kombëtar e të paktën 7 prej liqeneve më të mëdha të Dumresë, mbjellja me pemë si shelgje lotuese e pisha e brigjeve dhe kurorave të këtyre liqeneve, ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme, që do të lehtësonte edhe ardhjen e turistëve dhe për pasojë zhvillimin e zonës.
Por, shpresa e banorëve të zonës është ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme, realizimi i projekteve të mëdha të qeverisë për ndëtimin e Boshtit të Qëndrës, Berat-Kuçovë Elbasan, Tiranë, rikonstruksioni i rrugës Belsh-Lushnjë, që realisht do të bënin që të gjitha rrugët e Shqipërisë të kryqëzoheshin në Belsh për shkak të pozicionit të tij gjeografik. Banorët e zonës thonë se të gjitha rrugët të çojnë në Belsh, ashtu si dhe italianët përsëritin se të gjitha rrugët të çojnë në Romë.
Liqenet e pafund të Dumresë, njëri më i madh se tjetri e më i bukur se tjetri, mund të jenë një shpresë reale për zhvillimin e zonës. Shtoji kësaj dhe kodrat e buta e të valëzuara, që favorizojnë zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Shumë nga kodrat e Belshit kanë filluar të mbillen me plantacione me ullinj dhe me vreshta. Janë kryesisht emigrantët nga Belshi, të cilët pas një pune disavjeçare në shtetet fqinjë, janë kthyer dhe po investojnë paratë e fituara.
Krahas turizmit, e ardhmja e zonës është bujqësia dhe blegtoria, pasi Dumrea ka kushte të përshtatshme klimatiko-tokësore për kultivimin e shumë kulturave bujqësore, veçanërisht të drithrave të bukës, duhanit, perimeve, rushit dhe pemëve frutore.
Një nga banorët e vjetër të Belshit, Sadik Uruçi, thotë se keto vitet e fundit janë rigjeneruar mjaft pyje dushku, si dhe po gjelbërohet e gjithë zona për ta kthyer atë siç ka qenë, ndërkohë që shumë fermerë kanë mbjellë masive me vreshta, ullishta e pemë të ndryshme frutore dhe dita ditës Dumreja po gjelbërohet.
Dumreja ka dhe pasuri të tjera që presin të shfrytëzohen, siç janë rezervat e mermerit të kuq në fshatin Kosovë, që dikur janë shfrytëzuar për veshjen e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, por tani presin investitorët.
Dumrea po rizgjohet. Liqenet e saj të kristaltë nesër nuk do të flenë në qetësinë e tyre shekullore. Ato janë një dhuratë e mrekullueshme e natyrës, që presin tashmë dorën e njeriut për t’u kthyer në një park gjigand turistik të preferuar e të lakmuar, jo vetëm nga vendasit, por dhe të huajt. Por ka nevojë dhe për promovim. Sepse Belshi pak vend ka zënë deri tani në guidat turistike. Nesër Belshi do të jetë ndryshe, ndoshta dhe kryeqyteti i turizmit shqiptar.Kortezi; ATSH)