
Prof. Milazim Krasniqi/
Bamirësia është njëra nga aktivitetet e rëndësishme sidomos gjatë Ramazanit. Po ua kujtoj disa nga institucionet e bamirësisë klasike të muslimanëve. E meritojnë t’i mbajmë mend dhe t’i vlerësojmë si pjesë e trashëgimisë. Dëshmojnë për unitetin dhe devotshmërinë e gjeneratave para nesh. Mos përtoni të lexoni si më poshtë!
VAKËFI është njëri nga institucionet më të përhapura në shoqërinë muslimane, që nga koha e të dërguarit të fundit, Muhamedit(a.s.) Vakëfi është shkallë e lartë e bamirësisë, sepse njerëzit japin një pjesë të pasurisë së vet për ta shfrytëzuar të tjerët. Vakëfi caktonte mënyrën e shfrytëzimit të pasurisë që e jepte për bamirësi. Tradita e vakëfit ka qenë shumë e përhapur edhe në viset tona shqiptare. Shumë nga ato prona edhe sot shfrytëzohen nga bashkësitë fetare islame, si në Kosovë, ashtu edhe në tokat e tjera shqiptare. Nuk jam në dijeni, a ekziston në këto bashkësi një bazë e të dhënave për emrat e bamirësve dhe sasinë e pasurisë së dhuruar. Do të ishte korrekte të hartohej ajo bazë të dhënash, që gjeneratat e reja ta dinin se kush ishin paraardhësit tanë bamirës, prej të cilëve edhe sot ndihmohet jeta fetare islame në viset tona.
IMARETI ishte një institucion bamirësie në të cilin ushqeheshin të varfërit çdo ditë. Imaretet mbaheshin nga persona bamirës, të cilën nga pasuria e tyre financonin këtë formë bamirësie. Ushqimet që servoheshin, nuk ishin dosido, po ato bëheshin të ditura si një lloj menyje që publikohej. Në imaret jipeshin edhe ligjërata nga dijetarë të ndryshëm, që nevojlitë të përfitonin edhe edukim fetar. Shteti i drejtë dhe njerëzit e mirë, kur veprojnë bashkërisht, gjithnjë gjejnë mënyra të përshtatshme për të ndihmuar njerëzit. Por, në rast se shteti nuk e ka atë preokupim, njerëzit e mirë nuk duhet të stepen, ata duhet të ndihmojnë vetë.
KARVANSARAJI ishte një institucion që ofronte shërbim humanitar, social por edhe siguri për karvanet, udhëtarët dhe pasuritë e tyre. Kavansarajet ngriheshin në largësi të caktuara, ashtu që udhëtarët me karvane të mbërrinin nga njëri karvansaraj në tjetrin, para muzgut. Llogaritej se niseshin me të falë të namazit të sabahut dhe arrinin në karvansarajin tjetër, në kohën e ikindisë. Në karvansaraje ofrohej ushqim dhe strehim tre net falas. Edhe karvansarajet mirëmbaheshin nga njerëz bamirës, jo nga fondet shtetërore. Pasanikët besimtarë i financonin ato institucione me bindjen se ashtu fitonin shpërblimet te Krijuesi. Në karvansaraje kishte edhe mesxhide për falje të namazeve, hamame e në ndonjë rast edhe medrese. Karvansarajet ruheshin nga roje të armatosura dhe më të shumtën ishin të fortifikuara, që të ishte siguria e plotë.
BAMIRËSIA TASHË (guri i bamirësisë) ishte një institucion bamirësie shumë i veçantë, shumë i bukur. Si ishte kjo sadaka? Në një shtyllë guri, kund 1.5 metra, ndanë rrugës, liheshin para nga bamirësit anonimë. Të varfërit i merrnin ato të holla pas jacisë, nëpër errësirë, që të mos njiheshin as ata. Pra, as nuk dihej kush i jipte e as kush i merrte paratë. Sigurisht kjo bëhej falë besimit të fortë të dhënësit se Zoti mjaftonte që e shihte bamirësinë dhe nga synimi që nevojliut t’i ruhej dinjiteti. Vërtet, një bamirësi që të frymëzon e të bën të nderosh paraardhësit tanë besimdrejtë, që ishin aq zemërbardhë.